Lalë Gega

Kultura

Lalë Gega

Nga: Gjon Marku Më: 28 janar 2020 Në ora: 23:24

Tik-taku i zemrës sime kishte një ritëm të pazakontë. Gjithë qenien ma kishte pushtuar një padurim, ndërsa ajo nuk po dukej, edhe pse gjithnjë ishte korrekte dhe e përpikët. Vështroja herë në një drejtim të rrugës e herë në një tjetër, në atë kryqëzim rrugësh në afërsi të së cilës gjendej stacioni i autobusave që niseshin prej qytetit të vogël drejt kryeqytetit. Atij qyteti, si bedana kalash madhështore i qëndronin përreth një kurorë malesh të veshura me një gjelbërim të hijshëm e të ëmbël si vetë pranvera. Në lulishten pranë stacionit të autobusëve, një burrë trupshkurtër, me flokë të bardha si bora në malet e larta që ende rrinte si kapuç mbi majat e maleve, vështronte njëra pas tjetrës, bimët zbukuruese të asaj lulishtje në mesin e së cilës gjendej një trandafil i kuq si buzët e saj të ëmbla. Diku, në krye të lulishtes, një trandafil i bardhë në të cilin kishin çelur vetëm se dy gonxhe të bardha, si flokët e plakut, që vente e vinte nëpër lulishten ngjitur me hotelin e vjetër.

Gjithnjë i kisha dashur pa fund lulet e kurdoherë në tavolinën e vogël në mesin e dhomën Nr 65, atje në katin e tretë të godinës Nr. 3 në qytetin Studenti, kishte lule të freskëta, e për to jo vetëm unë, por edhe shokët e mi kujdeseshin që ato të mos thaheshin e vyshkeshin. Vetëm Gaspri ishte disi ndryshe, ai sa herë nuk gjendej kush tjetër në dhomë, e merrte tufën e luleve nga vazo në mesin e tavolinës dhe si pelivan drejtohej për tek godinës 8 që t’ia dhuronte atotë dashurës së tij duke e lënë tavolinën tonë të shkretë. Po asnjëri prej nesh nuk fliste, veç qeshnim me njëri-tjetrin dhe për një kohë të shkurtër o njëri o tjetri binte një tufë të re lulesh. Në fakt vetëm Gaspri e kishte deklaruar dashurinë me Oltën, ndërsa gjithë të tjerët bënin si shenjtër, po sa binte mbrëmja njëri pas tjetrit se ku humbnin, për një a dy orë.

Kështu edhe mua më kishte rastisur shpesh të kthehesha në dhomën time me ndonjë tufë lulesh në dorë, të cilën pasi e vija në vazo e sodisja disa çaste.

...Me vështrimin e hedhur tek plaku kisha humbur në një botë tjetër dhe isha hedhur në jetën time, në disa kujtime të së shkuarës. Pikërisht atëherë, në shkurt, kur kishin lulëzuar mimozat e para unë kisha hedhur disa hapa të shpejtë dhe isha ndalur para saj si i zënë në faj, dhe kisha mërmëritur si të isha memec fjalitë që në fakt nuk kishin as fund, as fillim, por që gjithsesi ishin kuptuar prej saj. E qysh atëherë jeta ime ishte bërë krejt tjetër.

- Hë more, pse nuk më merr një trandafil, apo harrove se atëherë me tufat e mimozave, apo tani mendon për ndonjë tjetër, - foli Anisa nga prapa meje dhe si lëshoi përdhe dy çantat që mbante në duar m’u hodh në qafë. Pasi e putha fort e gjithë mall, i mora çantat dhe si i vendosa në bagazhet e autobusit dhe e pyeta shoferin se dhe sa kohë kishte të nisej autobusi.

- Po ka edhe më se një çerek ore, - tha shoferi.

- Sa bukur, shih ç’trëndafila të bukur, - tha Anisa dhe unë nuk prita më, por fillova të shkel mbi bar dhe u drejtova drejt trandafilit dhe këputa dy prej tyre.

Plaku flokëbardhë porsa më pa rendi drejt meje.

- Ç’bën more djalë? Unë i zënë në faj nuk luajta nga vendi e nërkohë ai u afrua ngadalë drejt meje.

- Më fal, i thashë dhe vështrimin e hodha drejt Anisës, që qeshte dhe vështronte nga unë.

Më fal, - përsërita sërish, unë jam student, ndoshta kam bërë gabim që nuk ju pyeta.

Plaku më vështronte ngultas dhe nuk fliste asnjë fjalë sa që unë mendova për një moment se ai do të bëhej i egër e do të lëshonte një duf të sharash mbi mua.

- Nga je, - pyeti ai me një zë të butë dhe të lehtë që dridhej.

- Nga këtu jam, unë jam djali…

Fytyra e tij mori një pamje tjetër.

- Më falni përsërita sërish dhe bëra të largohem.

- Jo more djalë, jo, - mërmëriti plaku dhe pashë se dy pika loti kishin marrë udhë e rrokulliseshin nëpër faqet e tij. Kjo mua më bëri të ndjehem shumë keq. Po nuk dija çfarë t’i thosha tjetër e nuk dija çfarë të bëja.

Prej xhepit të mbrapëm të pantallonave plaku nxori një palë gërshërë dhe nisi të këpusë njëri pas tjetrit disa trëndafila. Nuk po kuptoja asgjë, ai qante për dy trandafilat që kisha këputur unë nga e njëjta rrënjë, e ai vetë tani po i këpuste njëri pas tjetrit, disa trandafila të asaj bime.

- A bën ta shoh atë vajzë? - mërmëriti plaku.

Unë u hutova fare, dhe nuk po merrja vesh asgjë.

- Ja ajo aty, - thashë unë me gjysëm zëri dhe bëra me dorë nga Anisa, e cila priste në këmbë.

-Qenka vërtet si një thëllëzë mërmëriti. Pasi iua preu trandafilave të gjithë gjembat që kishin nëpër degë, prej dore zgjidhi një fjongo dhe e lidhi me të tufën e madhe dhe të bukur të trandafilave dhe ma zgjati mua.

- Prit këtu! - më tha dhe nxitimthi me hapa të lehtë e të shkathët u drejtua në krye të lulishtes ku ishte trandafili i bardhë dhe pasi i këputi të dy rendi sërish drejt trandafilit të kuq ku këputi edhe disa trandafila të tjerë duke lënë vetëm gonxhet e paçelura bëri dhe një tufë tjetër dhe me tha:

- Merre more bir, paç jetë të lumtur!

Isha shtangur i tëri. Ai vetëm pak çaste më parë më ishte turrur gjithë duf, për dy trandafila që këputa dhe e kisha parë të përlotej po pastaj ai vetë i kishte këputur të gjithë trandafilat e çelur dhe kishte bërë me to ato dy buqeta lulesh e tash m’i dhuronte mua të dyja.

- Merri të pastë gjyshi, merri, qoftë e bardhë si këta dy trandafila të bardhë jeta juaj!

- Më fal, - mërmërita unë… Po nuk pata mundësi të thosha gjë tjetër.

- Merri biri im, më tha plaku, - i ke prej Lal Gegës….

Shoferi i ra borisë së autobusit si për të thënë se po nisej, ndërsa prej dritareve të autobuzit vinin zërat e bashkëmoshatarëve të mi që thërrisnin vrapo Agron se u nis autobusi, kështu që unë vrapova drejt tij me të dy tufat e trandafilave në dorë pa kuptuar asgjë dhe pasi zura vend vështrimin e hodha drejt tij, atje në mesin e lulishtes pranë trandafilit të kuq, që kishte mbetur vetëm me gonxhet e paçelura.

filloi të rrëshqasë ngadalë drejt rrugës kryesore dhe Lalë Gega mbeti aty duke bërë me dorë, derisa unë e humba prapa pallateve.

Ia dhurova tufën e luleve Anisës, dhe i thashë se na i kishte dhënë Lal Gega që na kishte uruar jetë të lumtur e të pastër si trëndafilat e bardhë.

- Ua, Anisa, nuk do më japësh vetëm një mua? - i tha Flora. Anisa i shkepi dy prej tyre dhe ia dha Florës.

- Merre Flora, njërin e ke për Eugenin!

- Faleminderit

- Uro dhe Lalë Gegën, - i thashë unë.

Pak më tej Genti me Fatbardhën

- Anisa, po për ne nuk ka? - tha Fatbardha.

- Po ti Gentin aty e kishe, - tha gjithë mburrje Anisa dhe këputi dy të tjerë për Gentin dhe Fatbardhën

Kështu të gjithë morën nga Lulet e Anisës e të gjithë e morën vesh emrin e Lalë Gegës, po unë nuk e preka tufën e trandafilave të kuq në mesin e së cilës ishin dy trandafila të bardhë.

Ishim kthyer në qytetin “Studenti” e unë ia kisha dhuruar gjysmën e tufës së trëndafilave të dashurës sime, një trandafil të bardhë e kisha marrë për vete e një ia kisha dhënë asaj.

Po asgjë nuk kisha kuptuar, e kjo histori shpesh më ishte kujtuar, derisa trëndafilat ishin tharë plotësisht. Ai trëndafil i bardhë, kishte qëndruar në vazon e luleve, në mesin e tavolinës në dhomën nr. 65, në katin e tretë të godinës Nr 3 deri sa ishte tharë e petlat i kishin rënë të tëra.

Më janë tharë trëndafilat e Lalë Gegës më tha një natë para godinës Nr 8 e dashura ime. Po ne nuk ktheheshim dot se ishim në sezionin e provimeve, kështu që kaluan muajt e gjatë pushimeve verore, nuk më rastisi ta shoh më Lalë Gegën e kjo histori filloi të zbehet në kokën time. Krejt atëherë, kur unë e kisha harruar, u rikthye në kujtesën time historia e trëndafilave.

Bashkë me time shoqe, me të cilën nuk kishim as një vit martesë, kaloja pranë tabelës ku viheshin lajmërimet e vdekjes dhe pashë fytyrën e plakut të trëndafilave që të nesërmen varrosej.

Brendas meje sikur u këput një fill.

- Ç’pate, pse je zverdhur? - mërmëriti ime shoqe.

- Paska vdekur Lalë Gega.

- Kush?

- Lalë Gega.

- Kush është Lalë Gega?

- Ja ky plaku nuk të kujtohet?

- Jo unë se kam parë kurrë.

- Si nuk e ke parë kurrë.

- Jo, kurrë,- foli ajo gjithë turr.

- Po kush është ky, se më plase?

- Ky është Lalë Gega, Anisa, si nuk e kujton?

Një çift i vjetër kaloi pranë nesh.

- O paska vdekur ky armiku i dreqit, - foli gjithë duf gruaja, që duket se nuk kishte kund asnjë pikë shpirti.

- Mos fol ashtu grua! - foli i shoqi, - ato punë nuk i dimë ne, tjetër kush i di e i gjykon.

- Si nuk e kujton Lalë Gegën, - i thashë unë sime shoqje dhe vështrimin e hodha në hapat e asaj guaje llafazane, që vijonte të hidhte baltë mbi Lalë Gegën edhe për së vdekuri.

- Pusho, tha Anisa, - a nuk e dëgjove atë gruan që tha se ai ka qënë armik.

Lëri këto Anisa, Lalë Gega është ai plaku që na dhuroi tufat e trëndafilave.

- Oh! Po më kujtohet tani. Por si duket ai…

- Çfarë si duket. Ai ka qenë një njeri me një shpirt të madh. Mua më ka uruar me gjithë shpirt, e më ka dhënë një për një gjithë trandafilat e lulishtes për ty, e ti guxon të hedhësh baltë mbi të sot si, të ishe shtrigë.

Pusho Agron, se po të dëgjon njeri.

- Si të pushoj?

- Jo Agron, po kushedi si është puna me të ne se dimë tamam kush është?

U kthyem në shtëpi dhe unë pyeta nënën time se kush ishte Lalë Gega.

- Eh, mor bir, ishte burri i dheut. Njeri që nuk vritej për gjak. Kushuriri yt ka qënë shkolluar jashtë shtetit, dhe këtu e patën internuar…

Sa herë shoh të rinj që u dhurojnë të dashurave të tyre trandafila të kuq, gjithnjë mua më vjen në mendje Lalë Gega.

Kohët ndryshuan e unë bashkë me tim bir një ditë shkuam ndër varreza të mbillnim disa trëndafila rreth varrit të tim eti.

- Si thua? - i thashë tim biri që ishte i vogël. - A ta mbjellim një trëndafil dhe tek varri i Lalë Gegës?

- Po kush është Lalë Gega? - pyeti ai, e unë ndërsa hapja gropën e vogël për të mbjellë trëndafilin, tregoja historinë e Lalë Gegës. Në fakt çdo pemë e lulishteve sikur ka emrin e tij, ai vetë i mbolli të gjitha pemët e qytetit tonë të ri mes malesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat