Flet këngëtarja e mirënjohur e këngës popullore dhe polifonike, “Mjeshtre e Madhe”, Paro Ziflaj

Kultura

Flet këngëtarja e mirënjohur e këngës popullore dhe polifonike, “Mjeshtre e Madhe”, Paro Ziflaj

Nga: Albert Z. Zholi Më: 13 shkurt 2020 Në ora: 17:32
Paro Ziflaj

Mes familjes së djalit, nipërve dhe miqve të shumtë jeta është e bukur
Një ndër këngëtaret më të mira shqiptare, një këngëtare me zë specifik që të trondit kur këndon. Ajo sot mbush plot 70 por me të vërtetë tregon shumë e re. Një grua e qeshur që përcjell mirësi. Por mosha nuk ka ndikuar te Paro. Në vitet e demokracisë ajo me zërin e saj ka shkuar në mbarë botën ku ka emigrantë shqiptarë dhe kurrë s’ka ndjerë lodhje. Atë e presin me plot dashuri dhe kur merr mikrofonin si zor ta lënë të ulet. Ndryshe nga shumë artistë që titullin e lartë “Mjeshtre e madhe” e marrin në Presidencë, princesha e polifonisë e mori titullin në vendlindje në Tepelenën e Ali Pashait. Ajo dhe pse tek të 60, me zërin e saj kumbues, plot nuanca dhe virtuozitet kur këndon të shtang. Një zë magjeps si gurgullima e Ujit të Ftohtë që zbret nga mali. Kudo që ka shkuar në Asamble apo koncerte jashtë atdheut, ajo i ka befasuar specialistët e muzikës, për origjinalitetin dhe kumbimin e zërit.

-Si ndihet Parua në këtë ditëlindje?

E motivuar, plot miq dhe mikesha, e rrethuar me ngrohtësi dhe kujdes. Kur ke miq të mirë fëmijë të mirë jeta bëhet e bukur. Dhe pse djalin e kam larg, ai me fëmijët e tij është në çdo minutë pranë meje pasi mjetet e komunikimit janë të shumta dhe më duket sikur i kam në shtëpi në çdo kohë. Më mungon puthje në mëngjes e nipërve por largësinë nuk e ndjej pasi në celular kam qindra foto dhe regjistrime me ta. Sot e rrethuar me kaq shumë miq më duket sikur vitet kanë ngelur në vend , sikur ato janë thjesht numra.

-Ju para 2 vjetësh morët titullin e merituar “Mjeshtre e Madhe”. Kujt ja dedikoni dhe kush janë nxitësit tuaj deri në këtë arritje?
Jam shumë e lumtur që këtë titull e mora për së gjalli. Ka dhe shumë të tjerë që e meritojnë këtë titull dhe dua të kenë fatin që kisha dhe unë. Kur ikën njeriu në botën e përjetshme, këtë dekoratë e gëzojnë fëmijët apo nipërit kurse ai që ka punuar, që ka arritur shumë rezultate nuk shikon dhe nuk gëzon asnjë gjë. Pra sinqerisht që ndihem e gëzuar që e shijova për së gjalli këtë titull të madh. Nga ana tjetër marrja e këtij titulli nuk është meritë vetëm imja. Puna, rezultatet nuk bëhen dhe nuk realizohen vetëm. Edhe unë kam bërë emër në saj të kompozitorëve, poetëve këngëtarëve që kam kënduar, grupit me të cilin kam punuar. Këtu dua të ndalem tek grupi famoz i Bënçës, pasi aty unë arrita kulmin e famës dhe të emrit. Pra ky emër ku sot ndihem e respektuar, e kam marrë me këtë grup, me këngët e tij, me këngëtarët e tij, me arritjet e grupit që kudo na prisnin me duartrokitje. Pra ky emër, ky titull është dhe pjesë e tyre, këtë e them me shpirt.

-Keni kohë që jeni vendosur në Tiranë, ju mungon Tepelena dhe si ndiheni sot në kryeqytet?
Unë e kam gjetur shumë mirë veten në Tiranë. Tepelena më mungon shumë, por arti do hapësirë, do komunikim do ambiente, ndaj mund të them se sot ndihem më mirë për atin këtu në kryeqytet këtu arti është shumë masiv. Tirana të krijon shukmë mundësi për aktivitete. Tepelena është qytet i pastër, i bukur, me natyrë përrallore, me ujë kristal, me mish të rrallë, por i mungon pjesa aktive e artit. Unë pa art, pa muzikë nuk mund të rri. Të dyja në një kohë nuk mund ti kesh dhe Tiranën dhe Tepelenën. Por unë edhe në Tepelenë shkoj shpesh.

-Sot ka shumë këngëtare. A ka treg për të gjitha?
– Dielli lind për të gjithë. Secila në mënyrën e vet ka kërkesat e saj, ka simpatizuesit e saj. Pra tregu është i hapur dhe përderisa të gjitha këndojnë do të thotë që tregu u ka hapur dyert. Asgjë nuk është e prerë me thikë në art. Arti ka shumë hapësira dhe ai që guxon dhe ka talent e gjen veten. Unë e pranoj konkurrencën dhe shumicën në treg.

-Thuhet se këngëtaret e bukura kanë më shumë publik, janë më të pëlqyera nga drejtuesit e aktiviteteve, emisioneve, lokaleve dhe dasmave. Madje edhe kur nuk kanë zërin e artisteve të mëdha. Madje disa këndojnë me superpozim. A është e vërtetë dhe ju a keni xhelozi në kësi rastesh?
Kjo është mëse e vërtetë. Por unë dua të them se çdo kush e do të bukurën. E Bukura mbetet e bukur, mbetet joshëse. E kujt nuk i pëlqen e bukura? Edhe gjella më e thjeshtë po të jetë me një garniturë të bukur, po të jetë me një mënyrë të serviruri artistikisht hahet me ëndje. Personalisht i respektoj këto këngëtare. Ato nuk kanë zërin shumë të bukur, por janë shumë të bukura vetë. Pra plotësojnë atë që u mungon. Me këtë dua të them se do të ishte më mirë ti kishin të dyja, por zoti nuk ti jep të gjitha. Unë i respektoj këto femra. Asgjë nuk është perfekte.

-Cilat janë këngët më të preferuara që i kërkojnë Paros të këndojë në aktivitete, festa, dasma apo dhe në emisione të ndryshme?
Të them të vërtetën më shumë më kërkojnë polifoninë. Deri dje mendoja se polifonia është këngë e thjeshtë, këngë që nuk do shumë angazhim artistik. Por tani që kam kërkesa dhe në raste të veçanta nuk kam kthyesin, pritësin apo ata që mbajnë iso si duhet shikoj se kënga stonon. Tek polifonia është kthyesi. Në polifoni rolin e kthyesit nuk e bën kushdo, madje ka rëndësi po aq sa marrësi. Rolin e kthyesit e bëjnë shumë pak, ata janë njerëz të lindur te trevës së Labërisë. Këta njerëz, këngëtarë të polifonisë mund ti gjesh në Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër. Me ato karakteristika zëri të veçantë. Kthyesi luan atë rol që luan tastiera tek kënga e muzikuar, që do kohën kur të fillosh ose kur ta ndërpresësh këngën. Pra kthyesi luan rolin e ritmit të këngës si tastiera. Sot jam e bindur plotësisht se polifonia nuk bëhet pa kthyesin profesionist. Kthyesi është lezeti i këngës dhe këtë e kupton çdo njeri që e këndon polifoninë dhe që e ndjek atë në vijimësi. Kur fillon isua duket sikur nuk ka rol, por veshi i stërvitur e kap atë. Pra si ruhet ritmi i muzikës, ruhet dhe ritmi i polifonisë nga kthyesi, ndryshe nuk del polifonia. Nuk them se çdo kthyes duhet të jetë perfekt, por kur nuk është me ty gjithmonë, ai kthyesi profesionist, ti e ndjen që kënga nuk ecën si duhet, pacaka që shumë nga publiku nuk e kupton. Pra ky është roli i kthyesit. Ai të jep kohën e duhur në polifoni nis nuk e kap kënga dështon, bllokohet kënga. Ajo, oooooooooooo-ja, e zgjatur të jep kohën, masën se kur duhet të hysh sërish në këngë. Pra të jep kohën e kalimit nga strofa në strofë. Këtu dua të them se janë të lidhur, marrësi, kthyesi, duhet të jenë në sinkron.

-Pra polifonia sot kërkohet po aq sa kënga popullore?
Në zonën e Labërisë po. Ndoshta është dhe ajo që shumica më njohin me ato këngë të dëgjuara, të bukura, të cilat kanë lënë gjurmë në këtë trevë. Shumë kanë nostalgji për të shkuarën, e kujtojnë me shumë dëshirë. Por unë këndoj me aq dëshirë dhe pathos si këngën popullore dhe polifoninë. Tek polifonia shkrihem tek kënga popullore plotësoj veten.

-Ku është e kërkuar Parua jashtë?
– Unë kam qenë në shumë shtete të botës. Që nga Amerika, Italia, Gjermania, pa diskutuar Greqinë që jam si në shtëpinë time. Pra jam kudo e kërkuar dhe e mirëpritur por nuk shkoj kudo. Ka vende të largëta që tashmë nuk i preferoj.
-Të kanë kërkuar në ndonjë vend të këndosh këngën e Enver Hoxhës “Rrofsh sa moshë e kësaj toke”?
-Po, ma kanë kërkuar, por nuk e kam kënduar. Kënga është art kolektiv, unë shkoj në aktivitete me pjesëmarrje të madhe dhe kështu do të kishte qejfmbetje. Nuk dua të prish atmosferën. Secili ka dëshirat e veta dhe nuk dua ti lidh me politikën aktivitetet. E di që në rast se do e këndoj do ketë qefmbetje madje dhe zënka.

-Je penduar që ke kënduar këtë këngë për Enver Hoxhën?
Asnjëherë. Unë jam artiste nuk bëj politikë. Unë këndoj çka më ofrojnë dhe përbëjnë art. Preferencat janë individuale. Në atë kohë unë nxirja në pah vlerat artistike të grupit, të zërit dhe pak rëndësi ka kujt i këndoje. Por di që atë kohë ajo këngë për vite të tëra u bë hit. Nëse dje do dilje në skenë dhe merrje duartrokitje të nesërmen të jepnin këngë të vështira. Unë nuk bëja zgjedhje. Unë bëja art. Zgjedhjet i bënin të tjerët, drejtuesit. Ajo këngë ishte shumë e vështirë, jo kushdo mund ta këndonte. Pra e tillë ishte koha, e tillë ishte situata.

-Kam dëgjuar që Enver Hoxha ju ka përmendur në një vepër, e mbani mend çfarë ka cituar?
Di që pas asaj kënge shumë miq dhe shoqe të Komitetit të Rinisë më thoshin që Enveri ka shkruar or ty. Madje ka shkruar gjatë për grupin e Bënçës. Me atë çka ato më thonin (se vetë nuk i kisha veprat) Enveri kishte shkruar pak a shumë kështu:
“Dëgjoj grupin e Bënçës. Aty është një vajzë dhe një djalë që i japin tonin grupit. Njëri ja merr dhe tjetri ja kthen këngës. Vallë të jenë burrë dhe grua? Jo! Të jenë motër e vëlla? Jo! Këta janë thjesht disa të rinj që i ka bashkuar kënga polifonike dhe këndojnë me zërin e shpirtit. Kënga e tyre të jep forcë, të bën të këndosh dhe ti me ta. Pra kanë zë qiellor.

-Kush është komplimenti më i madh që ke marr për këtë këngë?
-Janë shumë, por ajo që më ka mbetur në mendje është e një shoqeje që ma thoshte me zë të lartë, ti Paro je e veçantë, je e vetmja që ke bërë Enverin të qajë. Mund të thuhen shumë, mund të diskutohen shumë për atë kohë, por unë hodha shtat dhe u bëra këngëtare në atë kohë dhe nuk mund ta mohoj. Çdo sistem ka të mirat dhe të këqijat e veta ndaj dhe unë nga ai sistem kam marrë anët më të mira. Vlerat e një epoke nuk mohohen, të tjerat i përjashtojmë me kohën.
-Po Nexhmije Hoxhën e ke takuar dhe çfarë të ka thënë?
E kam takuar vetëm njëherë kur vajtëm për ta ngushëlluar pas vdekjes së Enverit. Erdhëm nga Tepelena në Tiranë. Kur na takoi Nexhmija na tha: Ju jam mirënjohëse, Enveri e dëgjonte shpesh këngët tuaj, jo vetëm këngën e tij, por tërë këngët e grupit tuaj. Këngët tuaja atë e rinonin. Ky ishte takimi i parë dhe i fundit deri tani.
–Ju jeni shumë aktive, vetëm muajt e fundit keni realizuar disa klipe dhe këngë te reja. Mund t’ia bëni prezent lexuesit tonë?
Klipi i parë dhe që është shumë i klikuar është “Nuse moj tu bëftë nëna”. ..dasmë s’kemi parë e s’kemi parë/ çifti pastë këmbën e mbarë … kam bërë dhe një këngë tjetër duet “Lart nga maja e malit” .

-Thonë që nga vokali Paro është si 30-vjeçe, ka ndonjë sekret?
-Jo, asnjë sekret. Zërin ma ka dhënë natyra, ma ka dhënë zoti. Unë mundohem ta ruaj. Pra për këtë vokal pëlqehen këngët e mia, për këtë vokal mua më ftojnë kudo. Tjetra është se unë kam dashuri për artin, për këngën. E adhuroj muzikën dhe i jap shumë dashuri dhe ajo ma shpërblen me të njëjtën monedhë. Të isha pak më e re në këto vite besoj se do kisha dhënë më shumë. Sot ka më shumë hapësira, ka lëvizje, ka mënyra të ndryshme të komunikimit dhe reklamës, ndaj po të isha e re besoj se do kisha më shumë rezultate. Pra do kisha bërë art të vërtetë.

-Si i mbani lidhjet me djalin në Holandë?
Po sot komunikimi është i paanshëm. Flas disa herë në ditë. Ka dy djem që flasin shqip. Dhe pse ka nusen holandeze, fëmijët flasin njëlloj si gjuhën holandeze po ashtu dhe gjuhën shqipe. Kjo më gëzon shumë se kur shkoj aty ose kur vijnë ata këtu, miremi mirë vesh, madje shumë mirë. Fëmijët dhe nusja e pëlqejnë shumë Shqipërinë. Vijnë çdo vit në Himarë, Ksamil, Sarandë. U pëlqen shumë bregdeti ynë. U pëlqen shumë Tirana por më shumë dielli shqiptar. Pra kjo e diellit është specifike pasi aty është vend i ftohtë.
-Po Parua ka menduar ndonjëherë të jetojë në Holandë?
Jo, kurrë. As e mendoj. Nuk e ndërroj Shqipërinë me asgjë. Këtu kam miqtë, farefisin, kam të afrim këtu kam ata me të cilët punoj. Këtu kam këngën. E shumta kur shkoj qëndroj 15 ditë dhe mërzitem.
-Ju disa këngë i keni bërë vetë. Parua është dhe poete?
Unë s’jam poete por i dua poezitë, sepse ato janë tharmi i këngës. janë mjalti i këngës. S’mund të jetë kurrë e bukur një këngë që nuk ka tekst të bukur. Ajo mund të pëlqehet por kurrë s’merr notat më të larta të vlerësimit. Ndaj dhe poetët janë udhërrëfyesit e këngës, e notës së saj.

-Margarita Xhepa “Nderi i Kombit”

Parua është një grua zonjë me zë të rrallë. Ka zë të bukur, shpirt të bukur, ndaj nuk njeh plakje. Ajo kudo që këndon jep jetë, jep pjesë nga shpirti i saj. Kur e dëgjon të emocionon dhe të zgjat jetën. Këngëtare të tilla janë të rralla dhe të përcjellin besim në vetvete por dhe dëshirë për të jetuar. Ta gëzosh ditëlindjen zëri i bukur i Labërisë.

Luftar Paja, “Artist i Popullit”

E Zërin e Paro se kam admiruar që kur ka dalë për herë të parë në skenë. Më ka befasuar që një vajzë e brishtë shtatshkurtër të kishte një zë aq të bukur sa të trondiste. Ajo hyn në plejadën e këngëtareve brilante të këngës labe që koha po i jep vendin që i takon. Këngëtare të tilla janë nderi i Atdheut ndaj ne duhet ti respektojmë

-Golik Jaupi “Mjeshtër i Madh”

Parua erdhi në këngën labe si një Pranverë e hershme. Ajo lulëzoi dhe u rrit me këtë këngë. Ajo në grupin tonë përbënte Borëbardhën që lezetonte çdo varg tonin. Parua do të mbetet si yll i spikatur në tërë historinë e këngës labe.

Ylli Baka

Kur isha i ri e dëgjoja me ëndje. Habitesha me timbrin dhe fuqinë e zërit të saj. Por mbi të gjitha ajo ka një zë melodioz që mund ta dallosh në çdo moment. Ndihem krenar që në shumë skena të botës kam kënduar me të. Ajo mbetet një Zanë në këngën labe dhe atë popullore.

Petrit Lulo

Parua ka zë thëllëze dhe shpirt të madh. Si këngëtare dhe si njeri ajo përbën një veçanti që të detyron ta respektosh. Këngëtare si ajo janë të rralla dhe në mesin tonë ajo mbetet e respektuar.
Këngët polifonike më të pëlqyera
-Bij çobanësh
-Miho Xhani hero
-Rrofsh sa moshë e kësaj toke
-Çobanët mbi gjeneralë
-Gjithë burrat me palcë guri
-Nuse moj tu bëftë nëna

Popullore
-Të rrita me pekuli
-Si kjo dasmë s’kemi parë
-Doli hëna për kusarë
-O filxhan, babaxhan
-Të desha moj lule bore

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat