Mungesa e buxhetit pezullon punën për Muzeun e Historisë së Natyrës

Kultura

Mungesa e buxhetit pezullon punën për Muzeun e Historisë së Natyrës

Më: 19 prill 2020 Në ora: 14:08
Muzeu i Historisë së Natyrës

Masat e marra për parandalimin e virusit Covid-19 nuk janë arsye pse është ndalur puna në ndërtimin e objektit të Muzeut të Historisë së Natyrës.

Në projektin më të madh kapital të trashëgimisë kulturore në dy dekadat e fundit puna është ndalur në fund të vitit të kaluar.

Mospagesat e Ministrisë së Kulturës ndaj kompanisë punëkryerëse dalin të jenë arsye të ngecjes së projektit në fshatin Sllatinë të Fushë -Kosovës, në zonën e njohur “Te pishat”.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Kulturës, deri tash janë shpenzuar 121 mijë euro për kompleksin që llogaritet të kushtojë 2.4 milionë euro. Për këtë vit MKRS-ja ka paraparë gjithsej 262 mijë euro. Nëse punët vazhdojnë me këtë ritëm, i bie që projekti i paraparë të përfundojë për tre vjet të zgjasë një dekadë.

Adem Musa, inxhinier i ndërtimtarisë dhe udhëheqës i projektit, thotë se kanë pasur probleme me pagesat dhe pritet që puna të rifillojë pas shfuqizimit të masave që Qeveria ka marrë për parandalimin e shpërndarjes së virusit Covid-19.

E Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, thotë se në fund të vitit të kaluar është dashur të bëhej një harmonizim i vogël midis projektit të ndërtesës dhe statikës.

Muzeu i Historisë së Natyrës ishte parë si zgjidhje për mbi një mijë eksponate, kafshë e insekte të balsamosura, të cilat prej 21 dhjetorit të vitit 2017 janë vendosur në një shtëpizë prej dërrasash, në hyrje të kompleksit “Eminxhiku” në Prishtinë.

Kur ishte vënë guri themeltar më 7 maj të vitit të kaluar, ishte raportuar se MKRS-ja do të ketë probleme me financimin e këtij projekti.

Kujtim Gashi, asokohe ministër i Kulturës, kishte thënë se rishikimi i buxhetit për vitin e kaluar e planifikimet për këtë vit do të rrisnin mjetet për ndërtimin e Muzeut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat