Qeverisë, i kërkohet themelimi i një instituti me emrin e Adem Demaçit

Kultura

Qeverisë, i kërkohet themelimi i një instituti me emrin e Adem Demaçit

Më: 26 shkurt 2020 Në ora: 14:41
Foto nga vendi i ngjarjes

Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës kanë hapur ekspozitën “Kujtesa e Kosovës: Portrete të Adem Demaçit në pikturë dhe fotografi”, për nder të 84- vjetorit të lindjes së veprimtarit për çështje kombëtare, Adem Demaçi.

Në hapjen e kësaj ekspozite, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i thuri lëvdatat më të mëdha Adem Demaçit, duke e cilësuar si veprimtarin më unik e më autentik, duke thënë se ai u bë mësues, intelektual.

“Jetën e tij ai e kuptonte në shërbim për popullin shqiptar dhe nuk kishte shpërputhje midis mendimit dhe fjalës, rrjedhës dhe veprimit, ishte i njëjti gjithmonë baca Adem në çdo situatë tërë kohën. Kur nuk kishim shkolla shqiptarët Adem Demaçi ishte mësues, kur nuk kishin universitet ishte intelektuali i tyre e kur nuk kishte ushtri ai dilte në front, kur ishim të shpërndarë ai na bënte bashkë e kur ne harronim ai na kujtonte prandaj kjo ekspozitë vjen si freskim i kujtesës për të por edhe rikujtim e reflektim për vetën tonë”, tha Kurti.

Kurti shtoi se Demaçi punonte gjithmonë për bashkimin kombëtar duke mos bërë asnjëherë përçarje në mes.

“Ai e kuptonte se çfarëdo që ne mund të arrinim të vetëm, vetëm të bashkuar mund të arrinim qëllimet e përbashkëta por bashkimin tonë baca Adem kurrë nuk e shihte kundër ose kundrejt një populli tjetër, gjithmonë e shihte për të mirën e përbashkët …..Bashkimin tonë ua dëshironte edhe të tjerëve, pra nuk përçante të tjerët për të na bashkuar neve dhe na bashkonte neve për vetën tonë e kudo tjetër”, u shpreh Kryeministri.

Kurti shto i se ndjehet falënderues për Adem Demaçin, njeriun pa të cilin rrugëtimi i tij do të ishte i pamundur, derisa premtoi për botim dhe shpërndarje të veprës së plotë të Adem Demaçit.

Fazli Gajraku, drejtor i Bibliotekës së Kosovës tha se është nder i veçantë që shoqata e të burgosurve politik të Kosovës, ka mundësuar hapjen e kësaj ekspozite e koleksioni të rrallë:

“Është një rast i veçantë por edhe një nder i veçantë që shoqata e të burgosurve politik të Kosovës e cila po kryen një punë të jashtëzakonshme në dokumentim të kujtesës së Kosovës i ka hapur mundësi edhe Bibliotekës Kombëtare të Kosovës për të zbërthyer projektin ideal te vjeljes, mbledhjes dhe përpunimit të gjithë kulturës së shkruar e të shtypur…. Këto portrete që kanë historinë e vet të frymëzimit e të përjeti mit të kulturës e përjetësimit në pikturë e fotografi të Adem Demaçit janë një koleksion i rrallë që do të ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës”, tha Gajraku.

Anëtari i Shoqatës së të Burgosurve Politik, njëherit edhe koleksionuesi i ekspozitës, Selatin Novosella tha se arkivi i jetës dhe veprës së Adem Demaçit është i jashtëzakonshëm me rreth 10 mijë faqe të dokumenteve arkivore.

“Shoqata e të burgosurve politik me të drejtë pret nga Qeveria e Kosovës që t’i marrë dy vendime, që me akt të veçantë themelor të themelohet instituti për hulumtime, studime dhe publikime e veprimtarisë të burgosurit politik që do të barte emrin e nderuar Adem Demaçi…dhe dy që ta mbështesë siç e tha edhe kryeministri i nderuar financiarisht projektin për ndërtimin e veprave të zgjedh ura të Adem Demaçit dhe për Adem Demaçin me 40 vëllime”, tha Novosella.

Adem Demaçi ndërroi jetë më 26 korrik 2018. Ai ishte personaliteti shqiptar që vuajti dënimin më të gjatë në ish-Jugosllavi, në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat