Shoqëria Kulturore Artistike “Agimi” shënoi 75 vjetorin e themelimit

Kultura

Shoqëria Kulturore Artistike “Agimi” shënoi 75 vjetorin e themelimit

Më: 3 dhjetor 2019 Në ora: 07:55
Shoqëria Kulturore Artistike “Agimi”

Me një program të pasur, në të cilin në mënyrë origjinale artistike janë përmbledhur kënga, vallja, rezistenca, qëndresa dhe triumfi, mbrëmë është shënuar 75 vjetori i Shoqërisë Kulturore Artistike “Agimi”.

Në programin e përgatitur për shënimin e 75 vjetorit, në fillim orkestra e ShKA “Agimi” dhe grupi i këngëtarëve, para artëdashëve në sallën e mbushur plot të shtëpisë së kulturës në Prizren, shpalosën margaritarët e këngës sonë popullore.

Ajo që i la të impresionuar të pranishmit ishte koreodrama e përgatitur nga Gëzim Sertolli, me muzikë të Naim Gjoshit nga Elbasani dhe me kostume të përgatitura nga Suzana Susuri dhe Nadire Bytyqi.

Një koreografi në të cilën janë përmbledhur 75 vite aktivitet, një përmbledhje artistike që e përçon shumë qartë mesazhin e ruajtjes dhe kultivimit të vlerave si rezistencë dhe lavdi, por edhe si sfidë dhe përballje e vazhdueshme për ta ruajtur dhe kultivuar artin kombëtar, si pjesë e qëndresës e betejave deri në triumf.

Në fund të shfaqjes më një duartrokitje të gjatë publike shprehu respektin dhe mirënjohjen për të gjithë stafin e angazhuar në këtë koredoram, për valltarët, për muzikën, për kostumet, për koreografin Gëzim Sertollaj, i cili e barti mbi supe përgatitjen e kësaj koreodrame.

Pas programit artistik, kryetari i Këshillit organizativ Kadri Skeja falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, ndërsa përpos falënderimit shprehu mirënjohje edhe për më shumë se 5000 anëtarët e ShKA “Agimi” që kanë qenë pjesë e aktivitetit në 75 vjet.

Ai premtoi se “Agimi” në vazhdim do të punojë edhe më shumë, do të rritet edhe më shumë, dhe premtoi prezantim dinjitoz të vlerave kombëtare kudo nëpër botë që do të marr pjesë ShKA “Agimi”

Me këtë rast zyrtarët e Postës së Kosovës prezantuan dy pulla postare me motive nga aktiviteti i ShKA “Agimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat