Gërshetim i fa(k)teve historike dhe vlerave artistike

Kultura

Gërshetim i fa(k)teve historike dhe vlerave artistike

Nga: Sadri Rexhepi Më: 5 prill 2020 Në ora: 16:39

Ahmet Pllana është njëri ndër krijuesit më të shquar nga Kastrioti i cili shquhet me talentin dhe stilin e tij të të shkruarit, me vargje të shkurtëra, por të fuqishme. Poeti në fjalë ditë më parë solli në dritë librin e botuar “Kujtoj Mollën e Kuqe”në ribotim të zgjëruar me poezi për të rritur. Libri me titull “Kujtoj Mollën e Kuqe” është libri i parë i tij i botuar në vitin 2010 apo si thonë ndryshe gëzimi i parë ose fëmija i parë, i cili poetit i hapi rrugë dhe i dha vullnet dhe kurajo për të botuar edhe libra të tjerë, sikurse “Hëna fle mbi antenë”, 2011, “Rrugëtimi i dritës”, 2012, “Dashuri e vetmi”, 2013, “Portreti në gjeth”, 2014, “Buzëqeshje vjeshte”, 2015, ndërsa në dorëshkrim i ka edhe dy libra me poezi dhe dy romane “Dëbimi” dhe “Gruaja e divorcuar”. Libri “Kujtoj Mollën e Kuqe” është njëri ndër librat e botuar të këtij autori, i cili tashmë është emër i njohur për opinionin, ngase për shumë vite ka qenë prezentë në letrat shqipe me shkrimet e tij letrare dhe gazetareske. Autori ka punuar gazetar në shumë media të shkruara dhe elektronike në Kosovë, sikurse në “24 Orë”, “Koha Ditore”, “Kosova Sot”, “Kosovapress”, “Epoka e Re”, “Lajm”, Neës TV, “Eurobiznes”, “KosovaPost”, etj. Ndërkaq, autori pos poezisë për të rritur shkruan edhe për fëmijë, që e dëshmon libri me vjersha për fëmijë me titull “Hëna fle mbi antenë”. Ai me shkrimet e tij profesionale prej gazetari dhe redaktori në gazeta e revista ditore, javore dhe mujore, si në “Rilindja”, “Zëri”, “24 Orë”, “Koha Ditore”, “Kosova Sot”, “Epoka e Re”, “Lajm”, “PrishtinaPost”, “Kosovapress”, “Zëri i Shqiptarit”, “Euro-Biznes”, “Opinion Plus”, “Tema”, etj. ka arritur që për opinionin të jetë emër i njohur. Mirëpo, ai nuk është emër i panjohur edhe në fushën e krijimit letrar, ngase para luftës, në vitet e ‘70-ta, ‘80-ta dhe pas luftës ka botuar mbi 200 poezi nëpër gazeta dhe revista letrare në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Ahmet Pllana paraqitet me këtë libër të parë me poezi për të rritur pas një përvoje shumëvjeçare në shkrimin e poezive. Ai me shkrime letrare ka nis të merret shumë heret, qysh prej klasës së pestë të shkollës fillore, kurse vjersha e parë me titull “Mrika” i është botuar në vitin 1970 në revistën letrare “Pionieri”, kurse poezitë e para për të rritur i janë botuar në revistën letrare “Jeta e Re” në vitin 1972. Ai ka nisur të shkruajë shumë heret, si fëmijë nxënës i klasës së pestë të shkollës fillore. Mirëpo, për këto vite, prej vitit 1970 kur iu botua vjersha e parë, poeti ka arritur t’i shkruajë diku rreth 700 poezi, kurse rreth 600 poezi i janë djegur gjatë luftës së fundit 1998/1999. Në librin me poezi “Kujtoj Mollën e Kuqe” autori trajton tema të ndryshme, por temë kryesore është Toplica, gjë që e dëshmon edhe titulli i librit e kjo don të thotë përtej Naisusit të historisë së kryehershme që nënkupton Toplicën me Kosanicë. Autori përmes vargjeve krijon ndërlidhësinë dhe shumësinë tematike-lirike, ndërsa prek tundimet ekzistenciale të popullit shqiptar në një kohë të caktuar dhe në një regjion të caktuar, siç është Toplica me Kosanicë në vitet 1877/1878. Poeti pëmes vargjeve shumë bukur e bën gërshetimin e fakteve historike me vlera artistike. Libri me poezi i Ahmet Pllanës me titull “Kujtoj Mollën e Kuqe”, kryesisht i kushtohet Toplicës me Kosanicë, trevave të banuara kryesisht prej shqiptarëve deri në vitin 1878. Në Kosovë deri më tash nuk kemi pas libër me poezi që i është kushtuar kryesisht Toplicës, andaj me të drejt mund të thuhet se ky është libri i parë me poezi në letërsinë shqiptare që krijohet në Kosovë, Shqipëri dhe trojet tjera shqiptare, i cili i kushtohet kryesisht Toplicës prej nga të parët e autorit e kanë prejardhjen, pikërisht nga Pllana e Madhe e Toplicës. Poeti assesi nuk e harron Toplicën, vendin e të parëve të tij, sepse babai i gjyshit të tij, Sylë Jashari, ka lindur në Toplicë, pikërisht në fshatin Pllanë e Madhe. Autori i përmend edhe varrezat që i kanë lënë të parët e tij në Toplicë dhe shpreson se një ditë do t’i vizitojnë. Autori i përkujton vështirësitë, sfidat dhe sakrifikicat e shqiptarëve të Toplicës deri në vitin 1878, kur me dhunë masakruese në forma të ndryshme gjenocidale janë dëbuar nga trojet e tyre nga policia dhe ushtria agresore okupuese serbosllave e asaj kohe. Shqiptarët kanë kërkuar fatin ekzistencial dhe mbijetesën. Ata i përshkonte fryma e dashurisë për trollin etnik, mirëpo fuqia e ka bërë të veten dhe shumë shqiptarë janë vrarë e masakruar, por edhe shumë të tjerë kanë ikur për në Kosovë për të gjetur shpëtim. Përjetimet e tmerrshme, dhuna dhe dëbimi që pësuan shqiptarët e Toplicës në vitin 1878, janë fakte historike, të cilat i shpjegon edhe historia. Prandaj, poeti Ahmet Pllana, duke u bazuar në këto fakte dhe në fjalët që ia kanë thënë gjyshi e stërgjyshi për Toplicën, i shndërron në vargje me plot dhembshuri. Shqiptarët e Toplicës e Kosanicës në atë kohë nga dhuna e shfrenuar lëshuan vatrat stërgjyshore. Pasojat vrastare, djegëjet e shtëpive dhe pasurisë, dëbimi me dhunë nga pansllavistët serbë për zhdukjen e qenësisë së një etnikumi, vetëm pse ishin shqiptarë, ishin fatale, sepse në Toplicë e Kosanicë ku kishte 740 fshatra të banuara vetëm me shqiptarë, e 190 fshatra me 98% shqiptarë e vetëm me 2% serb e të tjerë pas vitit 1878 më nuk ngeli asnjë shqiptar. Autori në këtë libër përmes vargjeve shpreh indinjatën e thellë dhe shqetësimin shpirtëror të tij, shpreh dhembjen dhe mallin për vendin e të parëve të tij, për Toplicën. Krijuesi Pllana në vargjet e tij paraqet ndarjen padrejtësisht të Shqipërisë etnike në disa shtete. Ky shqetësim paraqitet te poezia me titull “Mallkimi i Murit”. Autori në këtë libër me poezi, i cili është ndarë në pesë cikle, artikulon tema të fatit të shqiptarëve dhe përditshmërisë së tyre. Pos kësaj, autori përmes vargjeve kritikon veset e liga të njerëzve, përshkruan ngjarje dhe karaktere, dukuri dhe fenomene, të mira dhe ligësi. Një vend të veçantë në libër zënë vargjet që shprehin monotoninë e përditshmërisë që vijnë si pasojë e zhgënjimeve dhe shqetësimeve të ndryshme. Vërehet monotonia dhe trandja nga të ligat e kohës që vijnë si vargim, por gjithnjë me shpresë, sikur që thotë poeti në vargun “sillet rrota…”. Autori mendon në rrotën e historisë. Ka edhe ndonjë varg që shpreh shqetësim të thellë për kohën që ishte në vitin 1878, sikurse vargu “Ka ardhur koha, i gjalli t’i marrë lakmi të vdekurit…”. Ndërkaq, në poezinë me titull “Qëndresë” autori na paraqitet si një zë kryengritës në mënyrën e vetë, kundër absurdit dhe mitit shizofren, derisa miti edipian vie si peshë e kohës nëpërmjet motivit krijues, sikurse te poezia kundër tradhtisë së gruas dhe ndarjes së bashkëshortëve. Mjerisht, këtë barrë e bartin fëmijët, të cilët do të kenë pasoja në jetë. Autori shpreh dukuritë shoqërore të ndjeshmërisë dhe përjetimin e realitetit, vendimet jetësore dhe qasjen e drejt të individit në proceset jetësore. Autori në poezinë e tij guximshëm e ka trajtuar temën e të qenit vetvetja dhe jo me kriticizëm dhe inferiorizëm ndaj vetvetes. Autori në poezinë e tij e përdorë teknikën moderne të të shkruarit letrar e artistik me përmbajtje të plotë e pa zvetnim poetik. Poezia e tij ka mesazh dhe porosi, ka rrëfim shumëdimensional. Autori angazhohet për një dashuri të sinqertë mes njerëzve. Së këndejmi, ky autor me këtë libër ka dëshmuar se është një krijues me përvojë dhe se premton shumë në të ardhmen. Së këndejmi poezia e Ahmet Pllanës në këtë vëllim poetik me një titull mjaft provokativ dhe që nxit kurreshtje te lexuesit “Kujtoj Mollën e Kuqe”, pa më të voglin dyshim na sjell një vlerë të arritur letrare. Sprova e tij është një përpjekje për të komunikuar me lexuesin edhe përmes vargut dhe stilit poetik. Ai mundohet ta gjej të vërtetën dhe ta ndaj rrenën nga e vërteta, ngase shpeshherë në jetë rrenën e marrin për të vërtetë. Autori në poezinë me titull “Mos i beso rrenës” e thotë këtë mesazh. Pllana në mjedisin ku frymon dhe vepron, provon të rropatet me kërkesat e njerëzve të thjeshtë, të cilët i shikon me dioptrinë e një vrojtuesi, që dashtë e pa dashtë sjell para të tjerëve gjithë bagazhin e jetës dhe përpjekjeve për t’u ballafaquar me gjithë krajatat që vetëm jeta di t’i sjellë. Prandaj, këtë detyrë, sa të vështirë, po aq edhe fisnike, mundohet t’ia servojë lexuesit përmes tabllove bardhë e zi, siç është vetë jeta. Poezia e Ahmet Pllanës është e angazhuar dhe e nxjerrë nga laboratori i verbit poetik me një këngëtim jo të zymtë dhe jo të pakuptueshëm, por të çiltër dhe modern. Poeti në poezitë e tij vërehet se qëndron si digë për t’i tejkaluar rreziqet dhe udhëkryqet e jetës për të arritur deri te pikëgjetja jetësore, deri te malli (mërgimi), mburrja (qëndresa), dhembja (vuajtjet) dhe krenaria (liria). Deri te përditshmëria jonë (karakteret) dhe shqetësimet për të kaluarën e hidhur të gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë, të cilët në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u shpërngulën nga Sanxhaku i Nishit apo siç thotë poeti “nga Molla e Kuqe” për në Rrafshin e Kosovës. Përmes vargjeve të Ahmet Pllanës, përkatësisht përmes kujtimit të tij për Mollën e Kuqe, edhe lexuesit ia kujton vuajtjet që kanë përjetuar shqiptarët e shpërngulur nga Sanxhaku i Nishit. Kështu përmes vargjeve shpaloset një kohë dhe një histori. Vargjet e tij korrespondojnë lirshëm dhe pa hezitim dhe janë të çiltëra dhe të kapshme lehtë për lexuesin. Poezitë e Pllanës nuk do t’i quaja poezi “deklarative”, siç do të thoshte ndokush, sepse ato kanë përmbajtje, kanë ritëm poetik, kanë muzikalitet poetik dhe kanë art poetik. Pllana me vargjet e tij e çmon lexuesin dhe i falet atij, por edhe mundohet t’i falë atij vargje dhe poezi nga më të përzgjedhurat, të cilat renditen brenda kopertinav. e të këtij vëllimi poetik. Njwra ndwr kwto poezi wshtw edhe KULINA KRENARE

KULINA KRENARE

e malit në Sharban e Halabak I buzëqeshin Kulinës kodrës së lartë Kulina këndellshëm gëzueshëm shikon Përherë lumin Llap n’bredhje rrjedhje.

Kulina e lashtë krenare ilirike mike Hedh valle qetas padiktueshëm pa zë Pranë lumit të pandalshëm në ecje Trisht loja lind mbanë besën pa droje.

Soditje e lehtë e lumit Llap krenarisë

Mburrje e historisë mbretërisë Ilirisë

Lirisë paqes shtetësisë lumturisë

Mburrje kohe mburrje e shekullit.

Shumë erëra e rrahën Kulinën krenare

Mburojën e kohës beqare trime ashiqare

Kurrë nuk diti t’gjunjëzohej bie n’gjunj

Qëndroi burrërisht si lisat e Rimanishtës.

Sa herë në janar e rrahte shtërngata e fortë

Maja e Kulinës me shall e plis të bardhë

Gjëmonte me shpresa gjithnjë gëzueshëm

Dhe nuk dorëzohej se nuk dorëzohej.

Më 17 shkurt 2008 Kulina krenare trime

Hapi krahët lum shteti im e liria ime

Mallin malin e Kulinës lumi e dashuron

Maje kodre maje Kuline kalaja mbijeton!

A thua maje kodre maje Kuline

Do të bëhet një gejzer i ri me ujë

A thua maje kodre maje Kuline o mik

Do të bëhet lartë edhe një Krujë?!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat