Pjesë nga recensioni im për librin, “Yje të qiellit tim” të poetit Zymer Mehani

Kultura

Pjesë nga recensioni im për librin, “Yje të qiellit tim” të poetit Zymer Mehani

Nga: Fadil H. Curri Më: 20 janar 2020 Në ora: 16:10
Kopertina e librit

Gjeneratës së re të poetëve bashkëkohorë shqiptarë i takon edhe poeti i talentuar nga Podujeva, Zymer Mehani. Me të gjitha përmbledhjet e deritanishme: “Gjuha e truallit tonë”, “Jeho, këngë shqiptare!”,”Gjithçka ke, atdhe”, Kundrime letrare I-II dhe III, etj., ky krijues dha dhe po jep kontribut në drejtim të pasurimit cilësor të poezisë shqipe në përgjithësi, veçmas të poezisë sonë që krijohet në Kosovë. Edhe librin më të ri “Yje të qiellit tim” poeti Zymer Mehani e ka konceptuar kryesisht me poezi atdhetare, kushtuar atdheut dhe dëshmorëve të kombit tonë. Preokupimet e veta poeti i paraqet në dritën e zhvillimit të poezisë atdhetare. Për poetin atdheu shëmbëllen në:

Valë madhështore

Në lumë dhe në det

Që ngjitet përpjetë

Nga bregu në breg

Pastaj me të njëjtin ton, poeti Mehani atdheut i drejtohet me vargjet:

Ti, Atdhe

Shekujt i shndërrove

Në unaza t’arta

Tufane e shtrëngata ...

Shkrimi për poetin Zymer Mehani është një enigmë, ashtu siç është fundja, edhe vetë jeta një enigmë pozitive. Dhe, meqë poeti është i mishëruar me poezinë, ai din të na tregojë bukur përmes vargut se ku e kanë burimin vargjet e tij:

Vargjet  e mia

Burojnë nga shumë plagë

Dhe nga kohë e shkuar që na ka lënë vrragë

Vargjet e mi

 Burojnë po për këtë Tokë të Gurëzuar

Dhe për lot t’Rozafës n’kala të muruar

Vargjet e mia

 Shpërthejnë me furi

Për fëmijë të dëshmorëve, që rriten në liri.

Duke qenë kështu, ky poet në përmbledhjen “Yje të qiellit tim” shpërthen me dufin e tij atdhetar, duke thurë vargje për “Yjet e qiellit” të tij. Përmbledhja “Yje të qiellit tim” është ndërtuar me poezi kushtuar dëshmorëve dhe heronjve të lirisë sonë, siç janë kryetrimi kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Jasharët, Komandanti legjendar, Adem Jashari, Komandant Sandukani, Antigona Fazliu, Nuhi Geci, Ylfete Humolli, luftëtraja Sanije Rexha (bashkëshortja dhe bashkëluftëtarja e Komandantit Abedin Rexha - SANDOKANIT), etj. Të gjitha këto portrete dëshmorësh e luftëtarësh poeti Mehani i ka skalitur në vargje me penën e tij krijuese letrare dhe me dashuri dhe respekt të denjë për to. Për madhështinë e luftërave të Skënderbeut poeti do të shprehet:

Korre ëndrra pashallarësh

Dhe shekujt me pallë

Padishahë dhe jeniçerë

I grive palë-palë

Përveç këtyre, ai u thur poezi edhe shumë dëshmorëve të UÇK-së, si komandantit Zahir Pajaziti, Ilir Konushevcit e Besnik Restelicës, Shefki Kuletës e Shaban Avdiut, Antigonë Fazliut, Tahir Sinanit, Ylfete e Mentor Humollit (vëlla e motër), vëllezërve Mehdi e Fevzi Kosumit, etj. Ky vëllim poetik përmban edhe vargje kushtuar tokës arbërore dhe mund të themi se është monument letrar kushtuar atdheut dhe dëshmorëve të kombit. E veçanta e poezive të këtij vëllimi poetik është gjuha dhe stili, përdorimi i figurave të ndryshme letrare, siç janë epitetet, metaforat, krahasimet dhe metri e rimimi i vargjeve. Pra, vargu, fjala, fryma dhe të shprehurit poetik janë veçoritë kryesore që poetit i mundësojnë për t’u lidhur me ju, lexues të nderuar. Ju përmes këtyre vargjeve do të mund të futeni brenda botës krijuese, duke e deshifruar si botën poetike, ashtu edhe atë njerëzore të autorit të kësaj përmbledhjeje. Poezitë e vëllimit “Yje të qiellit tim” kryesisht janë të frymëzuara nga jeta dhe historia jonë kombëtare dhe janë dëshmitare për kohën, për atdheun dhe për dëshmorët e atdheut. Pra, këto poezi sjellin frymë atdhedashurie, duke e thënë vetëm të vërtetën dhe si të tilla shpresojmë se do t’ju lënë mbresa gjatë leximit tuaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat