Akademiku Bedri Dedja-Baba i modernitetit në letërsinë tonë për fëmijë

Kultura

Akademiku Bedri Dedja-Baba i modernitetit në letërsinë tonë për fëmijë

Nga: Alfred Papuçiu Më: 20 nëntor 2019 Në ora: 18:51
Bedri Dedja

Gjithmonë njerëzit e mëdhenj të çdo kombi qofshin karakterizohen nga thjeshtësia dhe janë tepër komunikues me njerëzit e çdo moshe dhe kategorie shoqërore. Unë kam pasur fatin gjatë jetës sime të kem pranë figura të tilla të shquara të gjuhësisë, profesor Mahir Domi i cili më ndihmonte me zemërgjerësinë dhe thjeshtësinë që e karakterizonte, si edhe tim atë, për të ecur në rrugën e gjatë dhe të vështirë të publiçistikës dhe letërsisë. I tillë ishte edhe « xhaxhi » Bedriu për mua, siç i thërrisnim ne, që herë pas here shihte shkrimet e mija para se t’i botoja. Ai më dha kurajo gjatë jetës sime, sidomos pas vdekjes së tim eti . Me fjalët e tij të urta të një psikologu e pedagogu të shquar, më shtynte të shkruaja, si një terapi e mirë pas lodhjes së ditës, më dërgonte herë pas here letra, më telefononte apo më vinte dhe i shkoja për vizitë në Gjenevë apo Nëshatel, për të botuar në një vëllim refleksionet e mija tek të cilat ai nuk donte të vinte asnjë presje. Botuam së bashku « Përrallat e Zvicrës » dy gjuhësh shqip dhe frëngjisht të cilat lexohen jo vetëm në Shqipëri por edhe në Zvicër dhe gjetiu. I kam përkthyer disa artikuj të tij në frëngjisht me » postulata » domethënëse për të rinjtë nga Kosova dhe Shqipëria që jetojnë në Zvicër, për sjelljen e tyre të edukuar në një vend që i kishte pranuar në gjirin e tij. Vitin e Ri të fundit, para vdekjes së tij e kaluam sëbashku familjarisht në Nëshatel të Zvicrës ku banon e bija. Aty kishte ardhur dhe i biri, Taulanti dhe të afërm të tjerë. Kujtuam të kaluarën se sa ka bërë ai dhe e shoqja e përkushtuar, Pandora, për të ndihmuar nipër e mbesa që të merrnin sidomos rrugën e artit etj. Gazeta zvicerane «Le quotidien Jurassien» e Zvicrës e ka cilësuar Bedri Deden si personalitet shqiptar me zë. Vitet ikin dhe ai sot do të kishte 89 vjet.

Më poshtë po jap për lexuesit një shkrim të Agim Devës, në përkujtim të Akademikut Bedri Dedja. Alfred Papuçiu, Gjenevë, më 20 nëntor 2019

Agim Deva - "Bedri Dedja, baba i modernitetit në letërsinë tonë për fëmijë" - Kujtesë…

Bedri Dedjen (1930-2004) do ta nderojmë për kohe të gjatë, sepse puna e tij shënon një epokë kthesash të mëdha. Prej tij kemi mësuar se letërsia mund të shkruhet edhe ndryshe…

Kam përshtypjen se prof. Bedri Dedjes, këtij kolosi të kulturës sonë, i kemi mbetur borxh të gjithë nga pak : edhe kohërat që i kishte kaluar me të gjitha ngjyrimet e mundshme, edhe organet dhe institucionet social-kulturore, edhe rrjedhat e reja që hynin pamëshirshëm në gërshërë me ato të vjetrat, e ku prof. Dedja si rrallëkush realizonte intelektin e vet në mënyrën më dinjitoze : i kemi mbetur borxh prof. Bedri Dedjes edhe ne këtu në Kosovë, edhe për së gjalli, por edhe pas vdekjes së tij.

Mos ndoshta, të gjitha këto borxhe ndaj këtij bardi të kulturës sonë, na shpiejnë në fjalët e Tolstojit të madh kur thotë se « ndërgjegja është zëri i shpirtit.. » ?

Shfletoj librin me kujtime « Nëpër ravat e jetës » (Tiranë 2001), ku Bedri Dedja qysh në hyrje të tij, midis të tjerash, jep një sqarim të shkurtër, por esencialisht domethënës dhe simbolik : « …Fjala ravë ka kuptimin e rrugëve të dhive në mal, ose të gjurmëve në dëborë. Më është dukur se rrugët e mia të jetës ngjasojnë më shumë me ravat.. »

Dhe po të rrëshqasim, qoftë edhe shumë përciptazi nëpër jetën e prof. Bedriut (gjë që ai nuk e meriton një qasje të këtillë sipërfaqësore), do të shohim se nga viti 1930 kur erdhi në jetë e deri më 2004, kur ma dërgoi romanin e tij « Sikuriada », që realisht ishte pjesa e tretë e romanit « Kalamajtë e pallatit tim » (roman i një lloji të ri – roman manifest), dhe iku nga kjo botë, duke marrë me vete shumëçka, që po të na linte në një formë apo në një tjetër, do të kishim një dobi shoqërore shumë më karakterogjene, se tani kur gjëndemi pa të.

Autoriteti i tij qe ndërtuar gjithnjë me sakrifica natyrash të ndryshme. Vetë prezenca e tij në një konsultë, program kulturor, simpozium, mbledhje, etj. e kishte peshën e vet dhe karakteri i tij, gjithnjë stabël, të imponohej me një qetësi impozante, me një urtësi antike, me një kriter të formësuar e të shumë kohezional, që ishte rezultat i dijes, i përvojës së tij shumëvjeçare në shumë fusha të artit, të kulturës, të arsimit, të shkencës. Këtë përshtypje e kisha edhe në vitin 1973, kur për here të pare u takova me të në Tiranën “misterioze”, dhe qysh atëherë më duket se kisha takuar një njeri, që kishte lindur nja tridhjetë vjet më herët, sepse vetë shkalla e tij e inteligjencës, fjalori i komunikimit, horizonti i tij kulturor që gravitonte nga Europa, qetësia me të cilën të dëgjonte dhe këshillat e tij assesi të imponuara si domosdoshmëri, mirësjellja e tij në interpretime shkencore, kishin tipare të një pedagogu e psikologu me experience, prej të cilit mund të mësonim shumë të gjithë ne, që kishim fatin të rrinim me të. Një tip recent, një mëndje e ndritur, që herë-herë m’i përkujtonte rilindasit tanë. Korçari sharmant, studenti i dalluar i Universitetit të Moskës, pedagog shumëvjeçar në Universitetin e Tiranës, shkencëtar i dalluar, sidomos në fushat e psikologjisë, letërsisë për fëmijë dhe pedagogjisë, organizator i shumë simpoziumeve të ndryshme, krijues i një numri të madh veprash letrare (poezi, tregime, përralla, novela, poema, romane, legjenda, fabuka, përralla mbi kafshët, kujtime, etj.); pastaj, themelues i mendimit teorik-kritik mbi çështjet e ndryshme të letërsisë për fëmijë, autor i veprave letrare kapitale, me të cilat janë rritur gjenerata të tëra fëmijësh e të rinjësh tanë si: “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, “Një udhëtim i rrezikshëm”, “Kapiteni i shtrëngatës”, “Kalamajtë e pallatit tim”(1,2,3), “Republika e 1100 çudirave”, “Nëpër korridoret e thella të Jonit”, “Qyteti me tri kështjella”, “Përralla njëmbëdhjetëkatëshe”, si edhe dhjetra e dhjetra vepra të tjera, që na bëjnë ta perceptojmë realisht formatin e madh të akademik Bedri Dedjes, pena e të cilit gjurmonte modalitete të reja të shprehjes, deri në ditët e fundit të jetës.

Është vërtet e dhëmbshme kur nëpër mbledhjet komemorative ngrihemi në këmbë për të mbajtur një minute heshtje për kolosët, siç ishte në këtë rast, Bedri Dedja. Një minute heshtje. Më besoni: kurrë nuk kam mundur ta kuptoj domethënien e këtij minuti, sado që edhe vetë jam ngritur shumë here në këmbë për këtë qëllim, për miqtë dhe dashamirët që na ikin – secili në mënyrë të vet. E shpjegojnë si nderim të fundit, që i bëjnë të ndjerit.

Bedri Dedjen do ta nderojmë për kohë të gjatë, sepse puna e tij shënon një epokë kthesash të mëdha: është baba i modernitetit në letërsinë tone për fëmijë. Prej tij kemi mësuar se letërsia mund të shkruhet edhe ndryshe, se edhe të vegjlit janë të detyruar të na kuptojnë edhe atëherë qartë e drejtë. Në botën e librit tone ka sjellë përvoja e modele të reja kreacionale, duke përkthyer vepra të rëndësishme nga letërsitë e huaja. Vetëm ata që e duan njeriun, mbeten të pavdekshëm. Akademik Bedri Dedja ishte prej atyre që ka rrezatuar me energji positive kudo që ka qënë i pranishëm.

Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat