Arkivat e kinotekat evropiane kanë shumë filma për Dardaninë

Kultura

Arkivat e kinotekat evropiane kanë shumë filma për Dardaninë

Nga: Gani Mehmetaj Më: 24 tetor 2019 Në ora: 08:57
Pamje nga filmi dokumentar (1904)

1.

Para disa vjetësh dikush hodhi në rrjetin social pamje filmi dokumentar të Pazarit të Ri, xhiruar në fillimin e shekullit XX (1904). Pamjet paraqisnin qytetin puro shqiptar, me banorët që ecnin të shkujdesur nëpër rrugën kryesore, apo e ndiqnin më kërshëri kamerën e xhiruesin, ndërsa në prapavijë ishin rrugicat dalluese të qytetit. Kuadri i pandërprerë fillon me rrëmujën e përditshme, ku shihen grupe a individë të veçuar të shqiptarëve me dy-tre nizamë (ushtarë të Perandorisë turke).

Pamjet nga shiriti i celuloidit dëshmojnë atë që e kanë thënë qindra herë udhëpërshkruesit e kohës e kronistët se, në Pazarin e Ri  apo Tre Gurin (i përkthyer më vonë në Novi Pazar), popullata ishte puro shqiptare. Filmi përqendrohet në ecjen e vendësve në rrugë, në veshjet e tyre: tirq e xhamadan, qeleshe të bardhë, disa me shall të kelmendasve të Rugovës etj. Filmi ishte pa zë, sepse deri në fund ët viteve të njëzeta nuk kishte zë në filma.     

Robert Elsi shkruan se ky insert është pjesë e një filmi dokumentar më të gjatë të xhiruar nga politikani britanik Arnold Muir Uilson (1857-1909) nga Shefild (Sheffield) në Jorkshir (Yorkshire) dhe nga regjisori i kinematografisë së hershme britanike, Frank Mottershau (1850-1832), gjithashtu nga Shefild. Në Londër u shfaq për herë të parë në dhjetor të vitit 1904.  U restaurua ne Bolonjë gjatë viteve 1999-2004 dhe ruhet në Arkivin e Filmit Jugosllav (Kinoteka) në Beograd.  Pazari i Ri apo Tre Guri ishte kryeqytet i Sanxhakut, kurse Sanxhaku atëbotë ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës (Dardanisë).  

Pak muaj më vonë i njëjti film, në rrjetin social u mbulua me muzikë turke (çallgia, sharkia e një mishmash instrumentesh orientale), ndërsa pamjet nuk ndryshonin. Shfrytëzuesi i rrjetit social nuk e di faktin se filmat e fillim shekullit nuk kishin zë, ndërsa futja e muzikës në këto pamje dokumentare synon të ndryshoj etninë e protagonistëve, ose të mashtroj opinionin e pa informuar kinse është fjala për turq a boshnjakë. Se a e ka futur muzikën ndonjë shqiptar i boshnjakizuar nga Pazari i Ri (ai që e ka firmën në fund të spotit), apo muzika është bërë në Turqi nga portalet që merren me shtrembërimin e historisë, është vështirë të thuhet, mirëpo ajo që zemëron është fakti se me muzikën turke sipëri filmit ndryshon mesazhi. I huaji mund të hutohet, mund të besoj se ata që lëvizin para kamerës janë turq apo oriental. 

Profesionistët e filmit dhe ata që e njohin historinë e kinematografisë e dinë se në fillim të shekullit XX, kur u xhirua ky dokumentar, filmi nuk kishte zë, por pjesa dërmuese e shikuesve nuk e dinë këtë fakt. Sikur të kishim Arkiv filmi në Kosovë, ndërsa nuk e kemi as pas 20 vjet çlirimi, manipulimet e tilla do të pengoheshin, sepse do të dilnim më sqarimin profesional dhe me tërësinë e filmit, në mënyrë që ta heqin mëdyshjen apo ta pengojmë që në fillim mundësinë e manipulimit.

2.

 Vëllezërit Manaki janë jo vetëm pionierët e filmit dokumentar në Gadishullin Ilirik, por ndër regjisorët e dokumentaristët më të famshëm të kohës. Kanë xhiruar e kanë shfaqur dhjetëra filma, me ngjarje historike, pamje qytetesh shqiptare, dasma shqiptare, rituale të ndryshme, vizita të Sulltanit pak kohë para shpartallimit të Perandorisë turke etj. Filmat janë xhiruar në hapësirën shqiptare nga Manastiri, Shkupi, në Follorinë e Prishtinë.

Filmat e vëllezërve Manaki (sipas kronistëve të kohës ishin shqiptarë, diku e kam dëgjuar një kolonë zanore kua ata flisnin shqip)  janë në kinotekën e Shkupit, kanë qenë edhe në kinotekën e Arkivin e Beogradit, shpresoj se janë edhe në arkivin shtetëror të filmit në Tiranë. Mirëpo nuk i kemi në Prishtinë, edhe pse disa ngjarje të filmave të tyre lidhen drejtpërdrejtë me Dardaninë e sotme, jo vetëm me Shkupin e Manastirin.

3. Në kinotekën e Vjenës janë filmat dokumentar për hyrjen e trupave austro-hungarezë në Dardani gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ka dokumentar edhe gjatë tërheqjes së këtyre trupave. Vlera e tyre dokumentare e historike është me peshë të madhe, mbase janë të vetmet filmime që dëshmojnë për një kohë e për vendet që i filmon. Por ne nuk i kemi në Arkivin e filmi, ndërsa është më shumë rëndësi sikur t’i kishim. Historianëve, brezave të rinj e opinionit të gjerë do t’ua ndriçonim një pjesë të së kaluarës sonë.

4. Në Beograd janë filmat dokumentar për pushtimin e Dardanisë nga ushtria serbe. Thuhej se ka filmime kur ushtria serbe masakronte popullatën shqiptare. Nuk janë vetëm dëshmitë e Trockit ato që rrëfejnë për krimet e ushtrisë serbe dhe për vrasjen e mbi gjysmë milion shqiptarësh nga kjo ushtri. Po të kishim qëlluar më të shkathët një pjesë të këtyre filmave do t’i kishim, sepse ushtria pastaj ia ka dorëzuar Arkivit të filmit në Beograd. Me ka rastisur të shoh filma dokumentar serb kur ushtria e tyre e pushtonte Gjakovën, përkatësisht parakalonin mbi Urën e Terzive. Historianët serbë të filmit kanë shkruar edhe për dhjetëra filma të tjerë dokumentar.

5. Gjatë luftës së Dytë Botërore, jeta e shqiptarëve në Dardani është fiksuar nga dhjetëra  dokumentarë italianë, janë përjetësuar edhe qytete me pamjet e tyre të kohës që tashmë nuk i kemi. Prapë me ka rastisur të shoh pamje filmike dokumentare për pritjen që i bëhej ushtrisë italiane në Pejë e Gjakovë. Pjesa më e madhe e këtyre dokumentarëve është në Institutin Luçe në Romë. Arkivi filmik gjerman i dokumentarëve të xhiruar nga ushtria gjermane, apo propaganda e Verhmahtit është i pa eksploruar. Nuk e kemi idenë as sa filma janë që kanë të bëjnë me Dardaninë e dardanët as në cilat zona janë përqendruar propagandistët gjermanë të asaj kohe. Dokumentarë për Dardaninë, njerëzit e qytete ka në Arkivat filmike të Parisit, Londrës, por edhe të Berlinit e Moskë. Asnjëri prej këtyre arkivave kurrë nuk është hulumtuara as nuk është kontaktuar.

Gjatë shtegtimeve të mia profesionale kam konstatuara se disa nga filmat dokumentar, mbase edhe kolona zanore të ndonjë filmi artistik të gjatë janë në Zagreb, Lubjanë, Sarajevë. Mirëpo, shumica e filmave artistik, dokumentar e të metrazhit të shkurtër janë në Arkivin e Beogradit. që nga fillimi.        

6. Por pjesa më e madhe e prodhimtarisë filmike të Kosovës që nga viti 1945 (filma dokumentarë e artistik, bashkëprodhime apo prodhime të pavarura deri me 1990 janë në Arkivin Filmik të Beogradit. Dmth negativat (origjinali) i të gjithë filmave tonë janë në Kinotekën Jugosllave (ashtu quhet dhe më tutje Arkivi i Beogradit, sepse këtu janë të gjithë filmat e ish Jugosllavisë). Sllovenia, Kroacia e Maqedonia i kanë marr marrë filmat e tyre, duke i bërë dubël negativ. Vetëm Kosova nuk i ka, megjithëse kemi kontaktuara disa herë, mirëpo në mungesë të mjeteve (para se të kopjohen duhet të bëhet kontrollimi i negativit, restaurimi, pastrimi etj), që e ka secili operacion çmimin e vet, ndërsa ne nuk i patëm paratë për këto operacione. Ne ende nuk kemi kushte për ruajtjen e filmave negativ, prandaj pos në Beograd, ndonjë film e kemi dërguar edhe në Tiranë.

Projekti për restaurimin, pastrimin, kopjimin dhe rehabilitimin e filmave negativ në Beograd e kemi bërë para më shumë se dhjetë vjetësh, e kemi përsëritur shpesh, ashtu sikurse e kemi paraqitur çdo vjet edhe projektin e ndërtimit të Arkivit të filmit e Kinotekës me bunkerët për ruajtjen e filmave, me aparaturën për mirëmbajtjen e këtyre filmave.

Pamje nga filmi dokumentar (1904) , xhiruar në qytetin e Tre Gurit- Pazarin e Ri, dikur pjesë e Vilajetit të Kosovës (Dardanisë).

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat