Bajlozi i frikshëm

Kultura

Bajlozi i frikshëm

Nga: Viron Kona Më: 23 mars 2020 Në ora: 11:12
Viron Kona

Mbyllur në shtëpitë-karantinë rrimë, mendojmë,
për ditët që ikin e për t`pasigurtat ku shkojmë,
në shoqërinë e pareshtur t`cicërimave t`zogjve,
sirenave t`policisë e ambulancave që gulçojnë.

Medijet na bombardojnë non - stop pareshtur,
virusi i zi përhapet dhunshëm si muzikë horor,
jeta njerëzore e rruzulli tokësor po tronditen,
na mban fort n`kthetra bajlozi i zi me kurorë.2).

Zemërohemi pareshtur që s`po e mundim dot,
këtë të paudhë, të paburrë dhe armik tinëzar,
ç`na duhen armët atomike,raketat hapësinore,
kur s`bëjmë dot zap këtë korona virus zuzar!?

Mblidhemi,strukemi familjarë, të rritur, fëmijë,
pranë njëri-tjetrit në shtëpitë tona - karantinë,
t`kapur fort nga mankthet çdo natë e çdo ditë,
shpresojmë jetën, por përfytyrojmë tragjedinë.

Çdo zbulim shkencor është si një yll në errësirë,
na ngjall shpresë se ilaçin e duhur po zbulojmë,
por lajmet kaotike kundërshtojnë njëri - tjetrin,
me telekomanda n`duar stacione jete kërkojmë.

Humbja e besimit s`po na ndihmon për asgjë,
veçse na mjegullon keq të ardhmen që na pret,
ndaj, mblidhuni o të ditur t`gjithë botës mbarë,
ta shporrim nga globi këtë xhelat që po na vret!

T`u kthejmë buzqeshjen fytyrave njerëzore,
të thithim me tërë forcën e mushkrive lirinë,

të ngrihemi së bashku kundër bajlozit të zi,
ta prangosim shpejt në muzeun -karantinë.

-----------------
1).Bajloz (Baloz). Figurë mitologjike e rapsodive popullore që përfaqëson një rrezik, një
vigan të keq, herë-herë edhe përbindësh.
2). Koronavirus ose “virusi me kurorë” është një nga dhjetëra viruse, që shkaktojnë gripin
dhe infeksione të rrugëve të frymëmarrjes. Simptomat kryesore janë: lodhje dhe dobësi e
përgjithshme, dhimbje muskujsh dhe kyçesh, dhimbje koke, kollë, temperaturë e lartë dhe
ethe. Prekja nga këto lloj virusesh mund të shkaktojë probleme serioze kryesisht te moshat
e vjetra dhe te pacientë me imunitet të dobët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat