Dy kulturëdashësit e shquar Ministri i Kulturës Prof. Ernest Koliqi dhe mons. dr. Zef Oroshi në kujtime e studiuesit Tomë Mrijaj

Kultura

Dy kulturëdashësit e shquar Ministri i Kulturës Prof. Ernest Koliqi dhe mons. dr. Zef Oroshi në kujtime e studiuesit Tomë Mrijaj

Nga: Klajd Kapinova Më: 23 janar 2020 Në ora: 08:23
Prof. Ernest Koliqi dhe mons. dr. Zef Oroshi

“Nji ndër fatëkeqësitë gati të përgjithta âsht se nierzit e mdhaj bahen aq të nevojshëm në rangun e tyne të përditshëm, saqë dalin vonë në pushim, e nuk arrinë m’e shfrytësue plotësisht përvojën e tyne të gjatë më krijime të reja, ose edhe për t’u dhanë dorën e fundit prodhimeve, që ata i dhanë nierzimit.

Shum herë ndigjova nga shqiptarët e Bostonit se Imzot Fan Noli nuk mendonte me vdekë!… pse donte me vijue punën e tij intelektuale, për t’u lanë sa mâ shum breznivet t’ardhëshme. Këtë të vërtetë e shprehë ma së mirit edhe proverbi popullor: “Nuk më lanë punët me vdekë!” Nji gjerman më thonte për kancelarin Adenauer: Sa të largohet nga Kançellaria, ai vdes. Këta ngjanë, sidomos me nierzit krijimtarë, si në shkencë e n’arte të bukura. Ata e përfillin rangun e tyne, jo vetëm si nji detyrë për t’u krye, por mâ tepër si nji vokacjon, për t’i kushtue jetën. Për ta nuk ka matëshmeni, as shmangie flijimesh, çfarëdo qofshin. Poeti lirik romak thonte për materialistat: Parja siellë punë pares. Anasjellëtas ásht për shkencëtarët e artistat: puna u shton unë e punës, përherë e ma tepër. Të kallun në psyhen e tyne, për të gjinikue ata çka në menden e tyne âsht sajue, sendergjue e shestue, per të mirën e nierzimit, naltësohen n’atmosferat e universalevet të pamatëshmenisë së kohës e hapsinës, tue harrue deri ligështinë e natyrës nierzore, së cilës Krijuesi, në setcilin individ, i ka vû nji cak.

Nder këso rrethanash e gjet vdekja papritmas profesor Ernest Koliqin, Ordinar i Universitetit të Romës për Letersinë Shqipe, për ma se tridhetë e pesë vjet…

Prof. Koliqi qe i pari, që hapi periudhën e prozës artistike të letërsisë shqipe, në të cilën zen vend mbi nominativat, adjektivi me fuqinë kromatike të piktorit, gërshetue me jehonat e ambla të muzikantit. Gjuha e tij âsht zhurmuese si prrojet e lumejt shkallmuesa; asht si currili i kronit të kaltert e të pameshëm, që në verën rreshkuese me puhinë freskuese, grishë shtektarin me u flladitë dhe, dashtë e padashtë, me pi në te.

Per Mikun e katerdhetë vjetëvet dhe viganin e Letravet Shqipe mund të thomi çka la shkrue per vedi poeti latin, Horaci: Non omnis moriar.” - Msgr. dr. Joseph J Oroshi

Prof. Koliqi babai i shkollës shqipe në Kosovë

Ernest Koliqi (1903-1975) ishte mësues, poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg, ministër arsimi në qeverinë Vërlaci, botues dhe pedagog. Ai ishte bashkëthemelues i tregimit modern shqiptar sa i përket krijimtarisë, ndërsa në punët politike e arsimore ka meritë për dërgimin e 400 arsimtarëve në trojet e Shqipërisë Etnike.

Prof. Ernest Koliqi lindi në qytetin e lashtë Shkodër në vitin 1903. Ai ishte i biri i Shan Koliqit dhe i Ages së Cuk Simonit, familje reshpere shkodrane me gjendje shumë të mirë ekonomike. Ishte i dyti ndër fëmijët, mbas Shëklqësisë së Tij imzot Mikel Koliqit, që do të bëhej i pari kardinal shqiptar, dhe mbas tij vinin Leci, Guljelmi, Margerita, Antonjeta, Viktori dhe Terezina.

Ministri i Kulturës (1939-1941) shkodrani patriot Profesor Ernest Koliqi, kishte një karrierë kulturore dhe patriotike më shumë se 40-vjeçare. Ai ishte njohur e i larmishem në disa lëme, si: në letërsi, publicistikë, poezi e përkthime, etj. Profesor Koliqi, ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm në historinë e kombit shqiptar, një rol ky që as sot nuk i njihet atij edhe sot në historiografinë neokomuniste shqiptare. Kështu asnjë universitet në trojet shqiptare, qoftë edhe në Kosovë apo vendlindjen e tij në Shkodër, nuk ka emrin e tij. Kush më shumë se ai punoj për shkollën dhe gjuhën shqipe!?

Në Shkodër ende sot ka emrin e shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja partizanja me bindje antinacionaliste Shejnaze Juka një partizane, që nuk dinte asnjë gjuhë të huaj, ndërsa poligloti dhe Ministri i Kulturës prof. Ernest Koliqi nuk vlerësohet sepse ai ishte antikomunist, patriot, atdhedashës i shquar, kontribues i palodhur për hapjen e qindra shkollave shqipe dhe dërgimin e mësuesëve në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare.

Profesor Koliqi gjatë viteve 1941-1944 dërgon në Kosovë mbi 200 mësues e mësuese. Këto shkolla, shkruante prof. Rexhep Krasniqi, në një artikull botuar në revistën zemadhe Shëjzat, u bënë baza me rëndësi për zhvillimin dhe përparimin e gjërë dhe të shumëanshëm të arsimit dhe kulturës shqiptare në ish Jugosllavi.

Profesor Koliqi, me vullnetin dhe shpirtin idealist, nuk kurseu energjitë e tij për ta pajisur sa më mirë aparatin arsimor në viset e çliruara, me elementë të shëndoshë që i dhanë hov e gjallëri shkollës shqipe.

Kështu vetëm për 2 vjet nga 1941-1942, u hapën 173 shkolla fillore, 3 të mesme dhe disa gjimnaze, ku shprehën menjëherë vullnetin e tyre të lirë për të shkuar në Kosovë mbi 80 mësues dhe në fund të vitit 1944 ky numër, u shumëfishua në mbi 400 mësues nga Shqipëria, të cilët krijuan vatra të dijës dhe atdhedashurisë kudo ku shërbyen si misionar të dritës dhe kulturës shqiptare.

Ngjarjet para një takimi të paharruar me prof. Ernest Koliqin

Fillimi shek. XX dhe fundi i tij, në analet e historisë së popullit tonë, kanë mbetur si ngjarje të rëndësishme të zgjimit të ndërgjegjës kombëtare, plot luftra e përpjekje të pareshtura për liri dhe pavarësi.

Ishte viti 1911, kur më 6 Prill, nacionalistët shqiptarë, të udhëhequr nga trimi i maleve kreshnike të Hotit e Grudës Dedë Gjon Luli, në majë të Bratilës së Deçiqit, ngritën flamurin e Gjergj Kastriotit, pas një robërie të gjatë 5 shekullore të kolonizatorëve osmanë.

Ngjarjet vijnë njëra mbas tjetrës. Kështu dy vjet më vonë, më 1913, Dardania e lashtë (sot Kosova), shkëputet nga trungu amë dhe trojet etnike shqiptare, do të copëtohen padrejtësisht.

Atdhedashuria, që u munduan prindërit e Tomë Mrijaj të kultivojnë me pasion tek i biri u ngulit thellë, që nga fëmijëria e hershme dhe deri në çlirimin e Kosovës në vitin 1999, nga nata e gjatë e sketerrës së pushtuesve serbosllavë.

Ditët do të kalojnë, duke ia lënë vendin muajve dhe vitëve, që në kohë të ndryshme të kalendarit, kanë të gdhendur me gërma të arta emërat e shumë figurave të shquara të Lugut të Drinit, një pjesë e të cilëve i përkasin me dinjitet edhe familjes Mrijaj, gjatë rrjedhave të historisë, mbasi aty është derdhur gjaku i fatosave të lirisë, ku, është shkruar me pushkë në dorë lavdia dhe qendresa e pamposhtur heroike e shqiptarëve.

Klika e egër e Beogradit, gjithnjë kërkonte ç’kombëtarizimin e Kosovës, kthimin e saj në një shtëpi të dytë për kolonët ardhacakë serbë.

Studiesi Tomë Mrijaj, kujton: “Kështu babai im Nikolla, i kishte dhuruar mbas shumë dekadave, në vitin 1997 (përafërsisht mbas 90 vjetëve), Bibliotekës së kishës së shën Gjon Pagëzuesit në Zllakuqan, një relike shumë të çmuar, të cilin e kishte ruajtur me përkujdesje. Është fjala për një libër, që ai kishte mësuar asokohe, i cili, mban titullin: “Historija shejte” (Për Shkolla të Para të Shqypnis, Shkalla e Parë, Botimi i Tretë).”

Procesi i gjatë e i gjërë i kolonizimit të trojeve shqiptare, mbas mbarimit të Luftës së Parë Botërore (1918), kur nisi të formohet shteti jugosllav, filloi sërisht faza e kolonizmit me hapa të përshpejtuara agresive, nën maskën e të ashtëquajturës Reforma Agrare. (Jusuf Osmani, “Lënda arkivore për kolonizmin dhe reformën agrare në Kosovë”, 1996).

Sikurse dihet asokohe, qëllimi kryesor ishte të bëhet ndryshimi i strukturës etnike të popullsisë së pastër të Kosovës.

Dihet se qysh nga viti 1912 në Kosovë, filloi zbatimi i projekteve raciste kundërshqipatare apo planeve sllavizuese hap pas hapi, për të bërë kësisoj realitet ëndrrën e Serbisë së Madhe, të projektuar nga Vaso Çubralloviç, Ilia Garashanin, e shumë shovinistë ekstremist të tjerë serb, që janë disa nga autorët e platformës së politikës serbe, për shfarosjen dhe fshirjen nga harta e Ballkanit të trojeve shqiptare dardane...

Patriotët Nikollë Mrijaj e Adem Dushi takohen në Tiranë me Ministrin e Arsimit Prof. Ernest Koliqin

Nga fundi i vitit 1940, një delegacion nga Lugu i Drinit, i kryesuar nga Nikollë Mrijaj, me mikun e tij të pandashëm në idealet kombëtare (aktivisti patriot ish kryetar i Komunës në Zllakuqan) Adem Dushi, me disa bashkëvendas të tjerë, si: Llesh Gjon Lleshi, Mark Duhani, Zef Cub Përnoka, Mark Përgjoka, Mark Lasken etj., u gjenden në Tiranë, në zyrën e Ministrit të Arsimit shkrimtarit Prof. Ernest Koliqit, ku, kërkuan gjatë bashkëbisedimit, që t’u dërgojnë sa më shpejt, që të jetë e mundur në Kosovë arsimtarë, për të mësuar shkrim e këndim, mbasi politika sllavizuese e Beogradit, për ç’kombëtarizimin e vendasve autokton ishte shumë e madhe.

Atdheu ynë, kishte shumë nevoj, që bijtë të vijonin të flisnin gjuhën shqipe, e cila gjendej gjithnjë përballë presionit dhe asimilimit të egër të gjuhës cirilike sllave.

Pas takimit shumë të rëndësishëm, menjëherë Prof. Ernest Koliqi, me cilësinë e Ministrit të Kulturës dhe Arsimit, dërgoi Akademik Prof. Rexhep Krasniqin, Mati Logoreci, Prof. Ahmet Gashi, sëbashku me shumë profesorë dhe arsimtarë të tjerë nga qyteti i Shkodrës dhe disa qytete të tjera të Shqipërisë, që iu përgjigjen njëzëri thirrjes kombëtare të Ministrit.

Mendohet, se të kësaj periudhe janë edhe hapja e mbi 200 shkollave në gjuhën shqipe në Kosovë, ku, dominon shumë kontributi i intelektualëve nga qyteti i Shkodrës.

Sot, mbas shumë dekadave, duke rikujtuar ngjarje dhe data nga mesi i shek. XX, natyrshëm lind pyetja e drejtë:

Cili ishte shkaku i udhëtimit të delegacionit nga Lugu i Drinit për në kryeqytetin e shtetit amë në vjeshtën e vitit 1940!?

Para disa viteve zbardha dhe botova në organet e shtypit në vendlindje dhe diasporë një tregim të studiuesit Tome Mrijaj mbi Prof. Dr. Rexhep Krasniqin, rrëfyer në zyrën e Komitetit “Shqipnia e Lirë” në Manhattan New York.

Kështu në vitin 1982, pas përfundimit me sukses të Kogresit III të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1982), ku, u zgjodh kryesia e re, dhe studiuesi dhe publiçisti veteran shqiptaro amerikan Tomë Mrijaj u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes III të Prizrenit në mërgim, me zyrat e saj qendrore në New York, SHBA.

Edhe para Kongresit në fjalë dhe më pas, ai sëbashku me Kryetarin e Lidhjes III të Prizrenit, aktivistin e palodhur të çështjes kombëtare, pinjollin e familjes së Ukë Sadik Ramë Gjurgjevikut të famshëm, Ismet Berisha, rregullisht dy herë në javë janë këshilluar me Profesor Rexhep Krasniqin, në zyrën e mirënjohur të Komitetit “Shqipnia e Lirë”, për mirëvatjen e punës së organizatës patriotike gjithëkombëtare.

Një ditë gjatë, takimeve të shpeshta të Tomës dhe Ismetit me personalitetin e shquar Prof. Krasniqin shkuan në zyrën e tij, ku ai i mirëpriti me gëzim.

Profesori, u ngrit në këmbë dhe me shumë ngrohtësi i uroj aktivistit të ri Tomë Mrijaj detyrën e re, mbasi ishte më i riu emigrant nga Kosova, që kishte arritur të nderohet në këtë mision fisnik, në shërbim të kombit dhe Atdheut të tij të dashur.

Mbas shumë viteve stiudiuesi Tomë Mrijaj, kujton me nostalgji bisedën e ngrohtë dhe miqësore që kishte zhvilluar atë ditë me prof. Krasniqin:

“Mbiemëri Mrijaj, më kujton një kohë kujtimesh të kaluara plot nostalgji. Si sot e kam parasysh, ardhjen e një delegacioni nga Kosova në Tiranë.

Asokohe, unë gjendesha në zyrën e Ministritit të Arsimit dhe Kulturës Prof. Ernest Koliqit. Ministri, pjesën e madhe të kohës qëndronte në këmbë. Ai ecte i qetë dhe bisedonte me miqtë, që i kishte në zyrë.

Profesori, kishte shumë dëshirë të sodiste natyrën e bukur në dritare, në kohën me diell apo kur fillonte rënia e flokëve të para të dëborës…, duke medituar dhe marrë përherë frymëzim, për shkrimet, veprat e tij letrare dhe kritike. Ishte shumë i ndjeshëm, ndaj nënës natyre...

Ai, po vështronte me endje një grup njërëzish të panjohur malësorë, të veshur me kostume shumëngjyrëshe kombëtare, që gjendeshin në oborrin e Ministrisë. Disi papritur, Ministri, kthehet nga unë dhe më thotë: “I shikon ato njerëz atje në oborr, të lutem shumë, shko takohu përzemërsisht dhe pyeti nga janë dhe për çfarë po presin!?”

Menjëherë u gjenda para tyre, ku në bisedë e sipër më treguan, se ishte një delegacion i ardhur nga Kosova dhe presin të takohen me Ministrin e Brendshëm Kolë Bibë Mirakaj. Mbasi u ktheva në zyrë, e njoftova Ministrin Prof. Koliqin, të cilit i thashë, se ata ishin një delagacion i përzgjdhur burrash të mirënjohur nga Lugu i Drinit, Kosovë.

Pasi më dëgjoi me vëmendje, sërisht me tha: “Të lutëm shumë Rexhep, thuaju të porsardhurve, nëse kanë mundësi, që të vijnë të gjithë për një vizitë në zyrën time, se kam shumë dëshirë t’i takoi dhe të zhvilloi bisedë me ato burra fisnik nga Kosova. Unë e kam dashur dhe e dua shumë Kosovën, sepse ka nxjerrë trima të njohur të pushkës dhe pendës.

Delegacioni i Lugut të Drinit, pranoi me shumë kënaqësi të takohet me Ministrin e Kulturës. Ai, pasi u uroi mirëseardhjen në zyrën e tij, i ftoi të uleshin. Profesori, njihte shumë mirë traditat shqiptare dhe zakonet e trevave të ndryshme të Kosovës, ç’ka la një përshtypje shumë të mirë tek delegacioni.”

Shkrimtari i shquar, i pyeti një nga një për emërin e çdo përfaqsuesi nga Kosova dhe më pas u zhvillua një bisedë e ngrohtë dhe mbrësëlënëse, e cila u ruajt thellë në kujtesën e çdo anëtari të delegacionit.

Në bisedë e sipër, Ministri ishte i interesuar të dinte, si ishte gjendja e arsimit dhe shkollave shqipe në Kosovë dhe në krahinën nga ata kishin ardhur.

Delegacioni i bëri Ministrit të Kulturës një panoramë, mbi gjendjen e mjeruar të arsimit në Kosovë, mungesën totale të shkollave dhe mësimdhënesve në gjuhën shqipe…

Tek flisnin, duke përshkruar gjendjen e shkollave dhe arsimit, Prof. Koliqi (i cili, po i dëgjonte me shumë vemendje dhe dhimbje), filloi të skuqej, për situatën e rëndë, ku, serbët e kishin lënë arsimin dhe shkollën shqipe në Dardani…

“Këtë përshtypje shumë të mirë, ato ma pohuan mua, kur i përcolla deri tek hoteli i qytetit. Para se të largohen nga zyra, Ministri Prof. Koliqi, u tha, që të qëndrojnë si mysafirë të nderuar në Tiranë. Ai i sqaroj të pranishmit, se Ministri i Brendshëm Kolë Bibë Mirakaj, nuk është sot këtu, sepse ka udhëtuar për një punë me shumë rëndësi në qytetin e Shkodrës. Ju sado që të rrini në Shqipëri, i keni të gjithë shpenzimet e paguara nga Ministria.”, tregon Prof. Krasniqi.

Mbasi i përcolli të gjithë pjesëtarët e delegacionit nga Kosova, Akademiku Prof. Rexhep Krasniqi (1906-1998), u kthye në zyre tek Prof. Koliqi, ku, menjëherë u zhvillua kjo bisedë interesante:

“I nderuari Krasniqi, i dëgjuat me kujdes si ishte gjendja e arsimit në Kosovë?! Unë pohova, se gjendja e shkollave është në një nivel të lartë analfabetizmi, mbasi Serbia, asnjëherë nuk ka qenë e interesuar për të shkolluar fëmijët dhe rininë tonë.

Që nga ky moment z. Krasniqi, ju jeni i ngarkuar me një detyrë të re apo mision fisnik shumë të rëndësishme, si Komisar i Lartë i Shkollave Shqipe në Kosovë (Ministër)…

Ishte një gëzim i madh për mua. Gjatë asaj vjeshte e dimëri, udhëtuam në Kosovë disa herë, për t’u njohur për sëafërmi me gjendjen e arsimit dhe përgatitur në të ardhmen për vitin shkollor…”

I zhytur thellë në kujtime të shkuara Drejtori i Arsimit të Mesëm, pranë Ministrisë së Arsimit në Shqipëri Prof. Krasniqi, ktheu vështrimin sërisht nga Toma dhe tha:

“Më kujtohet shumë mirë ky mbiemër Mrijaj. Si tani e kam parasysh atë burrë, në krye të delegacionit nga Kosova Nikollë Mrijajn, një kosovar i pashëm dhe fisnik në shpirt, i cili, sikurse mësova nga antarët e delegacionit, ai ishte i nderuar dhe respektuar nga të gjithë dhe gëzonte autoritet, si: në Kosovë, Mirditë, Shkodër etj...”

Mbasi Profesori foli për fliste për disa çaste, me modesti i Toma I tha, se burri që ju përshkruat me shumë respekt është babai im.

Ish n/Kryetar i Lidhjes II të Prizrenit (në Prizren Kosovë), Profesor Krasniqi, i cili, e dëgjoi Tomë Mrijajn me shumë vemendje dhe habi, u ngrit menjëherë në këmbë nga vendi, ku, ishte ulur u afrua dhe me një buzëqeshje çiltërsie, e përqafoi Tomen ngrohtësisht, duke i uruar në të njëjtën kohë për detyrën e re, si Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së III të Prizrenit (1962), mbas përfundimit të punimeve të Kongresi III (New York, 1982), që u mbajt në diasporë…

Para se të largohet nga zyra e Akademikut të parë shqiptar (që ka marrë gradën Akademik, për çështjen e Kosovës dhe posaçërisht për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në Universitetin e Vjenës (Austri), shënimi im K.K.) Prof. Rexhep Krasniqit, Toma i tha, se babai i tij Nikollë Mrijaj këto ditë vjen nga Kosova, për vizitë dhe do t’a sjell patjetër, që të takohet me ju.

Personalitetit të shquar të diasporës shqiptare Profesor Krasniqit, i qeshën sytë e ishte shumë i gëzuar nga lajmi që i dha Toma. Ai i tha, se ka shumë dëshirë të takohet me atdhetarin Nikollë Mrijaj, sepse ruan kujtime për kohë të shkuara dhe për gjendjen në të cilën ndodhet Kosova, nën pushtimin mizor të kolonizatorëve serb.

Ritakimi emocional i Nikollë Mrijaj me prof. Rexhep Krasniqin në New York

Mbas pak ditësh mbërriti babai i Tomës, Nikollë Mrijaj në New York. Ditën e tretë babë e bir shkuan në zyrën e ish Ministrit të Arsimit në Kosovë Profesor Rexhep Krasniqit.

Porsa hynë brenda, Profesori i buzëqeshur, u ngrit në këmbë dhe përqafoi mikun e vjetër Nikollën, ku, i tha se: “Të vetmin ndryshim në ju e shoh nga ajo ditë e largët vetëm në zbardhjen e flokëve…”

Në bisedë e sipër, ish drejtori i Gjimnazit të Parë të Shkollës në Gjuhën Shqipe në Prishtinë, gjakovari Profesor Krasniqi, shtoi: “Ardhja e juaj ishte dita më e madhe e gëzimit dhe karrierës time. Tashmë vdes me gëzimin, se i shërbeva Kosovës time nga e cila kam ardhur edhe unë…”

Ai, ishte një kundërkomunist e kundërserb i vendosur. Kështu, më sa më ka treguar studiuresit Tome Mrijaj edhe ai vetë, se në vitin 1956, thirret nga Ministria e Jashtme Amerikane, për të marrë pjesë në riorganizimin e Komitetit “Shqipnia e Lirë”.

Për më shumë, për herë të pare, atë ditë, Toma mësoi se Prof. Krasniqi vjen nga familja e famshme e patriotit të madh Bajram Currit. Mbas bisedës së ngrohtë, Profesori, i dha adresën e restorantit në Flashing (Queens, NY), ku, i ftoi at e bir në darkë…

Një darkë e paharruar

Rreth orës 7:00 të darkës, Toma me babain e tij dhe Kryetarin e Lidhjes së Prizrenit Ismet Ukë Berishën, u gjendëm në vendin e caktuar. Porsa hynë brenda, panë se ata kishin ardhur para tyre dhe gjendeshin në restorant, burrat e mëdhenj: Kapidani i Mirditës Ndue Gjomarku dhe Prof. Rexhep Krasniqi, ndërsa pak kohë më vonë erdhi mes tyre edhe meshtari i dashur i komunitetit tonë, patrioti dhe lideri shpirtëror, themeluesi i Kishës së Parë Katolike Shqiptare në Amerikë, shkrimtari mirditor mons. dr. Zef Oroshi.

Bisedat e shpeshta mes personaliteteve të botës shqiptare në diasporë, ishin shumë interesante, sidomos për Tomën, sepse ishte më i riu në këtë kuvend burrash të shquar, të komunitetit shqiptaro amerikanë.

Babai i tij, ndjehej si në shtëpinë e vet, mes miqve të tij të dashur. Kanë qenë momentet më të bukura të jetës së tij, të cilat, i përmendte me nostalgji, sa herë që binte biseda, për çdo njerin prej tyre. Pyetje të ndryshme për Kosovën, iu drejtuan mikut nga Kosova Nikollë Mrijaj atë natë të paharruar...

Mons. Oroshi, ishte shumë i përqendruar në përgjigjet e babait dhe përshkrimet e tij. Ai i tha, se i dukej si fytyrë e njohur, që e kishte parë dikund në Kosovë, duke sjellë detaje.

“Më kujtohet, vijoi Mons. Oroshi, se kur u arratisa nga Shqipëria dhe dola në Kosovë, më quan në Spitalin e Mitrovicës, mbasi kisha marrë një plagë në fyt, në përpjekje për t’i shpëtuar forcave komuniste të ndjekjes së Sigurimit. Mbas dy ditësh, pashë pranë krevatit tim, një frat dhe dy burra të veshur me veshje tradicionale popullore vendase. Njëri nga ata dy burrat, më duket keni qenë ju Nikollë!?”

Patrioti Nikollë Mrijaj, u mundua të risjellë në kujtesë këtë episode dhe mbas disa minutash i tha, se i kujtohet shumë mirë ky rast. Kishim dëgjuar asokohe, se një meshtar katolik ishte arratisur nga Mirdita, i cili, gjatë udhëtimit kishte marrë një plagë dhe na thanë se gjendet në Spitalin e Mitrovicës.

Nikolla shtoi, se sëbashku me Pader Tomën dhe Mark Përgjokën, u nisëm për t’a vizituar meshtarin e plagosur në spital.

Babai i Tomës, u gëzua shumë, që ai prifti, që kishin vizituar dikur në qendrën shëndetsore të Mitrovicës, kishte shpëtuar dhe sot është mik e kumbarë i nderuar dhe respektuar i familjes tonë.

Kur e pyetën Nikollën, për delegacionin nga Kosova në Tiranë, ai tregoi në detaje qëllimin e vizitës me Ministrinë e Brendshëm Kolë Bibë Mirakaj.

“Ardhja dhe koha e qëndrimit të Italisë fashiste, për Kosovën dhe trojet e tjera etnike shqiptare, ishte shpëtim nga kthetrat kolonizuese të sllavizmit serb.

Tashmë, kufiri shqiptaro-shqiptarë ishte i hapur dhe shqiptarët, për herë të parë, që nga koha e ardhjes së pushtuesve serbë ishin të bashkuar në një shtet të vetëm etnik.

Por nga ana e tjetër, në Kosovë, me partinë fashiste, filluan të rekrutohen shumë personalitete shqiptare.

Njeriu, që i rekrutonte ishte Pashuk Bibë Mirakaj, i vëllai i Kolë Bibës. Më vonë, Pashuku, mori edhe hapa të tjerë, ku, filluan menjëherë ankesat e popullatës së vendit.

Në zyrën time, vinin çdo ditë shumë ankesa pakënaqësie. Unë duke e ditur, se Pashuku kishte marrëdhënie shumë të mira me Gjokë Domgjonin, një mbrëmje sëbashku me Llesh Gjolleshin dhe Adem Dushin, shkuam në shtëpinë e Gjokës, ku, i treguam për ankesat e vendasve, ndaj Pashukut. Gjoka, mu drejtua mua si një mik i shtëpisë.

Nikollë mirë se keni ardhur! Ju e njihni shumë mirë Pashukun. E vetmja rrugë, për t’i ndalur hovin atij, është që ju të shkoni në Tiranë, tek i vëllai Kola. Gjatë rrugës e diskutuam me Ademin, i cili, ra dakord, që të organizohemi me disa burra të zgjedhur të vendit për atë udhëtim.

Ademi, ishte një njeri bujar. Ai ishte shumë i pasur dhe e donte shumë vendin dhe banorët, për hir të së cilëve u rikthye nga emigracioni i largët (Siria) në vendlindje. Si humanist, patriot dhe një njeri shumë i njohur në odat e burrave, i mori përsipër shpenzimet e udhëtimit.

Nga ana e tjetër, atij i interesonte të dinte më shumë për shtetin amë, kryeqytetin e vendit, politikën, ekonominë, kulturën, traditat e njërëzve dhe zonave, që ai nuk i kishte shkelur më parë.

U bashkuam në ditën e caktuar 8 vetë dhe dy shoferët, që i kishte caktuar Ademi, për të drejtuar makinat ushtarake, të përshtatshme për zonat malore, me të cilat, do të bëhej udhëtimi deri në Tiranë.

Sa mbërritëm në kryeqytet, ndodhi ajo që tha sot Akademik Profesor Dr. Rexhep Krasniqi, në zyrën e tij. Ne po prisnim në oborr, kur erdhi Prof. Krasniqi, na takoi dhe na ftoi të takohemi me Ministrin e Kulturës Koliqin, i cili, kishte shprehur dëshirën të takohej me delegacionin tonë. Në fund të takimin të ngrohtë dhe tepër miqsorë, ai na premtoi, se viti i ardhshëm do të jetë një vit i mbarë, për arsimin në Kosovë. Dhe ashtu ndodhi. Profesor Koliqi e mbajti fjalën…

Të nesermen, në hotel na njoftuan, se Ministri i Mbrendshëm ishte kthyer nga Shkodra dhe na pret. Kështu në mirëkuptim me të tjerët u vendos, që unë, Adem Dushi dhe Llesh Gjon Lleshi të shkojmë në zyrën e tij.

Sa hymë brenda, Ministri, na priti me shumë përzemërsi. Unë fillova për t’i treguar, për qëllimin e udhëtimit dhe vizitës, por Kola, më ndaloi pa e kryer bisedën.

Ai, na tha: “Delegacioni i juaj, ka marrë emër të mirë. Në faqet e gazetave, sot shkruhet, se një delegacion nga Lugu i Drinit (Kosovë), u takua me Ministrin e Kulturës dhe Arsimit Prof. Ernest Koliqin, ku, kërkonin hapjen e shkollave në gjuhën shqipe…”

Shqetësimet, që më thatë mua për Pashukun, mos i diskutoni më, se kjo punë është e kryer. Unë, do të flas menjëherë me Pashukun, për ankesat mëse të drejta tuajat… Por, unë e di, se ju keni dëshirë me vizitu Kapidanin e Mirditës Gjon Markagjonin, në kullën e tij në Shkodër. Unë u jap përcjellësin dhe e lajmëroi Kapidanin, që t’u pret ju si delegacion. Kështu u plotësua edhe një dëshirë e madhe e jona…”

Nxënësi i fundit i Kolegjës Saveriane mons. dr. Zef Oroshi dhe Prof. Ernest Koliqi

“… Presim si zogla verës ndoi shkrim T’uejin…”

Janë këto fjalë nderimi dhe respekti, me të cilat i mbyllte shpesh letërkëmbimet e veta, shkrimtari modern në gjininë e prozës, Ministri i Arsimit Profesor Ernest Koliqi (1903-1975) me klerikun erudit mirditor Monsinjor Dr. Zef Oroshin (1912-1989).

Prof. Koliqi dhe dr. Oroshi, janë dy personalitetet e shquara të botës shqiptare në diasporë dhe pak njohur edhe sot në vendlindje për shkak të rregjimit komunist. Ata kishin studiuar për disa vite në Kolegjen Saveriane në Shkodër, një ndër më të famshmet në të gjithë trojet shqiptare...

Të gjithë miqtë e ngushtë të mons. Oroshit e dinë faktin, se kleriku ynë e kishte mik të ngushtë Profesor Koliqin dhe bashkëpunonte me ide e punime shkrimore me revistën serioze autoritative kulturore shkencore “Shejzat”, që asokohe dilte në Itali.

Me kalimin në amshim të personalitetit të madh shkodran prof. Koliqit, atdhetari e meshtari i përvujtur, përkthyesi, shkrimtari, studiuesi, teologu dhe filozofi i mprehtë mons. Oroshi, në faqet e revistës prestigjioze “Shejzat”, në numërin special të vitit 1975, përkushtuar tërësisht prof. Ernest Koliqit, shkruan 12 faqe të mbushura me fakte dhe argumente të veçantëa në punimin me titull: “Fiket Ernest Koliqi, një pishtar i letërsisë e i kulturës shqiptare”, duke e analizuar personalitetin e shquar të kombit në shumë rrafshe.

Ky studim esencial shkruar afërsisht 35 vjet më parë, zgjoi interesim në shtypin e kohës në diasporë. Ky është ribotuar në shumë gazeta dhe revista mbas vitit 1991 në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Zvicër, Suedi, Paris, Romë, Amerikë etj.,

Duke u kthyer pak mbrapa në kohë, duhet thënë, se në Shqipëri brezi i intelektualëve të shquar largpamës, ajka e zgjedhur e profesorëve dhe enciklopedistëve, që ishin dhe mbetën fryma dhe shpresa e vetme e lirisë dhe demokracisë së mirëfilltë Perëndimore në Atdheun tonë, si klerikë katolikë dhe laikë, nga propaganda dritëshkurtër ateisto komuniste bërbaltej e anatemohej pamëshirë…

Për të kuptuar më mirë rrethin e ngushtë të miqve dhe shokëve me të cilët kleriku shpirtbujar mons. dr. Oroshi, jetoi dhe punoi deri sa kaloi në lumnin e pasosun, mjafton të lexohet më kujdes libri i ri jetëshkrimor, që për 20–vjetorin e amshimit na dhuroi një ndër miqtë e tij të ngushtë studiuesi i palodhur Tomë Mrijaj.  

Jetëshkrimi i Monsinjorit, i pasur me burime origjinale historike. Ai është i shkrirë në mënyrë organike dhe në harmoni të plotë me bashkëpunëtorët e tij (një pjesë e mirë të së cilës ende jetojnë dhe dëshmojnë sot), dhe që me kujdesin e një hulumtuesi të vëmendshëm dhe pasionant Tomë Mrijaj, na e ka dhënë të gjallë klerikun dhe bashkëatdhetarin tonë.

Dom Zefi, sikurse e thërrisnin të gjithë në Atdhe dhe diasporë, është sot sërisht në këtë auditor miqësh klerikë të nderuar katolikë e dashamirë të tij dje dhe sot, besimtarë dhe bashkëatdhetarë, duke buzëqeshur me gjithë zemër mes nesh, me çibukun e burrit të urtë e të matur, sikurse malet e burrave të përmendur ndër shekuj të Mirditës, fjalë pak e punëshumë, fisnik në shpirt e i dhembshur me të gjithë, bari i palodhur i grigjës dhe një pjese të popullit të vet, të endur udhëve të botës për liri dhe jetë më të mirë.

Dr. Oroshi, deri sa kaloi në amshimin e jetës së pasosun, ishte krenar se çoi në vend amanetin vazhdimin e traditës së mësuesve të tij të mëdhënj, që i mësuan shkrim këndim, si: Mjedja, Fishta, Harapi, Shllaku, Zadeja, Kurti, Sirdani, Palaj, Prennushi, dhe Kapidanëve të Mirditës etj.

FIKET ERNEST KOLIQI, NJI PISHTAR I LETËRSISË E I KULTURËS SHQIPTARE[1]

Nga Msgr. dr. Joseph J Oroshi

Nji ndër fatëkeqësitë gati të përgjithta âsht se nierzit e mdhaj bahen aq të nevojshëm në rangun e tyne të përditshëm, saqë dalin vonë në pushim, e nuk arrinë m’e shfrytësue plotësisht përvojën e tyne të gjatë më krijime të reja, ose edhe për t’u dhanë dorën e fundit prodhimeve, që ata i dhanë nierzimit.

Shum herë ndigjova nga shqiptarët e Bostonit se Imzot Fan Noli nuk mendonte me vdekë!… pse donte me vijue punën e tij intelektuale, për t’u lanë sa mâ shum breznivet t’ardhëshme. Këtë të vërtetë e shprehë ma së mirit edhe proverbi popullor: “Nuk më lanë punët me vdekë!” Nji gjerman më thonte për kancelarin Adenauer: Sa të largohet nga Kançellaria, ai vdes. Këta ngjanë, sidomos me nierzit krijimtarë, si në shkencë e n’arte të bukura. Ata e përfillin rangun e tyne, jo vetëm si nji detyrë për t’u krye, por mâ tepër si nji vokacjon, për t’i kushtue jetën. Për ta nuk ka matëshmeni, as shmangie flijimesh, çfarëdo qofshin. Poeti lirik romak thonte për materialistat: Parja siellë punë pares. Anasjellëtas ásht për shkencëtarët e artistat: puna u shton unë e punës, përherë e ma tepër. Të kallun në psyhen e tyne, për të gjinikue ata çka në menden e tyne âsht sajue, sendergjue e shestue, per të mirën e nierzimit, naltësohen n’atmosferat e universalevet të pamatëshmenisë së kohës e hapsinës, tue harrue deri ligështinë e natyrës nierzore, së cilës Krijuesi, në setcilin individ, i ka vû nji cak.

Nder këso rrethanash e gjet vdekja papritmas profesor Ernest Koliqin, Ordinar i Universitetit të Romës për Letersinë Shqipe, për ma se tridhetë e pesë vjet.

Shêji i sëmundjes hajneshë të zemrës i pat trakllue te dera tash do vjet mâ para. Megjithatë, teksa pat dalë në pushim, ai i qe përveshë punës prodhimtare edhe ma me zell e shpejtësi se para. Si kemi marrë vesht nga miqët, ai punoi atë ditë ç’nga ora shtatë të mëngjesit e deri n’ora pesë të mbramjes, që do t’ishte e mbramja per tê.

E ndiente vetin të kënaqun se tash, i shkëputun nga punët e Universitetit, mund t’ia kushtonte krejtë kohën prodhimit letrar. Dihet, se ishte tue pregatitë Antologjinë e Letërsisë Shqipe (me shkrimtarë të mdhaj e të vogjël), dhe “Memoirs” e veta. Në mes të kësaj nisme sa të dobishme, aq të nevojshme, vdekja e pamëshirshme ia ngrini dorën, tue shterngue penden puntore. Keso çasesh mirë ma kujtojnë elegjitë vajtimore të malcorevet tona vdekjen e rapsodit të vendit:

Lahuta të pret me i ra

Por gishtat t’u kanë tha.

Nuk besohet se gjindet sot gjallë nji si ai, me përvojë e njoftuni aq të thellë e të gjithanëshme të shkrimtarëvet shqiptarë, që të ndërmarrë nji nisme sa të guximshme, aq edhe të vështirë, përpilimin e librit “Antologjisë Letrare Shqiptare”, me art e paanësi, sidomos në konditat e sotshme, si do të delte nga penda e tij.

Nga vjeti 1955, deri në 1961 paçë fatin të studjoshe n’Universitetin Shtetnor të Romës. Këtu paçë rasën ta njifshem ma s’afermi të ndiemin profesor. E paçë jo vetëm profesorin e Letërsisë Shqipe, por edhe drejtor të studimevet. Njoftunija, dashtnija e depërtimi me zotësi i shkrimtarëvet të ndryshëm, edhe i dytunorëvet e sidomos depërtimi i filozofisë së kangëvet epike shqiptare, në të cilat ai shquente nji “ethos” autokthon, të njij çivilizimit jetik Iliro-Shqiptar, e mbante audjencën e dendun shtang dhe u jepte të huejvet me kuptue se edhe populli shqiptar e ka dhanë nimesën e vet në brumbosjen e çivilizimevet të ndryshme Mesdhetare.

E njimend edhe specializimi i tij në doktorimin e Letërsisë ka qenë mbi Kangët Epike Shqiptare. Pat mbajtë miq personal rapsodët ma të njoftunit e malevet, si Gjergj Pllumbin e Shalës, Prendush Gegen e Pukës etj., e nder meshtarë ma së forti Patër Bernardin Palaj, françeskan, përmbledhës e hulumtues i madh i “Visaret e Kombit”.

Klasa e tij n’Universitet gjindej gjithmonë e dendun, jo vetëm me studenta të rregullt, por edhe me intelektual të tjerë, sidomos arbreshë, që dishrojshin të kishin njoftuni mbi letërsinë shqipe. Përsa u perket arbreshëvet mandej, u bâ udhëheqës për dashtninë e ringjalljen e gjuhës shqipe nder të gjitha ato koloni. Me anën e studentavet arbreshë, sikurse me hulumtimet e veta direkte, mblodh krejtë folklorin e traditat popullore jetike nder fshatet arbreshe.

Landa mâ e zgjedhuna e ketyne materjalevet qe përpunue shkencëtarisht nen drejtimin e tij, nder theza laurimit në letrësinë shqipe, n’Universitetin e Romës. Imzot Fan Noli i pat dhanë miratimin ma të madhin kësaj pune, pse thonte: Kurr nuk është bër një punë e tillë ndër Arbreshë.

Pjesë mâ të zgjedhuna të këtyne punimevet universitare qenë botue gjatë 18 vjetëvet në revistën zâmadhe të letrësisë dhe të kulturës shqiptare, “Shêjzat”, themelue e drejtue me zotësi e mbajtë gjithmonë në livel epror gjuhësijet, sikurse me flijime të mdhaja si ekonomike, ashtû të punës së panderpreme intelektuale të profesor Ernest Koliqit.

Kjo revistë, jo vetëm që gëzoi miratimin e pjesës ma të njoftun t’intelektualëvet shqiptarë në diasporë e të minoriteteve shqiptare, sidomos në Kosovë, por edhe nga jashtë Vûllajt e Shêjzavet, u përhapën si në Gjermani, Amerikë, Angli e shum universitete botnore. Per ma tepër, rreth saj u mblodhen penda nder ma të mirat e diasporës shqiptare, sikurse penda auktorësh të huej me jehonë nderkombtare, sidomos albanologë e historjanë gjermanë.

Me nji fjalë revista “Shêjzat”, qe ba epiqendra e letërsisë e kulturës shqiptare e në të njëjtën kohë shkollë e letrësisë shqiptare të stilit të naltë për rininë në diasporë dhe me kufizimet e njoftuna, nder minoritarë.

Vetëm breznitë e ardhëshme kanë per ta gjykue pa anësi e kanë për t’i dhanë çmimin e meritueshëm kësaj reviste zâmadhe. Kurdo, në kohën e ardhëshme, ata kanë për të bâ kërkesa e hulumtime letrare e kulturore, kanë per të gjetë se, në krahasim me botimet e tjera, në krejtë periudhën ç’nga vjeti 1939 e deri në mbylljen e saj, me vdekjen e krijuesit të saj më 15 kallnduer 1975, nuk kanë për të gjetë mbrenda kësaj periudhe botime tjera me përmbajtje letrare shqipe vijueshmenisht artistike të stilit të naltë, si “Shêjzat”, as botim tjetër çfaredo të papërziem, si kjo revistë, në demagogjinë e merzitëshme politike të këtyne tridhjetë vjetevet të fundit. E para, siç dihet, krijuesi dhe drejtuesi i saj, nuk ka qenë apolitik. Por këtu, ai dijti të përmbahej i tillë. Lirija në krijueshmeni dhe universaliteti i artit per të mirën e gjinisë nierzore janë ligjë të pakapërcyeshme për artistin e vërtetë.

Me vend e pat zgjedhë Prof. Karl Gurakuqi, dritë pastë, titullin e librit komentues me rasën e dhetë vjetorit të parë të revistës “Nepër vullajt e Shêjzavet”, të cilin e botoi në Romë, më 1969. Titulli vetë e përshkruen përmbajtjen e kopshtit (landës) së Shêjzavet. Jo kopsht ferrash, pasjonesh nierzore, por vullaj të njoma e të freskëta që, tue u rritë, lulëzojnë dhe në verën e lirisë japin frytet e bukura e të shishëme per të mirën e nierzimit.

Pregatitja dhe prodhimet letrare

Prof. Ernest Koliqi lindi në Shkodër, me 20 maj 1903, nga nji familje e njoftun tregtare e këtij qyteti historik ilir-shqiptar. Si mbaroi filloret në Kolegjën Saverjane të Jezuitëvet në Shkodrë, i ati, Shan Koliqi, e dergoi n’Italinë e Veriut për shkollat e mesme. Prodhimet e veta poetike në gjuhen italishte i filloi ç’nga rinija. Me 1919, këthen në Shqipni, në Shkodrë, ku Imzot Luigj Bumçi e Luigj Gurakuqi, tue njoftë në prirje letrare artistike, e nxisin të jepej mbas studjimevet të gjuhës e të veprimtarisë letrare shqipe.

Me 1923, së bashkut me miqt e tij shkodranë, Nush Topallin e Pater Anton Harapin, themeloi fletoren “Ora e Maleve”, organ politik i grupit liberal-demokrat, që drejtohej nga Luigj Gurakuqi. Si Gurakuqi, si, ma vonë, At Gjergj Fishta e Dom Ndre Mjedja, u banë udhëheqësat ma të ngushtit të tij, për t’i dhanë hove të reja e përvojë në letërsinë shqipe.

Megjithate, Koliqi qe i pari shkrimtar shkodranë i kohës së vet, që dashtas u largue nga shkodranishtja pak e tepër e theksueme nder shkrimtarët e tjerë të deri atëhershëm. Gjuha e tij ishte ma e pergjithtë, prandej mâ e pasun, stili aristokrat, periudhat të skalituna me adjektiva ngjyrëdhanës i jepshin gjallnim e valavitje gjuhës e stilit të tij artistik.

Në 1924, “Ora e Maleve” i besoi kryeredaksinë e asaj fletorje. Po në këtë vjetë e thrret Gurakuqi në Tiranë si sekretar privat dhe pak ma vonë bahet sekretar i Ministrisë së Mbrendshme, nen Kolonel Rexhep Shalën.

Ngjarjet e vjetit 1925 e shtyejnë të kërkojë strehim në Jugosllavi, ku pat rast të thellohej në poezinë e pasun popullore jugosllave.

Me 1928, Koliqin e gjejmë në Bari t’Italisë, në mes të grupit të mërguemvet shqiptarë Sotir Peci, Bahri Omari, Kost Paftali, Sheh Karbunara e, mâ vonë, në bashkëpunim për veprimtari të shqipes, me Mustafa Krujën në Zara.

Të parën vepër botoi Koliqi në Tiranë në vjetin 1924. Me pseudonymin Borizani, botoi shum poezina në “Lirija Kombëtare” të Gjenevës, drejtue nga dr. Omer Nishani.

Por vepra, që e paraqiti shkrimtar të dorës së parë të shqipes, qe vëllimi i novelavet “Hija e Maleve”, botue me 1929 në Zara. Shkruesit të këtyne rreshtavet i kujtohet mirë leximi i parë i këtij librit. Në të shihej qartë se jo vetem nji pendë mjeshtrore e re kishte lindë në Shkodrë, por me te dhe nji stil i ri, e bânte gjuhen mâ të lehtë, mâ t’ambël, mâ lakuese, të pasun e tërhjekëse, n’afërsi me gjuhët e mdhaja botnore, zhvillue me shekuj para sonës, për shprehjen e artit.

Po në këtë vjetë ai këthehet në Shqipni, ku mëson letërsinë shqipe, mâ para në shkollën Tregtare të Vlonës e mâ vonë në Liceun Shtetnor të Shkodrës. Shum nga nxanësit e tij u bânë shkrimtarë të vlefshëm të shqipes e t’arsimit shqiptar si në Shqipni, si edhe per nji kohë të shkurtë por të vlefshme, në Kosovë.

Me 1933, dha dorëheqje nga arsimi, për të shkue n’Universitetin e Padovës, n’Itali, për të vazhdue studimet.

Me 1936, u emnue Lektor i Shqipes pranë atij Universiteti, per Kathedrën e Albanologjisë, që drejtohej nga glotologu i famshëm Carlo Tagliavini.

Me 1937, u dokturue tue mprojtë thezën: “Epika Popullore Shqipe”. Po në këtë kohë u themelue në Romë, n’Universitetin Shtetnor, Selija e Albanologjisë. Me 1939, qe emnue Ordinar i kësaj Selije, ku qendroi deri sa doli në pensjon, me përjashtim të njij periudhet të shkurtë. E njimend, nga vjeti 1939, deri në fund të vjetit 1942, ai drejtoi Ministrinë e Arsimit në Shqipni. Megjithse koha dhe rrethanat ishin ato që njifen, nen nji okupim, asgjamangut Prof. Koliqi dijti t’i shfrytësonte të dyja. Nen Ministrinë e Arsimit t’atëherëshme, u botuen tekste shkollor shqipe e libra, ma tepër se ç’nga vjeti 1912 e deri n’atë kohë.

Por merita ma e madhja e këtij dikasterit t’Arsimit ka qenë hapja e shkollavet shqipe për të parën herë ndër krahinat e ndryshme kosovare. Kosovarët vetë e pohojnë se kjo nisme e fillimit të shkollës shqipe në Kosovë, nuk mund të quhet as nji rilindje, pse çka nuk ka eksistue kurr, nuk rilindë, por nji lindje e vertete historike per nji popullësi prej mâ se nji milion frymësh, përba prej analfabetësh, mâ se 90 %. “Nuk kishte nji mësues, profesor, gjygjtar, avokat, doktor medicije, me nji fjalë nuk kishte asnji person prej kombësisë shqiptare në profesjonin intelektual”, na thotë Dr. Rexhep Krasniqi, në nji artikull në nr e fundit të revistës “Shêjzavet”, ku përshkruenë mjerimin e terrësinavet të Mesjetës, ku i kishin lanë regjimet monarkike jugosllave t’atyne kohëvet. Ky qe vetë dishmitar i asaj gjendje, derisa qe ngarkue nga vetë Ministri, prof. Koliqi, Komisar i Ministrisë për Internatin e Prishtinës, që do bahej çerdhja e arsimtarëvet e arsimtarevet të ma vonëshme.

Prap po i lamë fjalën dr. Krasniqit, nga i njajti artikull: “Para se të nisej në krye të detyrës (per Kosovë) Z. Krasniqi pat nji bashkfjalim të gjatë me Prof. Koliqin, i cili, nder të tjera udhëzime, shquejti tri pika me ranësi të posaçme:

1)Ministrija e Arsimi, ven bujarisht në dispozicjon mjete financjare dhe material të ndryshëm për ekuipazhimin e shkollës dhe t’Internatit, si dhe per ushqim e veshëmathje të studentavet bursista;

2)Mësimi i gjuhës shqip, do të kishte prioritet mbi të gjitha landët e tjera, mundësisht me nga dy orë të përditshme per të gjitha klasat dhe, po per këte qëllim, ai i porositi që:

3)Studentat e kësaj shkolle nuk do të kishin nevojë të marrin pjesë n’organizimin e rinisë fashiste, siç ishte gjendja në Shqipninë e vjetër” (Shêjzat, XVIII, 1974, Nr. 1-10, f.10).

Bursistat e Internatit ishin 200, të gjith me bursa qeveritare dhe drejtohej nga prof. Vasil Andoni.

Në dritën e sotshme besoj se gjithkush e kupton randësinë e kësaj nisme historike. Per ma tepër, po gjatë asaj kohe, themeloi, bashkë me Mustafa Krujën dhe prof. At Zef Valentinin (1900-1979) Institutin e Studjimevet Shqiptare në Tiranë, i cili përmblodh në gjinin e vet shkrimtarët e poetët ma të njoftunit në botën shqiptare.

Ma vonë ai e la Ministrinë e Arsimit e kohën e punën ia kushtoi krejtësisht këtij Institutit.

Mbarimi i Luftës së Dytë Botnore rishtas e gjenë prof. Koliqin tue dhanë mësime në Romë, si titullar i Kathedrës s’Albanologjisë n’Universitetin Shtetnor të këtij kryeqytetit.

Me 1957, me dekret të Kryetarit të Republikës Italjane, Kathedra e Shqipes pranë këtij Universitetit, per njohje prestizhit, u naltue n’Institut Studjimesh Shqiptare.

Botimet ma të njoftuna të Koliqit në Letërsi, janë: nji vëllim vjerrshash me titull “Gjurmat e Stinvet” (1934); nji vëllim novelash “Tregtar Flamujsh” (1935).

Porse aktiviteti i tij letrar gjindet sidomos nder të përkohshme të ndryshme, si në: “Hylli i Dritës”, “L.E.K.A.”, “Minerva”, “Illyrija” -që drejtohej nga Asim Jakova, -“Gazeta Shqiptare”, “Ora e Malevet”, etj.; “Studimev Letrare mbi dy Kolegjat shkodranë, të Jezuitëvet e të Françeskajvet”; “Mbi poetët Simbolista të Flandrës”, “Mbi Reflekset Lindore në Letërsinë Shqipe”; “Mbi Artin Krijimtar të Rapsodvet të Malevet të Veriut të Shqipnisë”.

Nder këto vjetët e fundit botoi romanxin “Shija e bukës së mbrume”, sikurse vëllimet me nji varg poemthash në prozë: “Pasqyra e Narçizit” e “Kangjelat e Rilindjes” në poezi; “Symfonija e Shqipevet”, perkthye anglisht nga Dr. Anesti Andrea.

Koliqi shkroi shum edhe në gjuhën italishte, tue përdorë edhe në këtë gjuhë gjithnji thematikë shqiptare, për t’u ba të njoftun të huejvet shpirtin e karakteristikat e shqiptarit.

Nder këto vepra, spikasin: “Epica Popolare albanese” (1937): “Poesia popolare Albanese” (1957); “Antologia della Lirica Albanese” (1963).

Menjiherë mbas botimit, autori ia dhuroi të nenshkruemit kopjen me këto fjalë: “Të Përndertit ... kët perpjekje me ua paraqitë bukurisht të huejvet anat ma njerzore të fisit arbnuer, me dashuni, vëllaznim e nderim i a dërgon. E.K.”

Ky vëllim 320 faqesh qe komentue në stil e terma eprorë, si nimesë Civilizimit Mesdhetar, në nji artikull dy shtyllash, në: “Giornale d’Italia” (shkurt, #4-5, 1964), shkrue nga nji nder klasicistat ma të mdhajt e Evropës, Ettore Paratore, autor e Ordinar i Letërsisë Latine n’Universitetin Shtetnor të Romës.

Ky pat zgjedhë e botue n’atë artikull pjesën e njij poezie origjinale të ndiemit autor, nji nder ma të bukurat e tija, me titull: “Estrema Visione” (Vegim i mbram). Në këtë poezi lirike, autori përshndet per të mbramen herë vorret e të parëvet e Atdheun, i sigurtë se nuk do ta shifte mâ per së gjallit, si ngjau:

 

Quando con un frullar di trepide ali

queste palpebre, stanche

di luce sempre effusa sul dolore,

mi chiuderai con un materno gesto:

mi sembrerà di risentir sul volto

il delicato tocco

d'una rama dei boschi, delle dita

vegetali dei boschi d'Albania,

dita di fresche foglie

asperse di rugiada,

le lacrime del nostro cielo, aulenti,

sudor segreto della nostra terra,

unico refrigerio

al divorante ardore

che mi consuma questa argilla umana,

dove rivive e soffre

la cenere degli avi:

ti seguirò spedito,

tacita condottiera,

sopra il sentiero aereo che conduce

al limitare cerulo

della Gran Luce che tu ci riveli:

pago se, prima di varcar le astrali

alte frontieri e sciogliermi

da questa umana argilla

che m'inceppa

mi mostrerai lontano

nei cieli, fra la bruma

dei miei terrestri di'

volti al tramonto,

le montagne natali

alfine circonfuse da un fiammante

vel di libere aurore.

Përkthime

Prof. Koliqi zen mandej nji vend kryesisht me randësi si përkthyesi ma kompetent që patëm nga italishtja e frengjishtja në shqip, sikurse nga shqipja n’italishtën. Qe i pari, që përballoi përkthimin e poetëvet të mdhaj, si: Dante Aligheri, Petrarca, Aristo Tasso, Foscolo, Carducci, Pascoli, D’Annuzio, Baudlaire, Maeterlinck, Verhaeren etj.

Per çdo shkrimtar krijimtar si Koliqi, âsht mâ vështirë me sjellë në nji shqipe të kulluet e artistike të këtillë poet, se me krijue nji vepër origjinal.

Ndoshta fort pak shkrimtarëvet shqiptarë u heci fati si prof. Koliqit, që të kishte si karrierrë jetësore, ma tepër në diasporë, arsimin e naltë të Letravet Shqipe.

Kjo ka qenë nji fatlumsi per ate, sikurse për Letersinë Shqipe. Në dritën e sotshme, e, nëse sot e kurr, veprat e shkrimet e tija do të mblidhen e të botohen në tanësi, prof. Koliqi padyshim mbetet shkrimtari origjinal ma i madhi i periudhës së tij, mbrenda e jashtë Shqipnijet.

Me qinda nxânsa Arbreshë, shqiptarë e italjanë kanë ndjekë mësimet e tija, n’Univeristetin e Romës, dhe, si u tha ma nalt, shum prej sish janë doktorue, tue rrahë thematike Albanologjijet. Mâ se katerdhetë theza laurimit pasunojnë me landë letrare, historike e gjuhësore arkivat e Institutit të Studjimevet Shqiptare, që ai themeloi dhe drejtoi me aq zotësi, pranë Universitetit të Romës. Në këtë mënyrë prof. Koliqi i ka pregatitë nji brezni të re, jashta Atdheut, Letërsisë Shqipe.

Besojmë se, sot per sot, kurrkuj nuk i bjen barra ma e randë se Institutit të Albanologjisë n’Universitetin e Romës dhe Qendres Nderkombëtare të Studimevet Shqiptare të Palermos, per botimin në tanësi të vepravet e të dorëshkrimvet letrare të prof. Koliqit. Do t’i bajshin sherbimin ma të madhin letërsisë e kulturës shqiptare në diasporë dhe do t’ishte nderimi e monumenti ma i madhi, që do t’i bajshin përkujtimit të Tij.

Prof. Koliqi qe i pari, që hapi periudhën e prozës artistike të letërsisë shqipe, në të cilën zen vend mbi nominativat, adjektivi me fuqinë kromatike të piktorit, gërshetue me jehonat e ambla të muzikantit. Gjuha e tij âsht zhurmuese si prrojet e lumejt shkallmuesa; asht si currili i kronit të kaltert e të pameshëm, që në verën rreshkuese me puhinë freskuese, grishë shtektarin me u flladitë dhe, dashtë e padashtë, me pi në te.

Per Mikun e katerdhetë vjetëvet dhe viganin e Letravet Shqipe mund të thomi çka la shkrue per vedi poeti latin, Horaci: Non omnis moriar.

Shenim: Msgr. dr. Joseph J Oroshi (Botuar në fillim në revistën Shejzat, Numëri Special, 1975 dhe ribotuar në revistën kulturore Jeta Katolike New York.)

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat