Silueta e vetmisë së gurit  

Kultura

Silueta e vetmisë së gurit  

Nga: Nexhat Halimi Më: 21 nëntor 2019 Në ora: 11:38
Nexhat Halimi

Tashmë ecim në të majtë korridorit, të dalim në punishten tjetër, të mbushur me lëvizje makinash, me shkuarje-ardhje të minatorëve, me shpërthime shumë të forta, të cilat e gjunjëzojnë shkëmbin e xehes. Njëri nga xehetarët, një flokëverdhë e i buzëqeshur, që kaloi pranë nesh, përnjëherë ndali të shikonte orën e vet të dorës.

Shfaqi një dashuri për të, ndërsa ajo lëvizte akrepat dhe i ndrisnin numrat, ngjashëm me ndonjë stërpikje të përzier ngjyrash.

-Çfarë do të thotë kjo? – më iku mendja te orëtarët, para vitrinës së të cilëve qëndroja  sa herë kaloja sheshit të qytetit dhe vëreja me interesim lëvizjen e akrepave nga e matnin kohën me tingëllimë të kurdisur me ritëm të rrjedhshme. Në të njëjtin çast, në këtë pështjellim dhe rrëmujë të ashpër që derdhej nga korridoret, dëgjova zërin e dikujt. Qe zëri i Isanit, të buzëqeshur, i cili e ndiqte xehetarin nga e vështronte orën e vet të dorës.

-Çfarë tregon ora për personalitetin e njeriut, - e dëgjova të thoshte Isani.

-Kam lexuar të fliten shumë gjëra për orën, - iu përgjigj Çera.

-Veç këtë gjë nuk e ke dëgjuar apo lexuar!

-Pse?

-Ja pse! Dëgjoje.

-Të gjithë shohin orën tënde dhe ajo përfaqëson kush je, vlerat e tua dhe stilin personal, - do të kem lexuar të thotë basketbollisti i njohur botërisht, Kobe Bryant .Ai është shprehur se të mbash një orë në dorë, do të thotë të prezantosh veten si një person i cili e vlerëson kohën, i përpiktë dhe tejet i sigurt në hapat që hedh. Kështu, nëse do zgjidhja një objekt i cili identifikon një person, atëherë ai objekt do ishte ora e dorës…

-Po vërtetë, po, -i përzihet në shpjegim basketbollistit të njohur Isani. -Të mbash një orë do të thotë elegancë, sharmë, stil dhe modë, por jo vetëm. Ajo përçon aurën tënde, rrëfen për pasionet, pikëpamjet dhe zgjedhjet në jetë. Ora mund të tregojë shumë gjera rreth një individi, pa qenë e nevojshme të besh hulumtime rreth tyre, - më shikon ai dhe ec përkrah shkëmbit të xehes, i cili ndritë ndonjë herë, lëshon një reflektim të artë herë tjetër.

Ai, siç bën dhe basketbollisti flet me përpikëri dhe e shikon orën.

–Je, - i ndërhyn vetes, - një aventurier, i sofistikuar, elegant, sportiv, klasik, minimalist apo në kërkim të diçkaje emocionuese? Ora jote flet për ty! Nëse je një person që të pëlqen madhështia dhe e bukura, atëherë zinxhiri ngjyrë ari në dorën tënde reflekton vetë në heshtje. Sapo sytë bien mbi numrat romakë dhe rripin në dukje të vjetruar të lëkurës, mendja menjëherë ndërlidhet me filmat dhe personazhet e viteve të dyzeta. Një person detajist dhe kreativ nuk është vetëm në kërkim të një ore, por të atij detaji që bën diferencën dhe që personifikon diçka më tepër se një objekt…

-Të njëjtin mendim e ndaj dhe unë, - ia bëra.

-Natyrisht, sepse nuk ke zgjidhje tjetër, - qeshi Çera.

Isani më shikoi mua dhe heshti, ndërsa Çera edhe një herë e komentoi mrekullinë e basketbollistit, lidhur me orën. Ai, siç ka lexuar Çera, thotë se zgjedhja e orës së duhur është gjithnjë, më shumë se blerja e një aksesori. Të zgjedhësh orën që do mbash në dorë do të thotë të përçosh me një shikim të vetëm atë çfarë ti në të vërtetë je. Mënyra sesi ne zgjedhim ta shfaqim veten, është e gjitha në dorën tonë. Thënë më mirë, në orën tonë.

Prandaj, të dhurosh një orë nuk do të thotë vetëm të njohësh një person për atë se çfarë ai është dhe çfarë nuk është.

Është shumë më shumë se kaq!

Prandaj, pse të mos jetë kjo dhurata juaj për njerëzit tuaj të zemrës në këtë fund vit?- pyetet ai dhe Isani qesh. Lere Çero orën e ta kryejmë punën për të cilën kemi zbritur në zemër të tokës. Ai e luan kokën, shikon para vetes dhe ecim korridorit të errët, të ngushtë e të gjatë, ndërmjet murit e murit tjetër,në të cilët pëlcasin e shpërndahen shkëndijë të verdha e të bardha të arit e të argjendit. Shkelim rrjedhës së vijës së pastër të ujit, të arrijmë tek shtrihet trupi xeheror, në jug, në punishten e madhe. Aty do të shikohemi përsëri sy më sy me njërin nga shatë luanët, me Fetahun, me xehetarin që u nis herët, në fëmijëri, gjurmëve të babait dhe zbriti në katet e xeherores, të lë gjurmë me angazhimin e vet.

Ai na pret me buzëqeshje. I fshin me shami djersët nga balli e kollitet pak.

-Gjithçka lindi për bukë, veç dhe për dashuri. Në këtë degëzim do të gërshetojë kaq vera e vjeshta të jetës,  thellë në nëntokë.

– Për mua “Trepça”  është hambar i shumë vetëtimash të degëzuara e gjarpërore, i secilës shkëndijë, është kalli i begatisë, janë të shtatë ngjyrat e ylberit, është vetë jeta. Unë nuk mundem pa të. As mund të fle ndarë nga nëntoka as mund të rri zgjuar, jemi bërë i njëjti damar, - flet ai, me shikim të  derdhur në murin e xehes, të mbushur përplot xixa me ngjyra, përplot vetëtima dhe udhë e ura të shpërndara në të gjitha udhëtimet e jetës. – Unë nuk mund pa të, e as ajo nuk do ta ketë të lehtë pa xehetarët, pa mua, pa njërin nga ata, të dashuruarin  në fushën e këputur nga një copë e qiellit të shenjtë, përmes të cilit rrjedh uji bilur e lulet e xhenetit të mbushin shpirtin me aromë të këndshme.

-Pa lule të xhenetit?

-Po.

-Kjo m`i zgjon fushat prej nga vij unë, të mbushura pranverash me kaq lule me aromë të njënjëshme të xhenetit. Aty afër fshatarët e kanë ndarë dhe një copë të tokës për varre, të vdekurit tërë kohën të thithin armë lulesh të xhenetit.

-Pse, prej Dumnicës së Poshtme të Llapit vjen ti?

-Kush të tregoi?

-Lulja e xhenetit. Kush s`i njeh lulet e egra narcis, të njohura në mbarë Kosovën e më larg.

- Aty, mund të ketë qëndruar dhe |Nracisi, për të lëshuar rrënjë e për t`u bërë një me natyrën...

-Gjithsesi,Isan, veç lere mahinë dhe bëre ndonjë fotografi me hijet tona para kopshtit magjik të xehes së shtruar me ngjyra të kuqe, të verdha, të kaltra, të cilat lëvizin ngjashëm me fluturat apo me yjet lart qiellit në netët e dendura nga errësira dhe kështu i japin kuptim ecjes me blegërima shqerrat e imagjinuar, duke ngarendur për në krua, ta shuajnë etjen e thellë .

-Të shihet aty dhe Fetahu, - tha Faiku.

-Pa  Fetahun nuk bën fare, - i ndërhyn në fjalë Çera me buzëqeshje.- Ai të jetë në qendër të rrëfimit.

-Nuk mundet pa punëtorët siç është Fetahu, natyrisht, - dëgjohet shoqëruesi. -Ai me pesëdhjetë vera e vjeshta në kurriz, bir i xehetarit të pensionuar, gjithnjë qe e është shembull i punës e djersës në horizontet e plumbta. Është nga Vllahia e Shalës, fshat që dha shumë xehetarë...

-Tashmë, me kohë dhe unë thur jetën në Mitrovicë, - rrëfen Fetahu ,  - pa ia ndarë për asnjë çast shikimin  shkëmbit të xehes, i cili pret të matet e të ndahet i shkrirë gjithnjë, më parë në zemër të minatorit e më vonë në Shkritoren e Zveçanit. Fetahut i ndrisin sytë. Është xehetar dhe jo vetëm. Ai nuk është vetëm mbikëqyrës  kryesor,  ai është dhe xehetar i angazhuar papra për prodhim më të lartë. Fiton nga shtatë paga në krye të muajit, por e merr vetëm një. E nuk ankohet. As shokët për asnjë çast nuk kanë qëndruar kot. E meritojnë dhe ata një pagesë më të mire. Secili këtu meriton të fitojë më shumë, natyrisht me ndonjë dallim të vogël mes vetes. Me të ardhurat që fiton nga puna në  nëntokë Fetahu mban familjen dhjetë anëtarësh. Gjashtë fëmijë i ka shkolluar, dy djem dhe katër vajza. Nuk kurseu asgjë nga vetja për “Trepçën”, veç edhe ajo i dhuroi mjaft shumë.

-Mirë është, mirë,  - buzëqeshet ai, ndërsa mezi pret t`i kthehet shkëmbit të xehes e ne mahnitemi me punishten, e cila gjëmon nga lëvizje vagonetash, nga shpueset e makinat e ngarkimit. Asnjë xehetar nuk shihet të ketë ndonjë çast pushim. Njëri shpon tjetri e pret ta zëvendësojë në përballje me shkëmbin. Në punishte, tek ai  prin, në asnjë çast nuk ka qetësi. Gjëmojnë pistoletat, autoloderët nuk ndalen, shkëmbi bie, xehja e rrëzuar ngarkohet,pa humbur kohë, të bartet për atje,  në procesin e mëtejmë të përpunimit. Para nesh ngrihen silosët, përplot xehe, të rezervuara për teleferikun e “Trepçës”, që lëviz pandërprerë, pa u  ndalur as natë as ditë. Në këtë horizont herë - herë norma ditore tejkalohet edhe dyqind për qind, rezultat ky impozant, që mahnit.

-Ç` punë e djersë kërkon të arrihet kjo, - do të flasim mbasi do të kemi ecur gjatë nëpër zona të ngrohta e të ftohta të nëntokës, e do të kemi arritur aty, ku xehetarët të zhveshur deri në brez derdhin djersën lumë?

-Me vullnet arrihet çdo gjë, - përgjigjet njëri.

-Me dashuri, natyrisht.

-Secili e ka rrëfimin e vet, e ka dashurinë dhe hapësirën e frymës, ta cilësojë për këtë apo atë gjë nga tjetri. Fundja, të gjithë e kanë një qëllim...

-Veç është mirë të bisedoni me ata, të shtatë luanët e nëntokës, - ndërhyn një tjetër.

-Ata, shtatë bëjnë sa i tërë horizonti?!

-Luan këtu është secili, - thotë Çera.

-Me vullnet arrihet çdo gjë.

- Vetëm me djersë,  me angazhim, me organizim të mirë. Sa herë të jetë e nevojshme, tre apo katër vetë– në punishte, gjithmonë, takohemi kokë më kokë, shkëputemi për pak çaste nga vala e punës, e flasim: si t`i zgjidhim problemet, si t`i kryejmë detyrat në mihje.

 Filluam në këtë mënyrë me teknologjinë e re të mihjes dhe arritëm suksese. Më parë në këtë punishte për një vit është eksploatuar një etazh, e tash me ndërmarrjet e reja, arrijmë po atë punë të bëjmë për tre muaj. Intensitetin e mihjes e shtuam për tri herë, e kjo ka mund të arrihet vetëm me djersën  lumë të secilit minatorë, të secilit punëtorë këtu. Kjo ka bërë që të radhisim prodhimin mbi plan, të atillë, që herë herë sikur të bëhet si diçka e pamundshme, si diçka e pabesuar, e megjithatë është reale, nuk është përrallore.

-Po, nuk është asgjë e paprekshme, - vjen me jehonë një zë.

-Nuk është asgjë  e pavërtetë: vetëm gjatë tre muajsh të fundit prodhuam mbi planë nëntë mijë tonelata xehe, - shkëputë fjalë zëri i njëjtë, e pasi i fshin djersët nga balli, na i shtrëngon duart, “Me Fat”. Të ik sa më parë dhe përsëri t`i kthehet  valës së punës, të bëhet një me rrëzimin e shkëmbit të xehes, një me zhurmën e makinave që nuk pushojnë.

“Me Fat”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat