Buzëqeshja jote

Kultura

Buzëqeshja jote

Nga: Dibran Demaku Më: 8 dhjetor 2019 Në ora: 13:58
Dibran Demaku

 

Pranverat do të vijnë e do të ikin edhe pa ne
do të çelin lule shumëngjyrëshe me pika në petale
dallëndyshet do të kthehen e do të rindërtojnë fole
e bilbili do ia thotë këngës diku lartë në male

stinët do të ndërrohen njëra pas tjetrës si gjithmonë
dielli për çdo ditë do të bëjë të njejtën trajektore
dikush tjetër do të kalojë nëpër rrugën tonë
të lumtur të përqafuar e të shtrënguar dorë për dore

gjurmët tona dalë nga dalë do t‘i mbulojë harresa
nën tisin e pluhurit që mund të resh nëpër stinë e mote
emrat tanë mund t‘i ripërtrijnë nipër e mbesa
e bashkë me retë si ylber mund të shfaqet veç buzëqeshja jote...

Duke kërkuar muzën

duke kërkuar muzën
për një varg shpirtëror
të putha pak buzën
dhe luginën në...kraharor

ti buzëqeshe ëmbël
në atë çast dëshiri
rrodhi një pikë tëmbël
dhe t'u drodh pak gjiri...


Sa herë

sa herë më është djegur ëndrra sa herë
sa herë më është qepur lëkura sa herë
sa herë më ka lagur e vërshuar deti sa herë
sa herë më ka rrënuar tërmeti sa herë
sa herë jam ringritur sërish sa herë
sa herë agimet me buzëqeshje i kam
pritur sa herë...

Në damarë shpirti rexhistrohet

nëse për një kohë nuk të kam shkruar
nuk do të thotë se të kam harruar
asgjë e jotja nuk harrohet
në damarë shpirti rexhistrohet...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat