Libër monografik me vlerë-- historike

Kultura

Libër monografik me vlerë-- historike

Nga: Dibran Demaku Më: 13 shkurt 2020 Në ora: 12:22
Dibran Demaku

Për Kuvendin e Prizrenit (atë kuvendin e zi të korrikut 1945, ku Serbia edhe një herë do ta ankesonte Kosovën) kisha lexuar (e dëgjuar) shumë herë në mënyrat nga më të ndryshme. Vetëm një rrëfim i një të njohurit tim (Zeqir Sopaj) më ishte ngulur në mendje si asnjë tjetër. Në rrëfimin e Zeqir (Sopajt) thuhej: Në Kuvendin e Prizrenit një nga pjesëmarrësit ishte edhe Rifat Berisha (nip i të njohurit Tahir Berisha. Pas mbarimit të Kuvendit të Prizrenit të atij korriku ogurzi të vitit 1945, Rifati (Berisha) ishte kthyer në Drenicë në fshatin e tij dhe Tahiri (Berisha) e kishte pyetur: “Çfarë bëtë bre bir në atë Kuvend të Prizrenit dhe, pasi që Rifati i kishte treguar se si ishte organizuar ai kuvend i zi për Kosovën dhe kombin shqiptar të saj, Tahiri kishte ofsharë duke thënë: – E paskeni ba zezëditën për këtë vend dhe për këtë popull?!

– Nuk kishim rrugëdalje tjetër! – ia kishte kthyer Rifati, pasi që ne pjesëmarrësit shqiptarë, në krahasim me ata të tjerët, ishim pakicë dhe, përveç kësaj, ishim të rrethuar nga të gjitha anët nga ushtarët e armatosur serbë.

– Sa shqiptarë ishin pjesëmarrës në atë kuvend të zi?! – e kishte pyetur pastaj Tahiri Rifatin dhe, pas përgjigjes së Rifatit, Tahiri ia kishte kthyer:

– Eh, more bir, më mirë të ishit vrarë ju të dyzetët, sepse në të ardhmen do të vriten dyzetë mijë shqiptarë për ta nxjerrë Kosovën nga kthetrat e Serbisë.

Ky insert jetësor m’u kujtua sërish këto ditë derisa po shfletoja (dhe po lexoja) librin monografik për masakrën serbe mbi familjen Deliu të Abrisë së Epërme, të autorit Afrim Hysenaj! Dhe derisa po shfletoja dhe po lexoja (me një pikëllim të ligjshëm) për të masakruarit e familjes Deliu, përndryshe bashkëfshatarë të mi (që do të thotë të autorit të këtyre rreshtave) seç m’u kujtua edhe një herë ajo thënia profetike e Tahir Berishës, se për nxjerrjen e Kosovës nga kthetrat serbe do të duhej të derdhej gjaku i dyzetë mijë e më shumë shqiptarëve. Dhe kështu ndodhi vërtet! U deshën përpjekje mbinjerëzore mbi pesëdhjetëvjeçare derisa u arrit që me luftën e fundit të UÇK-së dhe të aleatëve perëndimorë, që njëherë e përgjithmonë Kosova të nxirret nga kthetrat e Serbisë pushtuese dhe gjakatare.

Vetëm në luftën e fundit u vranë, u masakruan, u sakatosën dhe u përdhunuan nga ushtria gjakatare serbe më shumë se dyzet mijë shqiptarë (ashtu siç kishte parashikuar Tahir Berisha menjëherë pas kuvendit famëkeq të Prizrenit të korrikut të 1945-s. Dhe derisa po shfletoja dhe po lexoja monografinë e Afrim Hysenajt me titull simbolik: “Toka skuq e qielli nxin” derdha edhe disa lot të ligjshëm, edhe për arsyen e thjeshtë se shumë nga të masakruarit i kisha njohur edhe personalisht. Dhe derisa po shfletoja dhe lexoja faqet e librit m’u bë sikur po bisedoja me të rënët që i kisha njohur. M’u bë se po bisedoja edhe me mësues Habibin (Deliu) i cili kishte qenë dikur edhe mësues imi! Dhe me shumë të tjerë që u vranë e u masakruan vetëm se ishin shqiptarë dhe si të tillë donin të jetonin në tokën e vet dhe të të parëve të tyre. Mund të thuhet lirisht se të rënët (të masakruarit e familjes Deliu, janë të gjithë dëshmorë epikë, që kanë qëndruar dhe kanë rënë për tokën e vetë!

Por, në mesin e tyre qëndron edhe një hero epik i gjallë e ai quhet Ymer Deliu. Ymer Deliu, i cili u përball me humbjen e krejt familjes dhe nuk e humbi as mendjen e as arsyen dhe i cili, me tërë madhështinë e tij, menjëherë pas masakrimit të familjes së tij do të deklaronte në ekranet televizive të krejt planetit, se edhe pas gjithë kësaj që kishte pësuar ai nga makineria vrastare serbe, ai nuk do ta bënte një gjë të tillë në fëmijët apo civilët serbë! Ymeri i tillë (hero epik i gjallë) na vjen edhe te libri i Hysenajt “Toka skuq e qielli nxin”.

Libri (monografik) i Hysenajt ka vlerë edhe historike, sepse në të gjendet material i dorës së parë për historianët që do të merren në të ardhmen e afërt dhe të largët me Kosovën dhe luftërat e saj për liri dhe pavarësi. Në përgjithësi libri është i realizuar falë angazhimit të autorit, redaktorit dhe të gjithë atyre që janë marrë me realizimin e tij. Mbase një ndjenjë e lehtë subjektivizmi vërehet tek autori kur ai bën përshkrimin e jetës të të masakruarve dhe të rënëve, por që edhe ky subjektivizëm i lehtë është i përligjshëm, kur të kihet parasysh fakti se autori i ka njohur personalisht pothuajse që të gjithë të rënët dhe të masakruarit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat