Vigan Nimani prezantoi mbrëmë fotografitë ku luan rol vetëm momenti

Kultura

Vigan Nimani prezantoi mbrëmë fotografitë ku luan rol vetëm momenti

Më: 25 shkurt 2020 Në ora: 14:50
Foto Ilustrim

Një prezantim ndryshe i fotografive u paraqit mbrëmë në ambientin e Kino Armatës, ku pas paraqitjes të të gjitha fotografive në ekran, fotografi Vigan Nimani  bashkë me regjisorin Ilir Hasanaj  të ulur në mes të skenës, përballë publikut, komentuan të gjitha fotografitë me rend duke krijuar kështu një dialog me atë se çfarë artisti kishte tentuar të shpalos para publikut e dashamirësve të artit.

Nimani duke qenë se ka kryer studimet në Akademinë e Arteve në Universitetin e Prishtinës në pikturë, ai pas pikturës kishte filluar të merrej edhe me fotografinë, ku për publikun e pranishëm shpalosi më në detaje se si e kishte nisur këtë rrugëtim.

“Unë fotografinë e kam filluar si projekt gjatë vitit 2009 ku kam nisur të fotografoj ndërtesa. Në esencë nuk kam pasur tendencë ndaj fotografisë, por e kam përdorur vetëm si studim, dhe me kalimin e kohës filloi të më pëlqejë shumë dhe kështu nisa të fotografoj me shumë qejf”.

Në tërë prezantimin e fotografive ajo që mbizotëronte më shumë ishte estetika e objekteve që ishin protagoniste në ato fotografi. Objektet si fabrikat, shkollat e dhomat, në të cilat vërehej pothuajse një koncept i njëjtë. Personazhi nëse ishte në objekt ishte i vendosur gjithmonë në mes dhe kjo sipas Nimanit nuk kishte ndodhur me qëllim, por në shumë raste ishte rastësi.

“E kam pasur të qartë që nga fillimi se çfarë dua, por këto, do të thoja se nuk i planifikoj, këto ndryshe i quaj edhe aksidente të lumtura”, shtoi tutje ai

Ngjyrat që më së shumti ishin përdorur në shumicën e fotografive ishin e gjelbërta dhe e kuqja, por që nuk mungonte edhe koleksioni me ngjyrat bardhë e zi. I pyetur edhe nga Iliri se pse këto dy ngjyra dhe pse koleksioni me fotografi bardhë e zi, Nimani tregoi se që të dyja këto ngjyra i pëlqejnë dhe nuk mund t’i dallojë nga njëra tjetra.

Në shumë raste syri i Nimanit i trajnuar si në pikturë ashtu edhe në fotografi e kishte thyer perfeksionin e tij. Sipas tij fotografitë që ai i ka bërë janë shumë intuitive. Nuk kanë ndonjë rregull specifike, madje disa në prezantimin e tij duken edhe jo reale. Këtë ai e preferon shumë.

“Është pjesë shumë intiutive, unë vetëm nga një fotografi e bëj, nuk provoj më. Kam dëshirë kur në fotografi ndodhë diçka si montazh, që nuk duket reale por që është në të vërtetë fotografi. Kjo më pëlqen shumë, sepse është më ndryshe”, deklaroi Nimani.

Prezantimi shkoi me të qeshura dhe në komunikim me publikun pasiqë edhe ata u përfshinë në tërë këtë diskutim të fotografive.

Në shumë raste Nimani nuk kujtonte momentet që i kishte bërë këto fotografi në vite të ndryshme, por pikërisht kjo tregonte që arti i tij është i veçantë dhe kjo e bën atë edhe një artist më ndryshe, më origjinal, pasiqë në këto raste luan rol vetëm momenti.

Vigan Nimani ka studiuar pikturë në Akademinë e Arteve të Universitetit të Prishtinës mes 2002 dhe 2006. Ai ka ekspozuar punët e tij në Kosovë, Shqipëri, Slloveni, Serbi dhe Holandë. Solo ekspozita e tij e fundit ishte “Properties of the Undeveloped“ në Galerinë Motrat të Prishtinës në vitin 2017.

Pos pikturës, si medium kryesor artistik, Nimani gjithashtu merret me fotografi dhe muzikë; ai është pjesë e bendit Tetris. Për momentin jeton dhe punon në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat