Poezia erotike e Rrapit dhe çiftelia përtej natës madhe deri në agim

Kultura

Poezia erotike e Rrapit dhe çiftelia përtej natës madhe deri në agim

Nga: Kalosh Çeliku Më: 4 nëntor 2019 Në ora: 14:57
Kalosh Çeliku

Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptar, në Shkup me dt. 01, 02 dhe 03 nëntor 2019, për të njëzetekatrën (24) herë me radhë organizoi Manifestimin Kulturor Tradicional Ndërkombëtar: TAKIME NËN RRAP, në Shkup. Edhe, nga të gjitha Trojet Etnike Shqiptare dhe Bota, erdhën poetët shtegtar të armatosur me poezi deri në dhëmbë, miqtë e Rrapit 2019 për ta pritur Ditën e Nesërme deri në Agim.

TAKIMET NEN RRAP, që herë pas here kishin shtegtuar në Kërçovë, Cërvicën e Xha Derallës dhe Dibër, kësaj radhe ecën më këmbë deri në Hotelin “Kalabria”, në lagjen “Çair” të Shkupit. Lokale, ku edhe i kaluam Netët Poetike të Vjeshtës duke pritur Dimrin e Madh! Ndërsa, Ditën e Nesërme, përpara këmbëve të Filipit Maqedonisë, në “Bit-Pazar”. “Kufi”, ku edhe poetët dolën mbi “Urën e Gurit”, matanë Vardarit. U përshëndetën me Pjetër Bogdanin dhe Nexhat Agollin tek “Parku i Grave”, për t’i bërë një vizitë edhe Shtëpisë të Nënë Terezes, në Shkup. Këmbë e shëtitën Shkupin Historik, edhe e panë Ditën e Nesërme me syrin e tyre poetik për t’u kthyer Natën në lokalet e Hotelit “Kalabria”, në lagjen e Shkupit “Çair” për ta kaluar Natën e Madhe me poezi dhe këngë deri në Agim.

Him Koça (satirist), pasardhës i Xha Derallës, që kishte ardhë enkas me Xhelal Ademin dhe Adem Xheladinin në këtë Manifestim Kulturor Tradicional Poetik nga Kërçova, e hapi Orën Simbolike Poetike me një poezi të Mikut Rrapit Pano Taçi: Na bashkoi Rrapi. Pastaj, radhën e mori Tahir Seferi, rapsodi i këngës shqipe me çifteli. Të pranishmit, i përshëndeti edhe Kalosh Çeliku, Kryetari i Lidhjes të Shkrimtarëve Shqiptar për mirëseardhje, në Shkup.

Him Koça, nga pusia doli me një fragment nga “Lahuta e Malëcisë” të Gjergj Fishtës, dhe e mori në dorë Orën Simbolike Poetike. Herë pas here, mes poezive të poetëve duke ndërhyrë me fragmente nga “Lahuta e Malëcisë” të Gjergj Fishtës.

Pasdarke, u shtrua edhe darka Poetike me poezi, këngë me çifteli, raki rrushi dhe verë. Poezi, pas poemës “Bagëti e Bujqësia” të Naim Frashërit, që në mesin tonë e solli artisti i mirënjohur Xhevat Limani. Poezi, lexuan edhe poetët: Prend Buzhala, Seida Beganoviq, Xhelal Tosku, Nehas Sopaj, Mirela Papuciu, Sami Velçani, Rakela Zoga, Dhimitër Pojanaku, Shaqir Podvorica, Dibran Fylli, Pëllumb Mane, Asllan Qyqalla, Rozeta Kreste, Gjon Gjergjaj, Xhelal Adeni, Ferida Ramadani, Rami Kamberi, Dan Ibrahimi, Aranit Musaraj, Abdulla Troshupa, Viviane Horioti, Ramzi Salihu, Bardha Maneç, Rexhep Bajrami, Arbër Çeliku, Him Koça, Adem Xheladini, Mirsada Krasniqi me poezi e këngë dashurie, Sami Sherifi, Tahir Seferi, Asdren Çeliku, Flora Peci, Rezearta Samiu etj.

Papritmas, në valle hyri edhe Gjergj Fishta me përurimin e “Lahutës Malëcisë”, që kët vit ishte publikuar edhe përtej kufinjve të Atdheut. Rreth autorit të kryeveprës të Fishtës, “Lahuta e Malëcisë” dhe “Mrizi i Zanave”, fjalën e mori Prend Buzhala, publicist, poet, shkrimtar, dhe kritik letrar.

Ora Simbolike Poetike e kaloi Pragun e Shtëpisë. Krahpërkrahu iu bashkuan me fragmente proze edhe pjesmarrësit: Reshat Sahitaj dhe Fatmir Minguli. Pak para Agimit, poetët ikën në strehimoret e tyre për të fjetur me Poezinë.

Dita e Nesërme, poetët i priti këmbëkryq para këmbëve të Filipit Maqedonisë, ku u shtrua edhe Sofra Poetike me raki rrushi dhe verë, krahpërkrahu përurimit të librave (botime të Lidhjes Shkrimtarëve Shqiptar: “Kohëra” (roman) – Agim Morina, leximit të një fragmenti nga aktori Vehbi Qerimi, fjalën e mori recezenti Nehas Sopaj. Dhe, në fund vetë autori. Përurimin e librit dytë me poezi: “Nuse për mort” (poezi), e vazhdoi Adem Xheladini me një recension rreth librit nga recenzenti Xhelal Ademi. Poezitë i lexoi vetë autori i librit. Librin e radhës, “Zezëjeta” me tri poezi e paralajmëroi Dibran Fylli. Recensionin, e lexoi Kalosh Çeliku. Fjala përfundimtare rreth librit si zakonisht, iu dha vetë autorit. Në fund, u bë edhe përurimi i librit me pjesë teatrore për fëmijë: “Shtriga doli nga përralla” – Kalosh Çeliku. Recensionin e këtij libri nga Gani Xhafolli dhe fragmentin e një pjese teatrore e lexoi Dibran Fylli.

Pas një shëtitje nëpër “Çarshi” (Shkupin e Vjetër), dhe atij të Riut matanë Vardarit (Urës Gurit), poetët u kthyen në Hotelin “Kalabria”, në “Çair” të Shkupit historik për ta përcjellur Natën e Madhe me poezi, këngë, raki rrushi dhe verë deri në Agim. Pasmesnate, u ndanë edhe Çmimet letrare: “Ulu Mal, të dalë Hana” për poezi, e rrëmbeu Shaqir Podvorica, “E përcolla Natën”, libër i botuar mes dy takimeve poetike, “RRAPI” për vepër jetësore – Tahir Seferi, Miku i Rrapit “Pano Taçi” – Dibran Fylli, dhe Mikja e Rrapit “Hida Halimi”, Flora Peci.

Nata e Madhe Poetike deri në Agim filloi me një monolog të Dibran Fyllit, poezive të poetëve pjesmarrës, këngëve me çifteli, raki rrushi dhe përfundoi me rrugë të mbarë për Ditën e Nesërme...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat