Vështrim rreth librit “Pajtimi” të Benazir Buto-së

Kultura

Vështrim rreth librit “Pajtimi” të Benazir Buto-së

Nga: Faik Miftari Më: 25 shkurt 2020 Në ora: 21:25
Kopertina e librit

Stina e dimrit përveç që është stinë e ftohtë, është karakteristike edhe për netët e saja të gjata, gjatë së cilës njeriu kohën e lirë kalon kryesisht në shtëpi. Por, për dallim prej viteve tjera, ky dimër ishte shumë i butë, ashtu që diku lexova në një portal se muaji janar i këtij dimri ishte më i buti në 157 vite të kaluara.

Gjatë kësaj stine të dimrit, në kohën e lirë, e sidomos në mbrëmjet e gjata të këtyre netëve dimërore, pata rast të lexoj tri libra që kishin tematikë nga fusha e judikaturës, saktësisht kishin të bëjnë me procedurë hetimore penale, romanet ”Krimi dhe ndëshkimi” të Dostojevskit, “Procesin “ e Kafkës dhe “Vrasje në Orient Ekspres” të Agata Kristit.

Fill pas leximit të këtyre librave, mentori im, në profesionin e avokaturës të cilin e ushtroj, avokat Et’hem Rogova përveç librave të sipërmendura më preferoi të lexoj librin “Pajtimi-Islami, Demokracia dhe Perëndimi” të ish kryeministres së ndjerë të Pakistanit znj. Benazir Buto-së, dhe më tha:” se pas leximit të këtij libri me siguri do të shkruash diç për këtë libër”.

Me të vërtet fill pas leximit të këtij libri të Benazir Buto-së, nuk munda të përmbahesha e të mos shkruaj diç për këtë libër, të cilin do t’ia preferoja opinionit publik shqiptar për lexim, e sidomos studiuesve që merren me hulumtimin e ngjarjeve gjeopolitike që kanë të bëjnë me botën myslimane në përgjithësi e të myslimanëve në veçanti.

Ky libër u përkthye nga ish ambasadori i Kosovës në Turqi, Avni Spahiu, i cili njëherit ka ushtruar edhe detyrën e ambasadorit të parë jorezident të Republikës Kosovës në Pakistan. E përgëzoj përkthyesin Avni Spahiu për përkthimin e këtij libri si dhe shtëpinë botuese Rozafa që mundësoi botimin e librit duke ofruar edhe opinionin shqiptar të njihet më përsëafërmi me këtë libër me rëndësi të veçantë të ish kryeministres pakistaneze, tani të ndjerë zonjës Benazir Buto-së.

Në këtë vështrim të librit “Pajtimi- Islami, Demokracia dhe Perëndimi” do të prezantojë disa çështje më të rëndësishme të cilët i ka trajtuar në librin e saj, autorja, që ndërlidhet me aktualitetin e tanishëm gjeopolitik në botën islame.

Çështja e parë kryesore, sipas perceptimit tim, në këtë vështrim, e cila është më e rrezikshme dhe më shkatërruese për botën islame, është lufta sektare ndërmjet vet myslimanëve, në mes myslimaneve të përkatësisë sunite dhe shiite, e cila e ka zanafillën që nga shekulli i parë i paraqitjes së islamit si fe hyjnore monoteiste dhe e cila për fat të keq vazhdon edhe sot e kësaj dite në botën islame.

Këtë problematikë e ka prezantuar shumë bukur autorja e librit, duke marr parasysh konkretisht shtetin e saj Pakistanin, i cili ka një popullatë me rreth 200 milion mysliman, nga të cilët 150 milion i përkasin perceptimit sunit dhe 50 milion perceptimit shiit. Ajo këtë problematikë e sheh për shtetin e saj Pakistanit, si një “bombë e kurdisur” që në çdo moment mund të shpërthejë, duke marr parasysh se me vite të tëra që nga viti 1980 ndodhin vrasjet e shumta në mes myslimanëve sunit dhe shiit. Lidhur me këtë ajo cek se:”Përbrenda botës myslimane ka pasur dhe vazhdon të ketë një çarje të brendshme, një konfrontim shpesh i dhunshëm mes sekteve, ideologjive dhe interpretimeve të mesazhit islam. Ky tension destruktiv ka nxjerrë vëllanë kundër vëllait, një vëllavrasje vdekjeprurëse që ka munduar marrëdhëniet ndër islame për një mijë e treqind vjet. Ky konflikt sektar i ka zënë frymën shkëlqimit të rilindjes myslimane që ndodhi gjatë epokës së errësirës së Evropës, në kohën kur universitetet e mëdha, shkencëtarët, doktorët dhe artistët ishin që të gjithë myslimanë”.

Çështja e dytë të cilin e trajton autorja në librin e saj, është pabarazia e gruas në botën islame në përgjithësi. Edhe pse pozitën e gruas e ka ngritur në një pozitë më të lartë, sikurse Kur’ani me porosi hyjnore ashtu dhe profeti Muhamed në praktikë, kjo me kalimin e kohës u zbeh dhe arriti në një shkallë më të ultë që e ka tani gruaja në botën islame. Autorja çështjen e gruas e prezanton në një masë të madhe: ”Profeti Muhamed e pranonte gruan si partnere të barabartë në shoqëri, në biznes, madje edhe në luftë. Islami kodifikoi të drejtat e gruas. Kur’ani ngre statusin e gruas baras me atë të burrit. Ai garanton të drejtat civile, ekonomike dhe politike të gruas”. Edhe pse Islami i ka kushtuar rëndësi të madhe arsimimit dhe diturisë, pasi që shpallja hyjnore kuranore filloi së pari me fjalën”Ikre” që do të thotë”Lexo”. Kjo nënkupton leximin dhe arsimimin si të mashkullit ashtu edhe të gruas , por me kalimin e kohës kjo porosi hyjnore është zbehur në një masë të lartë nga perceptimet dhe traditat vendore, fisnore e kombëtare të cilët shkaktuan një ngecje të barazisë gjinore në botën islame. Autorja në libër cek përveç tjerash për pabarazi gjinore: “Praktika të tilla si bartja e burkës(ferexhesë), mbyllja e gruas në shtëpi, ndalimi i arsimit të femrave vijnë që të gjitha nga traditat fisnore të cilat nuk kanë kurrfarë baze në Islam”.

Çështja e tretë të cilin e trajton autorja në këtë libër, është çështja e prapambetjes së botës islame në arsim, shkencë, teknologji. Edhe pse bota islame arriti kulminacion në të arriturat arsimore dhe shkencore gjatë shekujve IX-XIII-të, me rënien e Bagdatit dhe dinastisë abaside në vitin 1258 pas depërtimit shkatërrues dhe vrastar nga ana e mongolëve, pasoi periudha e stagnimit dhe prapambetjes e cila është duke vazhduar gjer në ditët e sotshme në botën islame. Autorja për këtë dukuri shkruan përveç tjerash: ”Rënia e Bagdatit, që i dha fund Perandorisë Abaside në shek. XIII-të, shënoi po ashtu fundin e epokës së artë të Islamit. Gjatë epokës së artë të Islamit, matematika, filozofia, shkenca dhe teologjia islamike studioheshin që të gjitha në nivelet më të larta në botë. Mendimi intelektual lulëzoi, kurse pluralizmi në mendim dhe strukturën e shoqërisë nxitej. Rënia e perandorisë Abaside para mongolëve solli si pasojë një periudhë tiranie nga e cila bota myslimane akoma nuk është liruar”.

Çështja tjetër që e trajton autorja e librit është raporti i demokracisë me islamin. Ajo këtë e ndërlidh me konceptet e shu’rasë( këshillimit) dhe ixhmasë(konsensusit) në shoqërinë islame. Me Kartën e Medinës(Kushtetuta e parë) profeti Muhamed i ka rregulluar normat juridike për qytetin e Medinës, pas konsultave të gjera me shokët dhe konsensusit të arritur me parinë e fiseve, ka rregulluar bashkëjetesën në qytet. Për këtë model qeverisjeje autorja cek se: ”Këto parime të këshillimit dhe marrëveshjes nuk ishin vetëm themelet demokratike të shoqërisë myslimane në kohën e Profetit, por edhe parime që duhet të udhëheqin sistemet politike myslimane në ditët e sotme. Për fat të keq, strukturat politike dhe shoqërore të Medinës në kohën e Profetit, të cilët mbizotëruan dhe kontribuuan krijimit të epokës së artë të islamit, u zëvendësuan gradualisht me modelet tradicionaliste , ekskluzive që i rezistuan përshtatjes dhe ndryshimit”.

Çështja tjetër e rëndësishme që e trajton autorja në librin e saj, është ixhtihadi(interpretimi) i Kur’anit. Gjatë epokës së artë islame(sh.IX-XIII-të), ixhtihadi(interpretimi) ishte i përhapur në nivelin më të lartë gjatë së cilës përfshiheshin shtresat e gjera të mendimtarëve, dijetarëve, shkencëtarëve, rezultat i së cilës ishte lulëzimi i arsimit dhe shkencës në nivelin më të lartë të mundur të kohës. Por, që nga momenti kur dyert e ixhtihadit(interpretimit) të Kuranit u mbyllën hermetikisht, duke vendosur që vetëm një numër i caktuar njerëzish të kenë të drejtën e interpretimit , atëherë pasoi ngecja e cila është duke vazhduar akoma edhe në ditët e sotme. Për këtë autorja çështje autorja përveç tjerash ceku: “Dyert e ixhtihadit (interpretimit) të Kur’anit u mbyllën dhe theksi u vu mbi të mësuarit përmendësh të Kur’anit dhe studimit të interpretimeve ekzistuese. Ishte pikërisht kjo ndrydhje e tolerancës, pluralizmit, diturisë, arsyes dhe të drejtës për debat, për diskutim dhe për të arritur konsensus që shkaktoi rënien e fuqisë dhe lavdit mysliman që u dëshmua në zenitin e rilindjes islamike”.

Çështja tjetër që trajton autorja është ekstremizmi, marrja në dorë e gjykimit nga ana e myslimanëve të caktuar se kush nga myslimanët qenka i mirë, i keq, i pabesë, i padenjë, i devijuar, të cilin kanë të drejtë të vrasin në emër të fesë. Kjo e drejtë i takon vetëm Zotit, para të cilit do të japim llogari në ditën e gjykimit, dhe këtë atribut të Zotit askush nuk ka të drejtë në këtë botë ta merr mbi vete, pa marr parasysh kush do qoftë ai. Për këtë autorja cek: “E drejta për të shpallur se kush është”mysliman i mirë” dhe kush është “mysliman i keq” është një e drejtë që i takon vetëm Zotit. Ata që pohojnë se ne në tokë duhet të përcaktojmë se kush është mysliman i mirë dhe kush është mysliman i keq janë përgjegjës për trashëgiminë e vrasjeve, gjymtimeve, luftës sektare dhe shtypjes së gruas dhe pakicave, siç e shohim në botën myslimane. Këta ekstremistë po shkatërrojnë myslimanët duke e yshtur myslimanin kundër myslimanit”.

Çështja tjetër që e trajton autorja është teza e “Përplasjes së civilizimeve” të Samuel Huntingtonit në rend të parë, por edhe plot autorëve tjerë perëndimore si pikënisje për konfrontimin e civilizimeve përgjatë shekullit XXI-të, e kundrejt të cilëve ajo e ngriti zërin si diç absurde dhe katastrofale. Benazir Buto-ja për këtë tezë, cek:”Unë nuk pajtohem me tezën e“Përplasjes së qytetërimeve”dhe druaj se kjo vepër në të vërtetë ka provokuar konfrontimin që ajo predikon. Kjo është një profeci vetë përmbushëse e frikës që injoron historinë dhe natyrën njerëzore, që modelon botën për t’iu përshtatur një teorie. Pohimet lidhur me Islamin janë tërësisht keqinformime. Ajo përshkruan në mënyrë të paturpshme metodat që duhet të përdor Perëndimi për të mbajtur nën kontroll vendet islamike duke ua mohuar atyre mjetet e modernitetit dhe teknologjisë”.

Çështja e fundit në këtë vështrim rreth librit, ka të bëjë me procesin e pajtimit në botë pikësëpari në mes vet myslimanëve dhe pastaj në raport me perëndimorët. Ajo përveç tjerash lidhur me pajtimin , me të cilin e ka titulluar edhe librin e saj” “Pajtimi-Islami, Demokracia dhe Perëndimi” ndër të tjerash thotë:“Myslimanët mund të bëjnë shumë për pajtimin e kundërthënieve të brendshme që përçajnë keq bashkësitë e tyre në shekullin njëzet e një. Duke trasuar një kurs të tillë, myslimanët mund të bëhen sërish një nga forcat qendrore që formësojnë të ardhmen e njerëzimit. Edhe perëndimi mund të ofrojë hendekun mes vetvetes dhe bashkësisë myslimane duke ndërmarrë hapa të posaçëm dhe konkretë. Ky hendek gjerues i perceptimit, vlerave dhe ndjenjës së konkurrimit është ai që kërcënon të shpërthejë në një betejë epike të shekullit njëzet e një. Shtetet islamike, sipas mendimit tim, janë në gjendje të akomodohen dhe të pajtohen me njëri tjetrin dhe me Perëndimin. Kjo është një ndërmarrje ambicioze, por kjo mund të bëhet”.

25.02.2020 Av. Faik MIFTARI

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat