Etlevë Tafa fituese e festivalit të poezisë “Takimeve të Poeteshave Shqiptare”

Kultura

Etlevë Tafa fituese e festivalit të poezisë “Takimeve të Poeteshave Shqiptare”

Nga: Esat Vatovci dhe Armend Xani Më: 16 tetor 2019 Në ora: 20:46
Etlevë Tafa

“Ti merr diell dhe hënë prej meje”, e poetes Etlevë Tafa, është poezia fituese e “Takimeve të Poeteshave Shqiptare”, të edicionit të sivjetëm të cilat u mbajtën në Vushtrri për të tridhjeteshtatën herë me radhë, të organizuara nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në këtë komune.

Vendi i dytë i takoi poezisë “Baladë”, të poetes Rozafa Shpuza, kurse vendi i tretë shkoi për poeten Medina Pasoma me poezinë “Takimi me vetveten”.

Ndërkaq, cmimi për deputanten këtë vit shkoi për poeten Gresa Berisha.

Me këtë rast, drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Vushtrri, Fatmire Cecelia, tha se nuk është e lehtë të gjejë fjalë të veçanta në këtë ngjarje, sepse të veçanta në këtë ngjarje do të jenë fjalët e poeteshave.

“Një filozof i njohur, Fridrih Niçe, thoshte:’Poetët nuk kanë skrupuj kundrejt përvojave të tyre, por i shfrytëzojnë ato’. Pra, për dallim nga ne, që kur kemi ndonjë përjetim të mirë dimë që ta shijojmë ndoshta deri në vdekje, e një ditë bashkë me të vdesim, sikundër që bëjmë edhe me zhgënjimet që kemi, ju i shfrytëzoni ato përjetime. Ju, ato përjetime i hedhni në letër, ua shtoni ca ëmbëlsi nga shpirti juaj dhe i bëni ato përjetime të jetojnë edhe pas vdekjes suaj, i bëni të përjetshme. Pra, siç ka thënë Niçe, i shfrytëzoni ato përjetime, për ta bërë veprën tuaj të pavdekshme. Ky është edicioni i 37-të i këtij festivali, dhe ky festival, sa vjen e bëhet më me vlerë. Natyrisht, për këtë është dashur punë e angazhim, e kjo nuk ka munguar te Këshilli Organizues, ku punuan zyrtarë të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, me qëllim që këtij festivalit, t’ia ruajnë vlerën që ka. Megjithatë, punën më të vështirë në këtë organizim e kishte juria, e cila kishte për detyrë të zgjidhte poezitë më të mira, në mesin e poezive aq të mira që kunkurruan kësaj radhe. Të nderuar të pranishëm, jemi munduar që të bëjmë një organizim, në të cilin do të ndjeheni mirë, andaj uroj që sonte të kaloni një mbrëmje të bukur duke dëgjuar vargjet e poeteve më të mira të trojeve shqiptare”, tha drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Vushtrrisë, Fatmire Cecelia.

Poetet dhe pjesëmarrësit i përshëndeti kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri, si dhe një nga organizatoret e para të “Takimeve…”, Naxhie Buçinca.

Për disponimin e pjesëmarrësve në këtë manifestim performuan edhe kori i burrave OKTETI, sopranoja Besa Llugiqi, këngëtarja Lidie Pasoma si dhe aktori i mirënjohur shqiptar, Mirush Kabashi.

Vlerësimin e poezive të këtij edicioni e ka bërë juria në përbërje Atdhe Hykolli, profesor universitar, kryetar, Mentor Mani dhe poetja Donika Gashi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat