(Ose, dhembja dhe krenaria e kohës)
1.
Ka ardhur koha
Të shkunden oxhaqet
Nga çagja shekullore
Të pastrohen çatitë
Nga foletë e sorrave të zeza
2.
Ka ardhur koha
Të flasin thepa e kreshta
Shkëmbinj e lëndina
3.
Ka ardhur koha
Të flasin kalatë e kështjellat
Për ato ethet e tmerrit
Me shekuj brenda tyre ngujuar
4.
Ka ardhur koha
Lumi ta mbrojë kthjelltësinë e vetë
Për t’i ujitur pastër
Fusha ara e livadhe
Për ta freskuar shpirtin
Për ta shuar etjen e njeriut
5.
Ka ardhur koha
Kulla dhe dera e saj
Të rrëfejë për terrin e vrasjet
Për ngujimin e ëndrrave
Të gjeneratave që rrethoheshin
Me ushtimën e hakmarrjes
6.
Ka ardhur koha
Që lisat shekullor
T’i shfletojnë defterët
E furtunave dhe të qëndresës
Që janë palosur në mes lotëve
Të gjetheve të vjeshtës
7.
Ka ardhur koha
Që kazamatet edhe burgjet
Muret e përgjakura dhe grilat
Të dëshmojnë për prangat
Për shtypjet dhe zhdukjet enigmë
8.
Ka ardhur koha
Që varret të flasin duke kënduar
Për peshën e tokës
Për eshtrat e tretur e të humbur
9.
Ka ardhur koha
Që shqiponjat të cilat me shekuj
Fluturojnë lartë mbi shkrepa
Mprehtësinë e syrit
Në libër dashurie ta shndërrojnë
10.
Ka ardhur koha
Që dëshpërimin nëpër kohëra
Ta kthejmë në shpresë
Në vlera e lumturi
11.
Ka ardhur koha
Që në ara ta shpërndajmë
Atë farën e farës së mirësisë
12.
Ka ardhur koha
Që ëndrrat e përdhosura
Shtypjen në kohë shtrigash
T’i bëjmë fjalor të mos harresës
T’i bëjmë falje e krahë engjëjsh
Se tash kjo tokë kështu e do
Të keqes t’i vë drynin
Që nuk çelet kurrë më
13.
Ka ardhur koha
Që në kuzhinat tona
Të gatuajmë bukë dielli e hëne
Me miellin e ngrohtësisë të tokës fisnike
14.
Ka ardhur koha
Të mos hedhim e as bluajmë helm
As këngët tash e tutje
Kurrë të mos ngelin të pa kënduara
15.
Ka ardhur koha
Që sot e përgjithmonë
Ta shtrojmë një sofër
Fatbardhë dhe të lumtur
Dhe në vend buke
Mbi te t’i hapim zemrat tona
Edhe përjetësinë e dashurisë
16.
Ka ardhur koha
Që në vend të kandilave
Dritë të bëjmë me shpirtrat tanë
Ta stolisim njeriun
Me këngën e kënduar njerëzishëm
E dritë të bëjmë
Me fjalën e shenjtë të gjakut tonë
17.
Ka ardhur koha
Që Krujën e Prizrenin
Vlorën e Manastirin
Që Shkupin e Shkodrën
Pejën Plavën e Gucinë
Që Korçën e Elbasanin
Butrintin e Dardaninë
Që Tropojën e Himarën
Beratin e Vushtrrinë
Që Gjirokastrën e Mitrovicën
Tepelenën e Gjilanin me rrethinë
Që Pogradecin e Sarandën
Bajram Currin e Prishtinën
Ulqinin me Kala
E Gjakovën me Malësi
Që Prekazin me Drenicë
Preshevën me luginë
Junikun Llapin e Gollakun
Që Çamërinë e Janinën
Rugovën e Kaçanikun
Në gjerdan lulesh t’i shndërrojmë
Edhe si vargje me gështenja
E në mes tyre fiq e ullinj
Se kësi vargjesh askund nuk ka
Gështenja fiku e ulliri
Përqafohen e shtrëngohen
Si mur guri në kala
Që për jetë
Askush nuk ka fuqi për t’i nda
18.
Ka ardhur koha
Që në disa kufij
Me lahutë t’i ligjërojmë historisë
19.
Se ka ardhur koha
T’i këndojmë lumturisë...