“Tri pashë nën zemër..”

Kultura

“Tri pashë nën zemër..”

Nga: Klaudia Meha Më: 23 mars 2020 Në ora: 12:38
Klaudia Meha

E ëmbla ime.. acari zbarkoi. Mos vallë në këtë tren i hipe dhe kujtimet? Ah po..sigurisht! Kjo ngrohtësi s’ka nga të më burojë tjetër.. tashmë marr frymë veç mbi një vegim tëndin. Një pamje të tretur të syve të tu... Oh ata sy!.. Të brishtë.. Të thepisur.. Ata sy do shkrinin akullnaja e do shuanin zjarre... Ata sy të akullt që më ndezën flakën e zbrazëtisë..

..E ëmbla ime.. Sot, teksa qëndroj tkurrur në cepin e dhomës ku thura në frymëmarrje ëndrra për ty..

Sot, shoh skelete që më ngjasojnë si minj.. minj të gjorë që i luten erës mos t’i cojë larg.. Unë po ndihem më i gjallë se kurrë. Sot, që retë po dergjen butësisht mbi të vdekur... shtrëngimet që duhet të pengojnë ndjenjat e mia, të rrëshqasin mbi vrazhdësinë e këtij trupi, po më pushtojnë..

Pse pikërisht tani? Pse zgjodhe sot, t'më ftohje këtë ferr? Pse po më çon larg monotonisë?...

..E di cfarë më tregoi era, e ëmbël? Ajo kishte lodruar në sytë e tu.. Kishte parë sa e sa stuhi në to, i kishtë parë diajt teksa mbyteshin në dritë, e kishte parë shiun.. më kishte parë mua... Mos vallë?...
Oh, tani melodia e shiut po bëhet më e vrazhdë..më e shpejtë..më e ndërlikuar.. Tani dëgjoj dhe erën të buçasë emrin tënd në boshllëk.. Atje lart.. dikush po mundohet të më qartësojë kujtimin e dy kristaleve të tua..Bilurë që dikur dominonte këto dy shkëmbinj pa jetë..

Por ti e ëmbla ime mos u shqetëso . Unë jam mirë.. Janë rrahjet e dickaje që më pompon në kraharor ato që po cmenden... cmenden teksa kujtimi yt, vallëzon ciltërsisht me arsyetimin tim, të vyshkur..

...Retë egoiste e arritën qëllimin e tyre dhe po treten.. fjalët e tua nuk po përplasen më gjithë mëri në dritare dhe minjtë era i dërgoi nëntokë.. Po unë mjerani?..

Ulur në cepin e dhomës sonë shtrëngoj foton tënde të qullosur gjithnjë e më fort e tashmë nuk e dëgjoj simfoninë, por oshëtimën e shpirtit të asaj që të këputi flatrat..Asaj që të solli këtu mes nesh...Apo mos vallë të kishte marrë malli për atë vend e dashur? Mund të kishim shkuar së bashku...

...Oh, ja tek ndjej çmendurinë e notave t'më rrënqethi sërish..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat