“Kush kujdeset per te mjerin” sipas Paulin Margjokaj ofm, frati pukjan në revisten jeta katholike shqiptare

Kultura

“Kush kujdeset per te mjerin” sipas Paulin Margjokaj ofm, frati pukjan në revisten jeta katholike shqiptare

Nga: Leonora Laçi Më: 19 janar 2020 Në ora: 17:51
Leonora Laçi

Ishte viti 1966 kur nisi rrugëtimin buletini Jeta Katholike Shqiptare, dhe mblodhi rreth saj intelektualët e shpërndarë nëpër botë, por duke u përqendruar më shumë tek botime të karakterit fetar, duke pasur parasysh që në Shqipëri në këtë kohë nuk lejoheshin buletinët fetar. Themelues të saj pati Mons. dr. Zef Oroshin që nuk u ndal me kaq, pasi gjeti mbështetjen morale dhe materiale tek komuniteti shqiptar që endej mes shumë vështirësive të jetës së përditshme, pak vite më vonë u hodhën dhe themelet e kishës së parë katolike shqiptare në SHBA. Jetëgjatësia e kësaj reviste i kaloi parashikimet fillestare të botuesit, dhe dita-ditës u përfeksionua me emrat më të njohur të letrave shqipe të kohës.

Artikujt janë mjaft të vlefshëm jo vetëm për kohën kur shkruan Patër Paulin Margjokaj OFM, por edhe për të sotmen, na evidentohet ajo që ne shpesh e harrojmë, dhe jepemi pas materiales dhe pangopësisë për të pasur më tepër, dhe dalngadal zhveshemi nga vlerat reale njerëzore; ekzistenca, mirënjohja, lumturia, dashuria dhe shkojmë drejt mjerimit shpirtërorë, e bëhemi më të mjerë se të mjerët.

 Ai na sjell përpara nesh njerëzit që janë sakrifikuar dhe kanë lënë shenjën e vet në historinë e krishtërimit e të njerëzimit, po ashtu ai e fillon artikullin duke hedhur poshtë me fakte veprimtarinë e komunistëve që rrihnin gjoksin fortë për përpjekjet e tyre për të lehtësuar jetën të varfërve dhe se mbaheshin si flamurtar të shtresës së varfër, po shkëpus një fragment nga artikulli i parë i tij në Revistën Jeta Katholike Shqiptare: “Me u vû e me pershkrue shka Kisha ka bâ per të vorfnin e per të smundin, per puntorin e per njerz e lanun mbas doret, do të lypeshin libra të trashë. Na duem nder kto pak faqe me prû vetem disá nder ata mâ të permendunt njerz qi me veprimin e tyne u dalluen veçanerisht në shekullin e XIX-të. Ky âsht shekulli në të cilin ká jetue Marksi, ai ká lé në 1818 e ká vdekë në 1883.A thue pernjimend Marksit i ka plasë shpirti e zembra tue pá mjerimin e njerzvet, nuk do t’a shkoqisim tashti. Na pernjiherë duem me prû vetem êmnat e atyne njerzve qi kan jetue në kohë të Marksit. Njerz qi sigurisht Marksi i ká njoftë apor nemose i ká ndie tue i permendë veprat e tyne të jashtzakonshme. Na i kemi zgjedhë emnat e njerzve prej atyne vendeve kû Marksi ka jetue e ká veprue.”

Artikujt nën titullin “Kush kujdeset per te mjerin” janë botuar në disa numra të revistës në vitin 1967 numri 3 dhe 4, ndërsa në vitin 1968, nr 1. Ai sjell përpara nesh njerëzit që kanë kontribuar për të varfërit dhe emrat e tyre që janë bërë frymëzim për popujt.  Këtu përmenden si; Adolf Kolping, Wilhelm Emmanuel Ketteler, Antoine-Frédêric Ozanam etj.

“Kush kujdeset per te mjerin”- Dr. Pater Paulin Margjokaj

Revista Jeta Katholike, viti 1967, nr 3

Ish-komunisti freng, Ignace Lepp, na thotë në librin e vet “Prej Marksit te Krishti” (perkthimi tedeshk dalë në Graz 1961) se as atij as shokvet të tij komunista, me të cilët jetoi e punoi per 10 vjet rresht, nuk u â asht thanë asnjiherë ndoj gjâ per shka Kisha ka bâ per të lehtësue mjerimet e njerzvet. Se Kisha Katolike ka zhvillue edhe nji doktrinë sociale të veten, as kurrkund me e ndie ndojherë nder kurset e veçanta qi atij e shokvet u dote me ndjehë tash e parë. Un kam pasë besue se Karl Marksi âsht kenë i pari qi âsht interesue pernjimend per fatin e proletarjatit”. Mbasi thotë kto fjalë, Lepp në faqe 343 vêhet e na ndjehë do êmna të famshme qi ai kurr nuk i kishte pasë ndie para se të fillonte me marrë msim per t’u kthye në fenë e Krishtit. Njerz kta qi shi në kohen e Marksit janë dá në shêj per perpjekjet qi ata bânë per të permirsue gjendjen e puntorit dhe, në pergjithsi, per të lenue mjerimet e njerzimit. Jo vetem Lepp, por sigurisht edhe shum prej nesh kanë pasë rasen me i ndie anmiqt e religjionit e të Kishës tue thanë qi vetem Marksi e shokët e tij komunistë kujdesen per të lanun e per të vorfen e per puntorë të shkretë.

Me u vû e me pershkrue shka Kisha ka bâ per të vorfnin e per të smundin, per puntorin e per njerz e lanun mbas doret, do të lypeshin libra të trashë. Na duem nder kto pak faqe me prû vetem disá nder ata mâ të permendunt njerz qi me veprimin e tyne u dalluen veçanerisht në shekullin e XIX-të. Ky âsht shekulli në të cilin ká jetue Marksi, ai ká lé në 1818 e ká vdekë në 1883.

A thue pernjimend Marksit i ka plasë shpirti e zembra tue pá mjerimin e njerzvet, nuk do t’a shkoqisim tashti. Na pernjiherë duem me prû vetem êmnat e atyne njerzve qi kan jetue në kohë të Marksit. Njerz qi sigurisht Marksi i ká njoftë apor nemose i ká ndie tue i permendë veprat e tyne të jashtzakonshme. Na i kemi zgjedhë emnat e njerzve prej atyne vendeve kû Marksi ka jetue e ká veprue.

Kto vende janë: Gjermanija, prej kah ishte Marksi, mandej Franca kû ka kalue do kohë e në fund Anglija kû Marksi kaloi gjysen e dytë të jetës së vet.

Na kemi me prû êmna njerzish jo vetem nga Kisha katolike, por edhe nga protestantizmi.

Fillojmë me Gjermani. Ktu kemi të bâjmë me dy njerz qi kan jetue shi në krahinen nga ishte ishte Marksi. Kjo krahinë âsht provinça e Renanjes ose krahina qi pershkohet prej lumit Ren.

I pari nder kta âsht Adolf Kolping, i lindun në vj.1813 dhe i vdekun në 1865. Rjedhte nga nji familje e numrueshme qi jetojshin me mëditje (paga e perditshme e puntorit). Ai nxuni mâ parë zanatin e këpuctarit. Qyshë i ri pat kshtu rasë jo vetem me e provue vetë se shka âsht vorfnimi, por edhe me e pá nder tjerë njerz skamin e fatin e mjerë. Mâ vonë, mbasi kapercei veshtrisi të mdhaja, kje i zoti të studjojë në gjimnaz dhe në shkollë të naltë e në vj.1845 u bâ meshtarë. Në qytetin Elberfeld (në Wuppertal) nji msues me êmen Breuer kishte pasë themelue në vj.1846 Shoqninë katolike të shegertavet. Kolpingu qi vjett e para të meshtarisë i kaloi n’Elberfeld si ndimës i famullitarit t’atjeshem, kaloi në vj.1849 në Koln. Shka kishte pasë pá e provue në Shoqninë e shegertavet t’Elberfeld, në të cilën vetë Kolpingu kje i dyti kryetar, ai e vijon edhe në Koln, kû me 6 mâj 1849 Kolpingu i vûni themelet Shoqnisë së shegertavet qi tash e mbas sotit u bâ nji organizatë e madhe qi, mbasi pat marrë pelqimin e Papës, u perhap në Gjermani, Svicer e Austro-Hungeri. Edhe nder Shtete të Bashkueme (St. Louis) pat kenë themelue qyshë në 1863 nji degë e Kolpingut të Gjermanisë. Zyrtarisht quhet kshtu kjo organizatë: Vepra e Kolpingut. Ktij i ká mbetë êmni: Baba i shegertavet. Në ket Shoqni katolike të Kolpingut bâjnë pjesë vetem burra. Progami i saj âsht:

Me e msue burrin puntuer të bâjë nji jetë plotsisht të krishtenë;

Të mbrrijë me u bâ mjeshter i vertetë në zanatin qi kâ zgjedhë;

Të bâhet nji babë i mirë familjet;

Të dahet në shêj si qytetas shembull në çdo pikpamje.

Tash per tash âsht e perhapun Shoqnija e Kolpingut nder kto vende: Gjermania, Austria, Svicer, Shtete të Bashkueme, Itali (Tirol i Jugut), Belgjikë, Holandë, Francë, Luksemburg, Kanadë, Brazil, Argjentinë, Venezuela, Afrikë Jugore e Australi. Në Poloni, Ungeri, Çekosllavaki, Rumeni e Jugosllavi janë mbyllë gjithëkund qandrat e Shoqnisë së Kolpingut.

Simbas statistikës së vj.1960 Shoqnija pershite 250 mijë vetë, të shperdamë nder 2800 shpija ase familje të Kolpingut. Nder kto qandrra mbahen kurse msimit per zanate të ndryshme, fjalime e diskutime mbi problemet socjale-politike, organizohen çfaqje shoqnore e sportive, bâhen mbledhje familjare etj. Shoqnija ka edhe nji shtyp të vetin e me tê mbahet lidhnija e të tana qandrrave të Kolpingut në mbarë boten.

Kolpingu do të ndjehet si nji nder prisa mâ të randsishme e katolicizmit socjal të shekullit të XIX-të. Ai âsht krijuesi i nji lëvizje shoqnore, ai na mson se kur njeri t’a ketë gjetë rrâjen në familje, ai ká per të marrë hov e per të perparue në zanatin e vet dhe ká per të naltue kshtu perherë e mâ fort popullin të cilit i perket.

Puna e dorës (puna fizike) âsht per Kolpingun e per dishepujt e tij jo vetem sigurimi i mjeteve të gjallnesës, po âsht edhe nji fuqi e lartë etike qi, e bashkueme me religjion, âsht e zoja të formojë persona me karakter e me ndergjegje të shndoshë. Po të kishin të tanë njerzit nji çmim aq të naltë per punë fizike si e kishte Kolpingu e po t’ishin të mbushun mendësh per letersinë etike të punës, sigurisht kishte per t’u hjekë shum mjerim prej botet. Nji tjeter prisë lëvizjes shoqnore të shekullit të XIX-të âsht kenë ipezhgvi Ketteler. Sypri patem të bâjmë me nji njeri nga nji familje e vorfen, tashti kemi para vedit nji qi rridhte nga nji shpi e pasun.

Wilhelm Emmanuel Ketteler u lind në Munster (Westfalen) në vj.1811 e vdiq në 1877. Mbasi kreu studjimet e nalta në Drejtsi, hini në punë shtetnore. Në moshen 30 vjeçare e ndau me marrë rrugë e meshtarisë. Mbasi kreu teologjinë në Munster, u shugurue meshtar në vj.1844. Vjetet e para sherbei si famullitar në Hopsten, në 1848/49 muer pjesë si deputat n’Asemblenë Kombtare të Frankfurtit. Në 1850 Papa Piu IX-të e emnoi ipezhgev në Mainz.

Ktu na flasim vetem per Ketteler në lidhje me çashtjen shoqnore. Jemi në nji kohë kur zhvillimi i teknikës kishte prû me vedi shndrrime të mdhaja në shoqninë njerzore. Pér t’a pá disi gjendjen e keqe t’atëhershme le të mendohet katunder minjere ose nder fabrika shtiheshin në punë edhe fmijët me moshë mâ pak se 10 vjeçarë dhe do të punohej si diten si edhe naten; 15 orë punë e mâ teper në ditë ishte gjâ e zakonshme. Qyshë i ri i kishte djegë zemra Ketteler tue i pá e tue i ndie kto të zeza të shoqnisë se rè industriale t’Europës Perendimore. Në Gjermani e shi në krahinën kû veprote Ketteler (qendra industriale Ruhr ndodhet ktu) kishte fillue të marrë hov mâ së fortit industrija. Në vj.1848 mbajti ai në kishen katedrale të Mainz predke permbi “çashtjet e mdhaja shoqnore të kohës së tashme”. Per Ketteler rrin në krye të vendit njeri. Nuk duhet prandej qi njeri të kaperdihet prej shtetit modern sido qi të duesh me e çuejtë ktê: absolutizem, monarki parlamentare, ekonomi liberale etj. Kundra ksilloj shteti Ketteler shei të vetmin pshtim per puntorë, qi ata të bashkohen a nder sindikata apo nder koporacjone ase tjera ksi soj bashksish qi të sigurojnë të drejtat puntorisë. Tue u bashkue, e ká puntorija mâ të lehtë me i qindrue shtetit kur ky merr me e konsiderue njerin si nji burmë të nji maqine e jo mâ tper. Nuk do të harrohen kto fjalë të forta të Ketteler: ”gjendja ekonomike e kohës së ré e çon puntorin në shkallë aq t’ultë, saqi atij i bâhet e pamundun me i mbajtë urdhnimet qi i vên Krishtênimi.” Çashtja shoqnore per ipezhgvin e madh ishte nji problem fetar.

Katteler e pau kjartë se puntorija pa ndimen e tjerve nuk mund të delte prej gjendjes së mjerueme. Inicijativa private ishte per tê edhe ajo e pamjaftueshme per t’a zgidhë si duhet çashtjen. Prandej në vj.1869, në nji fjalim të madh qi mbajti, theksoi ai detyren qi ká shteti me çpallë ligjë përkatse per mprojen e puntorisë. Natyrisht edhe tjeret do të jepshin ndimen e vet per ket gjâ: jo vetem kisha, por edhe personat privat ai edhe shoqnitë jo-shtetnore. Si pak perpara u pa, Ketteler e njifte mirë rrezikun qi mund të paraqesë nderhymja shtetnore per lirinë e njerit; me gjith atê perpá pasë ligjë të kjarta nga ana e shtetit, nuk mund të ndreqej si duhet çashtja e puntorisë.

Idetë e mendimet e Ketteler i pat bâ të vetat partija katholike e shtetit t’athershme gjerman, qi quhej “Centrum”. Edhe mâ vonë ká vijue kjo parti t’i ketë msimet e ipezhgvit të Mainz si bazë në veprimtarinë e vet shoqnore. Ligja per mprojen e puntorisë qi kje pranue me 6 mâj 1891 në parlamentin gjerman, rridhte sigurisht nga doktrina e Ketteler. Papa Leoni XIII-të ka shti shum mendime të tijat n’ençikliken e vet shoqnore “Rerum Novarum” qi pat çpallë me 15 mâj 1891. Asht kenë vetë ky Papë qi e ka quejtë Ipezhgvin e Mainz “grand prédécesseur” (para-arrdhës të madh të vetin).

Tue mos mujtë me shkue mâ gjatë, po bimë vetem ndoj êmen tjeter nga bota tedeshke, asish qi në mndyrë të veçantë u dalluen në lamen shoqnore. Njani âsht Karl Vogelsang, i lindun në 1818 në Gjermani, në fillim protestant, mâ vonë (qysh në 1850) katolik, qi jetoi n’Austri e vdiq në Wien në 1890. Tjetri âsht Princi Alois Liechtenstein, i lindun në 1846 e vdekë në 1920. Të dy kta si edhe dy austriakët Lueger e Schindler luejten pjesen mâ të randsishmen në lëvizjen kristjano-socijale n’Austri. Mâ vonë kemi per të pasë rasë t’a permendim prap Ketteler. Tash njiherë po ndalemi ktû. Në numrin e ardhshem do të kalojmë në Francë, per të pá atje njerz tjerë qi u interesuen per të permirsue gjendjen e shoqnisë njerzore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat