O do bëhet Lura jonë, o mos na thançin lurianë!…

Kultura

O do bëhet Lura jonë, o mos na thançin lurianë!…

Nga: Gëzim Loka Më: 30 shtator 2019 Në ora: 23:01
Gëzim Loka

Lurë moj flakërimë drite

Nga e moçmja histori

Priti djemtë e tu ndër vite

Që po kthehen përsëri…

 

Ma ke shtatin prej sedefi

Vesh e mbath gjithë hijeshi

Në gjirin tënd dehet dhe Mbreti

I duket vetja porsi fëmijë…

 

Në gjirin tënd çelin agimet

Me ngjyra të ndezura jargavani

Në syrin tënd të bukura zgjimet

Janë kaltërime prush si zjarri…

 

Stoli e dheut të lashtë arbëror

Ti palcë e dheut të tokës ilirianë

Ku bujtën mbretër e perandorë

Dhe gjurmët e tyre këtu sot janë…

 

Ku lahej Teuta me qumësht drite

Në netët me hënë pesëmbëdhjetëshe

Ku vetë Çezari tash tre mijë vite

Në gardë lurianë  mori më vete.  

 

O moj Lura me karare

Me adete, mal më vete

Porsi shoqet hyr në valle

Vështrimin në histori trete…

 

Jemi këtu, në pragun tënd

Ku frymon çdo fije bari

Ku çdo plagë ende na dhëmb

Ku bulon në zemra malli.

 

Ku nën guva me ujin akull

Fle një botë plot mrekullime

Ku çdo ndjenjë rrjedhë krejt e pastër

Pa pekule, pa mashtrime…

 

Kënga këngën të pasojë

Vallja vallen sup më sup

Çdo pëllëmbë të jehojë

Në këtë tokë me emrin Lurë.

 

Erdhën djemtë, o erdhët burrat

Erdhën vajzat gjeraqina

Më shumë ujë po sillkan gurrat

Më shumë bar ka ndër lëndina…

 

Hijeshia rrjedh si ujëvarë

Në çdo prekje, në çdo rrudhë

Në këtë troll ku jem të parë

Që nga Mbretëresha Teutë…

 

Në këtë troll me zjarr baroti

Ku qëndreu vetë Skënderbeu,

Do të vijmë ne mot pas moti

Të marrim forcë si Anetu…

 

Ditë e Lurës, Ditë Bekimi

Ditë me parzmore drite

Na solle rreze ndriçimi

Në krahë ëndrrash ti na rrite.

 

Si në baladat shqiptare

Rigjeti motra vëllanë

Gjak e rrënjë këtu në male

Na kthyen në kohë të parë.

 

Na kthyen në kohë bekimi

Ku vllaznimi kishte dukë

Ku e drejta larg tunidimi

Me të drejtët hante bukë.

 

Priti Lurë ti djemtë sojli

Priti vajzat gjithë nure

Do të kthehemi përsëri

Të Bëjmë Lurën fushë me lule.

 

Ta bëjmë Lurën tokë premtimi

Gjethe shprese të çel dita

Të rrjedhë djersa në pikë vlimi

Të buis në çdo kullë drita.

 

Ne e duam çdo grimcë dheu

Dashurojmë çdo fije bari

Nën oretk ku bën gjumë ariu

Digjet malli prush si zjarri.  

 

Këtu lisat, bjeshkët, rudinat

Flasin me vetë retë në qiell

Prroskat, pllajat dhe lëndinat

Mrekulli janë nën këtë diell…

 

Ditë e Lurës, Ditë e Madhe

Ditë me pagëzim bese

Kënduam dhe hodhëm valle

Ndezëm në Lurë një zjarr shprese…

 

Vizituam pragje, kulla

Ndër kopshtie, ndër ograja

Bashkë së toku gra e burra

Ndër livadhe, nëpër pllaja.

 

Pimë kafetë gjithë lezete

Të të ëmblit dhe lurianë

Ngritëm kupa me shëndete

Për lurianë ku janë e s’janë.

 

Jemi betuar, fjalë e vepër

Një betim e bëmë të tanë

O do bëhet Lura jonë

O mos na thançin lurianë!…

 

Do ringallim besë e karare

Do t’i japim rrugë zhvillimit

Të bëjmë jetën lule në male

Të jemi bijë të Bekimit…

 

Të ngrejmë muzenë e Lurës

Të prehet vetë historia

T’i japim dimension kulturës

Të kthehet në Lurë rinia…

 

Të marrim në dorë timonin

Ta çojmë Lurën vetëm përpara

Ti mbushim pragjet me zëra jete

Të gjallërohen livadhe e ara…

 

Kjo ditë luriane që nisi rrugë

Le të vazhdojë në përëjetësi

Në gjirin çdo na fle çdo rrudhë

Ndaj do të kthehemi përsëri…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat