Disa fjalë për poezinë e poetes Bukurie Binjaku

Kultura

Disa fjalë për poezinë e poetes Bukurie Binjaku

Nga: Zymer Mehani Më: 9 prill 2020 Në ora: 14:46
Bukurie Binjaku

Poezia e Binjakut e ka ndezur kureshtjen tonë, qysh në kontaktet e para me artin e saj, si dhe ka ndjenja të fuqishme, me të cilat e përjetojmë në tërësi poezinë e saj, me të mirat dhe porositë e saj. Këto elemente premtojnë se kjo poete ka për të arritur shpejt në një shkallë serioze të zgjuar krijimtarisë letrare, ngase trajtat artistike të poezisë së saj ne i shohim si të plota dhe inventive.

Ajo u ka vënë vulë vargjeve të veta me emrin e vet, duke i ngjyruar me një ngjyrë të veçantë, duke i evituar zbrazëtitë e çalimet, me rropatjet krijuese dhe shtytjet e frytshme.

Sido që të jetë, Binjaku u shfaq në qiellin poetik si autore e talentuar dhe interesante. Në vargjet dhe poezitë e saj, gjithmonë në planin e parë, do ta gjejmë atdheun, ngase, siç u theksua dhe njëherë, lajtmotiv i poezisë së saj është atdhedashuria. Atëherë, duke e marrë këtë si motiv dominant, prej kësaj poeteje, me të drejtë presim dhe kërkojmë shumë, sepse na duket se ajo di ta pikturojë atdheun e saj, si brenda dhe nga jashtë. Po ashtu, kjo poete në vargjet e veta di ta shtjellojë edhe fatin e njeriut, marrëdhëniet e raportet, mendjeprehtësinë, bujarinë shqiptare etj., bashkë me paragjykimet dhe veset nga më të ndryshmet.

Poezia e Bukurie Binjakut rrjedh nëpër trajtat e rëndomta jetësore në mënyrën e vet, duke u ngritur në nivel të duhur. Poetja tregon maturi dhe gjakftohtësi kundruall befasive të jetës. Nganjëherë ndoshta do të donte të rebelohej e të bërtasë, duke i dhënë hov të posaçëm vargut për të shprehur shqetësim ndaj kësaj a asaj dukurie, por rëndom të josh me të vargëzuarit si lajmëtare e bukurive të vogla të jetës.
Brengat, dyshimet dhe druajtjet në poezinë e Binjakut nuk përfundojnë asnjëherë me pesimizëm, por edhe ato janë si dëshirat dhe përjetimet e tjera, fryt i emocioneve të ngrohta, vërejtjeve dhe zbulimeve realiste.


Biografia e autores
Bukurie Binjaku është lindur dhe rritur në një fshat malor, që quhet Gjinar, i cili ka qenë dhe është pikë turistike.
Rrjedh nga një familje e fisnike që jetonte me bukën e saj. Ka pasur dy prindër të shkëlqyer, punëtorë, bujarë e të ndershëm.
Në vendlindje mbaroi shkollën tetëvjeçare dhe të mesmen bujqësore.

Në lëndët gjuhë e letërsi ka qenë e shkëlqyeshme, sikur edhe në të tjerat, por zemra për gjuhën dhe letërsinë shqipe i rrihte më shumë. Për shkaqe ekonomike nuk mundi t’I vazhdonte studimet!

Në moshën 18-vjeçare, bashkë me familjen u shpërngul në një fshat në periferi të qytetit të Elbasanit, që quhet Hajdaran.
Në moshën 24 vjeçe u martua, ku sot ka tri vajza. Në vitin 1997 mori rrugën e mërgimit, në Greqi, për një mbijetesë nga varfëria e asaj kohe. Sot jeton në qytetin Katerinë të Greqisë.

Krijimtarinë dhe këngën e ka pasur pasion që nga vegjlia, por për shkak të kushtetve të e vështira ekonomike, qindra poezi i mbylli në sirtar.
Sot, që iu dha mundësia e teknologjisë së përparuar, ndjehet e lumtur që mund të shpërndajë dritën e shpirtit të saj poetik krijues.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat