Lavde për Dritën

Kultura

Lavde për Dritën

Nga: Tonin KIaçaj Më: 7 prill 2020 Në ora: 17:57
Ilustrim

Pa vdekjen,

Era s’do vinte netve për gjethin

E xixilloja s’do digjej deri n’amshim,

Synit do t’i mungonte loti,

Andrra s’do ish.

S’do ndodhte Drita.

 

Pa vdekjen,

Qiellit do t’i mungonin yjet,

As vetë qielli s’do ish,

Do mungonte “Mes meje e dritës asht drita”*,

Bota s’do t’i njihte fmit.

S’do ndodhte Dashnia.

 

Pa vdekjen,

Flutura s’do digjej netve te drita,

Shpirti, thjesht nji takám drite i tepërt,

S’do egzistonte përjetsia,

Kordë e shiut s’do ishte muzikë.

S’do ndodhte Heshtja.

 

Pa vdekjen,

Bari s’do rí-nte në pranverë

E zogjt s’do vizatonin qiellit shkróla drite,

S’do egzistonin Budë, Krisht e Mohamet,

Shtatit t’plepave në natë s’do rridhnin qiej,

Malli njerzor s’do njelmónte edhe détnat.

S’do ndodhte Njeriu.

 

Pa vdekjen,

S’do egzistonte as vetë Vdekja.

Zoti, nji hiç.

 

Pa vdekjen,

Poezia s’do ish.

 

***

Mars, 2020.

*- proverb Indus

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat