Filharmonia i bashkohet fushatës globale kundër dhunës në baza gjinore

Kultura

Filharmonia i bashkohet fushatës globale kundër dhunës në baza gjinore

Më: 7 dhjetor 2019 Në ora: 15:06
Pamje nga vendi i ngjarjes

Filharmonia e Kosovës i bashkohet fushatës globale 16 ditët e aktivizmi kundër dhunës në baza gjinore përmes një koncerti që do të mbajë nesër Kori dhe Orkestra e Filharmonisë në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Aty do të interpretohet “Requiem” i Mozart-it, në kujtim të grave që vdiqën dhe u përballën në heshtje me vuajtjen pasi u torturuan dhe u dhunuan në luftën e fundit në Kosovë.

Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari në një konferencë për media, tregoi se me këtë mbrëmje i bashkohen fushatës 16 ditore të aktivizmit kundër dhunës ndaj grave.

Jashari: Vepra “Requiem” po vjen pas dhjetë vitesh në Kosovë

“Me këtë rast është angazhuar kori profesional i Filharmonisë së Kosovës, si dhe orkestra simfonike, pra i tërë aparati interpretues i institucionit tonë, ndërsa akterët kryesorë janë këtu para nesh të cilët do të realizojnë këtë vepër madhështore e cila realizohet pas plot dhjetë viteve kur ka qenë për herë të fundit e përformuar këtu në Kosovë”, tha ai.

E dirigjenti i koncertit të nesërm, kompozitori Rafet Rudi, që sivjet shënon 70 vjetorin e lindjes, tha se për të është nderë të mbajë peshën e kësaj mbrëmje si dirigjent.

Rudi: Vepra e Mozart-it për herë  të parë realizohet me kompetencë të madhe të Filharmonisë

“Kjo vepër është luajtur shumë vite përpara, por gjithmonë formacioni orkestral dhe koral nuk kanë qenë i përbërë gjithmonë prej njerëzve tanë, për shkak se, siç e dini para 15 vitesh, 10, kemi pasur një gjendje tjetër. Për herë të parë kjo me një kompetencë të madhe realizohet dhe unë jam për këtë i gëzuar dhe i nderuar. Unë këtë koncert e shoh në vazhdën e realizimit të disa veprave të mëdha që vitet e fundit kori dhe orkestra i rrekën”, tha ai.

Ai tha se po e rrumbullakojmë një etapë disa vjeçare të Filharmonisë, edhe të korit edhe të orkestrës, me një kompetencë adekuate.

Ndërsa, Rozafa Kelmendi nga UnËomen tha se vepra e nesërme do të jetë homazh për gratë e dhunuara.

Kelmendi: Vepra e Mozart-it përcjellë mesazh të fuqishëm të dashurisë

“Kjo vepër monumentale për të cilën foli profesori do të jetë një homazh për gratë që kanë dhuruar jetë si pasojë e krimit të ushtruar mbi to, të dhunës seksuale gjatë konfliktit të fundit. Është mesazh i fuqishëm i dashurisë që do të përcjellë kjo vepër e Mozart-it, e shpresojmë të jetë një mesazh i tillë për këto gra që nuk gjetën dashuri në këtë botë, njëkohësisht është edhe thirrje për ne si shoqëri që të reflektojmë për mënyrën se si i kemi trajtuar të mbijetuarat e dhunës seksuale, që t’u ofrojmë më shumë dashuri e mbështetje në realizimin e të drejtave të tyre”, tha ajo.

Mbrëmjen e 8 dhjetori në Prishtinë do të mbahet koncerti i organizuar në kuadër të sezonit 2019/2020 që gjithashtu shënon 70 vjetorin e lindjes së dirigjentit Rafet Rudi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat