Rreth 50 referues nga e gjithë bota në konferencën “Studimet albanistike në Itali”

Kultura

Rreth 50 referues nga e gjithë bota në konferencën “Studimet albanistike në Itali”

Më: 22 tetor 2019 Në ora: 07:07
Ilustrim

Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë së Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, sot dhe nesër, organizon konferencën shkencore ndërkombëtare “Studimet albanistike në Itali”, në të cilën marrin pjesë me kontributet e tyre shkencore rreth 50 referues nga Kosova, Shqipëria, Italia, SHBA, Franca, Bullgaria, Greqia etj.

Këshilli organizues, të cilit i prin akademik Rexhep Ismajli, ka ftuar emra të njohur të këtyre studimeve dhe ka hartuar një program të pasur të konferencës, e cila do të zhvillohet në dy ditë, në gjashtë seanca dhe do të fillojë sot në orën 9:00 në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës në Prishtinë.

Në vazhdimësi të dy konferencave të rëndësishme shkencore, Studimet albanistike në Amerikë, që u mbajt në vitin 2015 dhe Studimet për shqipen në vendet ku flitet gjermanisht, e realizuar gjatë 2017-ës, të organizuara nga ASHAK, pothuaj me distancë të njëjtë kohore, qe planifikuar edhe konferenca shkencore për studimet albanistike në Itali, me shumë interes jo vetëm për praninë e arbëreshëve, për kulturën, letërsinë dhe studimet albanologjike dhe albanistike, por edhe për rezultatet e shumë studiuesve italianë të gjuhës shqipe në radhë të parë, por edhe të letërsisë, antropologjisë dhe kulturës shqiptare në përgjithësi.        

Italia është vendi me më së shumti qendra studimi të shqipes, katedra universitare që kanë përgatitur kuadro, pedagogë e studiues dhe që kanë realizuar projekte të rëndësishme studimi.

“Rezultatet që u arritën në dy konferencat e përmendura më lart, interesimi i madh i atyre që morën pjesë dhe rëndësia e  kontributeve që u sollën, na shtojnë bindjen se edhe ky aktivitet, jo më pak i rëndësishëm se dy të parët, do të sjellë kontribute nga fusha të ndryshme të studimeve albanologjike dhe albanistike dhe do të finalizohet me botimin e materialeve, referateve, kumtesave dhe diskutimeve që do të zhvillohen gjatë këtyre dy ditëve të Konferencës”, thuhet në njoftimin e ASHAK-ut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat