Cilësorja e zhvlerëson dhe e zhbën mesataren

Kultura

Cilësorja e zhvlerëson dhe e zhbën mesataren

Nga: Thanas L. Gjika Më: 16 tetor 2019 Në ora: 09:02
Thanas L. Gjika

Në shoqërinë njerëzore dukuria / dukuritë që shquhen për vlera cilësore kanë ndikuar dhe ndikojnë mbi dukurinë / dukuritë me nivel mesatar (mediokër). Që në kohët e lashta, para krijimit të shteteve dhe administratve qeveritare, fiset e krahinat e ndryshme drejtoheshin prej individësh që shquheshin për zgjuarësi të veçantë. Pikërisht individët e shquar për nga zgjuarësia kanë ndikuar mbi pjesëtarët e tjerë të fisit, shoqërisë dhe të kombit për mbarëvajtjen e punëve dhe zgjidhjen e problemeve.

Përcaktimi i një personi si “plak i mençur / kryeplak” i fisit, i fshatit ose i krahinës nuk bëhej sipas dëshirës së një njeriu të pasur a me pushtet, por prej shumicës së banorëve burra pasi ai të kishte dhënë prova zgjuarësie mbi të tjerët për zgjidhje problemesh në biseda e tubime të fisit, fshatit e krahinës. Disa pleq të tillë, sipas kanunit zgjidheshin si “gjyqtarë”. Ata thirreshin në tubime për të zgjidhur problemet e ndryshme që lindnin në krahinë prej vrasjeve, vjedhjeve të pronave, mosmarëveshjeve të ndryshme, etj. Banorët e fisit, fshatit dhe krahinës pranonin zgjidhjen që jepte / jepnin “plaku / kryeplaku”, ose “gjyqtarët”, përndryshe ata ndëshkoheshin sipas kanunit. Me vlerësimin e cilësores njerëzore u qeverisën popujt për qindra e mijëra vjet deri te krijimi i shteteve, kur u krijuan administratat shtetërore. Rolin e plakut / kryeplakut dhe gjyqtarëve tashmë filluan ta luanin mbreti, parlamentarët, gjykatat e gjyqtarët profesionistë. Edhe në këtë kohë roli i zgjuarësisë nuk u hodh poshtë, sepse mbretërit, deputetët, gjyqtarët më të zgjuar jepnin zgjidhje më të mira për problemet që shtroheshin për zgjidhje. Prandaj gjithnjë synohej që në këto funksione të zgjidheshin individët më cilësorë, ata më të zgjuarit, më të aftët. Kjo dukuri përbënte një nga ligjet e pashkruar të qeverisjes së popujve.

Mirëpo, parimi i cilësisë, pra vlerësimi sipas zgjuarësisë dhe përgatitjes profesionale i personit që emërohej në një detyrë, u hodh poshtë prej partive komuniste, ku stafi drejtues i tyre zgjidhej sipas besnikërisë së atij që e krijonte këtë ose atë parti komuniste. Pas ardhjes në pushtet të partive komuniste, emërimi i kuadrit në administratën qeveritare, përcaktohej jo nga zgjuarësia e përgatitja profesionale, por nga besnikëria ndaj udhëheqjes së partisë, konkretisht e udhëheqësit të partisë.

Në historinë tonë të shek. XX-të zbatimi i kësaj politike kuadri solli si pasojë që në krye të Partisë Komuniste Shqiptare të vihej Enver Hoxha. Ky person edhe pse ishte njeri pa shkollë të lartë, që nuk bënte pjesë në asnjë prej grupeve komuniste të kohës, dhe që nuk e njihte teorinë marksiste si komunistët e shkolluar Zai Fundo, Sejfulla Malëshova, Zef Mala, Aristidh Qendro, Anastas Lulo, Qemal Stafa, etj, u zgjodh sekretar i përkohshëm e më vonë kryetar i PKSH-së. Ai u zgjodh kryetar i PKSH-së sepse i kishte premtuar Dushan Mugoshës se do të ishte i bindur ndaj urdhërave të udhëheqjes së Partisë Komuniste Jugosllave, pra të J. B. Titos që do t'i jepeshin prej emisarëve të tij. Parimi i besnikërisë ndaj kryetarit të partisë u zbatua edhe në “zgjedhjen” e kryetarëve të organizatave bazë të kësaj partie dhe të komandantëve të njësive ushtarake partizane që u krijuan më vonë. Po kështu u vijua pas marrjes së pushtetit për krijimin e administratës qeveritare.

Partia Komuniste Shqiptare, si gjithë partitë komuniste, ndoqi një politikë të tillë kuadri, sepse misioni i saj kryesor ishte marrja dhe mbajtja e pushtetit me çdo çmim. Vënia e parimit të besnikërisë ndaj udhëheqjes së partisë mbi parimin e cilësisë, pra të aftësive të njeriut, solli si pasojë mënjanimin dhe eleminimin e të aftëve si shtresë. Kjo dukuri ishte kundër njërrit prej ligjeve themelore të qeverisjes së shoqërisë njerzore, prandaj shpuri dalngadal te kapitullimi i sistemit socialist njëpartiak me ekonomi të centralizuar.

Mirëpo, fatkeqësisht edhe pas ndërrimit të regjimit diktatorial me sistemin pluralist të ekonomisë së tregut të lirë, forcat besnike të klanit Hoxha, që përbënin shumicën e forcave në lojën politike, arritën ta mernin drejtimin e shtetit dhe të ekonomisë dhe të mos lejonin ardhjen në pushtet të individëve të aftë, pra të atyre që shquheshin për cilësi e profesionalizëm. Kështu vijoi qeverisja e Shqipërisë edhe gjatë këtyre 28 vjetëve. Cilado parti që erdhi në pushtet, ajo krijoi administratën e re me besnikët e saj dhe jo me kuadrot më të aftë. Kjo është arsyeja kryesore pse në Shqipëri tranzicioni nuk solli krijimin e sistemit të vërtetë demokratik dhe zhvillimin e duhur ekononomik dhe politik.

Po a ka mundësi Shqipëria që të krijojë sistemin e vërtetë demokratik dhe të sigurojë zhvillimin e duhur ekonomik? Pra a ka mundësi që Shqipëria të kthehet nga një vend papunësie që po braktiset nga rinia, në një vend që të hapë vende pune për rininë e vet dhe të thithë krahë pune nga bota?

Këtyre pyetjeve u përgjigjem me një PO të madhe, jo se jam optimist i sëmurë, por se jam i bindur që Shqipëria shumë shpejt me ndihmën që po i japin SHBA-të dhe BE-ja përmes Vetingut e Reformës në Drejtësi do të pastrojë administratën shtetërore prej kuadrove të paaftë e të korruptuar dhe do të sjellë në pushtet njerës të aftë, njerëz cilësorë që dallohen për karakter të lartë qytetar, zgjuarësi dhe përgatitje profesionale. Brenda vendit të tillë njrëz ka pak, por këtyre u duhen shtuar dhe bijtë e të përndjekurve politikë që kryen shkolla në Europën Perëndimore dhe SHBA, të cilët, si ka thënë avokat Spartak Ngjela, përbëjnë ekselencën shqiptare dhe janë në gjendje ta qeverisin si duhet Shqipërinë. Pikërisht këta bij të shquar të diasporës duhet të afrohen me njëri tjetrin dhe të organizojnë atë grup shoqëror politik dhe ekonomik prej të cilit populi duhet të zgjedhë përfaqësuesit e vet në zgjedhjet e ardhëshme për të krijuar administratën e re shtetërore. Partitë e sotme politike janë të panevojshme dhe duhen zhbërë, sepse ato duke zbatuar planin Katovica, luajtën rolin e shërbëtorit të klanit Hoxha, pra një rol antikombëtar...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat