Buzëqeshja e rrudhave

Kultura

Buzëqeshja e rrudhave

Nga: Tahir Bezhani Më: 18 prill 2020 Në ora: 10:27
Tahir Bezhani

Ditës së sotme i dolën rrudhat

Duke shetitur në dhomë i përgjumur

Rrezet   pjekin lëkurën  n’oxhakun e diellit

Si bukën e argatëve  nën saçin e skuqur

Fytyrë ime e bezdisur, e mrrolur

Si lëvore druri , vjetëruar në kohë

Buzët tkurren e zgjaten instiktivisht

Si llastik i fëmijëve kur gjuanin

 Zogjtë e pafajshëm pranverave...

Eeeee!

Kur ngujimi të bëhet mik i zorit,

Vragët e dhunës nuk fshifen

Buzëqesh,vetëm i buzëqesh

Mjekrës sime të rritur tepër

Edhe vdekja e ka kuptimin e vet

Në e pastë tash kohën

Jeta si duq, i varur krahëqafe

Mbushur me ironi hamletiane...

 

 

 

NUK E KISHA LEHTË

 

Nuk e kisha lehtë të kaloj natën sonte

Vërshuan mendimet e tërbuara rrugëve

Ngatrresave të kohës u dolën pritave

Fjalë të nxehta ndrroheshin mes rreshtave

Askund filli,askund fundi,sytë gacë....

 

E nuk e kisha lehtë të vij te pajtimi

Kryengritje bënë mendimet e ndezura

Pajtime kërkonin fjalët e ëmbla

Germat shkonin trupit tim si thneglat

Drunjëve të kalbur maleve të larta...

 

Më kafshonin idhshëm

Ahishta pikon shi e lot,pishat kreheshin në diell

Nuk e kisha të lehtë jo

Më humbiste vetja udhëkryqeve

Shpesh thirrja në ndihmë Kamy-n,Markezin

Ishte larg qielli me tokën

Vetëm durimi më solli dritën

Drita pajtimin me vetveten e lodhur

Sa i rreptë është lumi im i fjetur...

 

 

 

GUNGAÇI*

 

Tërë ditën kalonte rrugëve të qytetit

Ku e zinte  nata, takohej te nesërmen me dritën

I dehur truponte rrugët pa kontroll

Fliste e shante veten, shante edhe të tjerët

Nxirrte dhëmbët e sertshëm, i sillte gishtërinjve

Nga lodhje e rrugëve të nxira lirie

Sulmonte politikanët e kohës hoteleve

-Unë ua nxjerr sytë me shpatën e Demokleut

U  thoshte ,pastaj shkonte....

Ky ishte refreni i Gungaçit

Pijaneci i dashur i qytetit tim të mirë

Rrugëve u vinte era alkool, si parfum sot

Gungaçi shkoi i paparë në amshim

Varrimin e kërkonte vertikalisht

Për kursim toke ,thoshte poet

Vogëlsi madhore varur  në statujë kohe

Shëtit (sot)rrugëve të kujtesës nëpër brezni

Një obelisk  në histori...

PS

*Gungaçi ,poeti i ndjerë gjakovar, Ali Musaj,(1933-1995), autor i këtyre veprave me poezi: “Vetëm jehona”,”Shkalzimet e frikës””Katarzë” , “Zëri i vetmisë”dhe “Dridhjet e jetës”. Ishte njëri ndër poetët më të spikatur të Kosovës e jo vetëm ,një bohem i rrallë,i cili kaloi jetën eseninçe rrugëve të Gjakovës. Ishte nip i Bajram Currit,heroit tonë kombëtarë. Përherë i ndrydhur nga pushteti, kurrë i harruar nga lexuesi e bashkëqytetaret e tij...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat