Në njoftimin mortor lindi rrënqethur dashuria

Kultura

Në njoftimin mortor lindi rrënqethur dashuria

Nga: Ilaz Hajra - Lumi Më: 23 shkurt 2020 Në ora: 07:46
Ilustrim

Në ecje e sipër, aty poshtë urës, nuk çuditem kur shoh letra kudo nëpër tokë, thjesht, i tejkaloj me shprehjen: "njerëz pa kulturë", por vëmendjen ma tërhoqi një letër ngjitur në shtyllën elektrike, aty për aty m'u kujtua kur për shkak se nuk kishte rrymë, letrat e tua i lexoja me qiri. Ishte ditë, ora 8 e mëngjesit, s'kishte nevojë as për qiri a diç t'ngjashme.

Kur e pashë se në letër veç shkrimit ka edhe fotografi, u interesova edhe më shumë, kjo ndodhë sa herë detyrohemi të lexojmë pa disponim! Fotografi mahnitëse, një femër e bukur, kornizë gri si simbol i gjallërisë (botës së gjallë, kërcellit të luleve... deri në infinit), madje letër e bardhë, mirëpo njollë e kishte shkrimin a njoftimin mortor ngjyrëzi.

Imazh poshtë të cilit, unë poshtë ure, ishin mes kllapave dy data pranë njëra tjetrës e larg meje. Ende pa filluar leximin, m'shkoi mendja pse nuk gjeti kohë një qen endacak? Pse s'u zgju' kaq vonë? Ora 8 e gjysmë u bë, qen dembel, e ta shqyejë njoftimin mortor, veç foton e saj ta lë, e t'ngopen syzet, t'zgjohen sytë nga përgjumësia, ringjallen qelizat e vdekura, rinohet epshi, t'nxihen thinjat, edhe një herë, jo ma tepër, veç me pa, ama pa njoftim mortor.

Fotografinë e njejtë e vendoste mbi zarfin e çdo letre që ma dërgonte me postë, u bëja xheloz: "s'dua as posteri ta sheh pehrrinë time". Sigurisht, lexues i dashur, tashmë thua: "fillo lexoje njoftimin mortor", të them: "s'dua", andaj vonohem në përshkrimin e asgjëje, s'dua të bëj sqarimin e gjithçkaje. Uhh... sa e vështirë qenka, dhashtë Zoti s'e përjeton askush, që në njoftimin mortor të të dashurës tënde të marrin piesë të gjithë, veç teje. Në varrimin e saj të arsyetohet çdo lot, pos lotimi yt; të kenë të drejtë të gjithë të flasin për të, bile edhe ata që s'kanë folur me të, pos ti jo. A po të dhimbsem? M'thuaj, edhe ti: "Jo". Ç'më duhet përgjigja pozitive në një njoftim mortor?!

Dita e varrimit ishte diç e kaluar, edhe të pamën ia kishin mbajtë. N'vend se të ulej n'karrigen e nusërisë, foto e saj u ul në karrigen e t'pames. Më tregonin, se më shumë dëgjoheshin të qeshura se kujtime për të, kjo m'i ngjallte indet e inatit, s'më linte të qaj. Fillova të shkruaj një letër e ta marr në varr, që në amshim t'ia lexoj, letrën që sapo e lexuat ju. Vallë, kur vjen dita unë t'ia lexoj këtë letër asaj?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat