Silueta e vetmisë së gurit

Kultura

Silueta e vetmisë së gurit

Nga: Nexhat Halimi Më: 13 nëntor 2019 Në ora: 08:28
Nexhat Halimi

Ai zog vetëtimë fluturon qiellit

-Ai zog vetëtimë fluturon qiellit.

-A e sheh ja atje shfaqet ai zog që nuk shihet?

-Ai gjithnjë është aty!

-E përmendi dhe Rrustem Berisha. Tha, a e sheh apo nuk e sheh, Zog i zi, në fluturim gjithë sfondit ngjyrë gjaku.ai nuk vritet. Ai vetëm bëhet të vritet e gjithnjë prapë është aty…

-Varg i poezisë është, - i fola.

-Fluturon pandërprerë... është flakë.

-Vjen e shkon e gjithnjë është.

-Ja, shikoje... shikoje! Ja sesi del e hyn nga vargu i poetit, me shpirtin e paepur të Dedaj.

-Në këtë mënyrë e lexon ti gjakun e poetit?

-Tërë jetën e njoh e më njeh. Qemë të afërt në të mirë e të keqe, - e nis rrëfimin Rrustem Berisha me respekt për Rrahman Dedajn. -Fshatrat qenë afër, fqinje. Rreth hapeshin arat e bukës, të cilat ndaheshin me një rrip mali, i zgjatur skaj më skaj e i takonte fshatit Kodërzë. Fshati tjetër Penuhë kishte male nga ana e shpinës së Buricës. Me të korrur të drithërave – grurit e misrit, arat mes malesh i shfrytëzonim për kullosa bagëtish nga të dy fshatrat. Unë e Rrahmani njiheshin atëherë, mirë, ndërsa ende ishim bari.

Më vonë, i nisem mësimet e klasës së pestë në Podjevë. Tashmë do të bëhemi bashkëshkollarë për katër klasat e fundit të shkollës tetëvjeçare dhe nuk u ndamë më derisa diplomuam në fakultet. E kryem Shkollën Normale në Prishtinë dhe bashkë e filluam dhe punën në Radio-Prishtinë, ndërsa ende ishim student. I përgatisnim emisionet për fëmijë.

Në vitet që kaluam së bashku: bari, nxënës, studentë, gazetarë, përkthyes pak e poet, ndërsa dhe në punë e në ndeja ai ka qenë i qetë, njeri që nuk rrëmbehej as nuk përulej.

Veç kohës në fshat, nuk mbetet pa mbresa as udhëtimi për Podjevë, në shkollë .

Me Rrahmanin vinin dhe tre bashkëfshatarë në shkollë e unë isha i vetmi nxënës nga Kodërza. Ndodhte të udhëtoja me ta dhe gëzohesha. Nuk ishte as pa frikë ai udhëtim, ku niseshim natën nëpër terr për të zënë fillimin e orëve. Udhëtonim më këmbë 12,5 km e kaq dhe në të kthyer. Ecja ditore, katër vjet me radhë, përbënte gjysmë maratone. Rruga dimrit mbushej me baltë nga dëbora e shiu, bënte acar e ecnim të qullur shpesh. Na zgjidheshin tojat e opingave dhe bëhej belaja. Me duart e mpita e të bëra dru nuk mund t’ i lidhnim tojat e opingave. I tërhiqnim zhagas me majat e gishtave të këmbëve për të mos i tretur. Ndonjëherë kemi hyrë te kooperativisti në Gllamnik, për t`u ngrohur e për të lidhur opingat. Herë në shkollë e herë tjetër në shtëpi arrinim të dërmuar, të lagur deri në palcë, të ngrirë duarsh e këmbësh nga moti i ligë. Gati e pabesueshme, për katër vite megjithatë shkonim e vinin të lumtur dhe kurrë nuk jemi ligështuar e bërë pesimistë.

Në atë cope kohe, sa ishim bari, na nuk kishim tufa të mëdha bagëtish, e kjo gjë na mundësonte kohën ta kalonim më tepër me biseda, në përpjekje për të tjerrë ëndrra, apo ndonjë herë dhe të parashikonim diçka nga e ardhmja, që e shpresonim shumë të lumtur. Për çudi, nuk do të ketë ndodhur të kemi ndonjë zënkë mes veti, thua ishim përgatitur për udhëtim më të gjatë e me harmoni të ëmbël.

Njëjtë dhe familjet tona njiheshin. Kishin shkuarje ardhje, ndeja te njëri- tjetri.

Krejt këto bëjnë njohjen e natyrshme që nuk shpreh asgjë të pazakontë.

Të ndodhte, të na binte diçka në dorë nga shkrimet, emocionoheshim. Shpesh herë nuk ishin vepra, veç ndonjë tregim apo vjershë, shkruar me dorë ose në shaptilograf. I lexonim bashkë nga disa herë dhe ndjenim kënaqësi. Ka ngjarë të mos i kemi kuptuar çdo herë të gjitha në thellësinë e tyre, veç ngelnin gjatë me porositë e tyre në ne. Mbresë të veçantë na la leximi i “Andrra e jetës” e Ndre Mjedes. Të entuziazmuar gjatë kohë me këtë, mendonim në vete, athua do të mund të shkruajmë na ndonjëherë diçka të tillë.

Ëndërronim dhe ishim larg cakut real.

Veç, megjithatë, filluam të shkruajmë. Rrahmani shkroi vjershën “Katundi”, ndërsa unë njëfarë proze poetike “Kënga e rinisë”.Shkruam,më pastaj e përmirësuam, prapë e shkruan, më pastaj e fshijmë,gati krejt javën. Në fund, të dy shkrime ia dorëzuam arsimtarit të gjuhës, Shefqet Kelmendit, i ardhur nga Peja, i cili i gëzohej secilit sukses të nxënësve. I mori punimet e dy ditë më vonë na lajmërojë për botimin e tyre në “Zanin e rinisë”. Në fund të marsit të vitit 1955, të dy punimet do të botohen. Ky qe çast ndoshta vendimtar t`i përkushtohemi shkrimeve përgjithmonë.

Letërsinë shqipe,kryesisht, e lexonim në mënyrë ilegalë.

Çdo gjë shqipe i bënte pengesë pushtetit serb, sidomos mbahej nën vështrim familja Dedaj. Ata e kishin kundërshtuar kolonizimin me serbë të bërë nga Serbia. Dhe, ndërsa nuk munden ta mbronin token e tyre, dolën dhe e vrau kolonin në arë. Do të dënohen me burg e do të torturohen tërë kohën për këtë gjë. Disa anëtarë të familjes së varfër Dedaj do të vdesin në burg nga maltretimet. I vetmi nga burgu doli i gjallë babi i Rrahmanit, Murseli, i cili qe në moshë filloristi. Vetëm dhe ai me qafën e thyer. Jetoi me kokën e rrëzuar në sup – gurthyes,tërë jetën. Ta mbaj familjen për një kafshore bukë. Veç ia vlejti. Ai dhe nëna Nefise, e lindën poetin ndër të shquarit në letërsinë shqipe.

Familja Dedaj, për trimërinë e vet dhe flijimin e bërë për tokën, qe e nderuar nga populli

dhe e kënduar në këngë nga rapsodët popullorë, përkundër shtimit të presionit dhe ndjekjes së atyre që nuk i përmbaheshin ndalesës së një gjëje të tillë. Veç Rrahmani do të gjente fuqi të shkruante poezi nën ashpërsinë e presionit çfarë përjetonte gjithnjë. Nuk flas me superioritet për të, veç rrallë në kohën e vështirë që e kaluam, do të gjeje një njeri të tillë të sinqertë e të sigurt në të gjitha veprimet që bëmë bashkë.

Natyra e tij jepte shenja të njeriut të mbyllur. Unë them dhe mendoj kështu, atij i është dashur një qëndrim i tillë, që s’ është i lehtë të mbahet, pse shteti nuk e ka larguar kurrë nga vëzhgimet dyshuese për shkak të veprimeve të të parëve të tij. Shteti jugosllav ka dyshuar përgjithësisht në shqiptarë, por tek ai është dashur vetëm një grimë dyshim për ta rrokullisur me çfarëdo dënimi. Këtë kam dashur ta di nga ai, sa herë, por nuk ia kam biseduar, pse dhe unë kam ndie një frikë për të.

Poezia e tij do të bëj udhëtimin me ato vepra, që do ta ruajnë të gjallë kohën e brezit letrar në të cilën krijoi…

*

Ai zog vetëtimë fluturon qiellit.

-A e sheh atë zog që nuk shihet?

-Ai gjithnjë është aty!

-E përmendi dhe Rrustem Berisha. Tha, a e sheh apo nuk e sheh, Zog i zi, në fluturim gjithë sfondit ngjyrë gjaku. Ai është gjithnjë aty, ai nuk shihet, ai vetëm ndihet. Është frymë, është besim, është vetëtimë, fluturim nga ik e vjen çdo çast për mjedis shpirtit.

-Varg i poezisë është, - i fola.

-E poezia e mendimi krijojnë amshim.

-Je njëmend i një mendje me këtë që e thua?

-Fluturon pandërprerë... e s`shihet e është flakë.

-Flakë e pashuar!

-Vjen e shkon e gjithnjë është.

-Ja, shikoje...shikoje!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat