Dy vjet rezistencë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar

Kultura

Dy vjet rezistencë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar

Më: 10 shkurt 2020 Në ora: 13:08
Foto

Janë mbushen plot dy vjet nga nisja e betejës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, me krijimin e një Aleance që iu ka rezistuar presioneve, dhe përpjekjeve të vazhdueshme nga ana e qeverisë për ti përçarë.

Në këto dy vite shumë prej artistëve iniciatorë janë përçarë rrugës, protestat mund të jenë zbehur, por për aktoren Juri Emiri kauza vijon që të qendrojë, dhe beteja ndaj shtetit do të fitohet.

E ftuar në studion e Fax News, Emiri u shpreh se kauza për mbrojtjen e Teatrit është shndërruar tashmë në kauzë për Mbrojtjen e Demokracisë, ndërsa shtoi se artistët që kanë ndërruar qendrim gjatë rrugës, kanë pasur presione dhe frikën e humbjes së vendeve të punës.

“Këtu ndodhin çdo ditë ngjarje që të trondisin, kjo protestë nisi për Teatrin Kombëtar, dhe u përhap dhe u përhap, pasi çështja e Teatrit lidhet me shumë shqetësime të tjera të shqiptarëve. Prej qeshorit të 2018-tës, protesta është e përditshme, kemi pasur dy protesta përpara parlamentit ku kaloi dhe ligji special, kemi pasur dy marshime drejt presidencës, ku presidenti nuk e kaloi ligjin.

Një nga pikat më të forta ishte 24 Korriku, natën që mësuam se ata do të vinin qendruam aty, dhe prej asaj dite ne kemi monitorim 24 orësh për Teatrin. Policia qendroi aty deri në orët e vona të natës, dhe ne kemi pasur një luftë aty, psikologjike dhe fizike, dhe prej asaj dite ne hymë aty brenda, dhe nisëm shfaqjet.

Janë dhënë më shumë se 50 të tilla në Teatër, dhe kemi marrë një mbështetje shumë të madhe nga Kosova, Maqedonia, Italia dhe Amerika”, u shpreh Emiri.

“Njeriu kur i hyn një lufte, nuk merr parasysh fare frikën, pasi të jesh me të drejtën të bën të jesh shumë i lirë, të heq dhe frikën, për më tepër duhet kuptuar se ky pushtet dhe këto probleme nuk janë vetëm të pushtetit, por janë edhe tonat që i kemi zgjedhur. Të gjithë ne që jemi në Teatër, mendojmë të bëjmë diçka që ti vlejë vendit”, tha më tej aktorja.

“Është qesharake sesi një kryeministër merr një nga një fjali të shkëputura të aktorëve dhe i hedh në Facebook, ne ky komunitet jemi, ndoshta jo më i shëndetshmi, por e rëndësishme është që ne treguam se kemi njerëz shumë të fortë Brenda vetes.

Kemi njerëz që vazhdojnë të luftojnë prej dy vitesh, që nuk kanë një qëllim jo të pastër, kanë qëllimin thjesht që kjo çështje të fitohet. Aktori ka përballë një publik, ndaj të cilit ndjen edhe përgjegjësi si qytetar”, u shpreh Emiri, që këmbënguli se kjo çështje do të ndiqet deri në fund, dhe se Teatri Kombëtar nuk do të mund të shembet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat