Në kujtim të Misto Markos, mjeku personal i Poradecit

Kultura

Në kujtim të Misto Markos, mjeku personal i Poradecit

Nga: Papuciu Alfred Më: 17 shkurt 2020 Në ora: 12:25
Papuciu Alfred

Dr. Mistua ishte simboli i njeriut të mirë, ishte mësuesi ynë shpirtëror, kampion i qytetarisë, fytyra më e kulturuar e këtij qyteti eshkrirë me një patriotizëm të madh. Ne i kemi të skalitura në mendje fjalët e
dr Mistos që thoshte: “Arti duhet të jetë madhështor, arti lartëson kombin, kombin tënd duhet ta duash edhe kur ai të vret”.

Pranë kishës së “Shën Mërisë” në një rrugicë karakteristike pogradecare, fare pranë burimeve ndodhet shtëpia ku ka jetuar Misto Markua, i cili kishte shkuar në Amerikë pranë vajzës së tij pak vjet më parë.
Dr. Mistua njihet ndryshe edhe si mjeku personal i Lasgush Poradecit, i cili e ka kuruar nga viti 1953 deri në vitin 1987, kur Lasgushi u nda nga jeta. Vlerësimi më i madh për çdo krijues është atëherë kur mesazhet dhe veprat e tij bëjnë jehonë në thellësi të kohës, duke lënë gjurmë të pashlyeshme. Dr. Mistua i përket asaj gjenerate që, ndonëse ishte një mjek shumë i mirë, pasioni për letërsinë dhe artin duke qenë edhe nipi i të madhit Mitrush Kuteli, solli vepra dinjitoze që kanë hyrë në fondin e artë të letërsisë shqipe. Misto Markua i njohur me emrin letrar (Mirosh Marka), u lind në vitin 1926 në qytetin e Pogradecit. Mësimet e para i mori në vendlindje, më pas shkollën e mesme kreu në Korçë dhe në Tiranë. Arsimin e lartë në degën e mjekësisë, fillimisht në Beograd dhe më pas e përfundon fakultetin në Bukuresht. Krahas një mjeku të talentuar që mbante një qytet të tërë, doktor Mistua paralel vazhdon të lëvrojë edhe letërsinë. Me rastin e 30 -vjetorit të çlirimit shkroi libretin e operetës “Zgjimi”, të muzikuar nga Tonin Arapi, me të cilën u vlerësua me çmimin e Republikës, më pas shkruan trilogjinë për Skënderbeun. Teatri
Popullor në Tiranë e vuri në skenë me sukses të madh dramën e tij “Besa e madhe”, po ashtu në Teatrin e Prishtinës u vu në skenë me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit . Në vitin 1982, Teatri Popullor vuri në skenë me sukses të madh dramën “Udha e flamurit”, ndërkohë që pas dy vjetësh Estrada profesioniste e Pogradecit, me regjisor Mario Ashikun vuri në skenë komedinë: “Vizita e miliarderit” deri tek romani i fundit “Një idil i këputur”. Për krijimtarinë letrare Misto Markua në vitin 1985 është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri”.

Ikona e kulturës

Është e vështirë të flasësh për dr. Miston, për ikonën e kulturës pogradecare dhe mbi të gjitha ishte mjeku personal për gati 40 vjet i gjeniut të qytetit tone, Lasgush Poradeci. Falë një miqësie të hershme
familjare me dr. Miston, një buzë mbrëmje më tha: “Eja të takohemi, se nesër do të nisem për në Amerikë, do të iki në Amerikë tek vajza dhe do të vij, po nuk erdha dot, më kujtoni ndonjëherë, ja këtu
tek këto rrapishtat buzë liqenit ku pinim kafe çdo ditë…”.

Ike në vjeshtë doktor, siç thoshe gjithmonë kur vinte vjeshta në qytetin tonë: “Na erdhi ndryshku i vjeshtës”, ike larg atje në Amerikë dhe ngele si Çajupi dhe shumë shkrimtarë të tjerë që ngelën në dheun e huaj. Dr. Mistua ka qenë simbol i njeriut të mirë në këtë qytet si mjek, dramaturg e historian i shquar. Dr. Mistua ishte simboli i njeriut të mirë, ishte mësuesi ynë shpirtëror, kampion i qytetarisë, fytyra më kulturore e këtij qyteti e shkrirë me një patriotizëm të madh. Ne i kemi të skalitura në mendje fjalët e dr. Mistos që thoshte: “… arti duhet të jetë madhështor, arti lartëson kombin, kombin tënd duhet ta duash edhe kur ai të vret”. Ka qenë mjeku i shquar që nuk ka lënë shtëpi pogradecare pa vizituar të sëmurët. Ishte mjeku i parë që në ato vite të para mbante një peshë shumë të madhe mbi supet e tij. Nuk ka qytetar pogradecar që nuk e ka ndjerë stetoskopin e dr. Mistos në trup, përkujdesjen e tij dhe përkushtimin…!

Ai i priste njerëzit në spital, në shtëpi, në rrugë e iu jepte këshilla. Ishte modeli i njeriut të mirë që kurrë nuk konfrontohej me njeri, por i qeshur me buzë në gaz të priste e të përcillte është një model për tërë qytetarinë pogradecare dhe më gjerë. Dr Miston ka qenë një ikonë e kulturës pogradecare, ne do ta kujtojmë gjithmonë atë gur të çmuar të qytetit tonë që kanë shndritur në të gjitha periudhat. Është absurd që ende spitali i qytetit nuk ka marrë emrin e Dr Mistos. Dr Mistua trupin e ka në Amerikë, por shpirtin e ka në qiell dhe qielli është i përbashkët. Doktor Mistua, merre këtë kurorë ndjenjash e respekti nga populli dhe intelektualët pogradecarë që të deshën aq shumë, atje në Amerikë ku ke filluar
të prehesh prej disa kohësh më parë…Nëse ti do jetoje, tani do të ishe 90 vjeç.

*Bardhyl Berberi, shkrimtar shqiptar, me një numër të konsiderueshëm romanesh, të botuara në Shqipëri dhe jashtë vendit. Tranzicion : novela – 1999, Vrasja e shpirtit : roman – 2000, Në burgun e Selanikut : roman – 2003, Lule të vyshkura në prill : roman – 2005, Një vrasje në Shën Valentin : roman – 2007, Një natë në Çikago : roman – 2010, Në shtëpinë e tyre këndoi kukuvajka : roman – 2012, Dashuri e mallkuar : roman – 2014, Mëkati i gjeneralit në Prishtinë : roman - 2017.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat