Etyde

Kultura

Etyde

Nga: Viron Kona Më: 4 dhjetor 2019 Në ora: 10:10
Viron Kona

Gri

 

Njerëzia largohen nga qyteti i shkatërruar ku t`mundin,

“Bukuroshja  e Durrësit” i sheh me dëshpërim dhe habi,

Në një mal rënojash valvitet një flamur n`gjysmë shtize,

Një endacak ushqen një tufë pëllumbash me duart e tij.

 

Sprovë

 

Kohë provimi për njeriun janë këto ditë,

Për shpirtin,zemrën dhe karakterin e tij,

Disa zgjatin krahët, ndihmojnë fatkeqët,

Të tjerë u kthejnë shpinën, “c`est la vie!”

 

Fëmijët

 

Fëmijët  e vegjël s`dinë, s`kuptojnë,

Se ç`po ndodh sot te ne në Shqipëri,

Na shohin me sy pyetës e t`habitur:

Pse i shtrëngojmë aq fortë në gji!?

 

Pasiguri

 

Përpiqemi të fshehim gjendjen e panikut,

Toka jonë e dashur ka filluar të kolovitet,

Sytë dhe rrahjet e zemrave na tradhtojnë,

Dit` të trishta,drithëruese,pasiguria rritet.

 

Propoganda bën çmos të na jap pak forcë,

Të na shtojë guximin,besimin, optimizmin,

Fjalët tingëllojnë si t`daulles që është bosh,

Si zjarr i shuar tërësisht në palcë të dimrit.

 

Miza mburravece

 

Kalorësi fshikullon dendur dhe ajri përreth dridhet,

Kali nxjerrë shkumë,karroca me shpejtësi fluturon,

“Ehe, jam unë, që po e tërheq kaq shpejt karrocën!”

Mburret një mizë kali, që në kokën e tij po qëndron!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat