Qasje poezisë ode, Shpirtit, të Lasgush Poradecit - Bota Sot
Qasje poezisë ode, Shpirtit, të Lasgush Poradecit

Kultura

Qasje poezisë ode, Shpirtit, të Lasgush Poradecit

Nga: Sulejman Mehazi Më: 23 janar 2020 Në ora: 14:07
Lasgush Poradeci

1. Shpirti – Lajmërues qiellor për t`u bërë poet

Të japësh mendime të sakta se ç’është shpirti është mjaftë rëndë dhe problematike, sepse kuptimin e vërtetë të shpirtit nuk kanë mundur ta shpjegojnë edhe shkencat speciale siç janë: filozofia, psikologjia dhe religjioni; por me shpirtin ka të bëjë edhe poezia dhe artet të tjera në përgjithësi, sepse janë pjesë përbërëse të pandara të frymëzimeve shpirtërore.

Këtë na vërteton më së miri Lasgush Poradeci në poezinë odë

“Shpirtit”.

Të lus, o Lajmës qielluar!

O Frym’ e Zotit, Vetë Zot!

Me hirin t’ënd të pashteruar

Që ka mburim përjetësije,

Hirplot, o Shpirt, nër gaze Ti- je. ,

Dhe nër mjerime je hirplot!

Sipas këtyre vargjeve të para, na jep të kuptojmë figurativisht, se thelbi i frymëzimit poetik është shpirti që për poetin është Zot i poezisë, se pa këtë shpirt, s’ka poezi dhe art.

Fjala Frym dhe Shpirt në aspektin metaforik ka domethënien e thelbit të frymëzimit, apo e erës së freskët që i jep jetë poetit nër gaze dhe nër mjerime, që i jep qetësi, shqetësime dhe energji lëvizëse, Që ka mburim përjetësije, Shpirti, Hirplotë i ndritur ec nëpër trupin e poetit dhe poezisë, ashtu si drita që shpërndahet në gjithë universin. Pra, shpirti është produkt i këtyre kuptimeve si Shpallje, Lajmës qielluar, fuqi dhe ndihmë në gaze dhe mjerime.

Po kujt i lutet poeti, Lajmësit qiellor, po kush është ky lajmës?

Mos është “Shpirti i Shenjtë” apo Zoti që shkruan Biblën dhe Kur’anin, apo mos janë hyjneshat në fillim të Iliadës kur Homeri thotë: Këndo hyjneshë, mërinë e Akilit. Po t’i lutej Shpirtit të Shenjte apo Zotit, atëherë kjo lutje do të ishte religjioze-fetare, po t’i lutej hyjneshave të Homerit, atëherë kjo lutje do të ishte ndaj muzave të Homerit.

Po nëse mendojmë për shpirtin, mendojmë për diçka tjetër, që është më e lartë, më e fuqishme, më themeltare dhe më esenciale, sepse ky është Zoti i pranuar nga letërsia e veçanërisht nga poezia; pasi poezia ka të bëjë me të gjitha këto: me Shpirtin e Shenjtë, apo Zotin, me Biblën e Kur’anin, me hyjneshat e muzat, me dherin e dashurinë, me jetën dhe vdekjen, me shijen dhe ngjyrat, muzikën e pikturën, me harmoninë e bukurinë, me yjet e përjetësinë. Për ta kuptuar lajmësin apo gjallërimin e “botës s’onë” do të citojmë vazhdimin e kësaj ode:

"Ti botës s’onë-i prure lajmin

E nj’ëndrimit të pafaj:

Për mallin t’ënd më të pastajmin

Ti kuvëndon që përmi botë,

Dhe në gëzim i bije lotë,

I bije gaz në zi të saj."

Në bazë të këtyre vargjeve të mësipërme Ti botës sonë-i prure lajmin... shpirti është krijesë ose pasqyrim i “Lajmësit qielluar”, kjo tregon se nuk është rastësi dhe cilësi, por është substancë dhe thelb. Përderisa “që kuvendon përmi botë” dhe bie dhe hyn në trup ai ka jetë, “dhe në gëzime bie lotë”. Mirëpo gjallëria nuk është prej shpirtit, por prej “Lajmësit qielluar”, kështu që shpirti i poetit në njërën anë është i drejtuar dhe falënderues ndaj “Vet Zotit”, ndërsa nga ana tjetër ndaj vetes, dherit dhe vendit të tij:

"Kur del mi male yll’i dritës

E shuhet nata prapa ti,

Ti me vështrim vetëtitës

Çkëlqen në fund të zemrës s’ime

Dh’i bën prej këngës së një grime

Një të përjetshme harmoni."

Shpirti i poetit sipas poezisë nuk është as trup e as që i përket trupit, nuk është as brenda as jashtë kësaj bote, as i bashkuar e as i ndarë, sepse bashkimi dhe ndarja janë cilësi të trupave. Shpirti i poetit i emërtuar si qenie e arsyeshme është substancë e dritës që nuk mund të përkufizohet që me vështrimin vetëtitës / Çkëlqen në fund të zemrës së poetit, dhe është një ndër dritat më të përjetshme që krijojnë harmoni dhe është substancë që i përket botës harmonike metafizike siç thotë edhe Lasgush Poradeci: “...do të bisedojmë mi të fshehtat metafizike të krijimit artistik...” , nuk është substancë e errët dhe komplekse materiale që e përjetojnë ndryshimin dhe vdekjen. Shpirti është gjithnjë të pranojë frymëzimin dhe asnjëherë nuk lodhet nga ky frymëzim, po përkundrazi ushqehet nga frymëzimet poetike.

1.1. Tryeza, vendi i frymëzimit dhe krijimit të poezisë

Nëse analizojmë poezinë "Ri mbështetem në tryezë" qartë shihet se në dy vargjet e para:

Ri mbështetem në tryezë / Ndaj më shpesh e ndaj më rrallë, shihet një vetmi e poetit, kjo vetmi nuk e ka kuptimin e jetës pasive, pa veprimtari shoqërore, por kuptohet si veprimtari e cila në thelb ka për qëllim plotësimin e kushtit kryesor për krijimin e artit poetik. Siç e kemi te poezia "Ri mbështetem në tryezë."

Ri mbështetem në tryezë

Ndaj më shpesh e ndaj më rrallë,

Pa vjen malli të më ndezë

Zjarr në zemër, zjarr në ballë.

Cak i vërtetë i mbështetjes në tryezë është Malli i ndezur për poezinë në zemër e në ballë, ndërsa të gjitha gjërat tjera janë mjete për arritjen deri te ky cak. Poeti në këtë tryezë në vete përmban analizë të thellë të llogarisë së unit dhe paraqet rrugën më të sigurt të vajtjes së frymëzimit me” Zjarrin” e ndjenjës, fantazisë dhe intuitës në “Zemër” dhe “Zjarrit” të arsyes, mendimit dhe mençurisë në “Ballë” për të vajtur shpirtin e tij në përsosmëri, duke përkujtuar origjinën e frymëzimit të poezisë. Tryeza e poetit nuk është e mbushur me lakmitë ushqyese të kësaj bote, por e mbushur prej së larti me yje përjetësie, me zjarre e malle, me t’ëmbëla në duar, me fjalë të palosura poetike; kjo tryezë është lakmia ndaj gjërave më të ngritura kuptimisht se ato që posedohen, e ai është ylli i lartësisë.

"Sbret një yll prej lartësije,

Një të ndritur shkrepëtime.

Posi flakë e posi hije

Ajo ryn në zemër t’ime ."

Si fjalë nocione dhe tematike janë: Sbret një yll / në zemrën time, ylli i zbritur prej së larti është sinonim i frikës, mirëpo në kontekst të vargjeve përfaqësojnë edhe gjendje të ndryshme psikologjike dhe metafizike. P.sh. “shkrepëtime” përdoret në kuptim të shqetësimit të zemrës prej diçkaje që do të ndodhë në të ardhmen dhe nuk do të jetë sipas dëshirës së poetit. Frika më poshtë është si trajtë e shtrëngimit:

E kuptoj me shpirt të sosur / si kullon dale-ngadale, pastaj si frikë e tepërt: Posi flakë e posi hije / ajo ryn në zemrën t’ime.

Pas frikës së madhe gjendet potenciali që paraqet emocionin e zemrës gjatë vrojtimit të pasqyrimeve eterne dhe poeti bën kalimin e tij prej vetes ndaj qëndrimin dhe zbulimin të fjalës së palosur poetike, për t’ia hapur kindët fjalëve poetike.

E si fjalës së palosur

M’i hap kindën e një pale...

Këto fjalë të palosura paraqesin hapjen dhe emocionin e zemrës së poetit gjatë vrojtimit të pasqyrimeve eterne poetike dhe nxjerrja e tij prej vetes një psherëtitje apo pëshpëritje të brendshme shpirtërore për të shkruar kur një dit’ e kur një muaj. Si rrjedhim i kësaj psherëtitje:

"Mëndjen t’ime e merr dëshira,

Ndjej në gji një këngë gjaku,

M’i fal syrit plot çudira

Këjo odë varfanjaku:

Këjo oda s’ka mënyrë

Ku të kryhet, ku të nisë

Ndaj më ndrin si një pasqyrë

Drita e Përjetësisë."

Si rrjedhim i mëvonshëm i psherëtitjes shpirti poetik përjeton një shkrirje kuptimore poetike, një Zjarr, që djeg në shkrepëtimët / Duke ngjitur për së nalti / fërfëllon një flakë- e himët.... Kjo gjendje dhe kjo shkrirje që ndrin si Drita e Përjetësisë është mjet e assesi qëllim sepse qëllimi i frymëzimit poetik nuk është shkrirja kuptimore, por është shkaku apo vendi deri te i cili arrihet nëpërmjet saj. Pika e fundit e shkrirjes kuptimore është vërtetimi i harmonisë dhe njëshmërisë së poezisë:

"Me kullim të pashteruar

Ajo del prej vetes s’ime,

Del nga shpirt’ i përvëluar

Nër një mijë shkëndijime."

Domethënë njëshmëria apo vërtetimi i harmonisë nuk është inkarnim ose unjësim poetik, por është njohje e krijimit poetik dhe si rrjedhim kjo njohje krijuese si rezultat i bukurisë dhe harmonisë krijuese, poetin e abstrahon nga vetvetja dhe dhoma e varfër që e rrethon dhe ai nuk ndjen asgjë tjetër veç Yllit vet. Kështu që krijimi, poezia apo Ylli vet është si i vetmi sundues dhe i pranishëm në universin e ekzistencës së poetit.

"S’është gjë: veç yll’i vetë

Më s’më djeg në kraharuar:

Unë shoh me gas të qetë

Këngëzën e përvëluar:"

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat