Intervistë e gazetarit Fran Gjoka me shkrimtarin Viron Kona

Kultura

Intervistë e gazetarit Fran Gjoka me shkrimtarin Viron Kona

Nga: Fran Gjoka Më: 11 prill 2020 Në ora: 12:55
Viron Kona dhe Fran Gjoka

-Z. Viron, si ndiheni në këto kohë, kur thuajse e gjithë bota është strukur në karantinë për t`u mbrojtur nga Covid-19?

-Ndihem si të gjithë, i izoluar “me dëshirë”, por ajo që më preokupon më shumë është padurimi dhe ankthi se kur kjo pandemi do të frenohet dhe nuk do të përbëjë më rrezik për jetën e njeriut.

-Je optimist?

-Po, besoj në fitoren e njerëzimit, i cili sot është më i bashkuar se kurrë, kundër kësaj të keqeje të përbashkët, që na ka kapur fort, po na mban nën kthetra dhe po na terrorizon.

-Beson se njerëzimi do ta fitojë shpejtë këtë betejë?

-Po, shoqëria njerëzore ka kaluar në rrugën e saj edhe “flama” të tjera, më të rënda se kjo dhe, me siguri edhe këtë do ta kalojë, veçse me dhembje.

-Beson në teorinë e shkatërrimit të saj pas ngritjes së temperaturës?

-Besoj se me ngritjen e temperaturës Covid-19 do të frenohet dhe fuqia e saj goditëse do të filloj të bjerë. Si dhe beteja të tjera me trupin e njeriut, edhe kjo ka nisjen, kulmin dhe rënien. Por asgjë nuk vjen vetvetiu: Njerëzimi, me qëndrimin që mban ndaj saj, ose e acaron më tepër, ose e frenon dhe e lufton deri në shkatërrim.

-Masat e marra ndaj saj, si për shembull kujdesi mjekësor, distancimi social, higjiena etj., janë masa të sigurta mbrojtëse për jetën?

-Higjiena është masa mbrojtëse që jep më shumë garanci nga çdo masë tjetër. Me sa duket edhe ne, edhe bota po e bëjnë këtë. Në radhë të parë duhet të dëgjojmë mjekët dhe të respektojmë e t`u bindemi masave të marra nga Qeveria Shqiptare dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

-Je i mendimit se, mjekët po i shohim me një sy ndryshe, tani që ka rënë kjo pandemi?

-Po, po shohim më qartë guximin dhe humanizmin e tyre, po i vlerësojmë më shumë. Ata janë skuadronet e parë të sulmit dhe garda jonë mbrojtëse kundër kësaj të keqeje, shumë prej tyre janë heronj të vërtetë, por, me ta, duhet doemos të rreshtohemi të gjithë.

-Mendon se Qeveria Shqiptare ka punuar dhe po punon mirë?

-Mendoj se është nga ato Qeveri të botës që ka punuar dhe po punon mirë. Ne duhet t`i zbatojmë me rigorizitet urdhërat, udhëzimet dhe orientimet e saj. S`mund të bëjë secili pas qejfit duke abuzuar me liritë dhe të drejtat e njeriut. Liria i ka kufijtë deri atje ku nuk cenon lirinë e tjetrit. Kështu që, liria dhe të drejtat tona sot janë në radhë të parë: të jetojmë, të mos bëhem pre dhe viktimë e sëmundjes, sepse, duke mbrojtur veten, mbrojmë edhe të tjerët.

-Po politika ka rol në këtë betejë?

-Politika? Ajo më mirë të mos ngatërrohet se do t`i bëj lëmsh gjërat. Është si t`i ndërhysh gjatë lojës një arbitri, që është duke e arbitëruar lojën.

-Edhe në qoftë se arbitri është i keq?

-Edhe arbitri më i keq, është më i mirë sesa kaosi dhe rrëmuja.

-Mendon se ne kemi arbitër të mirë?

-Po, mendoj se ne kemi arbitër të mirë.

-Ju dhe familja juaj, keni qenë mirë shëndetërisht gjatë kësaj kohe?

-Përgjithësisht mirë, sigurisht me ndonjë problematikë të vogël të stinës, ndonjë alergji të lehtë. Jetojmë në atmosferën që jeton e gjithë bota, nën presion të vazhdueshëm. Mosha ime, moshë e tretë, tashmë është e foksuar te familja dhe sidomos te mbesa dhe nipi i vegjël. Nga ana tjetër, edhe ata po përjetojnë një stresë të veçantë, ndihen të mbyllur brenda si zogjtë në kafaz dhe nuk e kuptojnë gjendjen e izolimit. Mendoj se, veçanërisht në këtë kohë, duhet të merremi më shumë me ta. Brenda shtëpive mund të organizojmë lojëra të padëmshme, “koncerte”, “shfaqje teatrale”, recitimesh, humor; t`i ndihmojmë në mësime dhe në kryerjen e detyrave, t`i argëtojmë dhe t`i largojmë sa të mundim nga bisedat e rënda dhe lajmet tronditëse të medieve. T`i ndihmojmë më shumë fëmijët.

-Mendoni se pas kësaj pandemie bota do të ketë ndryshime?

-Po, mendoj se shoqëria njerëzore do të rregullojë dhe do të organizojë më mirë disa gjëra të rëndësishme për jetën.

-Për shembull?

-Për shembull tani po kuptojmë se lëvizjet pa shumë makina po largojnë smogun dhe ajrin e ndotur, i cili i nxit dhe favorizon sëmundjet. Pavarësisht Covid-19, ne sot po jetojmë më shëndetshëm. E shohim dhe e ndjejmë atmosferën me më shumë dritë, ajri është i pastër, qielli i pastër dhe transparent; në Nepal njerëzit po arrin më në fund të shohin me sy të lirë majat e Himalajave, të cilat më parë ishin të mbuluar nga smogu, ashtu siç ne shohim Dajtin apo nga Dajti shohim Tiranën. Imagjinoni se, në vend të ajrit të pastër të natyrës, ne futim në mushkritë tona sasi të mëdha smogu, CO2 dhe ajër të rëndë, që e krijojmë vet me gazrat e makinave, me pluhurat e çimentos dhe materialeve të ndërtimit, me furrat që djegin gëlqere, me tymin e zjarreve të pyjeve që digjen parreshtur...E ç`të mos presim sëmundje me këtë ajër që thithim?! Ne vrasim pak nga pak dhe çdo ditë vetveten! Corona-virusi vetëm sa i vë kapakun! Ai është si “ujku” që kërkon mjegull dhe, mjegullën e ka me bollëk.

-Ju po thoni se lufta kundër ngrohjes globale është një luftë edhe kundër viruseve dhe sëmundjeve të ndryshme?

-Kam bindjen se ne po vëmë dorë mbi natyrën dhe ajo po hakmerret në forma dhe mënyra të ndryshme ndaj nesh, ajo reagon siç reagon një trup kur e pickon, e plagos apo e dëmton rëndë. Duke “mbytur” natyrën me CO2, duke shkatërruar pyjet dhe hapësirat e gjelbëra, duke u mbledhur e jetuar grumbull, gati ngjitur e ngjitur me njëri-tjetrin nëpër qytete të mëdha dhe, duke iu larguar natyrës, e të tjera shkaqe që thashë edhe më sipër, neve veprojmë kundër shëndetit tonë. Tani po kuptojmë se shumë njerëz janë mësuar të lëvizin vetëm me makina dhe çdo lëvizje dhe veprim e kryejnë vetëm duke qëndruar në sediljet e buta të tyre apo kolltukët e zyrave, duke u ushqyer me lëngje të gatshme dhe me brumëra, me fruta dhe ushqime që mbahen me muaj nëpër frigoriferë, gjithnjë duke i kthyer shpinën natyrës, ajrit të pastër, ushqimit të freskët, fshatit dhe bujqësisë. Kështu njerëzit bëhen obezë, të dobët, të ngathët për të reaguar ndaj sulmeve virusale që i bëhen kohë pas kohe trupit të njeriut. Mendoj se gjatë kësaj pandemie njerëzit po ndërgjegjësohen më shumë për ruajtjen e shëndetit. E duam dhe e vlerësojmë shëndetin më shumë se kurrë ndonjëherë tjetër. Kjo ndodh sepse kur është dimër e kupton se çdo të thotë zjarr, kurr është errësirë kupton vlerën e dritës, kur je i pushtuar dhe i skllavëruar kupton vlerën e vërtetë të lirisë, kur je i rrezikuar nga sëmundjet, atëherë kupton shëndetin dhe vlerën e tij. Prindërit tanë dikur thoshin:”Shëndeti është mbretëri”.

-Mendoni se pas kësaj pandemie njerëzit do të lëvizin më pak me makina?

-Mendoj se qeveritë, organet ligjëvënëse, do të marrin masa dhe do të vendosin ligje të repta për të mos e dëmtuar ajrin dhe natyrën, për të kufizuar gjërat e dëmshme, për ta hedhur më shumë njeriun në krahët e natyrës, “bir” i së cilës ai është. Por dhe rregullat higjienike t`i zbatojmë më shumë dhe më mirë. Ndërkohë që edhe bashkia t`i zbrazë më shpesh kazanët e plehrave, ta pastrojë lumin Lana, që kundërmon erë të rëndë sa herë i afrohesh. Po kalove vetëm me makinë, nuk e ndjen erën e qelbur të kazanëve të plehrave në rrugët e kryeqytetit, erën e rëndë të lumit, jashtëqitjet e qenve nëpër sheshe, rrugë e rrugica. Të gjitha këto e të tjera janë ndotës dhe përhapës të sëmundjeve. Sigurisht edhe të gjithë qytetarët kanë përgjegjësitë e tyre...

-Po individët do të ndryshojnë pas kësaj pandemie?

-Të gjithë do të ndryshojmë. Do t`i shohim ca gjëra ndryshe, nuk “do t`i lajmë duart si Pilati”, por do t`i lajmë vërtetë sepse bëhet fjalë për jetën tonë, njerëzia do shohin që paraja s`është gjithçka, do shohin se lavdia s`është gjithçka, do shohim se të jesh pronarë dhe pushtetarë s`është gjithçka, njerëzia do të jenë më me këmbë në tokë, sepse, kjo pandemi vrasëse, ashtu sikurse tërmeti pak muaj më parë, na ka bërë bashkë, pa shumë dallime dhe ndryshime nga njëri-tjetri. I rrezikohet njëlloj jeta nga sëmundja edhe njerëzve më të fuqishëm të botës, ashtu si dhe njerëzve më të thjeshtë të botës; sëmurren pasanikët më të mëdhenj të botës, ashtu siç sëmurren edhe më të varfërit e botës. Pra, ka plotë gjëra që do të mendohen disi më ndryshe nga sa më parë, jo se nuk diheshin, por se tani përjetohen më shumë. Sigurisht, kur të mbaroj historia e kësaj pandemie, shoqëria njerëzore me institucionet e saj do të bëjë disa analiza më të thella, do të nxjerrë disa mësime, por edhe do të dalë me disa konkluzione më të drejta.

-Në çfarë niveli mendoni së është psikologjia shqiptare në këto kohë pandemie, në raport më të tjerët?

-Mendoj se ne shqiptarët kemi qenë në pararojë në disa drejtime të rëndësishme.

-Për shembull?

-Për shembull në drejtim të veprimeve, akteve e gjesteve humane. E tregoi këtë edhe ndihmesa dhe mbështetja e mjekësisë sonë ndaj mjekësisë italiane, por edhe pjesëmarrja aktive e shumë mjekëve dhe infermierëve shqiptarë në klinikat më në zë të botës për të shpëtuar jetë njerëzish nga flama Covid-19.

-Si i ke vlerësuar artistikisht këto arritje të shqiptarëve?

-Së pari jam ndjerë entusiazt dhe i emocionuar, është diçka në vazhdën e konceptit dhe psikologjisë së popullit shqiptar, e provuar në shekuj kur populli ynë u ka ardhur në ndihmë popujve të tjerë kur ata kanë qenë në hall. E ka treguar në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, i cili sakrifikoi dhe luftoi shumë në mbështetje të Europës, duke iu bërë barrikadë trupave osmane dhe duke i bllokuar ata. Populli ynë e tregoi vlerën e tij me përfaqësuesen më dinjitoze shqiptare Nënë Terezën, Nënën e të gjithë botës. E ka treguar gjatë Luftës së Dytë Botërore kur u reshtua në koalicionin kundër fashizmit, po i tregon këto vlera edhe sot. Bota ka filluar t`i njohë më mirë shqiptarët.

-Duhej të vinte Covid-19-ta, që populli shqiptarë të tregonte vlera humane?

-Ne kemi një fjalë të urtë që në këto kohë po e zbatojmë: “Miku i vërtetë, duket në kohë të vështira”. Kësaj i kemi qëndruar gjithnjë.

-Ju si shkrimtar, si po e shfrytëzoni kohën?

-Përpiqem të shkruaj prozë dhe poezi, por s`mund të luaj strucin, ndërsa armiku është “te porta”. Jemi në betejë dhe duhet të sillemi si të tillë. Beteja kërkon zbatim të rregullave të luftimit, përndryshe çthurrja të çon drejt vetshkatërrimit. Kështu që, duke qenë të disiplinuar në betejë, humbjet do t`i kemi më të pakta, kurse triumfi mbi të keqen do të vijë më shpejtë.

-Thatë që keni shkruar edhe poezi, mund të na përmendësh disa vargje?

-Po, para pak kohësh shkrova poezinë “Bajlozi i frikshëm”. Ja, mund t`ju recitoj dy strofa nga ajo poezi:

Zemërohemi pareshtur që s`po e mundim dot,

këtë të paudhë, të paburrë dhe armik tinëzar,

ç`na duhen armët atomike,raketat hapësinore,

kur s`bëjmë dot zap këtë korona-virus zuzar!?

Humbja e besimit s`po na ndihmon për asgjë,

veçse na mjegullon keq të ardhmen që na pret,

ndaj, mblidhuni o të ditur t`gjithë botës mbarë,

ta shporrim nga globi këtë xhelat që po na vret!

Ose nga poezia “Qytetar i botës jam”, të cilën ua kushtoj mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, që sot janë në vijën e parë të zjarrit kundër “Covid-19” në Shqipëri, Itali, Angli, Gjermani, Spanjë, Francë, Amerikë dhe në mbarë botën:

Shqiptar themeli,brez pas brezi jam,

por sot jam edhe anglez dhe italian,

francez, kanadez, polak e gjerman,

...sot qytetar i gjithë botës jam.

“Covid-19” sot kam kundërshtar,

ndaj në front jam në vijën e parë,

unë qytetari nënshtetas shqiptar,

luftoj për jetën e botës mbarë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat