Shprehje e lartë mëmëdhetare në pikturën e Theohar Gjinit

Kultura

Shprehje e lartë mëmëdhetare në pikturën e Theohar Gjinit

Nga: Mr. Bislim Aliu Më: 4 nëntor 2019 Në ora: 13:14
Mr. Bislim Aliu

S’do mend se krijimtaria e çdo artisti çmohet apo vlerësohet me përkushtimin dhe angazhimin që e bënë krijuesi në shpërfaqjen e ideve në veprat e realizuara artistike. Ato, zatën tregojnë me ngulm ndijimin e lartë shprehës. Tregojnë, pra, edhe idejshmërinë dhe ndieshmërinë e shpërfaqjes dhe realizimin e imazheve të nduarnduarta.

Pa dyshim, këtë realizim, me mjeshtëri dhe me realizime të theksuara dhe të ndiesuara, e tregoi me përpikëri, piktori tejet i talentuar dhe shumë përkushtues, Theohar Gjini.

Piktori Gjini lindi aty rreth vitit 1880 në Progër të Korçës.

Andaj, nuk dihet me saktësi, as viti i lindjes, por as viti i vdekjes. Pamëdyshje, interesimet për te nuk ishin në nivelin e dëshiruar. E, kështu në njëfar mënyre, krijimtaria e tij, mbase tejet e vlefshme, mbeti disi e panjohur dhe e pastudjuar në nivelin më të lartë, ashtu siç e meritonin edhe veprat e tij, mbase tejet sensitive dhe rrënjësisht kombëtare.

Përgjithësisht nuk u tregua interesim i shtuar për jetën dhe veprën e tij

Pa dyshim, piktori Theohar Gjini, është njëri nga piktorët e Rilindjes, i cili deri në vitin 1976, nuk përfaqësohej as edhe me ndonjë vepër të vetme në Galerinë Kombëtare. Besa, ai nuk përmendet as në historinë e artit shqiptar, që në atë kohë vazhdimisht shkruanin në ato vite për arritjet e larta artistike e kulturore.Megjithatë, pas njohjes së pikturës së tij ”Skënderbeu mbi kalë”, e cila u botua në disa gazeta shqiptare, ngjallën një kurreshtje të theksuar për ta njohur krijimtarinë e tij artistike.

Dhe, nisur nga kjo njohje e kësaj vepre dhe nga tematika e shtjelluar, studjuesja Dh. Dhamo, për herë të parë në një konferencë kombëtare e organizuar për figurën e Skënderbeut, e përmendi edhe piktorin tejet të talentuar Theohar Gjini. Ai që nga fëmijëria kishte prirje për vizatim dhe për pikturë. Dhe, që kur ishte i ri shkon në Bukuresht, ku atje regjistrohen në shkollën artistike.

Edhe pse piktori, jo shumë i njohur në Shqipëri, ai megjithatë, ishte artist i preferuar dhe tejet i çmuar në periudhën e Rilindjes. Në këtë drejtim, disa rilindas të shquar aso kohe, i paraqitën disa informacione për te, e njëri ndër ta, ishte edhe Faik Konica.

Ai, në revistën Albania, për piktorin Gjini, shkruan; ”Zoti Theohar, një shqiptar i kulluar, një atdhetar i vërtetë, mbaroi në Bukuresht Shkollën e Mjeshtërive të Bukura e doli ndër të parët. Zoti Theohar kishte dëshirë të madhe për mësim dhe vazhdoi disa vjet atë shkollë, për t’u bërë një piktor i mirë i cili mund të japë shpresë të mirë për punë të mëtutjeshme”.

Megjithatë, nami i tij vetëmsa rritej e rritej. Dhe, pas kësaj, ai merr edhe komplimente shumë të larta edhe nga Amerika e largët, e sidomos nga Fan Noli. Ai nëpërmes gazetës Kombi, rrëfehet në mënyrë të detajuar; ” në sallonin e Shoqërisë Kulturore Maqedono-Romane në Bukuresht ish bërë një ekspozitë pikturash, nga të cilat më të mirat ishin të piktorit shqiptar z. Theohar Gjinit.Fletet Romane e landërojnë shumë dhe e vënë në radhën e më të mëdhejve piktor të botës, si, Rembrandt, Raphael, Van Dyke. Më të bukurat piktura këto e Skënderbeut e Ali Pashës dhe e Don Aladro Kastrioti. Tërë shqiptarët duhet të ia dinë për të mirë këtij zotnie, i cili i dha Shqipërisë të parin piktor…”.

Gjithsesi, pas ekspozitave të organizuara në Bukuresht, e që u cilësuan me kreativite të lartë, piktori Gjini, u orvat që të organizojë ekspozita edhe në Francë.

Megjithatë, kreativiteti tejet i rezonuar i piktorit ia mundësuan që përpos Francës, ai të ekspozojë edhe në Belgjikë, Rumani, Bullgari, Amerikë, e më vonë besa edhe në Shqipëri. Në tërësi mund të konstatohet se veprat e tij përherë shfaqnin tema të nduarnduarta shqiptare me tematikë patriotike.

Në vitin 1906, Theohari martohet me një franceze. Dhe, që nga ky vit, ai nuk u largua nga Parisi. Zatën, bashkëpunimi i tij ishte i jashtëzakonshëm me shoqëritë shqiptare patriotike. Andaj, mu për këtë bashkëatdhetarët tanë, sidomos nga ata të kolonive të Bukureshtit, Parisit, Bostoni e vlerësuan lartë. Ata, në përgjithësi, e quanin ‘Piktor Mëmëdhetar’, meqë veprat e tij përherë tregonin patriotizmin dhe atëdhedashurinë.

Image

Pa dyshim, pas gjithë kësaj veprimtarie artistike dhe patriotike, Shoqëria e shqiptarëve e Parisit, vendosën unanimisht të kenë për kryetar të tyre, piktorin Theohar Gjini.

S’do mend se ai këtë nderim e meritoi me punën dhe me sakrificën e madhe që vazhdimisht e tregoi me veprat të nduarnduarta, në të cilat përherë e shfaqi patriotizmin për shqiptarët dhe për memëdheun.

Shpërfaqje e denjë patriotike dhe mëmëdhetare në veprat e tij

Zatën, aty ku shkoi dhe aty ku ekspozoi, piktori Gjini, vazhdimisht në veprat e tij shpërfaqi patriotizmin e vet të jashtëzakonshëm. Pa dyshim këtë patriotizëm mëmëdhetar e vlerësuan lartë. Atë, zatën e shpërfaqi me ndijimin më të lartë njerëzor, shpirtëror por edhe kombëtar.

Ai bëri sigurisht shumë vepra aty ku shkoi. Por në përgjithësi, ato nuk u ruajtën. Disa prej tyre mbetën në Bukuesht, e disa të tjera mbetën në Paris. Megjithatë, nga gjithë ai opus kreativ dhe mbase, tejet cilësor, dallohen veprat për Skënderbeun, ku me dashuri të madhe i bëri disa portrete, e sidomos dallohet vepra tejet madhore ”Skënderbeu mbi kalë”. Ai e studjoi heroin tonë kombëtar, duke ia kushtuar edhe veprat; ”Portret” ”Skënderbeu pa përkrenare”, por edhe një portret tjetër, ”Portreti i Aladro Kastriotit me veshje kombëtare”.

Megjithatë, shumë nga veprat e tij, pas ekspozitave të organizuara, ato bliheshin nga artdashësit shqiptar por edhe të huaj. Por, sigurisht, edhe disa të tjera, u shpërndan nëpër miq të shumtë. E, fare pak vepra kanë arritur në Shqipëri, prej të cilave, vetëm tri sosh, të cilat kanë hyrë në Galerinë Kombëtare.

Përgjithësisht, duke i studjuar me vëmendje veprat e Rilindasit të shquar Theohar Gjini, lirisht mund të konstatohet shpërfaqja e denj e patriotizmit dhe e atdhedashurisë së lartë për Shqipërinë e tij të dashur. Andaj, lirisht mund të thuhet, pa e tepruar aspak, se piktori Theohar Gjini është njëri nga piktorët më të talentuar të Rilindjes, i cili me kreativitetin e tij tejet sensitive, e shpërfaqi në mënyrën më komunikative ndijimin ndjesor.

Ai, zatën, këtë ndijim e tregoi me shpërfaqjen tejet kombëtare dhe patriotike. Andaj, kreativiteti i tij në këtë vlerësim, tregon dendur episodet më të lavdijshme dhe më të rëndësishme të Rilindjes shqiptare.

S’do mend se këto vepra ishin dhe mbetën vepra me kreativitet të lartë kombëtar dhe atdhetarë. Kjo, zatën, u paraqit, bukur këndshëm me një shpërfaqje të jashëzakonshme artiatike dhe fare përmbajtësore. Andaj, në të gjitha këto vepra përmbajtësore, hetohet ndijimi i lartë sensitive dhe shpërfaqja idilike, njerëzore, patriotike dhe, sidomos kombëtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat