Aktori Hadi Shehu nderohet me pullë postare post-mortum

Kultura

Aktori Hadi Shehu nderohet me pullë postare post-mortum

Më: 5 nëntor 2019 Në ora: 15:23
Kujtim Gashi, ka pritur në takim familjen e aktorit Hadi Shehu

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në takim familjen e aktorit Hadi Shehu, me ç‘rast i ndau pullën postare me figurën e tij, si shenjë respekti për punën dhe kontributin e dhënë nga aktori Shehu.

“Sot është një ditë shumë e rëndësishme për të gjithë ne, pra, lansimi i pullës postare dedikuar aktorit Hadi Shehu, duke vlerësuar lart figurën e tij në art”, tha ministri Gashi.

Ndërkaq familjarët e aktorit Shehu falënderuan ministrin Gashi për iniciativën e marrë, duke shprehur mirënjohjen për kujdesin e treguar institucional ndaj tij.

Hadi Shehu ndërroi jetë në vitin 2017, në moshën 68-vjeçare. Ishte i angazhuar në teatrin e Gjakovës, fillimisht si amator, aktron në moshën e re si nxënës. Ishte njëri prej themeluesve të Teatrit Profesionist në Gjakovë dhe njëherësh edhe drejtor i këtij teatri deri në vitin 2007.

Kishte diplomuar në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, më 1974, në degën e Artit dramatik, klasa e Faruk Begollit.

Në skenën e Teatrit të Gjakovës ka realizuar me qindra role në drama të ndryshme, ndër to edhe “Fisheku në pajë “, “Njeriu me top”, “Epoka para Gjyqit “, ” Monserati “, “Kur shpirti ndërron jetë”.

Ka luajtur në shumë filma artistik, si “Gjurmë të bardha” (1980), “Kur pranvera vonohet” (1979), “Era dhe lisi” (1979).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat