Mike më pëlqen kur ti ikë prej meje

Kultura

Mike më pëlqen kur ti ikë prej meje

Nga: Kalosh Çeliku Më: 4 dhjetor 2019 Në ora: 10:15
Kalosh Çeliku

(Kurtizanja e salloneve nuk më do për burrë)

 

Edhe, e mashtrojmë njëri - tjetrin

Përditë. Përnatë. Burrë dhe Grua:

Jetë nate duke kaluar në Shkup.

Nuk më do Kurtizanja. Thotë:

Aspak, nuk je burrë besnik. Hero

Për një Grua Kurtizane. Zonjë.

 

Përditë. Përnatë e mashtrojmë Veten

Ajo me Natën. E, Unë me Poezinë.

Jo! Nuk më do Kurtizanja për burrë.

 

Edhe Unë, nuk e dua Grua besnike…

 

(Vjeshta paraljmëron erdhi Zonja Vdekje)

 

Vjeshta paralajmëron Zonjën Vdekje

Ikë gjelbërimi. Lulet. Gjethet. Bari.

Natyra vishet verdhë. Verdhë. Verdhë

Dhe, Vjeshtë. Dimri pas porte, te Pragu.

 

Vjeshta paralajmëron Zonjën Vdekje

E, Mua ma kujton Miken Di. Plepat.

Liqenin. Hënën, ku e përcolla Natën...

 

(Epitaf para Zonjës Vdekje)

 

Vdiqa në Voskopojë. Qytetin e djegur hi

U ringjalla në Korçë. Vendlindjen e dytë.

Atë ditë, posa i hapa sytë. Nusja Liri

Imzot, mbi Mua qante një Zanë Mali.

 

U ringjalla po në të njëjtën Ditëvdekje

E, Krishti u ringjallë pas tri ditëve.

Vit Historik (2000). Rrugës për spital

Pas aksidentit komunikacioni, bërtita:

Luftë! Paralajmërova Luftën (2001)?!

 

Dhe, lindi: Vdekja më deshi më pak se Ti...

(Thanë)

 

Thanë për Ty, se: Je tradhtar. Spiun

Kurvar. Pijanec. Dhe, i çmendur?!

Armik i shtetit “përbashkët”. Njerkës

“Muslimanëve” Shkupit. Muhamedit.

 

Thanë. E, çka nuk thanë dudumët

Vetëm, se: Nuk thanë, Ti je Poet.

 

Shtatë sahat larg e fluk vargun...

 

(Mos e ki frikë Zonjën Vdekje)

 

Mos e ki frikë Zonjën Vdekje

Ajo është Grua. Edhe, kurtizane.

Vërtetë, Ty nuk të do si Poet

Po, Ti e do Atë Zonjë marrëzisht!

 

Poezi i përkushton. E kërkon për Grua

E, Ajo: Nuk të do Ty për burrë besnik.

Thotë: E tradhtoi Pashterkëkuqen...

 

(I lumtur jam mes poezive)

 

I lumtur jam, Sot mes poezive

Edhe, e kaloj Natën. E pres Ditën.

I rrethuar me Ibrikë raki rrushi

Dhe, Dy Shtambaverë të Mikes.

 

I lumtur jam, Sot mes poezive

Mes Dy Shtambave verë të Mikes.

Dhe, Hënës mes Dimri mbi Mal

Ditë, kur librat i kam nën kokë

Ditën e Nesërme, ende Larg?!

 

Dhe, e pres Pranverën mbi Varg!...

 

(Vjollcën që ta dhurova në Prishtinë ende nuk e vadite me ujë)

 

Vjollcën, që ta dhurova dikur në Prishtinë

Në një konkurs letrar të “Pionierit” (1975):

Ende, nuk e vadite. E le në shkretirë

Edhe, Sotekësajdite pa ajër. Ujë Lumi.

Frikë kam, se: Edhe Mua pa ujë dhe bukë

Nesër, do të më lësh rrugëve, në Shkup.

 

Vjollcën, Poezinë që ta dhurova në Prishtinë

Bijën e Nënës “Lulekuqe” të Asdrenit:

Frikë kam, se: Do ta lësh pa ajër. Ujë, Nesër...

 

(Përndjekja Zagushi - Acar Dhe Dimër i Madh)

 

Gjithë jetën, përndjekja këmba – këmbës

Hije. Sikur të ishte Gruaja ime besnike?!

Ose, Mikja ime Di. E çmendur. Xheloze

E, Unë: Asesi, ta kthej prapa kokën

Shtihesha, se: Nuk e shoh pas shpine.

 

Nuk ishte mallëngjim. E, as dashuri

Ishte zagushi. Acar. Dhe, Dimër i Madh...

 

(Mike më pëlqen kur Ti ikë prej Meje)

 

Përçudi, Mike më pëlqen kur Ti ikë prej Meje

Kutadi, heshtë Poezia. Librat në bibliotekë.

Vetëm Unë zgjohem Lugat. Lëmsh Shtëpinë

Dhe, e dhunoj Natën. Miken time, Poezinë.

 

Mike, më pëlqen kur Ti ikë prej Meje

E, Unë i turrem Poezisë marrëzisht.

Ti heshtë. Qesh. Imzot, mos ke vdekur

Gëzohem. Jo, them: Nuk është realitet...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat