Një poemë e panjohur e Kudret Kokoshit

Kultura

Një poemë e panjohur e Kudret Kokoshit

Nga: Enver Memishaj Më: 10 tetor 2019 Në ora: 11:07
Enver Memishaj

Kudret Kokoshi lindi në Vlorë, më 18 shtator 1908. Arsimin e mesëm dhe të lartën për Drejtësi i kreu në Itali ku  fitoi gradën doktor i shkencave juridike. Kishte pasion letërsinë dhe kreu edhe këtë fakultet. Në vitin 1934 u kthye të shërbente në atdheun e tij. Gjatë luftës ishte udhëheqës dhe ideolog i Ballit Kombëtar. Në maj të vitit 1944, u arrestua nga Gestapua gjermane dhe u internua Mathauzen. U lirua në dhjetor 1944 dhe iu propozua të bënte karrierë në perëndim, por ai preferoi të kthehej në atdhe. Sapo erdhi në Shqipëri, më 5 qershor 1945, komunistët e arrestuan dhe e dënuan me vdekje. Vuajti në burgun e Burrelit deri më 25 dhjetor 1964. Vdiq në Vlorë më 26 prill 1991.

                                                        *        *       *

Poema “I përpjekuri”, që ne e botojmë me titullin “Luftëtari” është me shkrim dore në 6 fletë të shkruara nga të dy anët plus fletën e shtatë të shkruar nga një anë dhe në fund është shënuar Bs. As. 1948. Fotokopjuar në 13 fletë format. Nuk ka emër autori. Faqja e parë fillon me numurin 000029 deri në 000035.
Duke krahasuar traktet e Kudret Kokoshit me shkrim dore që kemi gjetur në arkivin e MPB në dosjen 281 me shkrimin e kësaj poeme arrimë në përfundimin se autori i kësaj poema është Kudret Kokoshi. Edhe përmbajtja e poemës na bind se autori është Kudret Kokoshi, pasi më mirë se ai nuk e njihte jetën dhe bëmat e Hazis Sharrës.

Poema botohet duke i qëndruar besnik origjinalit, pa bërë asnjë ndryshim.

Në vitin 1992, Dino Alemi, kunati Kudret Kokoshit më dha një fletore ku Kudret Kokoshi, me shkrim dore kishte përmbledhur gjith krijimtarinë e tij në poezi. Unë botova shkrimin „Në kujtim të poetit dhe patriotit Kudret Kokoshi“ të shoqëruar me disa poezi që i nxorra nga fletorja e tij. (Gazeta „Zgjimi“, organ i Partisë Demokratike Vlorë, nr. 16, dt. 20.8.1992)

Në këtë fletore nuk gjendet poema “I përpjekuri“ alias „Luftëtari“, po kështu kjo poemë nuk gjendet as  në librin Kudret Kokoshi “Drithmë jete“, përmbledhje e plotë me poezitë e poetit botuar nën kujdesin e Visar Zhitit dhe Eda Agaj nga Shtëpia Botuese „Naim Frashëri Tiranë 1995. Pra, nga sa del poeti e ka shkruar këtë poemë në burg në vitin 1948, fakt që duket edhe nga numurimi i faqeve: 000029 deri në 000035 dhe kur ka bërë përmbledhjen e poezive nuk e ka pasur poemën, apo nga vetcensurimi nuk e ka hedhur në fletoren që përmblodhi gjith krijimtarinë e tij. Poema është gjendur në duar të studjueses dhe poetes Laureta Petoshati, që mësonte prej Kudretit gjuhën italiane e cila ia dha Shpëtim Sharrës, nipit të Hazis Sharrës.

Kudret Kokoshi                                                            

LUFTëTARI
Luftëtarit Antifashist:
Hazis Sharrës, rënë më 8 tetor 1943 nga plumbat e pabesisë komuniste.

Që i vogël i përpjekur,
Zemrën eshtër, kokën hekur,
I egërtë e i përhedhur,
Syrin pish dhe ballin vrenjtur.
Hall i madh për at e nënë,
Dy gurë bashkë kurrë s’i pat lënë.
Që i vogël shum i gjallë,
Dy copa druri gëzhdallë,
I kish kobure dhe pallë,
Gryk e palltos dhe qemeri,
Si nishane oficeri,
I zgjidhte shokët me radhë,
Grupe-grupe si ushtarë.
I ndante në dy kumandë,
Si armiq ballë për ballë,
Për në luftim i lëshonte,
Bërtiste kur komandonte,
Çikëndi syri i ndriçonte.
..........................................
Porsi dem e kishte zënë,
Dy gur bashk, kurr s’i pat lënë.
                     * * *
U rrit e vajti në shkollë,
Ndëgjoi historinë kombtare,
Që çilimi në Stambollë,
Thosh një libër abetare.
Dukej çdo bëhej një ditë,
Gjergji i vogël, yll me dritë.
E një ditë erdhi dita,
Me treqind e ca shqiptarë,
E la luftën për Huniadhë,
Në mëngjes si agimi të parë,
Ai burrë e la Turqinë,
I la gradat dhe ushtrinë,
Erth në Krujë ngriti flamurin,
Shqipen e Lekës dhe Burrit.
Çilimi duke dëgjuar,
Historinë kombëtare,
Rrin n’ lloi duke menduar,
Ato luftëra legjendare,
Dhe në lodra djaloshare,
Përkujtonte historinë,
Vet në ballë e prita e zjarre,
Me at anë që e kish të tijnë,
Si shqiptarit ja jep feja,
I thoshnin Zize rrufeja.
…………………………………
Si me barot të qe zënë.
Dy gurë bashk, kurrë s’i pat lënë.
                          * * *
Rritur para kohe djali,
Fryrë llëra edhe gusha,
Si rritet ujku rrëzë mali,
Si rritet demi në fusha.
I fortë porsi dragua,
Shkoi brisku përmbi faqe,
Zuri qielli u errësua,
Erdhi koha lyer me gjaqe.
- Më erdhi rradha dhe mua!
u thirri shokëve Azizi,
e la vashën të fejuar,
dhe lezetet pas kurrizi.
Veshi opingat e lakta,
U hoth e dolli në male,
Dy tri fjalë po të sakta,
Në Bestrovë u ra gjermanëve,
Në qafë te Gurra e Vakëfe,
Me dy çeta shum të pakta,
Si petriti shkon përpara.
- O burra se Hazis Sharra,
U vërvit në vijë të zjarrit,
Thirri Durua që ish si dará.
Kreshpanjak e goxha djalë,
Pas Azizit ra borija,
Në zjarr e gjallë djalëria,
Me dorë brenda istikamit,
Çuditi syt’ e gjermanit,
Që në male të Ballkanit,
Kjo ishte herë e parë,
Që pa luftë e pa shqiptarë.
O burra në istikam,
Se u fut brenda Azizi,
Bashkë me Barjam Selmanë,
Bërtiti Qerim Harizi,
Grykë për grykë me gjermanë,
Iu gjet Metja pas kurrizi,
Njeriun e preu mekami,
Një për sheshi e rrukullisi.
Zu një oficer të gjallë,
Një top që qëlloi nga Vrizi.
I dogji s’u gjety nishanë,
Kur u ngrit në këmbë Azizi,
Tym e mjegull më ç’do anë,
Njerma në Breg të Orizit,
Mblodhi shokët që kish mb’anë,
Armikut prapa kurrizi,
Në gjurmë të thembrës në lukth.
Iku armiku u dërrmua,
Kur e pa që si dragua,
Binte labi si sqifteri,
Binte vdekja, binte tmerri,
Fush e luftës mbytur n’ gjak.
Binin lebrit si vetëtimë,
Nëpër llohë me suferinë,
Atje tek Azis Sharra,
Sa po t’i dëgjonin zënë,
Nëpër zjarr e nëpër gjëmë.
Azizi shkonte përpara,
Azizi që çilimi,
Dy gurë bashkë kurrë s’i pat lënë.
Rynë vullnetarët në Vlorë,
Shokët e zjarrit e zgjodhë,
Kumandant të djalërisë,
Me shokë dorë për dorë,
Në Qabe që i thonë Vlorë,
Për agimin e lirisë.
Një dorë në kraharuar,
Njërën dorë përmbi vetull,
Armë dhe gjerdan shtrënguar,
Një kamzhik nënë sqetull,
Gjithnjë i gjallë i përpjekur.
Hazizi që kishte qënë,
Dy gurë bashk kurr s’i pat lënë.
Një natë t’errët dimërore,
Pas një muri një katua,
Një dorë e ndyrë trathëtore,
Mbëshehur e siguruar,
Zbrazi armën mizore,
Tek shkonte udhës Azizi,
Një batare pas kurrizi.
U kthye djali i gjallë,
Me gjith plumbat që pat marrë,
Për t’u thënë nja dy tri fjalë,
U afrua tek pusija,
Nëpër dritë të bataresë,
Shkuli koburen me pesë,
Qëlloi nga dil shkëndija.
- I bini prapa kurrizit,
Se është plagosur Azizi.
- Thirri një nga gjakësorët:
Ikni kush mund të shpëtojë,
S’ka nëjet që të mbarojë,
Erdhi na zuri me dorë,
Në terr ulërinin mizorët.
…………………………………
Dhe një çast zhurma pushoi,
Duall e iknë nga katoi,
Si minjtë buzë përroi.
                * * *
I pështeti krahët murit,
Vështroi dy kupat e gjurit,
Vdekj’ e shkretë q’i përgjunji,
Pështyjti prej ndyrësisë,
Përmbi hekura të pusisë,
Si plak i urtë prej mërzisë:
Oh, or dobiçë të Rusisë
Shitët flamur ‘ e lirisë - !
Ra luani siç kanë rënë,
Viganët e historisë,
Heronjt q’emër u kan vënë,
Epokavet të njerzisë,
Martirët që e kan bërë,
Me gjak bukën e lirisë.
Ra dragoi si bie burri,
Ashtu si ra Barjam Curri,
Në shpellë të Dragobisë.
Ashtu si ra Gurakuqi,
Mërgimin me gjak e skuqi,
Jetimi i mëmë Shqipërisë.
Ra si ra Qazim Koculi,
Ati i Kombit e i lirisë,
Ra si ra Avni Rustemi,
Si ra Spiro Ballkameni,
Si ra Marku i Marka Gjonit,
Princi i princave fisnikë.
Gjaku i pastër i Bib Dodit,
Kapedani për Mirditë,
Ra në çark si bije luani,
Ashtu si ra Azis Çami.
Si ra Shahin Nuredini,
Ashtu si i pat rënë i biri,
Si Nekiu dhe Tasimi,
Si ra Demir Kallarati,
Si ra Hamdi Bej Çeprati,
Si ra Nuredin Ilazi,
Si Sehiti e Ejup Kazazi.
Si ra Rrapo Meto Plaku,
Si Pashuk Bibë Miraku,
Me të nipin, djal i ri,
Ndoc Mirakaj bir zotni,
Djalë për shkollë e dituri.
Si ra Gjeto Mir Uruçi,
Si ra në Vlorë Abdul Kuçi,
Ati i ligjit në liri,
I shenjtë për drejtësi,
Që nuk ju tremb syri burrit,
Këndoi hymnin e flamurit,
Udhës për në pushkatim,
Thirri i qetë e me guxim:
- Mba mend e mëso moj Vlorë
Kur të t’vijë t’a bëçë me borë,
Azis Sharra, ra si bienë,
Ata që duan idenë.
Që për mëmë e besë e fenë,
Kan Shqipërinë e atdhenë.
Sa shekuj që shkojnë e venë,
Viganë për dorë i bienë.
Rojë e gjallë për mëmëdhenë.
Si ra Leka për fitore,
Për një shqipe dykrenore,
Si ra Pirrua nga Stranica,
N’Argos me tjegull mbi kokë.
Si ra Hysni Lepenica,
Bashk me trimat në Grehot,
Si bjenë të mëdhenjtë në prita.
Si Skënder Muçua me shokë,
Si bien për të ngjallë lirinë,
Yjet që shkruajnë historinë,
Krahë për krahë me Perëndinë.
I përpjekuri Bs. As. 1948.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat