Franc Jakova

Kultura

Franc Jakova

Nga: Nasho Bakalli Më: 27 janar 2020 Në ora: 17:48
Nasho Bakalli

Sot ai është 84 vjeç; dhe jeton në një shtëpi për të moshuarit diku në periferi të Tiranës. Ishte zgjedhja e tij në rrethanat që jeta i'a solli. Ky rast nuk është as i pari dhe as i fundit për të moshuarit. Shyqyr që janë shtëpitë e të moshuarve ngase, ç'do të bëhej po të mos qenë këto institucione që sigurojnë vazhdimësinë natyrale të jetëve njerëzore.

Motivi që më dha shtysë të shkruaj, sa vijon për Franc Jakovën, ka për themel - njerzillëkun. Ky tipar shpërfaqet sjelljet që përbëjnë qëndrimin e tij ndaj familjes; shoqërisë; dhe në punën  si gjykatës deri, anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Po e nis, nga kjo e fundit. Franci është nismëtari më i hershëm i asaj që sot quhet: reforma në drejtësi. Në kishte dicka që Franci e urrente ishte pikërisht marrëdhënia me padrejtësinë e cila, po merrte një pozitë gjithnjë e më të dukëshme në pushtetin gjyqësor. Padrejtësia nuk kishte lidhje me Francin; apo, kishte lidhje me atë por në sensin e kundërt që ishte, këmbëngulja për zbatimin me ndershmëri dhe paanësi e ligjit. Vendosmëria për ta mbrojtur të drejtën ka, edhe në demokraci, kufizimet e saj të rrepta. Realitetit të egër, Franci, i'u përgjigj me ndërprerjen e mandatit vetiak 9 vjeçar si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Me dorëheqjen e tij, kaq pati në dorë, Franci i'u bëri të ditur konkretisht, kolegëve dhe shtetit shqiptar, se nuk pajtohej  me padrejtësinë. Franci edhe kur ishte jurist në Prokurorinë e Përgjithëshme; gjykatë, dhe në Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore, Shkodër, i falej vecse drejtësisë.

Me  miqtë e vjetër e më të ngushtë të Francit unë jam shoqëruar edhe këto ditët e fundit e mes tjerave kemi rikujtuar përkushtimin e tij të lartë, treguar ky paprerë, në gjirin e familjes vet. Dhe si shembull - për të cilin nuk pranoj   hamendje, nga kushdo qoftë ai njeri - po ju tregoj se çfarë veprimi Franci ndërmori kur ishim në Kosovë, për një turne miqësor, në qershor të vitit 1971, me ekipin e volejbollit të Vllaznisë të Shkodrës; trajner i të cilit ishte prej disa vitesh Franc Jakova njëkohësisht, gjykatës në detyrë i Gjykatës Shkodrës. Bashkshortja e Francit ishte nga Bashkimi Sovjetik ku - Franci u diplomua si jurist - u njohën, dashuruan. Pastaj erdhën në Shqipëri. U punësuan në Tiranë, Krijuan kështu familjen e tyre. Ndërkohë, Franci ishte edhe lojtar kryesor i ekipit të volejbollit "Dinamo" të kryeqytetit, dhe i ekipit kombëtar shqiptar. Pas prishjes së marrëdhënive shtetrore midis Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik quhej gabim që gratë nga Bashkimi Sovjetik, të martuara në Shqipëri, të komunikonin me  familarët e tyre, atje. Pra,  Franci duke qënë në Kosovë (atëhere, krahinë socialiste autonome e RSF të Jugosllavisë) mori në telefon familjen e bashkëshortes së tij në Bashkimin Sovjetik.  Dhe, shkëmbeu me prindërit e saj ndjenjat e vetvetshëme të  mallit, mirëqënies, punës, shëndetit. Kjo ishte e tëra ajo që ndodhi, Dikush, shpejt e shpejt, mund të thotë se nuk ndodhi qameti, dhe, as u krye ndonjë akt i veçantë njerëzor nga ana e Francit. Në fakt qameti ndodhi sepse, kur u kthyem  në Shkodër, veprimi i lartpërmendur i Francit pati marë dhenë. Ai u ndëshkua, me ulje në detyrë, nga organizata e partisë dhe kolektivi punonjës i Gjykatës Shkodrës. Kjo për atë kohë ishte, një qamet jo i vogël. Dënimi, atij i'u duk pendë e lehtë në krahasim me barrën e rëndë që do ti peshonte për jetë në zemër, po të mos e kishte përfillur fatin që i trokiti në derë. Asnjëherë - pasi u kthyem në Atdhe e deri sot -  nuk dëgjova nga Franci as një gjysëm fjale e cila të shprehte pendim, apo më pak se pendimi; sytë e tij bojëqielli gjithmonë shkëlqejnë gëzueshëm. Shprehje kjo, e dashurisë së çiltër të Francit për bashkëshorten, dhe e respektit të tij për familjarët e bashkëshortes. Dashuria e Francit triumfoi, karshi dhimbjes. Kjo e fundit shërohet, ose venitet me kalimin e kohës; ndërsa dashuria për familjen  është një gajle tepër e rëndë nga e cila nuk mund të çlirohesh apo ti bishtosh; thjeshtë lipset të kesh vullnet të çash përpara; të bësh atë hap i cili për disa të tjerë, po në kushte bashkëshortore si të Francit, dukej i pamundur.

Ky soj argumeti, e përshkon fund e krye personalitetin e Francit. Besoj te ky përfundim sepse, ndjenja të çiltëra njerëzore mbante e shpërfaqte Franci edhe me ne, të gjithë, lojtarët e ekipit volejbollit "Vllaznia" e Shkodrës. Franci ishte trajner, dhe mësues njëherazi. Jo shumë ishin në numër ata trajnerë që ia dilnin të përballonin, me etikë të shëndoshë e dije të dobishme  sportive, stërvitjet ekipore pesë ditë në javë dhe ndeshjet e të dielave të kampionatit; të kupës të Republikës; e të tjera veprimtari kombëtare e ndërkombëtare. Nuk mbaj mend, sepse nuk ka ndodhur, që Franci ta ketë ngritur zërin; apo, të mbante mëri e ta "gozhdonte" në stolin e rezervave ndonjërin prej nesh, volejbollistëve. Sa herë që ne gabonim apo dredhonim në kryerjen e ushtrime stërvitore ai, vetëm buzëqeshte. Kaq mjaftonte që ne të ulnim kokën. Kur ne, lojtarët, shiheshim shtrembër apo thumbonim me batuta njëri tjetrin - ndodh kjo gjë në sport edhe sot -  Franci na shikonte drejt e në sy duke ngritur dorën lart si me përtaci. Kjo mjaftonte që ne të shuanim. Na mbeti peng të gjithëve, lojtarëve të ekipit -   flas për tre kampionate rresht, aq sa unë luajta me "Vllazninë" - që u renditëm vetëm të dytët, pas Dinamos, në klasifikimin e përgjthshëm përfundimtar kombëtar. Nuk i'a plotësuam dot dëshirën as trajnerit tonë të nderuar; vërtet i respektuar. I kishim të tëra mundësitë, jo vetëm Francin trajner, po edhe Ali Bushatin, Tonin Fistanin, Sandër Palokën, Viktor Jubanin, Agustin Gjonin, Kujtim Danin ... volejbollistë me emër në tërë Shqipërinë, dhe në ekipin kombëtar të volejbollit. Ende mbajmë barrën e dhimbjes  për ato kampionate që nuk i fituam dot; punë fati. Nuk i kënaqëm plotësisht as sportdashësit, dhe as zyrtarët e klubit sportiv "Vllaznia" të Shkodrës. Megjithatë, askush prej tyre nuk ngucej të shprehte ndonjë ndjenjë sado të vogël pakënaqësie për Franc Jakovën. Jo se kishin droje po sepse,  Franci nuk i lejonte vetes asnjë lloj shkapërcimi, nga korrektesa, në marrëdhëniet me to. Këtu po e mbyll, jo se nuk kam çfarë të shkruaj më shumë - përkundrazi - po sepse, edhe gazeta ka normat e veta të pasqyrimit të shkrimeve.

Koha  ka vetinë të shëndrohet edhe në një send të cilin gjithkush mund ta vendosë në një peshore, e pastaj të shikojë shigjetën që lëviz djathtas dhe, tregon peshën reale të gjithkujt, njerzillëkun. Këtë mësim - jo vetëm unë që isha në moshë fare të re, jabanxhi në Shkodër - e morëm drejpërdrejt nga Franc Jakova. E si të mos i jesh mirënjohës. Nasho Bakalli.                                     ..                                    

https://vllazniavolejboll.webs.com/166932_337537402927882_1643833894_n.jpg

4.qershor.1971

Franc Jakova (trajner); Flamur Agolli (zv/trajner).

Lojtarë: Ali Bushati (5) / Nasho Bakalli (6) / Irfan Boriçi (9) / Agustin Gjoni (3) / Aleksander Paloka (1) / Tonin Fistani (7) / Mihail Shterkiç (2) / Viktor Jubani (10) / Xhelal Harxhi (4)/ dhe Vesel Rizvanolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat