Mesazhe motivuese nga konventa “Suksesi është qëllimi yt”

Kultura

Mesazhe motivuese nga konventa “Suksesi është qëllimi yt”

Më: 1 nëntor 2019 Në ora: 18:08
Konventa “Suksesi është qëllimi yt”

Në konventën e dytë për menaxher të shitjes me titull “Suksesi është qëllimi yt”, në një panel diskutimi kanë japur mesazhe dhe kanë ndarë pjesë nga historia e tyre personale edhe biznesmeni kosovar Ardian Hoxha, aktori Ermal Mamaqi dhe Alketa Vejsiu.

Ardian Hoxha ka folur para të pranishme rreth jetës së tij dhe përpjekjeve e sfidave nëpër të cilat ka kaluar për të arritur në sukseset që i gëzon sot.

Ai tha se gjithmonë ndjek një thënie të famshme “Për të fituar më shumw duhet të mësojmë më shumë”.

Hoxha tha se secili duhet të gjejë vendin e tij në familje, shoqëri apo kompaninë në të cilën bënë pjesë.

Hoxha: Të gjitha aftësitë janë të mësueshme

“Të gjithë aftësitë janë të mësueshme, aftësi është vullneti, aftësi është edhe trimëria, guximi që e përmendi Fatmiri që tha nuk mësohet, mësohet, guximi nuk është mungesë e frikës, edhe njerëzit më të guximshëm në botë kanë frikë, por guximi është menaxhim i frikës, aftësia për menaxhu frikën. Mundesh me qenë frikacaku më i madh në botë për me folë në publik, për me udhëheqë një ekip, për me marrë një iniciativë, mirëpo edhe frika do të thotë menaxhohet dhe aftësia e menaxhimit të frikës bëhet më e madhe dhe vjen në një pikë që të bëhet edhe veti, zakon, pjesë e jotja dhe t’i as nuk e di a ke frikë apo jo, dhe kjo është me krejt aftësitë, sepse ne si individë lindim cullak, dhe i kemi gjenet prej prindërve, mirëpo krejt aftësitë e tjera mësohen, shumica gjatë rritjes pa vetëdijen tonë. Disa aftësi pastaj bllokohen, nuk i mësojmë, sepse na i ndalin, rrethi, dikush ta bën bajat”, tha ai.

E Alketa Vejsiu e cila është e njohur për publikun si moderatore, këngëtare dhe bizneswoman, ndau përvojën e saj për të arriturat në pjesën e medias dhe në pjesën e biznesit.

Ajo ka studiuar në fakultetin e biznesit për marketing, por thotë se puna në terren është universiteti i vërtetë.

Vejsiu: Filozofia ime është e menduar drejt ekselencës

“Unë nuk jam perfekte, absolutisht jo, por puna që unë bëj është e tillë, synon perfeksionin dhe filozofia ime është një filozofi e menduar drejt ekselencës. Në një treg të mbushur me produkte dhe shërbime që ofroj sot ishte risk shumë i madh që të futeshe dhe të investoje kohën, paratë dhe energjitë, por unë mendova që kishte ende një target që është target i shërbimeve të luksit dhe ekselencës sigurisht duhet ta mbështesi këtë filozofi, kështu që kjo ishte ajo që unë zgjodha”, tha ajo.

Pjesë e panelit ishte edhe aktori Ermal Mamaqi, që publiku e mban mend edhe për rolin e tij të fundit në filmin që theu rekorde, “Dy gisht mjaltë”.

Ai tha se qëllimi kryesorë është të arrihen objektivat që i vendosim vetë.

Mamaqi: Gjithmonë ka sfida por duhet të fokusohemi tek e mira

“Zakonisht gjërat ndodhin janë për mirë, ti gjithmonë përballesh me sfida, me vështirësi, e ngjarje që nuk të pëlqejnë edhe që të bëjnë ty që të shtyhet prapa. E rëndësishme është që ti të fokusohesh tek e mira, ta marrësh si diçka pozitive, dhe të jesh i lumtur që një problem ndodhi, sa më i madh problemi aq më e madhe është dhurata që do të vijë, vetëm duhet të jesh i gatshëm për ta parë dhe për ta pranuar”, tha ai.

Në këtë konventë kanë marrë pjesë mbi 500 pjesëmarrës nga kompani të industrive të ndryshme të shitjes.

Duke shtjelluar tema të ndryshme si personalizimi, kreativiteti, eksporti, empatia në shitje e të tjera, prezantuesit po cekin një problem dhe do të ofrojnë zgjidhje se si të tejkalohet problemi.

Konferenca e dytë për menaxherët e shitjes është takim vjetor i menaxherëve të suksesshëm të shitjes, e organizuar nga trajneri i shitjes Denis Gafuri.

Kjo konferencë vjetore është programi që një herë në vit i bashkon menaxherët për të ndarë idetë dhe çështjet e biznesit në shitje.

Një konferencë e tillë është mbajtur edhe vitin e kaluar ku ishin 340 pjesëmarrës nga  vendi dhe rajoni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat