Ra ky tërmet e na drodhi...

Kultura

Ra ky tërmet e na drodhi...

Nga: Gëzim Loka Më: 11 janar 2020 Në ora: 18:09
Gëzim Loka

Nga bark i natës në vetmi

Lëkundje, dridhje pa mbarim...

Rënko e mjera Shqipëri

Rënko i mjeri vendi im...

 

Rënko o komb me halle shumë

Se një tërmet ra me rropamë

Na solli lot e dhimbje shumë

Në  trup e shpirt na hapi plagë.

 

Rënko, o kohë e mizorive,

O kohë deliri pa kufi!

Për tragjedinë e rrënojave

Pesëdhjet vetë nën dhe të zi!

 

Rënko për plagët dhe rrënimin

Shtëpi të shembura dhe pallate

Se babëzia polli krimin

Dhe fukarai shkoi e vate!

 

Rënko o gjeth e bar livadhi

O lule shpati në atë gemë

Se nuk ka më ndjenja njerëzore

Dhe humanizëm më nuk gjen!

 

Rënko, o ditë me shumë bagazhe

Me retorikë të sertë politike,

Se kush me popullin s’bën më paqe

Porsa të ulet në një karrike!

 

Porsa të ulet në një karrike

E mjel sovranin porsi lopë!...

Dhe shqipja jonë krahë anemike

Nuk fluturon, por ec përtokë!

 

 Nuk ka derman, nuk ka shërim

Gjithë kjo lëngatë e shpirtit tharë

Dhe nga tërmetet s’ka shpëtim

Në sytë e njëri-tjetrit pa u parë!

 

Se nuk ka mbetur më asgjë

Nga shpirtbardhësia si dikur

Dhe po vërtitemi në jermi

Shtetar qoftë, grua dhe burrë!...

 

Se ndjenjat e holla njerëzore

U konvertuan në monedha...

Dhe dheu që u shkund si mani

Ishte ndëshkim që ra ndër breza...

 

Acar i dimrit, akullnajë

I gjeti jashtë shumë shqiptarë

Me lot të nxehtë më vjen të qajë

Që s’u bëmë njerëz në këtë skaj.

 

Në këtë skaj të krejt Ballkanit

Ende mjerimi bën kërdinë

Dhe ky tërmet me peshë malesh

 Oh, ç’e dërmoi fare Shqipërinë…

 

Veç fjalë e fjalë pambarim

Projekte ende veç në letër

Kur shumë familje në mjerim

Me ngulm lypin një jetë tjetër…

 

Nën qiell të hapur gra e burra

Nën qiell të hapur pleq e fëmijë

Nuk paska të sosur aventura

Vajto me lot, e mjera Shqipëri!

 

O kohë mizore e pa kohë

Ku ujqër u bëmë për njëri-tjetrin

Të flasësh qënka krejt e kotë

Na iku mendja me tërmetin…

 

Dikur në kohë të partisë shtet

Që sot e shajmë me batërdi

I vinim gjoksin çdo tërmeti

Nga hiri lindnim përsëri…

 

Nga hiri ngrihej madhërishëm

Qytet i ri, qindra pallate

Ndaj mikut ishim të njerëzishëm

I zgjasnim dorën delikate…

 

I jepnim ndihmë kush kish nevojë

Shteti, njerëzit, gjithë shoqëria,

Na qe bërë dashuria përvojë

Dhe ngrohtë ndihej krejt njerëzia…

 

Me punë e djersë e fisnikëri

Shtëpi, pallate lartësuam

Dhe nga tërmeti batërdi

Qindfish më të fortë u provuam…

 

Rrënoja frike, rrënoja tmerri

Nuk dimë ku jemi e ku shkojmë

Dhe fajin ne e paska Parti- Enveri

Për krizat seriale që kalojmë. 

 

Për krizat seriale pa limit

Fajin e paska Diktatura…

Në morsë po na i brenë fuqitë

Politikë babëzia, gra e burra…

 

Nga bark i natës nëntoriane

U drodh toka, u trand vendi

Dhe erdhën pamjet migjeniane

Kallkan seç ngriu gjithë vendi.

 

Ku shkojmë kështu, në ç’agoni

Po endemi tej në pamabrim?

Veç rrënoja dhe tym të zi

La pas tërmeti në vendin tim.

 

 

Mjeranë që enden ditë e natë

Me bark të zbrazur, të uritur

Askush s’e puth dorën e thatë

Nuk gjejnë një vend për t’u flladitur.

 

Nuk gjejnë një vend ta marrin veten

Të ndihen njerëz në vendin e tyre

Ç’iu iku jeta duke vuajtur

Përndjekur pas prej mizorive.

 

Nuk gjejnë oaze ku të çlodhen

Pas çdo batice, çdo tërmeti

Në etje ujërash sytë iu krodhën

Larg teksa ikin prej rrëmti…

 

O kohë mizore, e pa kohë!

Kohë ku s’ka vend për ndjeshmëri!

Tëmeti e çoi dhimbjen në kockë

Dhe lutemi të mos vijë ai përsëri!

 

O kohë horrore, pa lavdi!

Kohë mashtrimi të pa cak!

Rënko fathumbura Shqipëri

Rënkon e vuan në çdo prag!…

 

Mos u paftë kurrë më këso tërmeti,

Që na dërmoi brinjë më brinjë…

Dhe stë përgjigjet askund shteti

Sikur dhe toka të të përpijë!

 

O kohë mizore, e pa kohë!

Kohë ku s’ka vend për ndjeshmëri!

Po na ikin bijtë turr nëpër botë

Pa mall nga pas, pa dashuri!...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat