Një përmendore për Migjenin

Kultura

Një përmendore për Migjenin

Më: 14 prill 2020 Në ora: 15:43
Millosh Gjergj Nikolla

Gjithkujt që ka lexuar dhe e ka bërë librin pjesë të tij, i ka ndodhur që t’i rikthehet një vepre në kohë të ndryshme. Janë shumë arsye pse ndodh kjo, por ndoshta më kryesorja është se, në një mënyrë a në një tjetër, ka një unifikim, një dashuri shpirtërore me autorin, ngjarjen, gjuhën apo personazhet që rrëfehen në të.Kjo ka ndodhur edhe me mua. Kisha kohë që kërkoja të rilexoja veprën “Migjeni”, të studiuesit dhe ish-pedagogut tim Rinush Idrizi. Për herë të parë, studimin e profesorit tim të nderuar e kisha lexuar në vitin 1992, atëherë kur ende nuk e dija se autorin do ta njihja nga afër, e se ai do të linte gjurmë në jetën time. Arsyeja se përse më pëlqeu ky libër në atë kohë, është se ndryshe nga kritika dhe studimet e tjera shqiptare të deri atëhershme, kjo vepër nuk ishte një jetëshkrim i thjeshtë. Përkundrazi, depërtonte në mënyrë  vertikale tek autori dhe krijimtaria e tij.

Nga ana tjetër, Migjeni është shkrimtari me të cilin unë jam dashuruar që në fillim. E gjithë krijimtaria e tij, është e papërsëritshme dhe si e tillë komunikon gjithnjë si e veçantë. Ishin këto arsyet se përse gjithnjë kam dashur që t’i rikthehem kësaj vepre. Librin që pata atëherë, dikush ma pat marrë, e nuk ma kthehu më kurrë.Botimi i dytë i ripunuar i kësaj vepre nga ana e “Onufrit”, ishte një lajm sa i mirë që më shtyu sërish drejt rileximit të kësaj vepre. Qysh në krye të rreshtave të parë, konstatova një volum të madh pune, e për më tepër një vepër të mbështetur mbi mendimin e thellë kritik e reflektiv. Sidomos gjatë periudhës së tranzicionit, për Migjenin janë thënë e stërthënë shumë gjëra, janë hedhur hipoteza nga më të ndryshmet, aq sa denigrimi i këtij shkrimtari të madh nisi të bëhej diçka e zakonshme edhe në qarqet të ashtuquajtura letrare. E parë edhe në këtë kuadër, kureshtja ime për të rilexuar veprën “Migjeni” të Rinush Idrizit u bë edhe më e madhe. Por, në lidhje me këtë degradim, qysh në fillim, vet profesori dhe studiuesi i nderuar në faqen 7 shkruan: “Kam zgjedhur t’i injoroj absurditetet, sepse t’u kundërvihesh atyre është jo vetëm humbje kohe, por edhe fyerje intelekti.”

Pa dashur të fyej askënd, gjithnjë e shpreh dhe do ta shpreh mendimin tim se Rinush Idrizi është njohësi dhe studiuesi më i mirë i jetës dhe krijimtarisë së Migjenit. Këtë e vërtetova edhe njëherë gjatë leximit të kësaj vepre. Nëpërmjet fakteve dhe dokumenteve, Profesor Rinush Idrizi, tregon saktësisht rrënjët e familjes së Migjenit, duke përshkruar hollësisht gjithë historinë dhe kalvarin që ajo përjetoi, si e pandarë nga epoka në të cilën jetuan paraardhësit e tij. Në mënyrë kronologjike, bazuar vetëm mbi dokumente, fakte dhe argumente, rrëfehet e gjithë jeta e këtij uragani të letërsisë shqipe. Për një kohë të gjatë, ai ndalet në rininë e tij, studimet, shokët, ngjizjen pas filozofisë niçeane dhe letërsisë, të cilat u bënë udhërrëfyese të shpirtit të shkrimtarit të ardhshëm. Ndonëse me diferencë kohe, Niçe dhe Migjeni kanë lindur në të njëjtin muaj, (respektivisht 15 dhe 13 tetor) dhe kanë vdekur në të njëjtin muaj (respektivisht 25 dhe 26 gusht). Një rastësi që, për mua, do të thotë shumë.Por le t’i kthehemi veprës “Migjeni”. Si një nga njohësit më të mirë të letërsisë, për periudhën e shekullit të njëzetë e sidomos së gjysmës së parë, studiuesi Rinush Idrizi na e jep të qartë Migjenin, jo vetëm në raport me epokën në të cilin jetoi, por edhe marrëdhëniet që krijoi me shtypin e kohës, botuesit dhe autorët që shpërthyen dhe mbajtën gjallë jetën intelektuale dhe letrare shqiptare, marrëdhëniet me censurën dhe vështirësitë e shumta me të cilat ai u ndesh.

“Migjeni nuk e përjashton veten nga lufta e dhe përplasjet e brezit të vet. Ai deri në fund do të jetë shkrimtari që do t’i flasë kohës dhe përtej saj, që do të thotë me forcë mendimin vet përparimtar. Por si do ta thotë? Këtu ai do të jetë biografia e vetes në të vërtetat e jetës, do të jetë koha në vështrimin e rreptë, do të jetë realiteti i gjykuar nga ai, do të jetë njeriu me mikrobotën e tij, do të jetë, më në fund, vetvetja në monologun e frymëzimeve dhe shqetësimeve të thella shpirtërore artistike. Tek ai shpirti i artistit e mbisundon intelektin, duke zhdukur rrezikun e moralizimit dhe ideologjisë. Tani Migjeni e tejkalon Milloshin. Poeti vuan për Njeriu dhe jo për Veten.” (f.126)Më tej, në studimin e ti, pas një analize të thellë, me të drejtë Rinush Idrizi shprehet: “Migjeni nuk u fokusua te mjerimi thjesht si varfëri, siç bënë disa talente të viteve ’30, duke rënë në sentimentalizëm dhe propagandë. Ai u fokusua në shkatërrimin e personalitetit të njeriut, të shpirtit, në shpërfytyrimin e tij moral, mendor prej një mjerimi ku njeriu nuk lufton, por vetëm gjallon, ku ai nuk merr asnjë përgjegjësi për veten, ku ai lëshohet e i nënshtrohet dhunës e brutalitetit e përfundon në shkallën më të ulët të qenies, në ekzistencën biologjike të qenies, thjesht përmes instiktit…, që krijon pa fund vargonj të rinj.” (f.136)Kjo vepër, duke analizuar autorin, krijimtarinë dhe epokën kur u zhvillua, është edhe një analizë që jep përgjigje për shumë çështje, sidomos edhe në lidhje me politizimin që iu bë Migjenit gjatë sistemit komunist. “Ideja e heroit-mbinjeri dhe gjithë idetë filozofike niçeane, që lidhen me individin, turmën, njeriun dhe mbinjeriun, që aq shumë ishin trajtuar në literaturën filozofike, shoqërore dhe artistike evropiane që nga fundi i shekullit XIX, zunë një vend të rëndësishëm në polemikën shqiptare nga fundi i viteve ’20, por perceptimi artistik më i thellë e origjinal i Mbinjeriut-heroit të ri vjen vetëm nëpërmjet poezisë së Migjenit.” (f.158) Migjeni i mbeti besnik bindjeve të tij.Në epokën e tij, korrentet politike ishin të forta, e sidomos përplasja mes ideologjisë fashiste dhe asaj komuniste. Migjeni qëndroi larg bindjeve të majta. Po atëherë, si ka mundësi që ky shkrimtar, më i madhi i brezit të tij, u bë një nga më të lexuarit dhe studiuarit gjatë periudhës së komunizmit në Shqipëri. Edhe për këtë çështje, autori i kësaj vepre, si një dëshmitar i asaj periudhe, jep argumentet e tij. “Pas viti 1944 Migjeni u bë objekt i shumë debateve.

Në fillim pati zëra, që ai nuk duhej përfshirë në Historinë e Letërsisë Shqiptare, pasi kishte qenë i ndikuar nga filozofia e Niçes dhe arti modern Perëndimor, se i kishte kushtuar poezi Mbinjeriut, se ishte herë-herë pesimist, nuk ishte përfshirë në lëvizjen e grupit të të rinjve të Shkodrës, etj. Por më pas ky mendim “u korrigjua”. Regjimit i duhej një poet i madh, që të mund të zgjeronte kufijtë e artit të ri proletar dhe kështu “u bë ajo lidhja famëkeqe institucionale politike”. Duke interpretuar kundërvënien e Migjenit ndaj fesë, trajtimin e mjerimit, të punëtorit të papunë, etj., si motive “të frymëzuara nga idetë socialiste”, duke i lidhur artificialisht edhe simbolet e Botës së Re dhe të Diellit (që janë simbole të përdorura në mënyra të ndryshme në të gjithë poezinë moderne), me triumfin e komunizmit dhe kështu duke tjerrë e endur sipas interesash politike e ideologjike, u soll edhe ideja se ai ishte paraprijësi i realizimit socialist.” (f.201)

Profesor Rinush Idrizi është njohësi më i mirë i Migjenit. Për të arritur në studimin e plotë të figurës dhe krijimtarisë së këtij uragani të letërsisë shqipe, është mbështetur mbi metodat e thella hulumtuese e shkencore, duke nisur që nga shfletimi i veprës, e deri tek intervistat me miqtë e bashkëkohësit, që nga njohja e epokës historike në të cilin jetoi e deri tek shfletimi i gazetave dhe mendimeve të personaliteteve të kohës, nga njohja e historisë së letërsisë e deri tek përplasjet e rrymave dhe filozofive të kohës.. Me shumë interes është edhe përcaktimi i profesor Pashko Gjeçit, në vitin 1940, të cilin e gjejmë si një konkluzion të mendimit më të thellë kritik të kohës, i cili deri më sot nuk është tejkaluar, por fatkeqësisht është përsëritur e kopjuar nga disa studiues e meditues e veprës së Migjenit. “Ma i madhi poet i të rinjve, Migjeni u shkoq prej traditës sonë letrare. Nuk mund t’u përpiqte me Fishtën e Nolin, pse nuk e çmonte anën heroike të jetës. Nuk mund të vente mbas Koliqit e Poradecit pse kishte tepër seriozitet dhe i mungonte delikatesa e pendës. Kje si një ciklon për letërsinë tonë dhe kaloi si kalon stuhia. Mbas tij nuk njohim  ndjekës të dejë për t’u përmendë.

Në se nota melodioze e Lasgushit dhe Koliqit ndihet në të gjitha poezitë e të rinjve, fryma e turbullt e Migjenit duhet të kthellohet për t’u zhvillue. Në letërsinë e tashme kemi ma shumë emra se vepra… çdo njeri që din të shkruej, shkruen pa të breme ndërgjegje”.“Migjeni” i profesor Rinush Idrizit është një vepër ku takohen dhe ndërthuren bukur njohja, historia, biografia, fakti, argumenti, intervista, ditari, dëshmia, analiza dhe refleksioni të shtrira në kohë dhe hapësirë, është dimensioni më i madh dedikuar një shkrimtari shqiptar. Është përmendorja më e plotë dhe më e bukur kushtuar Migjenit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat