Për gjuhën shqipe letrare dhe standarde

Kultura

Për gjuhën shqipe letrare dhe standarde

Nga: Prof dr Riza Smaka Më: 13 nëntor 2019 Në ora: 19:35
Prof dr Riza Smaka

Gjuha kombëtare, është instrumenti, mekanizmi dhe metoda e vetme, e pazëvendësueshme e komunikimit, e shprehjes dhe e artikulimit të botëkuptimeve, pikëpamjeve, qendrimeve, vlerësimeve, dëshirave, preokupimeve , ndjenjave , kulturës , traditës dhe , përgjithsisht, e manifestimit të ekzistencës së qenies intelektuale dhe shoqërore të individit si qytetar përkatësisht të kombit të caktuar.

Sa më e përparuar , e gëdhendur dhe e përbashkësuar të jetë gjuha e një kombi pa dyshim, për aq , manifestohet dhe konfirmohet niveli koheziv kombëtar i kulturës , i përparimit dhe, Vice Versa, anasjelltas .

Gjuha e një kombi, është një nga komponentet fundamentale të karakterizimit të tij. Kombi i përparuar , nder tjera, përdorë gjuhë kombëtare u n i k e , standarde, letrare pa egocentrizma krahinore.

Kombi ( jo : populli…”) Shqiptar , mjerisht, gjithnjë i ndarë politikisht e administrativisht, për fat, nga viti 1972 e ka dhe , përgjitshtisht , e përdorë gjuhën shqipe të standardizuar, e cila, vetëm dhe, vetëm , si e tillë , do të duhej të përfillej , sëpakut, nga shkollarët ; gjithsesi, gjuha si fenomen shoqëror, historik , etnik, kulturor, tradicional tok me zhvillimet shoqërore në hapa, pashmangshëm ,ndryshon , evolvon dhe, për aq , përparon; ajo gjuhë , do të duhej, gradualisht, por, vetëm institucionalisht, sipas kritereve gjuhësore , kurdoherë , në rrafshin mbarëkombëtar, të përshtatej me ligjet gjuhësore dhe me rrjedhat e kohës.

Pa gjuhë të standardizuar unike , cili do komb, do të mbetej popull ( populus) e seandejmi, me kohë , pashmangshëm, nga i njëjti ,do të krijoheshin disa kombe!

Në atë drejtim, aktualisht, ishte dhe mbetet tendencë malevolente , qellimkeqe , padyshim, e faktorëve kundershqiptarë, me synm qe, nder të tjera, në mënyrën më të rafinuar e perfide, fillimisht , të krijohej “Kombi Kosovar” e, sëandejmi , edhe gjuha shqipe të ndahej ,..”në këtë të popullit ( bile, as e kombit të ndarë , madje, as e kombit administrativisht të sajuar , por , e “popullit shqiptar kosovar” dhe, …” e shtetit shqiptar “! ?

Duke e mbeshtetur fuqishëm shqipën letrare të standardizuar të Kombit Shqiptar , në radhë të parë , në të shkruar e, për sa është e mundur, edhe në të folur, në këtë rast, edhe pse nuk jam linguist por jurisprudent por me ambicje të përdorimit të gjuhës amëtare intelektuale kudoqoftë e kurdoqoftë,do t’i veja në spikamë, disa nga jo pak trajta çoroditëse gjuhësore gojore e, jo rrallë edhe shkrimore , të cilat, me pak kujdes dhe angazhim të mirëfilltë, do të mund të menjanoheshin në të mirë të kultivimit të mirëfilltë të gjuhës shqipe standarde dhe unike.

Disa nga jo pak trajta gjuhësore të parregullta në terminologjinë juridike

Terminologjia juridike , krahasuar me disciplinat shkencore tjera, në rrjedhat gjuhësore , është nder me më ndikesë , nga se , me at terminologji dhe, sipas saj rregullohet jeta shoqërore, ekonomike, politike, kulturore, arsimore , shkencore dhe, kryesisht, konform me te, aplikohen normat juridike referuar secilës pore të rrjedhave shoqërore. Ndaj, ndërtimi dhe aplikimi i drejt i terminologjisë juridike nder tjera, është i rendësishëm edhe, për gjuhën letrare dhe të folur të cilit do komb. Terminologjia juridike përkatësisht gjuha juridike në shqip, sikunder në Kosovë , ashtu, edhe në Shqipëri, në masë të konsideruar lëngon nga formulime, terma dhe shprehje të papërshtatshme juridikisht dhe gjuhësisht. Ato defekte , kryesisht, janë pasojë e përkthimeve të dobëta , veçanmërisht, gjatë përiudhës 1945 – 1990 ,në Kosovë , nga Sërbishtja & Kroatishtja e , në Shqipëri , nga Rusishtja! Format e papërshtatshme gjuhësisht dhe juridikisht, janë të shumta dhe , për të qenë e keqja edhe më e madhe, në masë të konsideruar , janë ngulitur dhe familjarizuar aq sa , virtuelisht, pak kush, shprehë gatitshmëri për formulime dhe përdorime adekuate të tyre.

Konkretisht ,në vend të shprehjes “ shteti i së drejtës” gabimisht shkruhet e thuhet “ shteti juridik”, nga se ,cili do shtet pavarësisht nga rregullimi shtetëror, forma e sundimit apo e rezhimit ,është shtet juridik ,sëpakut, nga shkaku se, shteti dhe juridika janë sinonome ,ose, cili do shtet bashkëkohor ka rend juridik por se çfarë e ka rendin juridik – jo sistemin juridik të cilin e krijon jurisprudenca, si dhe në çmënyrë e masë e prefillë , del se është apo nuk është shtet i së drejtës. Ndryshe shteti i së drejtës për dallim nga shteti juridik , tri format kryesore të qeverisjes i ka të ndara e ndërsjellshëm të kontrolluara si dhe ka rend juridik të rregulluar konform me kushtetutën në fuqi i cili aplikohet në praktikë me përkushtim!

Jo pak jurist , në vend të rendit juridik e përdorin termin sistemi juridik. Ndryshe rendi juridik dallon nga sistemi juridik. Përderisa ,rendin juridik ,në procedurë legjislative, e krijon legjislativi , sistemin juridik e krijon jurisprudenca konform me kritere të jursiprudencës për filozofinë juridike, të drejtën dhe për shtetin.Kushtimisht rendi juridik përkon me judikaturën përkatësisht me normativeën e praktikën juridike ndërsa sistemi juridik me jurisprudencën - shkencën juridike.

Në vend të fjalës amendment e cila rrjedhë nga termi amend, amendim, gabimisht shkruhet dhe shqiptohet forma “ amandament”.Termi amendment përdoret edhe në gjuhë të huaja nga e ka origjinën( Amend @ ment:improve, better, perfect, develop, reform, remedy, mend, polish, enhance, perfect, develop, c o r r e c t , rectify, reform…)

Termi nxjerret e, herë herë, merret vendimi…aktvendimi…aktgjykimi” , keqpërdoret në vend të “miratimit të vendimit, aktvendimit si dhe të aktgjykimit”; ndryshe, organi i administratës publike apo i gjyqësorit , nuk “nxjerr” përkatësisht nuk “ merr” ( të cilat janë kalka slave) por, gjatë vendosjeve përkatësisht gjykimeve , m i r a t o n akte të administratës përkatësisht të gjyqësorit ; kjo formë përkon edhe me shprehjet respektive të gjuhëve të mëdha,siç është aprovimi përkatësisht adoptimi në Frangjishte përkatësisht në Anglisht. Ndryshe, as në këshillat e pajtimeve , të pleqnarëve dhe të kuvendeve shqiptare nuk janë “ nxjerr “ as nuk janë “ marrë” vendime ,por, pas procedimeve të nevojshme , ato janë miratuar, janë tëmirë ;

Në vend të Ligjit për Punën , Ligjit për Tatimet, Ligjit për Trashëgiminë…, prapë , nën ndikimin e sllavishtes, kryesisht, (keq) përdoret ndajfolja vendore “mbi” siç vijon : Ligji “mbi” Punësimin, Ligji “mbi” Tatimet” etj;

Përdorimi i termit “gjyqëtar” në vend të “ gjykatës” nuk është i qelluar sepse , ky i sprasmi del nga folja gjykim e,seandejmi ,edhe fjala gjykatës , gjykatë, gjykatore !

Ligji dhe ligji duhet të dallohen veçanërisht në të shkruar ashtu që kur adresimi i bëhet ligjit konkret kurdoherë duhet të shkruhet gërma fillestare e madhe “Ligji për Punën” ndërsa kur referimi i drejtohet aktit ligjor në përgjithësi duhet të shkruhet gërma fillestare e vogël” ligji në fuqi, “ , “ ligji në aplikim”,

Format “ kushtetuese”, “konstituive” duhet të zëvëndësohen me “ kushtetutëse përkatësisht kushtetutare” si dhe, “ konstitutive”, nga se ,rrënja e fjalës nuk lejohet të disformohet .

Në shkrimet e akteve e dokumenteve juridike gabimisht përdoret fjala “ shqiptim i dënimit” ,nga se, shqiptimi konsiston në prononcimin gjuhësor, e në vend të saj, duhet të përdoret “ caktim i dënimit”. Masa dënimore a ndëshkimore pas administrimit të provave duke i vlerësuar rrethanat konkrete , caktohet e si e tillë shpallet por nuk “ shqiptohet”! Edhe në gjuhë të tjera kurdoherë thuhet caktohet dënimi, caktohet masa ndëshkimore por asnjëherë jo “ shqiptohet” përkatësisht “ prononcohet…”

Termi advokat daton nga periudha e Republikës Romake , sëpakut një shekull para Epokës së Re dhe ka kuptimin e thirrjes për ndihmesë profesionale “ Ad @ Vocere” e sëandejmi fjala advokat por jo avokat.Pasi që ky term është i huazuar atëherë sipas postulateve të huazimeve të fjalëve të huaja do të kërkohej të ruhej forma origjinale e cilit do term pra edhe i fjalës advokat pra jo avokat!

Ankesa është akt i shprehjes së pakënaqësisë e cila mund të jetë e pabazuar, e bazuar apo pjesërisht e bazuar.Ankesa mund të shprehet gojarisht apo shkrimisht e jo “ankesë me gojë” as “ ankesë me shkrim”.Nga pikëpamja juridike, ankesa mund të jetë e karakterit juridik – materjal si dhe e karakterit juridik – formal.Në praktikë, as nga shumica e juristëve ,nuk vërehen këto dallime. Në praktikat juridike, ankesa ,në kuptimin juridik – materjal do të duhej të shprehej “ ankesë” eventualisht “ ankim” por në aspektin juridik – formal kurdoherë do të duhej të përdorej forma “ aktankesë”. Aq më parë kur, në praktikat juridike njihen e përdoren format “ padi” e “ aktpadi”, “ akuzë” dhe “ aktakuzë”, “ gjykim ‘ dhe “ aktgjykim”. Pra forma juridike – formale konsiston në aktin formal, në aktankesë, aktpadi, aktvendim, aktgjykim.

Në vend të termit “gjobë” i cili origjinon nga sllavishtja “ globa”, “djoba” do të duhet të përdorej fjala “ denim me të holla” aq më pare kur ka dënime me të holla, dënime me burgosje, dënime me burgosje të rendë…

Gadi rregullisht, në vend të “ ndërprerjes së punës” përdoret shprehja “ pushim nga puna” e cila formë nuk përkon as logjikisht as me ligjin e aplikuar.Edhe në gjuhë tjera përdoret termi “ ndërprerje e punës” por jo pushim nga puna i cili më shumë asocionon me pushimin ditor, javor apo vjetor nga puna e procesi i punës.

Përderisa as në teorinë juridike as në praktikat juridike nuk njihen “ mjetet juridike të zakonshme” as vice versa nuk do të mund të egzistonin mjetet juridike të jashtëzakonshme. Në praktikë njihen e përdoren “mjetet e jashtëzakonshme” por jo edhe termi referuar “ mjeteve juridike të zakonshme”. Për hir të baraspeshimit terminologjik të këtyre kompozitave juridike do të duhej të stipulohej termi “mjete juridike të rëndomta” përkatësisht “mjete juridike të parëndomta” eventualisht “ mjete juridike të zakonshme” përkatësisht “mjete juridike të jashtëzakonshme”.

Në praktikat parlamentare veçanërisht në vendin tonë ,në vend të “ deputetit jashtëpartiak” keqpërdoret shprehja “ deputet-e i-e pavarur” sikundër deputetet e deputëtët tjerë të ishin të varur.Edhe sipas postulateve kushtetutare , deputeti apo deputetja mund të jetë në grupin parlamentar të subjektit politik të caktuar apo jasht grupit parlamentar, qe, kryesisht, përkon me deputetin apo deputeten jashtë partiak-e .

Disa shembuj të fjalëve e shprehjeve gjuhësore të paqelluara

Në komunikime gojore e shkrimore kryesisht shkruhet e thuhet “ shteti i Kosovës” në vend të “ shteti Kosova” qe është shprehje e logjikshme dhe koherente me shprehje të njëjtë në gjuhët e mëdha të kohës. Tekefundit, shteti nuk është i Kosovës por Kosova është shteti. Nga shprehja “ shteti i Kosovës’’ del se Kosova qenka pronare e shtetit dhe se shteti qenka send “res” i tipit a forms së pacaktuar, gjë qe nuk përkon me realitetin. Ndryshe, termi shtet është formë e caktuar e organizimit politik të Kosovës.

Në vend të shprehjes “ mot i lig”, “ mot i mirë” shpesh herë gabimisht përdoret kompozita “ kohë e keqe” , “ kohë e mirë”.

Poashtu ,në vend të shprehjes “ bukë e vrugët”, jo rrallë herë keqpërdoret forma “ bukë e zezë” ,ose, në vend të “ bukës ndore” keqpërdoret fjala “ pogaçe” ,qe është me origjinë sllave !

Shpesh herë ,mbase, duke menduar në gjuhë tjetër , në vend të “ kujdesu”, thuhet si dhe shkruhet “ mbaj kujdes” apo “ bëj kujdes”!

Një numër i madh shqipfolësish e shqipfolësesh , në vend të thënies “në këtë rast” gabimisht thonë “me këtë rast”.Ngjarja, ndodhia , situata nuk zhvillohet me këtë rast por në këtë rast apo eventualisht në atë rast. Forma e parë e implikon kuptimin se ngjarja ndodhka tok me rastin gjë qe nuk është e saktë.

Në dekadën e fundit është e njohur dukuria e “ promovimeve” të jo pak librave të bëra aramara , shkel e shko , me të meta përkitazi me shtjellimin , metodologjinë shkencore, stilin e gjuhën. Edhe të tillat “ promovohen” madje aq shpesh sa qe, akti i tillë , në masë të konsideruar është banalizuar.Ndryshe, libri, edhe sikundër të ishte i cilësisë së lartë, nuk mund të promovohet nga statusi fillestar nga se edhe tutje deri në ribotim të përmirësuar , mbetët çfarë ishte . Ndaj, në vend të fjalës “ promovim” do të duhej të përdorej termi përurim eventualisht shpallje e botimit .

Gadi rregullisht e, mbase më shumë femrat, në vend të fjalës ngjarje e përdorin termin “ event” i cili është , sëpakut, i panevojshem, përderisa e kemi fjalën kuptimplote në gjuhën shqipe.

Fjala “plan e program mësimor” ishte në përdorim të gjerë deri në kohë të fundit në një anë dhe ishte dhe mbetet shumë me e përshtatshme nga “kurikula” qe aktualisht përdoret edhe zyrtarisht, në anën tjetër!

Në vend të “ vozitës” e “ vozitjes” qe përdoret gjërësisht do të duhej të përdorej termi shofer e shoferim apo grahës e grahje. Sikundër dihet termi “ vozitje” rrjedhë nga sllavishtja dhe, përderisa, në shqip kemi fjalë të përshtatshme , ajo nuk do të duhej të përdorej.

Në terminologjinë universitare panevojshëm përdoret shprehja “ mban ligjerata”, “ mbaj ligjerata” në vend të ligjeron, ligjeroj. Tek e fundit ligjeratat nuk mbahen por ligjerohen.

Tatimi e tagrat janë forma të taksave të cilat sipas ligjit, entitetet natyrale e legale, duhet t’i paguajnë. Tatimi tatimohet e taksat taksohen por jo “tatohen” sikundër jo pak zyrtarë e përdorin gabimisht duke e cunguar trungun e fjalës dhe duke ia çoroditur kuptimin si dhe tingëllimin.

Çuditërisht, gadi kudo e kurdo, termi konkurrencë përdoret gabimisht në vend të fjalës kompeticion. Sikundër fjala konkurrencë ashtu edhe ajo kompeticion janë neolatine por të huazuara në shqip për shkak të mungesës së termit të përshtatshëm për te. Në të folur e të shkruar , termi konkurrencë, përdoret në kuptimin e rivalizimit, kundërshtimit, garës në procedura apo aktivitete shoqërore të ndryshme. Ndryshe, kuptimi i termit konkurrencë është i kundërtë me funksionin e tillë ,nga se , është pajtim, pajtesë , unitet, konsensus , harmoni, bashkëpunim, bashkëmendim por jo e kundërta. ( Concurrence: agreement, accord, concord, harmony, unanimity, mutual consent, consensus, meeting of the minds, cooperation,correspondence, conformity, coegxistence, collaboration). Sëandejmi, në vend të termit konkurrencë, konkurrim,konkurrent do të duhej të përdorej termi kompeticion, kompetitor qe e ka domethenien e rivalitetit, kundërshtimit, opozitës, konfliktit, luftimit, garimit. (Competition: rivalry, contention, opposition, struggle, conflict).

Në vend të “ në shumicën e rasteve” duhet të praktikohet “ në rastet e shpeshta eventualisht, në rastet e shumëta”. Nëse do të kishte “ shumicë të rasteve” atëherë në të kundërtën do të kishte “ në pakicën e rasteve” të cilën trajtë askush nuk e përdorë nga se kjo e fundit shkruhet e thuhet “ në raste të rralla’, “ në raste të pakta” .

Poashtu në vend të fjalës “ëmbeltore” panevojshëm pra gabimisht përdoret termi “ pastiqeri”!

Veçanërisht, në Shqipëri e, në kohë të fundit ,edhe në Kosovë ,përdoret gabimisht fjala “ trojka” në vend të “ treshit” apo të treshës” varësisht nga gjinia. Poashtu panevojshëm e pa vend në vend të fjalës “ulëse” përdoret termi “sedilje” qe është e origjinës slave!

Në vend të fjalës “normalisht”, keqpërdoret termi “ normal” qe nuk mund të këtë kurrfarë kuptimit pos të tingëllimit kakofonik. Ndryshe në vend të termit “ natyrisht” mund të përdoret fjala “ natyrisht” apo anasjelltas. Po të thuhej “natyrë” në vend të natyrisht do të tingëllonte qesharakisht sikundër të rasti “normal” në vend të “normalisht”!

Poashtu, në vend të “absolutisht” keqpërdoret shprehja “ absolutikisht” apo në vend të fjalës “embëltore” përdoret termi “ pastiqeri”!

Për habi pothuaj se kudo e kurdo në vend të “ jam i-e lindur” thuhet e shkruhet “ kam lindur” . Forma e sprasme është e kuptimit aktiv i cili nuk mund të ndodhte as biologjikisht as fizikisht për foshnjën e aq më pak për mashkullin.

Shpesh herë praktikohet shprehja “ nesër jam në Pejë apo gjetiu” në vend të “ nesër do të jem në Pejë …” Pos gabimit gjuhësor edhe në këtë rast gabohet në kuptimin fizik nga se “nesër jam në …” është çështje hipotetike si dhe në atë mënyrë cenohet koha e ardhshme e foljes në fjalë e cila egziston dhe do të duhej të përdorej “…do të jem..”

“Qyteti i Prishtinës”, “katundi i Shkrelit”, “fshati i Bllagajës”...në vend të formës : “Qyteti Prishtinë”, “katundi Shkrel”, “fshati Bllagajë” etj, sepse , shprehja “Qyteti i Prishtinës” katundi i …, fshati i …, jep kuptimin se, Prishtina, Shkreli, Bllagaja qenkan pronare të komuniteteve territoriale – administrative përkatëse !

Shprehja “sipas mendimit tim” del si kalkë e natyrës së gjuhëve sllave, ndaj, do të duhej të zëvendësohej me formën : mendja ma thotë, ma prêt mendja, mendoj, gjykoj varësisht nga konteksti i fjalisë;

Në vend të foljeve kemi, jemi , gadi rregullisht , dëgjohen format e padrejta : “ jena”, “kena” …;

Në vend të termit :”mirë”, “ashtu pra” , “pajtohem”, “ pranoj” , gadi rregullisht , përdoret shprehja “OK”, e cila , nuk komponohet me shprehjet as natyrën e gjuhës shqipe; ( në këtë kontekst, edhe pse e flas dhe e shkruaj anglishtën , i përmbahem rregullës themelore qe , kur të flas shqip përkatësisht anglisht, të mendoj dhe të flas në gjuhën përkatëse ashtu qe, panevojshëm, të mos krijohen përzierje të panatyrëshme!

Gadi rregullisht, në vend të termit “ tani”, “tani pra”, “prandaj”, “ndaj” , keqpërdoret fjala “ atëherë” bile kur nuk është theksi për orijentimin e bisesës në të kaluarën, por, përkundrazi, për të tashmën !

Në vend të shprehjes :” ashtu qe” , gadi kurdoherë përdoret forma :” ashtu qi”, “ kështu qi” etj;

Në raste të shpeshta, në vend të shprejhes , pak, krejt pak, përdoret :” shumë pak” qe realisht është formë e kunderthënshme, e pakuptimt;Poashtu në vend të shprehjes “ tepër shpejt” keqpërdoret forma” shumë shpejt”. E kundërta e kësaj të fundit, në vend të “ tejet ngadalë “ apo “ tepër ngadalë” do të delte “ shumë ngadalë” !

Rrjedhimisht, përderisa në Anglisht, Frangjisht, Italisht e gjuhë tjera ,nga të cilat, praktikojmë, të huazojmë terma profesionale , siç është termi atribut, kontribut , në lakime e rasa, do të duhej të thuhej atributim e jo atribuim, kontributim e jo kontribuim ;

Në vend të shprehjes “ në raste të rralla”, “në raste të shpeshta” , “ në raste të shumta”, nën ndikesën e gjuhëve sllave , praktikohet shprehja :” në të shumtën e rasteve” për ç’shkak e kunderta do t’ishte “ në të pakten e rasteve “ e cila del si formë artificiale dhe e rëndë!

Në komunikime të përditshme , madje edhe nga jo pak jurist, në kontekste të gabuara përdoret fjala sanksion dhe konkurrencë. Fjala sanksion kryesisht kuptohet si masë juridike e cila nuk qendron si e tillë. Termi sanksion konsiston në kuptimin e miratimit, pelqimit, mbështetjes , lejes, autrorizimit, vërtetimit , ratifikimit ( Eng- Sanction: approval, endorsement, assent, consent, permkission, authorization, liberty, licence, ratification). Poashtu fjala konkurrencë kryesisht keqpërdorohet në kuptimin e rivalitetit, garimit apo të kundërmatjeve të forcave apo të vlerave. Ndryshe kuptimi i konkurrencës është marrëveshja, pajtimi i ndërsjellë, harmonia, harmonizimi,bashkëpunimi ( Eng- Concurrence : agreement, accord, concord, harmony, unanimity, mutual consent, consensus, meting of the minds, cooperation, collaboration)

Përfundime

Gjuha shqipe standarde, si gjuhë e kultivuar dhe e unitetit kombëtar, do të duhej të përfillej me përkushtim , në radhë të parë, në të shkruar dhe , për aq sa është e mundur , në të folur;Trajtat e caktuara të fjalëve, foljeve dhe të shprehjeve, në përgjithsi, në rrjedhën evolutive dhe synimin për gjuhë shqipe të përbashkët , do të duhej, institucionalisht, të standardizoheshin dhe, si të tilla, të përfilleshin kudo dhe kurdo qe flitet dhe shkruhet shqip; Në të mirë të ruajtjes, përparimit dhe mbrojtjes së gjuhës shqipe letrare, do të duhej të miratohej Ligji për Gjuhën Shqipe; Fjalët dhe shprehjet nga gjuhë të huaja , do të duhej të huazoheshin në gjuhën shqipe ,vetëm, kur ato do të mungonin përkatësisht si terma profesionale të njohura dhe të karakterit universal;Fjalët dhe shprehjet e huazuara në shqip, do të duhej të përdoreshin pa deformime apo riformulime, por ,në origjinal , ashtu, siç veprohet në gjuhët e mëdha dhe më të aplikuara sot. Kjo qasje është edhe një thirrje për gjuhtarët kompetentë për të bërë atë qe do të duhej dhe do të mundnin ta bënin në të mirë të gjuhës shqipe letrare, të përbashkët dhe, të standardizuar dhe për aq edhe në funksion të çështjes kombëtare shqiptare, në përgjithësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat