Kujtime për Sokrat Plakën, poliglot, europian, mik i Kosovës

Kultura

Kujtime për Sokrat Plakën, poliglot, europian, mik i Kosovës

Alfred Papuçiu Nga Alfred Papuçiu Më 22 janar 2020 Në ora: 12:38
Sokrat Plaka

U mbushën dhjetë vite që u largua nga kjo jetë, Sokrat Plaka, njeriu midis njerëzve, i urti, objektiv, por edhe i guximshëm, diplomati tepër i aftë midis të aftëve, poliglot, europian, miku i diplomatëve shqiptarë dhe të huaj, i Kosovës martire.

Sokrat Plaka ishte dhe mbetet një nga diplomatët më të formuar shqiptarë, që me zgjuarsinë e tij i jepte përgjigje dhe zgjidhje edhe problemeve më të ndërlikuara që vinin nga një politikë e jashtme deri diku hermetike, sa ishte gjallë Enver Hoxha. Lindi në Fier në vitin 1932. Ai kreu studimet e larta për diplomaci në Moskë dhe pas kthimit në atdhe u emërua Referent në MPJ. Në vitet 1975-1982, Sokrat Plaka mbuloi postin e rëndësishëm të Ambasadorit të Shqipërisë në ish Jugosllavi. Për një periudhë 9 vjeçare, nga viti 1982-1991, Plaka ushtroi funksionin e Zv/ministrit të Punëve të Jashtme. Janë të njohura qëndrimet e tij dhe bisedat me ambasadorin gjerman në Beograd, Putkamer. Për herë të parë në historinë e marrëdhënieve Shqipëri-RF Gjermane bëhej një takim i tillë zyrtar. Sokrati iu referua bisedave në korrik-gusht 1977, propozimit të qeverisë gjermane për fillimin e bisedimeve të menjëhershme për zgjidhjen e problemit të reparacioneve në kapitullin e sigurimeve shoqërore të memorandumit të qeverisë shqiptare për reparacionet paraqitur qeverisë gjermane më 18 qershor 1965.

Sokrati në shënimet e tij thekson se në një takim me Fadil Hoxhën, ky i fundit theksoi se marëdhëniet midis dy shteteve, Shqipërisë dhe Jugosllavisë të jenë vazhdimisht korrekte dhe të mira sepse çdo përkeqësim i tyre ndikon në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare dhe anasjelltas marrëdhëniet e mira ndikojnë tek ne. Në një mbledhje të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave, ku para disa vjetësh merrja pjesë edhe unë, thotë Fadili, Tito u bëri vërejtje gjeneralëve që në ndonjë rast agresioni, Shqipërinë të mos e konsideronin armik, por aleat, sepse shqiptarët nuk luftojnë kundër shqiptarëve. Në takimet me vëllezërit nga Kosova Sokrat Plaka theksonte gjithmonë mbështetjen e Shqipërisë për kauzën e tyre të drejtë.

Unë kam pasur rast ta njoh në kohën që ai ishte zëvëndësministër i Punëve të Jashtme, kur e respektoja jo vetëm për postin e tij të lartë që e kishte fituar me shpatullat e tija, me punën e tij këmbëngulëse, por edhe si bashkëpatriot nga Fieri, prej prejardhje të dy familjeve tona Plaka dhe Papuçiu, nga Voskopoja. Shpesh flisnim si miq të vjetër edhe për paraardhësit tanë, familjet tona që njiheshin dhe kishin respekt të veçantë dhe reciprok midis tyre. Ai më trajtonte jo si vartës, por si koleg, si shok, gjatë kohës katërvjeçare 1987 – 1991, kur unë isha i ngarkuar me punë në Misionin tonë në Gjenevë, pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Në atë kohë isha edhe këshilltar pranë ambasadës sonë në Vjenë (në ato vite nuk kishim ambasadë në Bernë për marrëdhëniet me Zvicrën). Më kishte bërë përshtypje kur shkoja në Nju Jork, për të marrë pjesë në AP të OKB-së (1981- 1987 dhe 1989) se sa me respekt e kujtonin Sokratin bashkëatdhetarët tanë të vendosur atje prej dekadash. Patriotja jonë e përbashkët nga Fieri, motra e dëshmores Liri Gero, më pyeste gjithmonë për shëndetin e tij dhe të Gerit. Ajo më fliste me mall për Fierin, për Gjanicën, për të njohurit atje, kishte njohur tim atë dhe Papuçinjtë, Plakajt dhe Xoxajt që kanë lagjen e tyre atje brez pas brezi.

Marrëdhëniet e Sokratit me mua ishin tepër miqësore dhe shoqërore. Para se të shkoja me punë në Gjenevë merrja pjesë në takimet e Sokratit me diplomatë të huaj të akredituar në Tiranë. Ai i njihte më së miri problemet e marrëdhënieve dypalëshe të Shqipërisë me vendet që ata përfaqësonin. Shpesh biseda kalonte edhe në njohjet artistike, kulturore, gjeografike, të historisë së atyre vendeve, që i kthenin ato bisedime në më të afërta. Më bënte përshtypje se biseda e Sokratit me ambasadorët e huaj ishte e thjeshtë, nganjëherë e papritur me mendimet që afishoheshin, por tepër e natyrshme dhe me një vizion të qartë të problemeve që ngriheshin dhe kërkonin një zgjidhje sa më të mirë për të dy palët.

Pas takimeve, me Sokratin flisnim edhe për probleme të veçanta të marrëdhënieve të Shqipërisë me organizmat ndërkombëtare, apo për marrëdhëniet dypalëshe, që shpesh herë e kapërcenin suazën e atyre qëndrimeve stereotipe. « Diplomatët bëjnë diplomaci, më thoshte ai duke buzëqeshur, « politikën e jashtme e bën qeveria ».

Një ndihmesë të veçantë, ai më dha para se të shkoja në Gjenevë. Megjithëse kisha ndjekur marrëdhëniet me organizatat ndërkombëtare qysh nga viti 1981 dhe kisha marrë pjesë në dhjetra e dhjetra konferenca të organizmave të sistemit të OKB, KEE, UNCTAD, OMS etj., përsëri e ndjeja se kisha nevojë për përvojën e tij të madhe. Për mua ishte një detyrë e vështirë, pasi do të përballesha pothuajse i vetëm me një mori problemesh politike, ekonomike, të të drejtave të njeriut, sociale në përgjithësi që dilnin me organizmat ndërkombëtare. Unë vlerësoja sidomos angazhimin e tij për të më ndihmuar, kur isha pothuajse vetëm në Gjenevë, pasi kisha vetëm një sekretar të tretë që merrej më tepër me kontaktet me shqiptarët. Sa herë që i shkruaja, apo i telefonoja, më jepte menjëherë përgjigje për zgjidhjen e një çështjeje, që nuk priste sa « t’i ngroheshin llampat » referentit që merrej me Gjenevën, në MPJ.

Isha në Bazel, si kryetar delegacioni, ku u miratua Konventa përkatëse mbi kontrollin ndërkufitar të mbeturinave të rrezikshme. Konventa nuk ishte vetëm një instrument për kontrollin e lëvizjeve ndërkufitare të mbeturinave të rrezikshme, por gjithashtu për administrimin e sigurt të mbeturinave të tilla. Ajo u hartua nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, për të siguruar mbrojtjen e shëndetit të njeriut dhe mjedisit, prej efekteve të dëmshme të shkatuara nga ekspozimi ndaj mbeturinave të rrezikshme. Zvicra ishte tepër aktive gjatë konferencës së Bazelit. Ministri i jashtëm zviceran, Flavio Koti më falenderoi për qëndrimin tonë dhe më dorëzoi një pikturë simbolike, duke qënë një nga nënshkruesit e parë të Konventës. Në fakt, megjithëse prisja nga Tirana, nga funksionari i Drejtorisë së organizatave ndërkombëtare që mbulonte problemin, ndonjë përgjigje lidhur me Konventën dhe qëndrimin që duhej mbajtur, ajo s’po vinte. Siç duket, punonjësi që merrej me këtë çështje në MPJ ishte i zënë me punë të tjera. Kështu më kishte ndodhur edhe herë të tjera. Ju drejtova me urgjencë Sokratit, pasi nuk priste puna dhe ai menjëherë m’u përgjigj : « Firmose Alfred, nëse ti e mendon se është me rëndësi dhe nga sa më the dhe kuptoj, duhet patjetër të bëhemi palë në të ». U lehtësova dhe e firmosa Konventën, duke e kuptuar rëndësinë e saj dhe mbi të gjitha pasi ishte kërkuar një bashkëpunim edhe nga një vend mik i Shqipërisë, si Zvicra që ka pritur në gjirin e saj dhjetra mijra shqiptarë. Nga fqinjët tanë, Jugosllavia nuk u bë palë në Konventë.

Sokrat Plaka ishte një njeri zemërgjerë, fisnik, tepër i zgjuar, por i matur, tepër komunikues dhe njohës i thellë jo vetëm i të Drejtës së Detit, i problemeve të arit shqiptar, i marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe i marrëdhënieve dypalëshe të Shqipërisë me vendet e tjera. Më kujtohet se kur shkuam në Bernë, me një delegacion që e kryesonte Sokrat Plaka, si zëvëndësministër i Punëve të Jashtme, pak para se të hapnim Misionin tonë në Gjenevë, më 1987, ai me elokuencë foli për ngjashmërinë e toponimeve në disa treva të Zvicrës me tonat, si « Dardany » etj që ndodhet pranë Gjenevës. Njohuritë e tij ishin të shumta sa që ministri i jashtëm i Zvicrës në atë kohë, u habit me krahasimet dhe argumentat e Sokratit për lidhjet e vjetra të Zvicrës dhe zviceranëve me Shqipërinë dhe shqiptarët. M’a do mendja se ato mendime të shprehura nga Sokrati modest, por tepër i ditur, duhet të jenë në arkivin e MPJ. Sokrati me elokuencë përmendi faktin se Zvicra është vendi që shqiptarët e kanë zbuluar para shumë shekujsh. Si pararendës permendet një grup i fisit ilir të Dardanëve që jetonte në lashtësi në tokat e Kosovës së sotme. Si një shkencëtar i mirëfilltë që ka bërë një punë pasionante për të gjurmuar lidhjet midis Shqipërisë dhe Zvicrës që nga lashtësia deri në ditët tona, ai përmendi se ata zbritën në rajonin e Gjenevës në kohën e Jul Qezarit dhe krijuan vendbanime, siç është njera që quhet Dardanji. Gjithashtu dihet se Zvicra, para 130 vitesh ka qënë ëndërra e Rilindasve për organizimin e shtetit të ardhshëm shqiptar. Njëri prej tyre, Sami Frashëri shprehej hapur “Ta bëjmë Shqipërinë një Zvicër të dytë”…Zvicra është bërë për mëse 200.000 shqiptarë nga Kosova e viset, si dhe nga Shqipëria, si atdhe i dytë, i nderuar, i dashur dhe shumë i respektuar.

Më kujtohet se gjatë kohës që drejtoja Misionin tonë në Gjenevë, më merr në telefon S., një bashkëatdhetar nga Kosova. Ai më njofton se Jozef Diogardi dëshiron të takohet me mua. Shkoj në Hotel Interkontinental, ku zakonisht vendosen kryetarët e shteteve që vijnë në Gjenevë për bisedime dypalëshe dhe për pjesëmarrjen në konferencat ndërkombëtare. Diogardi më priti me mirësjellje në suitën e tij dhe m’u drejtua duke shprehur mendimin se donte të vizitonte Shqipërinë. Pasi biseduam mbi modalitetet dhe gjendjen atje, unë ju përgjigja se do të komunikoj me Tiranën dhe do t’u jap përgjigje sa më parë. Sa u largova prej tij, nuk prita të dërgoj mesazh me shkrim, por i telefonova Sokratit, i cili menjëherë m’u përgjigj se Josef Diogardi është i mirëpritur. Diogardi shkoi në Tiranë dhe unë u lehtësova…

Më kujtohet njëherë kur erdhi në Shqipëri drejtori i INATOM-it Hans Bliks dhe bashkë me Sokratin e shoqëruam ndër të tjera në Berat. Ai mbeti tepër i kënaqur nga biseda, nga diskutimet me Sokratin që e njihte shumë mirë INATOM-in, pasi kishte qënë përfaqësues i Shqipërisë pranë këtij organizmi ndërkombëtar. Bliksit i pëlqyen shumë fiqtë e freskët të Beratit, pasi deri në atë kohë kishte ngrënë vetëm fiq të thatë. Sokratit i lindi ideja që Bliksit t’i bëhej një dhuratë e veçantë. Të nesërmen, në aeroport atij ju dha një arkë me fiq të freskët të Beratit. Bliks u shpreh : « Kjo është dhurata më e mirë deri më sot që do t’i shpie bashkëshortes sime ».

Organizova ardhjen, me dëshirën e tyre, të delegacionit të dy dhomave të përfaqësuesve të Konfederatës Zvicerane (Kryetarit të Këshillit Kombëtar, Rudolph Reisching dhe të Këshillit të Shteteve, Franco Masoni). U mendua që të flisnin edhe para studentëve të Universitetit të Tiranës. Rolin e përkthyesit do ta bëja unë. Sokrati i shoqëronte. Ata ngritën problemin e të drejtave të njeriut në Shqipëri, ndër problemet e tjera. Mua më shkonin djersë të ftohta. Përktheja por edhe nguroja kur toni i tyre ishte i ashpër. Megjithatë nuk kisha çfarë të bëja. Sokrati në fund më erdhi në ndihmë duke më thënë: “Mos u shqetëso Alfred, pasi këto janë mendimet e tyre dhe ti ishe vetëm në rolin e përkthyesit”.

Erdha nga Gjeneva në Tiranë, me sekretarin Ekzekutiv të Komisionit Ekonomik të OKB-së për Europën, austriakun Gerald Hintereger, të cilin më vonë e pata si shef, kur punova si funksionar i pavarur në atë organizëm të Kombeve të Bashkuara. Gjendja ekonomike në Shqipëri ishte në atë kohë jo e mirë. Rita Marko që më thirri para se të bëhej takimi me të, kërkoi nga unë të dinte “se a do ta hapte qesen Hinteregeri për Shqipërinë”. Ju përgjigja se KEE është një organizëm që nuk jep para të thata, por konsulencë, edhe nëpërmjet PNUD-it, organizon seminare dhe grupe studimore në vende të Europës, duke e subvencionuar edhe pjesëmarrjen e specialistëve shqiptarë”. Nuk i pëlqeu përgjigja ime, pasi një ambassador i yni në një vend fqinj, sipas tij, e kishte informuar se KEE mund të ndihmonte shumë me të holla ekonominë shqiptare (?!). Ndoshta Rita Marko e kishte sajuar vetë një argument të tillë, pasi ambasadorin në fjalë e kisha shok prej kohësh që në vitet e Fakultetit dhe e njihja si një diplomat të aftë dhe tepër të ekuilibruar. Edhe Sokrati ishte i të njëjtit mendim me mua, pasi e njihte më së miri mekanizmin e organizmave ndërkombëtare si KEE etj. Ai më shoqëroi gjatë gjithë kohës, në Tiranë, Durrës, Berat e gjetiu, ku e shpunë për vizitë Hinteregerin, i cili në fakt premtoi se do ndihmonte me mundësitë që kishte Komisioni Ekonomik i OKB-së për Europën, në fushën e energjisë, transportit, tregtisë, statistikave etj. Erdhi çasti që unë do largohesha. Siç ishte rregulli atëhere, kur vinim në Shqipëri, pasaportën diplomatike e dorëzonim në aeroport.. Unë shkova të marr pasaportën për t’u nisur, por ajo nuk po gjendej. Isha i shqetësuar. Edhe Sokrati. Për një çast më erdhi në mendje se kisha edhe pasaportën tjetër diplomatike, si këshilltar i ambasadës sonë në Vjenë. I thashë Sokratit. Duke buzëqeshur me dashamirësi ai më tha me zë të ulët: “Ne myzeqarët, të ardhur nga Voskopoja nuk na e hedhin dot. Nisu i qetë se do interesohem unë për pasaportën tjetër”. Dikush kishte bërë atë reng për të më treguar se unë varesha nga ata…Pas dy javësh, më erdhi pasaporta në Gjenevë, me një letër dashamirëse të Sokratit, ku ndër të tjera, më shkruante se ajo ishte gjetur diku në një sirtar…

Sokrati studjonte shumë dhe sa herë vija në Tiranë, për disa ditë më fliste për librat që kishte lexuar, për ecurinë e informacionit bashkëkohor, për artin, letërsinë, për diplomacinë bashkëkohëse. Flisnim edhe për probleme të cilat do të mbeten vetëm në kujtesën time, si njoftime të vyera, si një thirrje për domosdoshmërinë e “ndryshimeve” edhe në politikën e jashtme shqiptare, për marrëdhënie ë ekuilibruara me fqinjët, por edhe për zgjerimin e tyre me Rusinë, e sidomos me SHBA, ku bashkëpatriotët tanë kishin zënë edhe sfera të larta të administrates amerikane. E quante paradoks që ne nuk kishim të drejtë t’u afroheshim diplomatëve amerikanë, në një kohë që me vendas në rrugë, në parqe, në supermarket flisnim lirshëm.

Njëherë, në vitin 1981 isha në zyrën e tij dhe telefonoi nga ambasada e Romës, këshilltari K. Me mllef ai thoshte se pse duhet që filani të sjellë gjakun për fëmijën e vet nga një klinikë në Romë. Sokrati, duke më pare edhe mua i tha me butësi: “ Po pse more K. nuk bëhesh pak i gjërë. Ai e siguron vetë gjakun leukocitar që njëherë për njëherë nuk prodhohet në Shqipëri. Ai vjen gratis dhe shpëton jetën e një foshnje të pafajshme. Prandaj, të paktën ndihmoni një bashkëatdhetar tuajin, duke e inkurajuar dhe jo duke i shkaktuar të tjera dhimbje”.

Nga ana tjetër e receptorit, këshilltari K. kërkoi të falur.

Shikoja Sokratin dhe isha i emocionuar nga qëndrimi i tij njerëzor, dashamirës, kuptimplotë.

Në maj 1991, me largimin e Reis Maliles, si ministër i jashtëm, menjëherë vjen urdhëri nga Muhamet Kapllani se transferohem në Shqipëri në MPJ, në Drejtorinë e Organizatave Ndërkombëtare. Nuk e prita mirë këtë transferim, pasi kisha problem jetik familjare. Disa shokë si K.K. më thoshin të mos kthehesha. Por nuk mund ta bëja një veprim të tillë. U ktheva dhe pas një kohe të shkurtër vjen njoftimi nga Kombet e Bashkuara në Gjenevë se pranohesha si funksionar i pavarur atje. Pati ngurime nga një drejtues i MPJ se „isha i domosdoshëm aty“, se „nuk vendoste ai, por shoku N.“ etj etj. Më mbështetën për largimin tim, miqtë e mij Ksenofon Krisafi., Bashkim Pitarka., Maxhun Peka dhe sidomos miku im i mirë dhe i përhershëm, Sokrat Plaka. Ai shkroi një letër rekomandimi për mua, drejtuar këshilltarit britanik të Drejtorit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, suedezit Jan Martenson. Në të, me cilësinë e zëvëndësministrit të punëve të jashtme, Sokrati përshkruante punën time si diplomat dhe sidomos me organizatat ndërkombëtare, dhe uronte që emërimi im do të forconte marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kombeve të Bashkuara. Isha i pari funksionar i pavarur shqiptar që do shkoja në një organizëm ndërkombëtar dhe ajo letër kam bindjen se më shërbeu për t’u ngjitur në funksione të larta, në organizma ndërkombëtare të sistemit të OKB-së, deri në P-4 (Profesionist i nivelit 4), megjithë „anatemat“ pa bazë që hodhi kundër meje, në atë kohë, një shqiptaruc që „përfaqësonte“ Shqipërinë në Gjenevë, por që shpejt mori një „dackë“ të fortë nga sekretari i përgjithshëm i UNCTAD-it, Keneth Dadzie. Ky i fundit e nxorri jashtë njeriun me dhëmbë floriri që për interesa personale, kishte përhapur mendimin„se i kisha zënë vendin“ në organizmat e Kombeve të Bashkuara, në një kohë që ai paguhej nga Shteti dhe taksapaguesit shqiptarë dhe unë pagohesha nga organizmi ndërkombëtar dhe jo nga Shqipëria. I telefonova Sokratit, i emocionuar, pasi nuk e mendoja që mendja dritëshkurtër e një bashkëatdhetari do të arrinte deri aty. Kisha punuar me funksionarë ndërkombëtarë amerikanë, gjermanë, francezë, bullgarë, turq, danezë, afrikanë etj., dhe të gjithë ishin njësh kur cënoheshin interesat e ndonjerit prej tyre. Miku im, Sokrat Plaka, më sygjeroi ta shumëzoja me zero atë „palaço“, ashtu siç më tha edhe këshilltari i Keneth Dadzies, që të mos merresha më me Shqipërinë dhe shqiptarët, por të ndiqja vetëm projektet me Ballkanin dhe vendet e tjera. Ky incident më bëri që të kisha kujdes me ndonjë shqiptar si K.C, por ndihmën time për specialistë të aftë të vendit tim e vazhdova, nëpërmjet lidhjeve që kisha krijuar me kolegë të mij në KEE, UNCTAD, BIT.

Pak më vonë mora vesh se Sokratin e nxorën në pension dhe më erdhi shumë keq, pasi kisha nevojë akoma për këshillat e tij të vyera, në punën time si funksionar i pavarur me disa organizma ndërkombëtare. Një diplomat i zoti për të cilin kishte nevojë vendi, Shqipëria në tranzicion, u mbyll në vetvete për një kohë të shkurtër dhe u dënua me pa të drejtë për diçka për të cilën ai nuk ishte fajtor. Për më tepër, nëse i urti dhe njerëzori, Reis Malile e mbrojti me ngulm, dikush tjetër që ishte fajtor, qëndroi nga fundi i sallës, duke pritur në heshtje që të shpëtonte „lëkurën e vet“.

Sokrati vazhdoi të shkruajë për Gerin, për vajzën që e donte shumë, për të Drejtën e Detit, për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe SHBA, për ish-Jugosllavinë, për Ballkanin. Një pasuri e madhe që do të shërbejë për brezat e ardhshëm të diplomatëve shqiptarë por edhe të vendeve të tjera. Një numër të tyre e mbaj në Bibliotekën time me nënshkrimin e tij të bukur, si edhe letrat me shkrimin e tij të bukur dhe me mendime tepër të vyera për mua.

Sëmundja e vuri poshtë të mirin, njerëzorin Sokrat, megjithëse mjekët, dashamirët, u përpoqën ta ndihmonin dhe ta hidhte tej atë. Por vuajtjet, lodhja dhe stërmundimet gjatë 7 viteve të përfaqësimit të Shqipërisë në Beograd, dënimi i kotë, e kishin vrarë atë. Unë u përpoqa me miqtë e mij mjekë në Gjenevë për të përcaktuar diagnozën e sëmundjes së tij, si dhe masën e ilaçeve që duhej të merrte. Problem ishte se ata, përveç mendimeve të çmuara që na dhanë, shtruan si zgjidhje ardhjen e Sokratit në Gjenevë… Mos ndoshta nuk erdhi dot, pasi megjithëse kishte qënë në 32 vende të botës, atje ku mundte e shmangte udhëtimin me avion? Ishte i guxhimshëm në veprime, por supersticioz kur bëhej fjalë për udhëtime në hapësirë. Sidoqoftë, me kujdesin e vajzës Soli dhe të Gerit të tij të shtrenjtë, ai u kurua edhe jashtë shtetit, por sëmundja e poshtër i shoi ëndrrat e tij. Iku një ditë, për të mos u kthyer më, por la kujtimin e një njeriu të mirë, dashamirës, njerëzor dhe tepër të aftë. Prej së largu në hapësirë na sheh me vështrimin e tij dashamirës dhe sikur na thotë: „Duajeni njeri tjetrin, shokun, mikun, bashkëatcdhetarin, Shqipërinë, Kosovën, fqinjët, Europën, Amerikën dhe gjithë kombet që e kanë dashur dhe e duan Kombin tonë“.

*Alfred Papuçiu. Ish diplomat, punonjës në Drejtorinë e Organizatave Ndërkombëtare të MPJ (1981-1987); anëtar i delegacionit shqiptar në sesionet e OKB-së Nju Jork, 1981-1987 dhe 1989, i ngarkuar me punë i Misionit shqiptar pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare në Gjenevë (1987-1991); këshilltar pranë ambasadës shqiptare në Vjenë; funksionar i pavarur ndërkombëtar pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë, në Komisionin Ekonomik të OKB-së për Europën, UNCTAD, në Byronë Ndërkombëtare të Punës (1991- 1995) si dhe konsulent për botimet në organizatat ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat