Me 15 tetor Trieshi dhe Malësia do të këndojnë Alelujah Aastriot Alelujah dhe këngën Prite, prite Skënderbeun

Kultura

Me 15 tetor Trieshi dhe Malësia do të këndojnë Alelujah Aastriot Alelujah dhe këngën Prite, prite Skënderbeun

Nga: Gjekë Gjonlekaj/New York Më: 13 tetor 2019 Në ora: 06:22
Skënderbeu

Me 15 të këtij muaji Trieshi do të bëjë një vepër të mirë kombëtare dhe njerëzore,ngase do të vendosë në oborrin e shkollës 9-vjeçare bustin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut. Edhe pse me vonesë më në fund kjo shkollë dhe kjo trevë iliro-arbërore me këtë vepër po nderon Malësinë në përgjithësi dhe Trieshin në veçanti. Kjo shkollë e mban këtë emër por të zbehtë për më shumë se një gjysmë shekulli. Shumë më përpara trieshianët kishin ide për këtë bust, por 550-vjetori i vdekjes së tij i frymëzoi edhe më shumë banorët e kësaj treve për një vepër siç është kjo. 

Në gusht të vitit 1998 vizitova Muzeun Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu në Krujë. Kjo vepër madhështore historike dhe artistike më zgjoi edhe më shumë dashurinë për heroin tonë kombëtar. Kjo trevë legjendare e Arbërisë kishte disa gjëra të përbashkëta me vendlindjen time. Malet e larta për rreth Krujës më kujtonin tri malet e larta për rreth Trieshit. Aty në Muzeun e Krujës ishin vendosur shumë artifakte të kohës së tij, midis tyre edhe xhubleta identike me xhubletën e Malësisë sonë që thonë se ishte xhubleta e nënës së tij. Në atë muze kishte shumë relike të ngjajshme me ato në Triesh dhe në Malësi. Edhe armët e Skënderbeut në të cilat betohej Marash Marku i Trieshit ishin aty, siç ishte edhe vepra historike e Dr. Athanas Gegaj. Ndërsa dashurinë dhe respektin për këtë hero legjendar të kombit shqiptar e kisha dëgjuar nga mësuesi patriot Gjon Gjeka i Trieshit. Do të ishte në nderin e Trieshit nëse atë ditë përmenden emërat e këtyre tre burrave trieshianë. 

Kjo"Spartë e Vogël" në krahun e djathtë të Lumit Cem ka një të kaluar të bujshme historike dhe tragjike. Ky ballkon i Malësisë siç e ka cilësuar Pëllumb Sulo i Zërit të Amerikës, gjithmonë është sulmuar nga pushtuesit e ndryshëm shumë herë nga fiset barbare të Lindjes ose Veriut. Kjo trevë midis Kuçit e Malësisë do të thoshte Lucë Lucaj ishte sulmuar vazhdimisht nga rrebeshet sllavo-turke. Sllavët sulmonin nga Qafa e Gozdecit dhe Qafa e Mollë, ndërsa turqit nga Qafa e Nagrivës dhe Qafa e Smedecit. Këto 4 qafa ishin pikat më strategjike në mbrojtjen e vendit. Trieshi u pushtua nga sërbo-malazezët në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në atë kohë Trieshi e kishte braktisur vendin për shkak të sundimit sllav, ata ishin strehuar në trevat shqiptare të pushtuara nga Turqia. Refugjatët trieshianë kishin qëndëruar atje 7 vjet dhe më në fund ishin kthyer në vendlindje pas Marrëveshjës së Marash Markut me Knjaz Nikollën që ata mund të kthehen në vendlindje. Vojvoda i Trieshit Marash Marku u kishte garantuar se do të jenë të lirë në punët e tyre të përditshme, duke u garantuar lirinë e plotë të gjuhës shqipe dhe të fesë katolike dhe traditave shqiptare. Në ato kushte Trieshi me ndërhyrjen e Marash Markut kishte fituar një lloj autonomie. Në Triesh për trieshianët ishte e ndaluar gjuha sllave, siç ishte e ndaluar edhe feja islame e ortodokse. Të gjitha gratë malazeze në Triesh detyrimisht e flisnin gjuhën shqipe, shumë herë me vështirësi dhe gabime. Edhe martesat e vajzave të Trieshit me sllavë ishin të ndaluara, ngase luftërat kundër nipave dhe mesave sërbo-malazeze ishin të pamundura si pasojë e lidhjeve të gjakut dhe familjes. Disa familje të kësaj treve kishin bashkëpunuar me pushtuesit, ashtu siç kishin bërë të gjithë popujt e okupuar. Ata disa herë kishin hyrë në këto shërbime për të mirën e tyre dhe të vëndit. Jo të gjithë por disa nga ata e kishin keqpërdorur pozitën e tyre në dëm të Trieshit, dhe kjo pabesi dhe e mbrapshtë vazhdon sot e kësaj dite.

Turqia dhe sërbo-sllavët kishin besnikë në Triesh. Trieshi është sulmuar shumë herë jo për pasuritë natyrore, por për çështje strategjike,ngase prej Trieshit mund të pushtohej Kelmendi,treva më strategjike e Veriut të Shqipërisë. Malësia e Madhe e në veçanti Kelmendi është ura kryesore e lidhjeve të Shqipërisë me Kosovën. Për të ruajtur kufirin midis Trieshit e Kelmendit Jugosllavia kishte ndërtuar 5 karaulla ushtarake nga Lemaja e deri në Bjeshkët e Koshticës. Gjatë këtyre 150 vjetëve të pushtimit sllav të Trieshit janë bërë shumë presione drejtë çkombëtarizimit. Sërbo-malazezët nuk kishin hapur asnjë herë, asnjë shkollë në gjuhën shqipe. Të gjitha shkollat e tyre kishin qënë në gjuhën sllave. Austria dhe Gjon Gjekë Lucaj e Josip Rela kishin hapur shkollën e parë në gjuhën shqipe në Triesh, por pas disa vjetësh ishin mbyllur dhe ishin hapur përsëri në kohën e Italisë. Jugosllavia e Re u kishte premtuar malësorëve trieshianë se shkolla në gjuën shqipe do të vazhdonte punën ashtu siç kishte vepruar në kohë të Italisë. Natyrisht se shkollimi për 75 vjet në gjuhën shqipe kishte dhënë disa rezultate për të mirën e Trieshit dhe të Malësisë. 

Kjo Rrafshnalt, të cilën rapsodët e vajtorët në vargjet e tyre poetike e tragjike e quanin "Qeta e Trieshit", ishte shëmbull trimërie dhe bujarie. Kjo trevë legjendare kishte qënë frymëzim për dijetarin dhe luftëtarin e famshëm malazez Mark Milanin. Atje në Triesh ishte frymëzuar ky burrë legjendar i fisit të Kuçit. Për Trieshin kishin shkruar Anton Harapi, Mary Durham, Antonio Baldacci, Nopça dhe Potopovi, dhe shumë dijetarë  kroatë, sërbë e malazezë. Për Trieshin mund të kenë lënë shënime me rëndësi dhjetëra meshtarë italianë që kishin shërbyer në këtë trevë për më shumë se një çerek mileniumi. Nëpër shekujë në Triesh ishin strehuar trimat legjendarë të Malësisë. Atje në Triesh kishte gjetur shpëtim Vuksan Gela i Grudës, Dedë Gjo'Luli i Hotit dhe trimat e tij. Atje ishin strehuar edhe Mehmet Shpëni e Zenel Shabani dhe kush nuk kishte dëgjuar për strehimin politik të Sokol Bacit në shtëpinë e përmendur të Mirash Ujkës. 

Kush nuk kishte dëgjuar për burrat legjedarë të kësaj treve:Lekë Ivanin, Pjetër Vukan Cacin dhe Mark Gilë Doshin. Kush nuk kishte dëgjuar për qëndresën anti sllave të Trieshit në Lamë të Nikmarashit dhe në Grykë të Nagrivës e në Qaftë të Smedecit. Në Triesh kishin lindur e vepruar gra të përmendura. Sot e kësaj dite flitet me krenari për trimërinë e Milicës së Markut, për ndërhyren e Mrike Ujkes në faljen e gjakut të djalit që i kishte shkrepur hisen dhe për tragjedinë e madhe të 6 fëmijëve të Lulë Koles së Kolë Dedë Husit e cila për një vit kishte humbur 6 fëmijë prej moshës 7 e 17 vjeçare. Kacakët e Hyrrjetit në krye me Dëdë Gjo'Lulin kishin gjetur strehimin e shpëtim në këtë trevë të përmendur për besë e bujari. Natën e Shnjonit me 28 gusht të vitit 1910 Dedë Gjo'Luli dhe trimat e tij i kishin thënë lamtumirë Hotit dhe ishin vendosur në Triesh për të vazhduar luftën e tyre kundër Perandorisë Otomane. Atë natë të shejtë kishin kaluar Urën e Lemajës dhe kishin hyrë në territorin e Trieshit qindra malësorë kryngritës e liridashës. Atje kishin dalë për t'i pritur Gala Smajli,Mirash Gjoka e Tomë Hasani dhe shumë të tjerë. Natyrisht se Trieshi ishte përgatitur për ardhjen e tyre. Kënga popullore tregon më së miri për këtë pritje fisnike të kësaj treve arbërore. Kënga popullore e ilustron më së miri pritjen e Trieshit për refugjatët nga Malësia:
                             

 “Kur kan dal kaçakt hyrjetit

s’kan gjet vët përktej detit,

Deri çi kan dak ne bajrak t’Trieshit,

Ën bajrak t Trieshit kur kan hi,

Çilën derën dyqin shpi;

Gala Smajlin e kan psy.


Jan bashkuo parija tu Gali,

Ded Gjon Luli e Zenel Shabani

prej Kosovet Ktu ja perrini,

me komit Isa Boletini.

Ktu kan ardh prej Shals vëtit

krejt komita e Mehmet Shpënit”.

Në Greçë te Trieshit dhe Kelmendit ishte përgatitur memorandumi i famshëm i Greçës.

Trieshi dhe gjithë Malësia kishte pësuar rëndë nën pushtimin e Jugosllavisë se Vjetër. Bashkimin e Malësië me Shqipërinë në kohën e Italisë e kishin pritur mirë. Por ajo periudhë nuk kishte pasur jetë të gjatë. Trieshi dhe Malësia përsëri kishte mbetur nën pushtimin e Jugosllavisë së Re, e cila pas shëmbjes së regjimit stalinist kishte qënë pak më e butë për shqiptarët, duke mos ndërhyrë kundër gjuhës shqipe,besimit në fenë e tyre dhe pronës private. Katër vitet e stalinizmit në Triesh kishin qënë të përgjakshme. Periudha staliniste e Trieshit kishte qënë shumë tragjike, ngase në atë kohë ishin bërë shumë përpjekje kundër lirisë fetare, kundër traditës dhe pronës private. Sot e këasj dite flitet për kolektivizimin banal të pronave dhe pasurive tjera në Triesh. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin bërë vrasje e masakra të mëdha në Triesh dhe në Malësi. Këto vrasje ishin bërë kundër malësorëve të pafajshëm. Numri i atyre që u pushkatuan në atë kohë është i madh. Në Triesh ishin strehuar partizanët shqiptarë e sllavë, pastaj edhe ballistët e çetnikët. Në Triesh gjetën mbështeje edhe emigrantët politikë antikomunistë të Shqipërisë. Në këtë rrafshnaltë të vogël pothuajse 1000 metra përmbi nivelin të detit, stina e dimërit është shumë shumë e ftohtë dhe vera mund të jetë shumë e thatë,çfarë shkaktonte edhe varfëri të madhe. Këto ishin arsyet kryesore për shpërnguljen e vazhdueshme të popullatës së Trieshit. Shpërngulja më e madhe e Trieshit që mund të quhet ekzod biblik filloi një gjysmë shekullli më parë. Largimi drejtë Amerikës ishte sa trishtues edhe i dhimbshëm. Këto ikje masive ishin skena dhe episode të hatashme.Tash një gjysmë shekulli Trieshin e kanë braktisur 200 shtëpi. Sot atje jetojnë vetëm 25 shtëpi. Një pjesë e madhe e tyre jetojnë në Tuz dhe në Podgoricë e rrethina. Pronat e Trieshit shtrihen nga Fusha e Rakiqit pranë Dheut të Zi e deri në Liqënin e Rikavecit afër Vermoshit .Bjeshkët e Trieshit janë shumë të pasura dhe flora e fauna e këtyre bjeshkëve është shumë e larmishme. Korita sot mbase është bjeshka më e bukur e Malësisë së Madhe. Edhe Cemi i Trieshit është shumë i pasur. 

Rruga e re ndërkombëtare do ta bëjë edhe më ta pasur këtë rajon. Pjesëmarrësit e përurimit të lapidarit të Skënderbeut në udhë e sipër për në Triesh nga Qafa e Rozdecit do ti shohin bukuritë piktoreske të kesaj rrafshnalte të mrekullueshme. Pas ceremonisë do te kenë mundësinë për të parë edhe Kanionin e Cemit dhe Kryqin e Madh ne Grykë të Delajëve. Në Triesh do të shijoni ushqimet organike të vendit dhe do të dëgjoni këngëtarët e njohur të Malësësië, të Shqipërisë dhe të Kosovës. Ndonjë çakall  i pabesë edhe mund të prishë qetësinë,por organizuesit janë të përgatitur për ndonjë budallallëk të mundshëm. Patriotët me bateri mund të kenë ndonjë pretendim për të prishur madhështinë e asaj dite por ata mund të ndalohen. Kjo është dita më historike e Trieshit. Më 15 të këtij muaji në zëmër të trieshit do të vendoset busti i një prej trimave më legjendarë të historisë njërëzore. Fryma liridashëse e këtij burri shqiptar mbase do të sjellë në Triesh optimizëm dhe entuziazëm për vepra të mëdha kombëtare dhe njerëzore. Skënderbeu ishte hero, por ishte edhe fisnik e besnik, ishte i përparuar dhe i qytetëruar. Idealet e tij të janë shëmbull për brezërit e ardhshme të kësaj treve. Kjo vepër e madhe është e para e këtij lloji në Malësi të Madhe. Është vepër historike dhe artistike. Të gjithë ata që punuan seriozisht për realizimin e kësaj vepre meritojnë nderime. Shpresojmë që ndonjëri prej folësëve të rastit do ta kujtojë 112 vjetorin e luftës së Lemajës dhe Grabomit kundër ushtrisë turke. Nderime të posaçme meritojnë kryetari i Fondit Humanitar Trieshi, zotni Marash Lucaj dhe Nua Dedivani nga diaspora e Trieshit në Detroit. Gjithashtu meritojnë nderime dhe respekt kryetari I Komunës së Tuzit dhe Malësisë  Nikë Gjeloshaj dhe vëllau i tij Tomë Gjeloshaj për kontributin e tij prej arkitekti. Meriton nderime të mëdha edhe drejtori i shkollës së Trieshit zotëri Nikollë Dukaj. Lusim Zotin dhe shpresojmë se kjo do të jetë një epokë e re dhe një rilindje e dytë e Trieshit. Dhe në fund për humor po e them një fjali që do ta kishte thënë Skënderbeu përpara se të vendosej në Triesh: "Ngatrresat dhe pabesitë nuk i solla unë por i gjeta këtu dhe shprespoj që tani e tutje këto veprime të mbrapshta do të zhduken".

Urime Triesh. Urime Malësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat