Partizania Vidna

Kultura

Partizania Vidna

Nga: Gani Mehmetaj Më: 29 nëntor 2019 Në ora: 18:30
Gani Mehmetaj

Sa herë më dilte para shqyeja sytë. E gjatë, e thatë, me fytyrë të acaruar, me duar eshtake e gishta kanxha të frikshme, më gozhdonte figura e saj. Edhe kur nuk me hakërrohej s'më bënin këmbët të ecja tutje. Kalamajtë thoshin për te se të rrëmben e të tretë prapa bjeshkëve. Gjyshja ishte e sigurt se është fantazmë që e nxori varri jashtë. Babai kërcëllonte dhëmbët dhe na e përsëriste: nuk e dini kush është kjo shtrigë, dheu mos e tretë. Nëna na këshillonte të ruheshim prej saj si prej dreqit. Ajo jetonte e vetme në një shtëpi në periferi të qytetit. Askush nuk guxonte t'i afrohej oborrit të saj, askush nuk ia kishte parë dhomat. Pëshpëritej se është e armatosur deri në dhëmbë si në kohë lufte. Ndonjëherë shkrepte breshëri plumbash kot me kot në pikë të natës.

Gruan e frikshme, Vidna gjithnjë e lidhja me fundin e djaloshit, emrin e të cilit kurrë nuk e mësova, por rrëfimin për te e kujtoja çdo natë. Babai na e tregoi një natë dimri të acartë si atëherë kur hynë partizanët. Historia për këtë grua që na e fuste frikën në palcë, shpesh me linte pa gjumë, jo rrallë zgjohesha i larë në djersë, me pamjet e gishtit tregues në këmbëzën e mitralozit që villte zjarr.

-Atë mëngjes dimri që ta ngrinte gjakun ndër deje, hynë me zhurmë e britma partizanët në Katundin e Ri, i mbështeten burrat ndanë gardhit, me ta e rreshtuan edhe çunin trembëdhjetëvjeçarë, - tregonte babai, ndërsa më bëhej se fushëpamjen time e mbulonte figura e çunit të lemerisur në rreshtin e burrave të katundit, në këmishë e të linjta të bardha, përballë togës së pushkatimit. Rrëfimi vazhdonte:

-Hiqeni atë kalama, - tha dikush, para se të shkrepte mitralozi.

-Lëreni mirë është, - tha partizania Vidna, prapa mitralozit të rëndë me syrin në shënjestër e gishtin tregues në këmbëzën e armës së ftohtë.

- Është fëmijë, - i tha dikush me zë lutës.

-Pa qenë fëmijë nuk bëhet i rritur, - ia ktheu partizania e sertë.

Ajo nuk i shihte fytyrat e frikësuara të katundarëve të sapo zgjuar nga gjumi, ajo shihte të njëzetë e gjashtë shënjestrat që do t'i godiste pas disa çastesh. Fatkeqit këmbëzbathur e të lidhur duarsh dy nga dy, me nga një copë teli a spango, prisnin e dridheshin. Dy-tre fëmijë në gjirin e nënave dridheshin e nisën të qanin. Nëna e djaloshit të rreshtuar për pushkatim çakërdisur sysh, u përpoq ta nxirrte nga rreshti të birin e llahtarisur, por një partizan e goditi në kokë me kondak pushke. Ajo ra pa ndjenja, dy partizanët tjerë e tërhoqën zvarrë tutje.

Gratë qanin pa zë, të mpira nga tmerri.

Partizania Vidna, prapa mitralozit, u drejtohet grave fatkëqija, që ia turbullonin pamjen: "Hiquni prej rruge kudra!" Ato nuk dinin nga të shkonin. Në atë rrëmujë dy nga burrat e rreshtuar për pushkatim, të lidhur njëri me tjetrin, shpëtuan për një fije floku, duke kërcyer gardhiqet pupthi, megjithëse tre partizanë u shkuan prapa me krisma pushkësh deri në fund të katundit, por nuk i kapën.

Trembëdhjetëvjeçari i lemerisur para se të binte nga plumbat, i tha tatës pranë: "Po tutna!". Tata nuk bëzajti, ia shtrëngoi dorën. Partizanët kishin krijuar gjysmëharkun, që të mos u ikte asnjëri, ndërsa tytat ua drejtonin shënjestrave.

pushkatuan para grave e nënave. Partizania Vidna nuk e hoqi gishtin nga këmbëza e mitralozit edhe një kohë pasi ra viktima e fundit. Koka e djaloshit kishte rënë në prehrin e të atit. Qetësia e mpiu Katundin e Ri. Kufomat i lanë ndanë gardhit. Në borën e bardhë gjaku shquhej thekshëm, trupat e ngrohtë ende avullonin, ndërsa brigada partizane me Vidnen në krye vazhdoi tutje. shte mëngjesi i hershëm i janarit.

Pas kësaj masakre emri i shoqes Vidna, sikurse e quanin, ua ngrinte zemrat katundarëve të Luginës së Drinit e të Lumëbardhit. Ajo mbolli vdekje ngado që shkoi.

- Në qytet pushkatimet nuk i bënin ditën me diell, por i ekzekutonin natën, - tregonte babai, kurse ne e dëgjonim dhe nuk bëzanim. Kodrat sipër qytetit të Pejës u mbushën me varre. Prapë përmendej emri i partizanes Vidna me mitralozin gjerman.

nuk kishte dëgjuar më parë për të. Dinin se zbriti nga shkrepat e Malit të Zi me brigadën partizane të Bokelit: vajzë e heshtur, e zymtë, me pantallona të zhgunit ngjyrë kafe e opinga të lidhura me spango.

Burrat që mbeten gjallë tregonin skena makabre në Lugun e Baranit, kur Vidna me partizanët e brigadës së Bokelit silleshin rreth viktimave të pushkatuara, duke vallëzuar. Dukej si vallja e fantazmave në dritën e hënës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat