“Vajza e manaferrave”, një xhevahir i ri në gjerdanin poetik të Delo Isufit

Kultura

“Vajza e manaferrave”, një xhevahir i ri në gjerdanin poetik të Delo Isufit

Nga: Viron Kona Më: 2 prill 2020 Në ora: 14:44
Viron Kona

 "Dritē e bukurisē nga qielli zbriti,

Andej nga vijnē vetēm perritē,

Jargavanēt çelen lule shpirti,

Aroma e tyre marrosi perēnditē.”

Kam përpara vëllimin më të ri poetik të Delo Isufit “Vajza  e manaferrave” dhe nuk di pse më kujtohet koha kur lexonim librin e  tij të parë me poezi: “Magjia  e syve”. Ime bijë, sa s`ma rrëmbeu librin nga dora ende pa e mbaruar dhe nisi të lexonte me etje e përqendrim. Pak ditë më vonë, e kërkova përsëri librin, por ajo më tha me ndrojtje se ia kishte dhënë një shoqeje dhe, ndërsa unë e “urdhërova” që të shkonte e të ma sillte menjëherë librin, ajo shkoi e u kthye e përskuqur në fytyrë dhe më tha se shoqja e saj i kishte dhënë një shoqeje tjetër. Mesa kuptova, libri i Delos kish nisur të kalonte dorë më dorë mes fqinjave, shoqeve  të vajzs sime. E ndërsa unë, vijoja avazin e “grindjes” me time bijë, ime shoqe, që të më zbuste zemërimin, më tha:  “Po ti vet ke thënë se poezia është e lirë si zogu dhe shkon e fluturon nga s`e pret!”

Kur e kishim përuruar atë libër, me ne ishte dhe poeti dhe kritiku i njohur shqiptar, por dhe miku ynë, i miri dhe i dituri Perikli Jorgoni. Mbaj mend që i thashë me humor se, “Deloja na ka futur në sherr” me këtë libër”. Ai bëri buzën në gaz dhe tha:“Poezia e Delos përcjellë shumë vlera, por veçanërisht në poezinë erotike është një zë tepër i veçantë.”

Që nga ajo kohë kanë kaluar shumë vite dhe, libra të tjerë të Delos  zbukurojnë jo vetëm etazherin tim, por në radhë të parë mendjet e lexuesve, ata shfaqen të bukur njëri pas tjetrit si ditët e  pranverës, secili me gjelbërimin, ngjyrat  dhe me begatinë e  tij: “Magjia e syve”, poezi, 1998, “Lulet e zemrës, poezi, 2003, “Kur lahet hëna” poezi, 2006, “Ndjej tek ikën”, novelë 2008, “Ëndërr e grisur”, poezi, 2012, “Tavolinë  rezervuar”, poezi, 2016. Dhe, ja, tani “Vajza e manaferrave”…

Poezitë lirike janë nga më të spikaturat në krijimtarinë e Delo Isufit. Aty ai shkëlqen me tërë bukurinë  e ndjenjave, të fjalës dhe të mendimit, aty frymëzimi i tij hap krahët si zgalemat e lirë në fluturim, që lëvizin në hapësirën qiellore kohë e pa kohë, në kohë me diell dhe me shtrëngatë, në shi e dëborë. Mbase kjo lidhet dhe me vet profesionin bazë të Delo Isufit, pilot i avionëve supersonik, që i ka rënë qiejve të Shqipërisë anë  e kënd, dhe, mbase, atëherë, në ato lartësi dhe me shpejtësi marramendëse, atij i shfaqej vagëllimthi fytyra e vajzës engjëllore që, atje lart ndizte vetëtimat dhe dritat e yjeve shkëlqimtarë... E cila vajzë nuk do të kishte dëshirë që, dikush ta ëndërronte atje në lartësitë qiellore, atje ku mblidheshin dhe kuvendonin  hyjneshat dhe perënditë? Atje, ku “merreshin vendime” për fatet dhe të ardhmen e tyre? Por, herë-herë, poezitë e dashurisë së Delos ngjasojnë edhe me dallgët e detit, kur mbi to bien rrezet e diellit dhe kur stërkalat e ndritshme shndërrohen në mijëra pikla  margaritarësh, teksa lexuesi ndjen freski dhe ngrohtësi njëherazi, ai dëshiron dhe ëndërron, veçanërisht kur figurat poetike, metaforat, shfaqen dukshëm dhe në vendet e tyre: “Prit mike në pranverë,/Të jesh e bindur aty jam,/Do të sjellë lule me erë,/Do t`i mbjell në fustan./Katër stinë, vetëm kalova,/Mike mbete nëpër reshta,/Ndonjëherë po të takova,/Do të jap një thes me vjersha”. Poeti na lë të kuptojmë  në këtë poezi se poetët nuk kanë pasuri monedhash a pronash, as aksione dhe llogari bankare, por pasuria e tyre është pasuri shpirtërore, që është dhe pasuria më e madhe dhe më e lakmuar nga gjithkush.

Është një poezi me shumë zjarr e nektar-ngjyer poezia “Baresha” , ku poeti i dashuruar humbet udhën nga hutimi i dashurisë, teksa vajza bareshë e ndrojtur, por që dashuria i vlon brenda gjirit si prush i mbuluar, zbulohet përpara poetit të dashuruar krejt befasisht:“Vështrimet u gërshetuan, /Nga dora i ra sapllaku, /Mos, të lutem, tha hutuar,/Por vështrimin nuk e flaku./I hodha dorën në qafë,/Ajo heshti vetëm heshti,/Buk ` e dhallë më vu në trastë,/Dhe një palë çorape leshi”. Poeti protagonist largohet me premtimin se do të kthehej përsëri, por u kthye shumë vonë dhe siç dihet, “zjarrit po nuk i hodhe dru ai  shuhet”. E, ndërsa e kërkon bareshën: “Nuk lashë vend pa kërkuar,/Stan më stan e fshat më fshat, /Ndoshta ajo ishte martuar,/Ndoshta kish mërguar larg./ Dhe çdo ditë në fletore, /Qëndisja fytyrën e  saj, /Çobaneshën engjëllore,/Nuk do vdes pa  e parë./Vitet ikin dhe ajo mbeti,/nëpër vargje, nëpër reshta,/Dhe një palë çorape leshi,/Kam kujtim nga baresha.” Një poezi që ndez zjarre dhe lë pezull kurorëzimin e dashurisë, që mbeti vetëm në ëndrra ...

c      https://shqiptarja.com/uploads/780x440/1583346090_admirina.jpg

                                                                           Poeti Delo Isufi

Po kaq fuqishëm shfaqet ndjenja e zjarrtë e dashurisë te vjersha “Mall për miken”, ku poeti spërkat me nektar fjalorin e tij poetik, teksa poezia rrjedh si uji i pastër nga burimi  apo nga gurra popullore: “Fustanella fluturonte,/Xixa lëshonin patkonjtë,/Tek jarania labi shkonte,/Që t`i puthte gush` e ftonjtë./U takuan me shumë mall,/Mikja darkën kish bërë gati,/Nat` e tyre flak e zjarr,/Ajo eshkë e, strall labi.”

Vëllimi ka edhe poezi me karakter filozofik, por që janë jetësore dhe i drejtohen jo thjesht jetës por njerëzve me prirjet, zakonet, huqet, me karakterin e tyre. Siç thotë Viktor Hygoi, “Poezia nuk qëndron te forma e mendimeve, por te vetë mendimet” e, nisur nga kjo sentencë, them se vjen me një nëntekst të fuqishëm poezia “Sot kë do shpallim armik?!” ku poeti gjuan me një shigjetë të mprehtë anën e errët që shfaqin disa njerëz në karakterin e tyre: “Ç`është ky zakon i mbrapsht yni/Mburrim e shajmë çdo miqësi,/herë nga lindja, herë nga perëndimi,/Çdo të djeshme e quajmë fatkeqësi!/E pastaj njëri-tjetrin shajmë tek të tjerët,/E quajmë armik, tradhtar, kuisling,/Sa çohemi nga gjumi, në mëngjes herrët,/Mendojmë: Sot kë do shpallim armik?!”

Duke  i njohur mirë zakonet dhe tradita shqiptare të mikpritjes, Delo Isufi  mbështetur në tabanin popullor shqiptar dhe në gjuhën e  popullit, që e njeh mirë dhe me detaje, na shfaqet i tillë edhe në poezinë  “Kënga e mesnikut” ku, përpara lexuesit, krahas mikpritjes tradicionale, ai  zbulon aftësinë e vajzave dhe grave shqiptare për gatime të rralla për nga shija, por dhe për bukurinë e zakoneve të shtrimit të një vakti, të një dreke apo darke përpara mikut që u vinte në shtëpi: “Rreth e rreth sofrës,/U mblodhën fëmija,/Burrat pranë tyre,/Nisën nga dollia./E zonj` e shtëpisë,/ia mori një kënge,/fëmijët mbanin iso,/Miku mbet pa mendje”. Dhe, poeti e mbyll poezinë e tij duke na zbuluar se ku ndodhet ky vend kaq mikpritës dhe me kulturë të lartë gatimi:  “Ky është Gramshi ynë,/Gramshi i mesnikut,/Vend i bukurisë,/Dhe oxhak i mikut.”

Te poezia “Piktorja”, poeti Isufi bën një përshkrim me nota lirike të një pikture, si dhe zbërthimin poetik të saj, me mendime të tilla që, edhe studiuesit e pikturës besoj do të huazonin diçka nga mendimi i poetit:  “Vajzën piktore e takova vetëm një herë,/Gjithë zogjtë e qiellit atë ditë zbritën aty,/Fytyra engjëllore, përherë pranverë,/Katër stinët e viti i reflektoheshin në sy.”

Është një episod poetik mbresëlënës poezia që i jep titullin librit “Vajza e manaferrave”, e ku Delo Isufi shpërthen me lirizmin  tij të magjishëm, si të na rrëfejë se bukuria poetike qëndron edhe në thjeshtësinë e vargut, e ku respekti ndaj saj zhvishet nga interesa të vogla meskine, teksa mua si recensent i këtij libri, më bën të ndihem si përpara një burimi, ku ujin nuk shkon ta pish as me shishe plastike dhe as me gotë, por ujë pihet duke mbledhur duart kupë dhe duke e pirë me etje, direkt nga natyra e virgjër: “Manaferra më solli një ditë,/I kishte mbledhur me duart e saj,/I gufonte gjoksi dhe gjinjtë,/Si një det tallaz e valë./Unë i putha buzët e sytë,/Dhe gushën e saj të bardhë.”

Temën e kurbeti, Delo Isufi e trajton me pak vargje, por fuqishëm. Janë vargje që mbeten në mendje, si për bukurinë e vargëzimit, por edhe më shumë për mesazhin dhe mendimin tronditës që përcjellin, veçanërisht kur rrëfehet në mënyrë poetike për fatin e mijëra njerëzve, sot të moshuar në Shqipëri që, ndonëse kanë pasur apo kanë shumë fëmijë, i kanë ata larg nëpër botë për të siguruar mbijetesën për vete dhe familjet e tyre. E, ndërsa vajzat dhe djemtë në mërgim rropaten e punojnë larg atdheut, disa prej tyre edhe i ka zënë “sëmundja”  e harresës për prindërit. Ndaj, Delo Isufi na trondit me mesazhin poetik që përcjell me poezinë “E moshuara.”: “E pushtuan ethet gruan e moshuar,/Prej vitesh banonte e vetme në shtëpi,/Burimi i lotëve nga sytë kish shteruar,/Në kurbet kish përcjellë pesë fëmijë./Për ditën e lindjes nuk i erdhi asnjëri,/Mbi tavolinë vendosi pesë fotografi!”

Natyrisht që poezia “India ime” përbën një arritje tjetër të këtij vëllimi poetik. Është një poezi e krijuar në Indi, kur poeti ynë Isufi ishte ftuar për të marrë pjesë në një festival poetik, në të cilin ishin pjesëmarrës  poetë nga e gjithë bota. Siç tregon Deloja, vendasit indianë dhe pjesëmarrësit e atij festivali, kishin shprehur dëshirën që poeti ynë ta lexonte poezinë, veç anglishtes, edhe në gjuhën shqipe. Natyrisht që ky rrëfim na emocionon dhe na kujton natyrshëm shprehjen e  albanologut të njohur francez Eduard Shnajder, i cili  në vitin 1894, thoshte: “Gjuha shqipe paraqitet si “tingëllimi më i pastër e më besnik i gjuhës pellazge”. Pjesëmarrësit e atij festivali poetik, kishin duartrokitur me entuziazëm poezinë, mesazhin e saj, por, po aq edhe bukurinë dhe tingëllimin e gjuhës shqipe: “Në Vijayaëada e takova Indinë, /Poetë kishin ardhur aty nga gjithë bota,/Aty e përqafova madhështinë, /Madhështi që nuk e njeh Europa/. Me dhjetëra gjuhë fliteshin aty,/Në harmoni me një popull të tërë,/Mirësia e indianëve lexohej në sy,/Dhe shpirti i tyre i madh, i gjerë.”

Një poet si Delo Isufi, nuk mund të heq dot dorë nga “erotika” që është prirja dhe veçoria e tij krijuese në poezi. Këtë veçori ai  shfaq edhe te poezia “Poetes indiane” ku lexuesi, duke shijuar vargjet dhe strofat, mban frymën te: “Sytë nga Ty i drejtuam, / Tërë burrat në atë sallë, / Kot ne paskemi shkruar!/Thirri një poet i marrë!”. Ose, te poezia tjetër  “Poetja këngëtare” në të cilën poeti vargëzon: “Një indiane e nisi këngën,/Nuk ish këngë po cicërimë,/Unë e ngatërrova me hënën,/Kur ajo shfaqi bukurinë./Pastaj këndova dhe unë,/në gjuhën tonë perëndie,/  “Vito ç`mu bëre në gjumë”,/Këngë e vjetër dashurie.”

Deloja është poet që ka fituar prej kohësh zemrat e lexuesve, ai i  fton ata bujarisht në kopshtin e tij poetik, teksa ata e vlerësojnë dhe e përgëzojnë me fjalë shpirti dhe zemre. Por, edhe poetët dhe shkrimtarët ngazëllehen nga bukuria e  vargjeve të Delos, ndaj dhe shprehen artistikisht për kolegun e  tyre: “Poet i figurave befasuese dhe i metaforave interesante”, e cilëson Delon poeti i njohur Agim Bajrami. Studiuesi Kadri Tarelli dhe publicisti Bashkim Saliasi e quajnë, “Këngëtar të Dashurisë” dhe “Poet të dashurisë”, kurse kritiku i njohur Sejdo Harka, shkruan se “Dashuria për poetin Isufi është shpresë e frymëzim, është ëndërr dhe shpëtim”.

Urime poetit Delo Isufi, i cili me këtë vëllim të ri, e zbukuron edhe më shumë gjerdanin  tij poetik, duke na ngjallur ndjenja dhe emocione të bukura, por edhe kureshtje  për librin tjetër të radhës...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat