Vlerat reale të shqiptarizmit në trojet e Kanadasë

Kultura

Vlerat reale të shqiptarizmit në trojet e Kanadasë

Nga: Baki Ymeri Më: 13 dhjetor 2019 Në ora: 09:32
Kopertina e librit

Paraprakisht kemi thënë se vlerat letrare të diasporës sonë janë të panumërta, reale, origjinale dhe mbresëlënëse. Në vargjet e poetëve dhe të prozatorëve tanë shëndrit malli ndaj atdheut, ndaj familjes, ndaj vendlindjes dhe ndaj gjuhës amtare. Njëri ndër ta është edhe mëmëdhetari ynë i talentuar, poeti patriot Mustafë Ismaili me origjinë nga Kosova Lindore, që jeton, punon, krijon dhe vepron në trojet e diasporës. Në poezinë „Poetët e diasporës” defilojnë vargje briliante: „Si pelegrinë nëpër botë kalërojnë/ Më hapa të lodhur çalojnë/ Ndriçojnë mendjen, thesarin e krijojnë/ Në furtunën e mërgimit kurorëzojnë”. Poezia e tij është një lulishte e lulëzuar e shpirtit të lindur për dashuri dhe atdhetari. Në të njëjtën vjershë, fjalët e tij mërgojnë dhe rikthehen me një hijeshi të „ngarkuar” me aromë lulesh dhe ngjyrash. Çdo lule e shpirtit të poetit është një rreze drite që të shpie nga drita në dritë: „Në një kohë të pasosur/ Malli i tokës i ndez eshkë/ Porsi prrushi zbardhin kujtimet/ Ngarkuar me peshë malli sa një bjeshkë/ Dhe fjala e lidhur në pranga. Në Atëdhe merrë arratinë/ Si të ishte zjarr i ndezur/ Duartrokitjet nuk kanë mbarim”.

Në vargjet e autorit ka fjalë të shkruara dhe të pashkruara që kanë nevojë për fjalë tjera të inkorporuara mes faqeve të librit. Flatrat e krijimit në qiellin e shpirtit, shndërrohen në flatrim ngjyrash të bukura që e zbukurojnë botën tonë në rrugën e bekuar të fluturimit në drejtim të lumturisë. Shqiptari i Kosovës Lindore që jeton dhe krijon në trojet e Kanadasë, e kultivon dhe dashuron hijeshinë e vargut, si dhe faktin se Zoti e ka bërë poet. Me krijimet e tij në gjuhën shqipe, Mustafë Ismaili i përqafon lexuesit e vet me dashuri dhe përzemërsi. Ai është një burim i pashtershëm i dritës së fjalëve të etshme për kulturë, për përkushtim, për bukuri dhe lumturi: “Tërë natën shtigjeve çalova/ Gjymtyrëgërvishur i lënduar/ Plot hidhrim i trishtuar/ Me plagët e huaja i shoqëruar/ Arrita në mëngjesin e bekuar” (Arrita).

Pas meditimit dhe ëndërrimit, vjen drita e kërkimkuptimit. Poeti gjurmon, kërkon, ëndërron dhe krijon: „Kërkoj edhe një herë të kthehem/ Te çatia ime të më lagë shiu lejsan/ Nën strehën e shtëpisë së vjetër/ Kur aty prezent është dikush tjetër”. Dhe më tej: „I krekosur me gëzim e pres natën/ Nuk shpifi do të vi në ëndërr/ Të futem e të pushoj kokën/ Në të ngrohtën time votër”. (Kërkoj). Autori mediton për vatrën e tij: „Me bukë në dorë si kalaman lazdran/ Me grimca sheqer kubani duke ngrënë (...)/ Sikur krejt botën të ma falin? Edhe bulevardet zhurmuese/ Që aqë mirë i njoh/ Asgjë si streha ime nuk më qetëson”.

Poezia është balsam i shpirtit dhe univers i energjive hyjnore. Poezia është një dritare e hapur në zemër të qiellit dhe nata me puthje të zjarrta.  Poetët janë zemra e njerëzimit. „Me lotët e mi, lahen çikat”, thot Bujar Tafa në një varg të tij, sipas të cilit „Poeti është i zgjedhuri i Zotit”. Poezia është një Zonjë e lartë që bashkon zemra dhe përjetime. Poezia e mbëlton harmoninë në botë. Ajo është nëna e dashurive të shtrenjta. Në poezinë „Lutje” poeti vjen me kushtrimin: Të lutem eja më rino/ Eja më ndez zjarrin e djalërisë. Eja hapi portat e mbyllura më beko/ Sa s'më ka humbur durimi”. Dhe më tej: „Eja se nesër/ Askush nuk ka për të besuar/ Eja mos ngel fajtore/ Mos prit fundin e fjalës së pathënë/ Më dhuro aromë festive/ Eja dashurinë mos e nxjerr nga rradha/ Eja sa nuk më është ndalur fryma”.

Poezia është drita e përjetësisë, çelsi i buzëqeshjes magjike dhe pasqyra e shpirtit. Artisti krijon me sytë e mendjes dhe të frymës së jetës e të dashurisë së sinqertë për të çliruar shpirtin. Nuk mund të jesh poet pa poseduar vetitë pozitive të karakterit që njeriun e bën njeri. Poeti ka një shpirt të shenjtë që ia ka falë Perëndia. Autori është një vullkan emocionesh dhe ideshë. Në vargjet e tij ballafaqohemi me energji dhe vitalitet. Mos është vallë poezia një lojë fjalësh që shpërthen për të shpërndarë aromën e luleve të pranverës? Vargjet e Mustafait vijnë para nesh si një forcë magnetike emocionesh që sajojnë fjalorin e mençurisë. Poeti shkruan për kujtime, për gëzime e zhgënjime, për jetën dhe për dashurinë, për atdheun dhe për botën, për kuptimin e jetës, për dashurinë dhe pavdekësinë: „Akullin nëse e shkrij/ Me lotë të ngrohtë? Nëse kujtesa ime/ Shtrydhet si nji rrobë e larë/ Nëse nuk vi këtë behar/ Kur të vijë dielli i ngrohtē/ Dije se diçka e shëmtuar/ Mua më ka ngjarë”. Dhe më tej: „Do të krekosem i përgjakur/ I molisur nga dhimbjet/ Nuk do të ndalem për ty/ Pa arrdhur si rilindja/ E një dielli të ri...!” (Zhgënjmi).

Jo vetëm dashuria, por edhe jeta është dhunti e shenjtë. Poezia e madhe lind nga ide të mëdha, nga sentimentet dhe nga faktet e njerëzve që e ndërtojnë jetën. Poezia lind jo kur duam ne, por kur don ajo. Poeti e kupton jetën si një mrekulli hyjnore: „Sonte jam në brendinë e të krisurve/ Kujtimet më ngacmojnë/ Sa padrejtësisht fitova padrejtësi/ Fjalët nuk lirohen të më mbrojnë” (Sonte). Autori i dekoron vargjet etij me petale dhe gjemba, me bukuritë e jetës dhe dhimbjet e saj. Poezia ta dhuron shpirtin e saj duke të ndihmuar të ngritesh, mu atëherë kur ke nevojë për ndihmën e saj. Poeti vjen para nesh me poezinë „Pritmë”, me botën e tij të ngarkuar me valixhe ëndrrash, me bulevardin e fjalëve dhe me këngët e pakënduara: „ Plot me mall mbusha valixhet/ Zbres rrokaqiejve të bezdisur/ Në maje hunde më erdhën çalimet/ E bulevardeve të qëndisur!” Dhe më tej: „Plot energji përmallimi po nisem/ Të zbres në provincën time/ Të përqafoj lahutën e gjyshit/ E këngët e pakënduara t'i ringjallë.”

Duke vajtuar nga fjala në fjalë, nga mendimi në mendim dhe nga ëndërrimi në ëndërrim, konstatojmë se pavarësisht nga mosha, poeti është një krijesë me energji djalërie, që merr rugën për në vendtakime: „Të trazoj rrugët e fëmijerisë time./.../ Ju që erdhët pas ikjes sime/ Më pritni t'ua prezantoj/ Rrudhat unike të biografisë/ Të çmallem me mallin e rinisë!” Autori e ndjen veten të rilindur, porsi lulja në prill, duke na dhuruar vargje briliante si këto: „Do t'i shtroj ëndrrat magjike/ Në aromën e vendlindjes/ Të ngopem me pogaçet/ E pjekura nga duart e gjyshes.”

Autori shquhet jo vetëm si poet, por edhe si prozator. Ka botuar gjithësejt 16 libra. Tre vëllime poetike dhe tjerat në prozë. Shquhet sidomos me romanet „Rruga pa Adresë”, „Në Mes Dy Shekujve” dhe „Shtigjet e Natës”, si dhe me monografitë „Gurët e Diasporës” dhe „Me Shqiptarët e Luginës në Kanadanë e Largët”. Ka botuar edhe tre romane në gjuhën angleze, disa udhëpërshkrime dhe dy monografitë e lartëpërmendura, ku ka përfshirë shqiptarët nga të gjitha trojet e vendlindjes dhe të mërgatës sonë. Kaq sa për sot, pak e për merak, për këtë ëndërrimtar të talentuar të mërgatës shqiptare! (Bukuresht, 28 Nëntor 2019).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat