Shpirtluanesha e Dardanisë dhe poeti i dashurisë

Kultura

Shpirtluanesha e Dardanisë dhe poeti i dashurisë

Nga: Baki Ymeri Më: 27 shtator 2019 Në ora: 00:57
Kopertina e librit

Poeti fluturon me ndjenjat e tij nga shpirti në shpirt. Ku ka Dashuri, ka edhe talent, edhe inteligjencë. Ku ka inteligjencë ka modesti, ndjeshmëri dhe Dashuri. Talenti, mençuria dhe modestia janë cilësi që e përfaqësojnë autorin dhe shkrimtarinë e tij. Dashuria të lartëson nëpërmjet fuqisë së shprehjeve lirike, talenti të magjeps nëpërmjet stilit me të cilin del në pah para dashamirëve tu! Inteligjenca që u jep lindje mendimeve, ritmikisht, ndjeshmërisht, vërehet që nga poezia e parë deri te ajo e fundit. Kjo e rekomandon autorin të na bindë se Remzi Basha është poet i Dashurisë, poeti më i talentuar, më i shquar dhe më i dashur i mërgatës shqiptare të Skandinavisë.

Modestia e tij është e shoqëruar me sinqeritetin fëmijëror, gjë që të nxit të kthehesh në periudhat më të hershme dhe më të pastërta të njerëzimit. Autori me pak fjalë thot shumë. Idetë e tij gërshetohen me harmoni për të depërtuar në zemrën e lexuesit. Pse? Sepse ai vjen para nesh me një gamë ideshë, mendimesh dhe shprehjesh të ngarkuara me talent, sinqeritet, modesti, ndjeshmëri dhe Dashuri. Poetët janë do romantikë që nuk e masin se sa i thellë është lumi, por ata ndërtojnë mbi të ura, ura të shëndetit të qëndrueshme përgjithmonë.

Poezia është një njohje etnike, një peshë që depërton thellë në ndërgjegjen tonë artistike, një e vërtetë se çdo komb e nis zanafillën nëpërmjet poezisë si qenje dhe kuptim. Vargjet e autorit janë të ngarkuara me një sensibilitet të lartë, që ndërlidhet me rrënjët e ngarkuara të jetës, të ndjeshmërisë dhe të Dashurisë. Doktrina e tij poetike krijon një burim të pashtershëm meditimi dhe frymëzimi. Poeti i jep prioritet dashurisë dhe atdhedashurisë. Ai kontribuon fuqimisht për kultivimin e lirikës shqiptare në diasporë. Remziu është një mendimtar i shquar që e përshkruan botën personale duke e gërshtuar me ndjeshmërinë shqiptare.

Në vargjet e tij mungon orientimi politik, por jo edhe ai meditativ dhe filozofik. Krijimtaria e tij nuk mund të kuptohet nëse nuk i jepet prioritet meditimit lirik, metaforik dhe erotik. Erotika e tij nuk ka gjë të përbashkët me pornografinë apo banalitetin, por me ndjeshmërinë dhe realitetin. Lirika e Remzi Bashës gërshetohet me sentimentin e bukurisë, të hijeshisë dhe brishtësisë. Ajo është poezi e meditimit të kuptimit të jetës dhe të botës, të vendlindjes dhe të mërgimit. Atë e karakterizon triumfi i sensualizmit, pozitivizmit dhe realitetit shpirtëror, një realitet konkret që ndërlidhet me etikën dhe moralin ideal ndaj familjes dhe shoqërisë.

Poeti i jep prioritet femrës, Dardanisë së zemrave tona, shqiponjave të Dardanisë, vendlindjes dhe atdhedashurisë. Destini apo fati i kulturës shqiptare ndërlidhet jo vetëm me trojet etnike, por edhe me diasporën tonë. Në këtë kontekst, Remzi Basha shkëlqen me vargje briliante kushtuar botës shqiptare dhe ndjenjës së ndjeshme të ndjeshmërisë. Ndjeshmëria e tij nuk kaplon përmasa universale, por nacionale dhe senzacionale. Ai din të meditojë për vizionin e botës dhe inkuadrimin e shqiptarizmit në botë. Meditimet e tij janë tejet interesante për deshifirmin e ndjeshmërisë ndaj femrës dhe Dashurisë. Realiteti i tij shpirtëror nuk krijon një luftë dramatike ndërmjet burrit dhe gruas, por përkundrazi, një përkushtim hyjnor ndëmjet Shpirtluaneshës së Dardanisë dhe poetit të Dashurisë.

E kemi thënë paraprakisht se poeti është mbret, por mbreti nuk është poet. Remzi Basha është edhe poet, edhe mbret. Mbretëria e fjalëve të tij e josh lexuesin shqiptar për ta lexuar dhe rilexuar. Meditimi personal, dashuria ndaj femrës dhe interesi nacional kanë rëndësi të veçantë për deshifrimin e lirikës së tij. Jeta ka kuptim dhe kuptimi ka jetë. Fuqia magjike e dashurisë krijon ekzistencën e jetës në përmasa familjare, nacionale dhe universale. Autori vjen para nesh me ide dhe përfytyrime, me mendime e meditime briliante artistike dhe emocionale. Shpirti i tij digjet për dashuri dhe atdhedashuri. Ai është një krijues ideshë dhe sentimentesh që meritojnë të mbahen mend.

Remzi Basha nuk është një krijues kujtimesh melankolike, por ai është një vizionar sentimentesh erotike, romantike dhe patriotike. Idetë, qëndrimet, bindjet dhe meditimet e tij, e pasurojnë bibliotekën e sentimenteve letrare dhe atdhetare. Lirika shqiptare e diasporës sonë, nëpërmjet zërit të tij ngritet në një nivel më të lartë. Kaq sa për sot, duke u lënë vend edhe kritikëve të tjerë ta deshifrojnë poezinë e maratonit të lirikës shqiptare në trojet e Skandinavisë. (Bukuresht, 27 Shtator 2019).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat